Në kështjellën e Kaninës më 22 prill ka dasmë të madhe shqiptare. Fate Velaj, rikthen për kombin shqiptar pas 567-vitesh “Dasmën e Skënderbeut”, shkruan KultPlus.
Kjo gjë është bërë e ditur nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku është treguar se në këtë dasmë do të jenë pjesëmarrës delegacioni prej 60 vetash të ardhur nga Arbëreshët e Italisë, në përbërje të së cilëve është edhe Loris Castriota Scanderbeg.
Krejt kjo madhështi do të organizohet në bashkëpunim me Shoqatën Patriotike “Kanina”, me Lëvizjen “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe Bashkinë e Vlorës.
Në vijim ju sjellim të plotë publikimin nga Fate Velaj, ku thuhet se po realizon ëndrrën e tij me organizimin e kësaj dasme.
“Në datën 22 prill 2018, ditën e dielë, ora 12:00, në Kështjellën e Kaninës, Deputeti dhe djalini Kanines, Fate Velaj, realizon një ëndrrën e tij të vjetër. Në bashkëpunim me Shoqatën Patriotike “Kanina” , si dhe me Lëvizjen “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe Bashkinë e Vlorës, do të organizohet për herë të parë në histori, “DASMA E SKËNDERBEUT”, ashtu siç mund të jetë festuar në atë kohë. Me pjesëmarrjen e një delegacioni prej 60 vetash, ardhur nga Arbëreshët e Italisë, në përbërje të së cilëve është dhe Loris Castriota Scanderbeg – stërnipi i Gjergj Kastriotit, do të festohet 567 vjetori i dasmës më historike të kombit shqiptar si dhe 590 vjetori i lindjes së Donika Gjergj Arianitit në Kaninë. Festimeve do i bashkohen dhe grupi polifonik i Kaninës, ansambli i këngëve dhe valleve të Vlorës si dhe miq e dashamirës nga trevat shqiptare.
Ejani ta kthejmë këtë ditë një festë të përvitshme! Ta kthejmë Kaninën aty ku e ka vendin e saj në histori. Brezat që do vijnë, do na jenë mirënjohës. Mbas festimeve të Kaninës, do të nisemi për te Manastiri i Ardenicës, aty ku Skënderbeu dhe Donika kurorëzuan martesēn e tyre në kishë”, shkruan Velaj në Facebook.
Ky është programi tre ditorë i kësaj dasme të madhe, ku nga Durrësi do të nisen dasmorët me Gjergj Kastriotin në krye për të marrë nuse Donikën.
Vallja e Fitores, më 21-23 prill 2018. Rikthimi i Bijve të Shqipes në Folenë e Shqiponjave. Dita e parë: Nga Durrësi shkojmë te kështjella e Prezës. Në Lezhë, homazh te Vendvarrimi i Mbretit Arbëror, Gjergj Kastrioti. Festimi kulmon te kështjella legjendare në Krujë.
Dita e dytë: Nga Durrësi nisen dasmorët me Gjergj Kastriotin në krye të marrin nuse Donikën, bijën e Gjergj Arianitit dhe Marie Muzakës në Kaninë. Përkujtojmë në kështjellën e Kaninës 590 vjetorin e lindjes të vashës, që u lind, u rrit dhe doli nuse nga kjo derë e madhe Arbërore në moshën 23 vjeçare. Te Manastiri i Ardenicës kryhen ritualet martesore nga vendi, ku u pagëzua e u kurorëzua Donika. Çifti mbjell pemën e Ullirit.
Dita e tretë: Nga Durrësi shkojmë në Tiranë. Në orën 11:00 nis parakalimi madhështor nga sheshi Nënë Tereza e përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit. Ora 12:00, vizitë te Bashkia e Tiranës, ku arbëreshët mirëpriten nga Kryebashkiaku dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë. Më pas deri në orën 14:00, koncert festiv te sheshi i Heroit Gjergj Kastrioti. / KultPlus.com