Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua Këshillit të Sigurimit të OKB-së virtualisht, duke kërkuar që mbikëqyrësi bërthamor i organizatës, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), të marrë kontrollin e përhershëm të situatës në uzinën e Zaporizhzhia sa më shpejt të jetë e mundur. Ai gjithashtu i bëri thirrje Rusisë që të tërhiqet plotësisht nga uzina.
“Rusia e ka vënë botën në prag të katastrofës së rrezatimit. Është fakt që ushtria ruse e ka kthyer territorin e termocentralit më të madh bërthamor në Evropë, termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, në një zonë lufte. Tani Evropa dhe rajonet fqinje përballen me kërcënimin e ndotjes nga rrezatimi”, tha Zelensky.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha gjithashtu se është shumë i shqetësuar nga situata në Zaporizhzhia.
“Dritat paralajmëruese po ndizen. Çdo veprim që mund të rrezikojë integritetin fizik ose sigurinë e centralit bërthamor është thjesht i papranueshëm. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm i situatës mund të çojë në vetëshkatërrim”, tha Guterres ndërsa fliste në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Sekretariati i OKB-së është në kontakt të ngushtë me IAEA për të mbështetur çdo mision në termocentralin nga Kievi, me kusht që Rusia dhe Ukraina të bien dakord. /abcnews.al/ KultPlus.com
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u raportua për Kosovën, nuk munguan as përleshjet mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e ministrit të Jashtëm serb, Nikola Selakoviq.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit ka kërkuar nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, që të gjunjëzohet para monumenteve të viktimave të luftës në Kosovë dhe të kërkojë falje për gjenocidin e kryer në Kosovë nga Serbia.
Ajo ia ka përmendur vazhdimisht masakrën e Poklekut dhe 54 viktimat e saj, duke i kërkuar të gjunjëzohet para pllakës përkujtimore.
“Ju ftoj të gjunjëzoheni aty, se këtë e bënë qenia njerëzore, kur nuk bëhet drejtësi”, tha Osmani.
Ministri serb e provokoi rëndë Osmanin, duke i thënë ndër të tjera, se kur flet për presidentin serb duhet të ngritët në këmbë dhe duke shtuar se, Vuçiq është edhe president i Osmanit.
Selakoviq vazhdimisht i drejtohej Presidentes së Kosovës si “qytetare e Kosovës”.
“Zonja Osmani duhet të qëndroni në këmbë kur të përmendi Aleksandar Vuçiq, sepse është edhe presidenti i juaj dhe duhet t’i kushtoni respekt presidentit tuaj”, është shprehur Selakoviq,
Tutje, ai i është drejtuar ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi si “Kasap i Ballkanit”, për të cilën mori edhe përgjigje nga Osmani
“Ndërsa sa i përket kasapit të Ballkanit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit e të tjerëve të cilët kanë kidnapuar qytetarë të pafajshëm dhe kanë tregtuar me organe njerëzore, janë në burg dhe po përballen me gjyqësorin”, u shpreh ministri serb.
Ai tutje akuzoi Kosovën edhe për numrin e viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Duhet të ndaloni të gënjeni për 20 mijë raste të dhunës gjatë luftës, sepse bazuar në raportin e dhënë këtu tek Këshilli i Sigurimit të OKB-së, nga sekretari i përgjithshëm në misionin e UNMIK i prezantuar më 5 prill 2021, statusi i grave të dhunuar është konfirmuar jo tek 20 mijë gra por 920 raste”, ka thënë ai. “Protestoj për faktin se kanceri në zemër të Evropës, duke i vendosur hartat me simbolet e deklarata të rreme”, tha Selakoviq, raporton Telegrafi.
Osmani iu përgjigj atij, duke i thënë se me shumë krenari përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Z.Selakoviq, unë jam qytetarë krenare e Republikës së pavarur e sovrane të Kosovës. Është më mirë që ju të ballafaqoheni me këtë realitet dhe do të jetë edhe mirë për qytetarët e Serbisë”, tha Osmani.
“Populli juaj ka vuajtur shumë nga ju, jo vetëm ne por edhe ata. Pajtohem se është një tragjedi pas secilit të zhvendosur sepse kam qenë vet e tillë, jo vetëm unë por mbi 80 për qind e popullit tim janë detyruar të ikin nga regjimi i Millosheviqit”, tha Osmani
Osmani theksoi se serbët e Kosovës kanë frikë nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë dhe bandat e përkrahura nga Vuçiq.
“Në bazë të raporteve ndërkombëtare, nga 2017 deri në 2020 përqindja e krimeve të motivuara etnikisht nuk është 3 për qind, por ëshë 0.03 për qind. Serbët në Kosovë frikësohen nga strukturat paralele që përkrahen dhe shndërrohen në banda nga presidenti Vuçiq. Ata po shkelin të gjitha të drejtat themelore të serbëve dhe po i kërcënojnë që të mos marrin pjesë në zgjedhje. Do të bëjmë gjithçka që t’i mbrojmë serbët nga këto struktura kriminale”, tha Osmani.
Osmani iu përgjigj Selakoviqit edhe për deklaratën ku ai i quan “kasapë të Ballkanit” krerët e UÇK-së, Kadri Veselin e Hashim Thaçin.
“Kosova ka përkrahur themelimin e Zyrave të Prokurorit të Specializuar. Udhëheqësit kanë bashkëpunuar me këtë tribunal sepse s’kemi çka të fshehim. E vërteta është se NATO ka intervenuar për të ndaluar gjenocidin serb dhe kjo nuk mund të ndryshohet. Ne kemi qenë viktimë dhe serbët kanë qenë agresor”, ka thënë ajo.
Ata gjatë fjalimeve të tyre diskutuan për marrëveshjet e arritura në Bruksel, për të cilat Osmani theksoi se nuk janë implementuar nga ana e Serbisë, ndërkaq më vonë u fol është për masakrat që regjimi serb i ka bërë në Kosovë.
Osmani gjatë fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit iu drejtua ministrit të Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakoviq në lidhje me implementimin e marrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë të nënshkruara në Bruksel.
Osmani theksoi se Kosova ka implementuar mbi 90 për qind të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
“Kosova ka implemetuar rreth 90 për qind të marrëveshjeve sipas Brukselit, dhe derisa ju flisni për një Asociacion të nënshkruar në marrëveshje në Bruksel, e cila marrëveshje është shkelje e qartë e Kushtetutës së vendit tonë. Në anën tjetër, Serbia nuk ka implementuar 2/3 e marrëveshjeve të nënshkruara”, theksoi Osmani.
Ajo u shpreh se Selakoviq nuk mund të mësojë Kosovën për implementim të marrëveshjeve.
“Ju lutem z.Selakoviq mos na ligjëro neve se si duhet të bëhet implementimi, se kjo nuk do të ishte hera e parë që Serbia injoron marrëveshjet që i nënshkruan dhe nuk i implementon pastaj”, iu drejtua Osmani gjatë fjalimit të saj ministrit të Jashtëm të Serbisë. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Këshillin e Sigurimit ka folur për misionin e UNMIK-ut në Kosovë. Osmani ka thënë se kanë qenë kohë të vështira kur është vendosur UNMIK-u si një mision i përkohshëm dhe ka përmendur faktin se atë kohë është thënë se vlefshmëria e “Rezolutës 1244” do të jetë derisa të determinohet statusi final i Kosovës.
“UNMIK-u ishte vendosur në Kosovë në rrethana krejtësisht të tjera, pas ndërhyrjes së NATO-së për të ndalur krimet dhe gjenocidin kundër popullit të Kosovës”, ka thënë presidentja e Republikës së Kosovës.
E para e shtetit ka thënë se “UNMIK-u në Kosovë jo vetëm që e ka stërzgjatur mandatin në Kosovë, por është duke e vazhduar atë edhe në kundërshtim me opinionin e GJND-së”.
Duke folur për këtë çështje, Osmani ka thënë se këshillon anëtarët e Këshillit të Sigurimit që t’i shpenzojnë paratë e tyre më mirë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se statusi i Kosovës është vendosur një herë e përgjithmonë më 17 shkurt të vitit 2008 kur Kosova ka deklaruar pavarësinë.
Shefja e shtetit ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ka konstatuar se vendimi i Kosovës për shpalljen e pavarësisë ka qenë në përputhje të plotë me Ligjin Ndërkombëtar.
“Prandaj ne i bëjmë thirrje Serbisë që të respektojë Ligjin Ndërkombëtar”, ka thënë presidentja e vendit. / KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se për sonte ka ftuar një mbledhje të Këshillit të Sigurisë pas zhvillimeve në veri të vendit.
Kjo ftesë për mbledhje vjen si rezultat i situatës së krijuar në veri të vendit pas vendimit për implementimin e reciprocitetit për targa.
Minuta më parë edhe kreu i LDK’së ka ofruar gatishmërinë për bashkëpunim me qëllim të menagjimit të situatës në veri./KultPlus.com