Ag Apolloni sjell përrallën ‘Kësulëkuqja’ në një version për të rritur, gërshetohen dashuria dhe lufta nga një këndvështrim tjetër

Flonja Haxhaj

‘Kësulëkuqja’ është përralla me të cilën është rritur pothuajse çdo fëmijë që pasi u shkrua nga Charles Perrault, por një këndvështrim tjetër i saj ndërlidhur me një histori të dashurisë që vjen paralelisht me përjetimet e të dhunuarve gjatë luftës së fundit në Kosovë, shpaloset në romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, të autorit shqiptar, Ag Apolloni, shkruan KultPlus.

Fraza e shumëpërdorur ‘Na ishte njëherë’, në këtë libër prej 200 faqesh, sjell me vete dy përralla, atë të përdhunimeve, e që është një e vërtetë dhe  përrallën tjetër të mundshme, atë të historisë së dashurisë, e që të dyja vijnë të gërshetuara në romanin ‘Kësulëkuqja, përrallë për të rritur’.  

Ky roman sipas autorin konsiderohet të jetë një histori dashurie dhe një shëtitje nëpër pyllin magjik të tregimtarisë, ku personazhet futen shtigjeve të mitologjisë, përrallës, religjionit dhe animacionit. Ulërimat dhe psherëtimat, lehjet dhe blegërimat vijnë si një përballje alegorike që zgjon jehun e egërsisë brenda nesh.

Vetë emri dhe temat që trajton, nxitën interesimin e shumë njerëzve për t’u bërë pjesë e promovimit të këtij romani, që u mbajt dje në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ku më pas blerësit e librit patën mundësi të bashkëbisedojnë me autorin.

Pas promovimit, vetë autori Apolloni, thotë për KultPlus se me këtë libër ka synuar që të japë një version personal për përrallën ‘Kësulëkuqja’, një version për të rritur duke e lidhur me interpretimet që janë bërë kësaj përralle dhe duke e pasur një përrallë të përdhunimit por njëkohësisht duke e lidhur edhe me temën e dashurisë.

“Kësulëkuqja, përrallë për të rritur’, është ndërtuar si një roman binar me dy linja, me linjën e përdhunimit dhe linjën e dashurisë, por ka qenë një sfidë në vetvete sepse këto dy linja bashkë është vështirë të hasen në një roman dhe vështirë të pranohen prej lexuesit sepse lexuesi ndan gjithmonë mendjen për njërën zakonisht.”, tha Apolloni.

E ajo që është shumë intriguese për lexuesit, është padyshim emri ‘Kësulëkuqja’, e që në lexim të parë të rikthen në fëmijëri. Autori Apolloni thotë për KultPlus se është pikërisht kjo përrallë, ajo me të cilën fillon romani.

“Romani roman fillon me përrallën ‘Kësulëkuqja’, me formulën e famshme ‘Na ishte njëherë’ dhe tregohet versioni i parë i ‘Kësulëkuqes’, pra versioni i Charles Perrault, me pak modifikime dhe kjo quhet përrallë nga e kaluar, ndërsa si epilog jepet një version tjetër që quhet përrallë nga e ardhmja që do të thotë se në mes të këtyre dy përrallave kemi një histori të vërtetë të përdhunimeve dhe një histori që mund të pranohet si e vërtetë që është një histori e krijuar e dashuri.”, thekson Apolloni, i cili mes tjerash shton se në fillim dhe në fund të këtyre dy linjave kemi dy përralla dhe këto e bëjnë edhe këtë të mesmen përrallë në vete.

Ai më tutje flet edhe për ‘përrallën e vërtetë’ që ai ka përfshirë në këtë libër, atë të përdhunimeve, duke thënë se ai ka bërë bashkë histori të këtyre përjetimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë, por duke i sjellë për lexuesit në një mënyrë më poetike dhe më të butë.

“Ato histori të përdhunimeve unë i kam kthyer në formë dramatike, në formë skenari dhe në formë poetike. Edhe pse janë kthyer në vargje dhe në dialog, ato prapë mbesin histori të vërteta, vetëm se është gjetur një formë më e butë për t’u interpretuar, shtoi autori për KultPlus.

Ndërkaq, duke folur për zanafillën e këtij libri, Apolloni u shpeh se tema e tij nisi një vit më parë kur ai deshi të shkruajë një histori për një grua të përdhunuar.

“Kërkova materiale gjithkund por nuk mjaftonin dhe personi për të cilin do të shkruaja kishte vdekur në vitin 2016 dhe nuk mund të gjeja material të mjaftueshëm kështu që gjeta disa histori dhe e shkrova këtë si gërshetim të historive të grave dhe burrave  të përdhunuar duke futur edhe një linjë të re.”, përfundoi Apolloni.

Ju kujtojmë, se të gjithë të interesuarit tashmë mund ta gjejnë romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” nëpër libraritë e Prishtinës dhe Tiranës./KultPlus.com