Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka emëruar këshilltar të jashtëm Rosario Petta, kryetar i Komunës Piana Degli Albaneze në Itali.
Haradinaj e ka pritur të premten mbrëma delegacionin e arbëreshëve të Italisë. Aty kryeministri tha se dëshirojnë që të bashkëpunojnë më shumë me arbëreshët e Italisë.
“Unë besoj qe lidhja jonë me ju nuk është vetëm lidhje e gjakut mes shqiptarëve, është edhe lidhje e shqiptarëve me Italinë. E kemi lidhë edhe më shumë Italinë me shqiptarët. Jam i bindur që Qeveria e Italisë e përkrah këtë lidhje. Dëshirojmë të ju përkrahim e ndihmojnë edhe në ruajtën e traditës, gjuhës, por dëshirojmë të shkëmbehemi në ekonomi e kulturë, dhe ndjenja njerëzore të dashurisë”, tha ai dhe shtoi se “ju jeni ata qe i kenë mbet besnik vetës”.
Ndërsa ministri i Diasporës, Dardan Gashi, tha se shpreson që këto ditë të organizuara për arbëreshët të jenë vetëm fillimi dhe shtoi se beson se këto aktivitete që i kanë filluar të jenë të përhershme.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se ka shqiptarë kudo në botë.
“Jemi popull jo problematik, jemi popull paqedashës. Gati çdo i treti jeton jashtë vendit. Kudo shqiptarët janë të integruar. Shqiptarët nuk i kanë humbur traditat dhe vlerat”, tha ai.
Ndersa Rosario Petta tha se janë të nderuar për të gjithë respektin që u është bërë nga institucionet e Kosovës.
“Urojmë qe ky është fillimi i hapjes së rrugëve të reja mes arbëreshëve të Italisë dhe institucioneve të Kosovës. Kryeministri na tha mos të ndjehemi në territor të huaj, ne në fakt ndjehemi si në familjen tonë, na bëjnë të ndjehemi si në shtëpinë tonë, ndjehemi shume të unifikuar me ju”, tha ai