Sot shqyrtohet raporti për Kosovën në Këshill të Sigurimit

Ministrja Donika Gërvalla merr pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.

Këshilli i Sigurimit në mbledhjen e sotme në New York do të shqyrtojë raportin periodik të Sekretarit të Përgjithshëm për Kosovën.

Për këtë, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, dje ka udhëtuar për në SHBA ku do të përfaqësojë Kosovën dhe të arriturat e saj.

Për pjesëmarrjen e Gërvallës, dje ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme.

“Gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla do t’i paraqesë të arriturat e Republikës së Kosovës, sfidat me të cilat përballet, sukseset në fushën e ekonomisë dhe sundimit të ligjit, reformat në fusha të ndryshme si dhe perspektivën e vendit”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Sipas agjendës së publikuar nga Këshilli i Sigurimit, pikë e rendit të ditës janë edhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit, përfshirë edhe atë 1244.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të nisë nga ora 15:00 që me orën lokale në Kosovë i bie në ora 21:00./Gazeta Express/ KultPlus.com

Franca alarmon në Këshill të Sigurimit për sigurinë në Bosnje e Kosovë pas luftës në Ukrainë

Ambasadorja e Francës në Kombet e Bashkuara, Nathalie Estival-Broadhurst, ka thënë se shteti i saj shpreh shqetësimin për krizën e vazhdueshme politike në Bosnje e Hercegovinë që nga vera e kaluar.

Siç ka thënë ajo, një krizë e tillë rrezikon arritjen pothuajse 30 vjeçare të ndërtimit të institucioneve dhe reformave në Bosnje e Hercegovinë.

Broadhurst tutje ka thënë se duke qenë përballë kësaj dinamike shqetësuese, prezenca ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë mbetet e nevojshme për stabilitetin e Bosnjës dhe të rajonit.

Diplomatja franceze ka thënë se prezenca e misionit të EUFOR-it në Bosnje duhet të vazhdojë, derisa përmend edhe Kosovën, duke thënë se Bashkimi Evropian ndihmon në reduktimin e tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes misionit të EULEX-it.

Broadhust tutje ka thënë se me luftën e paprecedentë që Rusia ka nisur në Ukrainë, Franca nuk do të ndal përpjekjet për të punuar për stabilitetin e Evropës dhe në mënyrë të veçantë të Ballkanit.

“Meqë kontinenti evropian përballet me një sfidë të paprecedentë që vjen nga lufta e Rusisë në Ukrainë, ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të punuar për stabilitetin në Evropë, veçanërisht në Ballkan”, ka thënë ambasadorja Broadhurst në Këshillin e Sigurimit./Express/KultPlus.com