Ditë më parë, me vendim të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, u emërua Këshilli i Ri Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Këshilli drejtues, me mandat 4 vjeçar, ka këtë përbërje: Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliq.
Ndërkaq, për emërimin e këshillit drejtues kanë reaguar individë të shumtë, duke e cilësuar si vendim për rehatim të partiakëve, gjë që ka nxitur një reagim nga ministri Çeku.
Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Çekut.
Në lidhje me emërimin e Shkurte Aliut dhe të tjerëve si anëtarë të Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës:
- Jam konsultuar me komunitetin teatror të Kosovës dhe emrat e Këshillit të ri Drejtues të Teatrit Kombëtar janë rezultat i atij procesi.
- Në emër të departizimit në fushatë kam propozuar një filtër profesional mes ministrit dhe Këshillit Drejtues. Dhe atë mekanizëm do ta zhvillojmë shumë shpejt. Ky mekanizëm i pavarur dhe profesional do ta këshillojë ministrin, por në fund vendimi merret nga ministri në përputhje me kompetencën ligjore.
- Partizimi në emërime ndodhë atëherë kur kriter kryesor për marrjen e detyrës është anëtarësia partiake. Ndërsa ky ndikim partiak është manifestuar edhe në forma të tjera, psh në Teatër përmes favorizimit të regjisorëve, ndërhyrjes në repertor, ndalimit të shfaqjeve. Këto nuk do të ndodhin më, ose në momentin që ndodhin do të sigurohemi të marrin përgjigjen e merituar.
- Ligji ma jep të drejtën për emërime mbi bazën e besimit. Dmth për emërimin e anëtarëve të këshillave drejtues nuk kërkohet as konkurs e as procedurë, sepse ky nuk është punësim, por emërim. Prandaj, mua mund të më gjykoni në bazë të performancës së njerëzve që kam emëruar. Këshillit duhet t’i japim kohë dhe pastaj bashkërisht të vlerësojmë punën e tyre. Ndërsa në momentin që ndodh një shkelje, e njëjta do të adresohet menjëherë.
- Në atë detyrë e kam emëruar një profesioniste, jo një militante të padijshme. E kam emëruar një regjisore teatri, jo një që nuk e di as ku ka konkuruar, kam emëruar Shkurten e teatrit, jo Shkurten e Vetëvendosjes.
- Anëtarët e Këshillit Drejtues nuk paguhen me rrogë, ata kompensohen për mbledhjet që i mbajnë, por shuma maksimale mujore për një anëtar është 200 euro bruto. Gjithashtu, ligji ua ndalon të drejtën për t’u angazhuar në punë krijuese të kontraktuara nga Teatri.
- Pra, Shkurta regjisore nuk ka të drejtë të bëj shfaqje për sa kohë është në Këshill, ndërsa për punën e saj mund të marrë më së shumti 200 euro në muaj. E puna e saj bashkë me gjashtë anëtarët tjerë të Këshillit është zhvillimi i Teatrit Kombëtar, një mision sa sfidues aq edhe fisnik.
- Gjithë kjo zhurmë po bëhet për të krijuar një përshtypje për kisne rehatim të partiakëve me qëllime përfitimi material. Kjo po bëhet edhe duke e përdorur fjalën “bord”, në synimin për të krijuar sensacion. Teatri Kombëtar nuk ka bord, ka këshill drejtues. Dhe ky nuk është punësim, por emërim.
- Shkurta është profesioniste, punëtore e madhe, njeri me integritet, e pakorruptueshme. Ka dhënë shumë për teatrin, nuk ka marr asgjë. Ka ende për t’i dhënë jetës teatrore në Kosovë. Kam besim të plotë në profesionalizmin dhe integritetin e saj, prandaj edhe e kam emëruar në atë detyrë. E njëjta vlen edhe për anëtarët tjerë të këshillit: Gresa Pallaska, Visare Aliu, Rebeka Qena, Armend Smajli, Ben Apolloni, Brikena Mulliqi.
- Kemi nisur reformimin e institucioneve kombëtare të kulturës dhe ky proces nuk do të ndalet. Teatri, Baleti, Filharmonia, Galeria dhe të tjerat do të kenë këshilla drejtues profesional, autonomi financiare dhe qëndrueshmëri institucionale, kapacitete të mjaftueshme njerëzore, udhëheqës me integritet artistik e njerëzor, cilësi të rritur programore, prezantim të dinjitetshëm ndërkombëtar dhe audiencë të rritur. / KultPlus.com