Me iniciativë të organizatave shqiptare në Austri dhe nën përkujdesjen e Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri, artistë dhe aktivistë shqiptarë të cilët veprojnë atje u bënë bashkë për të nderuar viktimat duke vendosur kurora të luleve ne të gjashtë vendet ku ndodhi sulmi makabër në natën e 2 Nëntorit në Vjenë, datë e cila fatkeqësisht është e zezë për Austrinë dhe mbarë njerëzimin.
Ky akt terrorist pati katër viktima e shumë të plagosur duke shokuar kështu Austrinë dhe mbarë botën.
Ky marsh solidarizues nisi nga Sinagoga, nga edhe ku nisi sulmi i tmerrshëm terrorist si dhe vazhdoi në të gjitha vendet ku mbetën viktima civile, të cilat paguan me çmimin më sublim dashurinë e tyre për këtë qytet të mrekullueshëm.
Me këtë gjest simbolik komuniteti shqiptar në Austri i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve të viktimave si dhe mbarë popullit austriak, gjithashtu shpreh mbështetjen ndaj bashkëqytetarëve të tyrë austriakë duke përçuar mesazhin se do të qëndrojnë bashkë në këto momente të vështira.
‘Aktet e tilla teorriste nuk do të arrijnë të zbehin vlerat e larta të demokracisë, respektin dhe harmoninë ndërnjerëzore që e karakterizonë popullin austriak, por përkundrazi do të na bëjnë edhe më të vendosur në mbrojtjen dhe avancimin e këtyre vlerave universale që dy popujt tanë i bashkëndajnë. Ashtu siç Austria çdo herë ka mbështetur popullin shqiptar, ashtu edhe ne do të mbështesim çdoherë popullin mik austriak. Bashkë jemi më të fuqishëm’, potencon Këshilli Koordinues. / KultPlus.com