Presidentja Osmani takon komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Ferenc Kajári, diskutohet çështja e sigurisë në vend

Presidentja Osmani takoi komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Ferenc Kajári.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc Kajári, me të cilin diskutoi çështjen e sigurisë në vend dhe zhvillimet e fundit në kontinentin evropian pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për punën e KFOR-it dhe kontributin e tyre për paqe dhe siguri. Ne anën tjetër, komandanti Kajári ritheksoi përkushtimin e trupave të KFOR-it në mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe paqësor në të gjithë vendin. / KultPlus.com

Ambasadori i Gjermanisë Rohde: Kosova nuk rrezikohet, e ruan KFOR-i

Joern Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë ka folur për situatën e sigurisë ne vendin tonë.

Rohde iu bashkua një proteste në Prishtinë, të hënën, për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën. Edhe Beogradi protestoi, të premten mbrëma. Këtu, nuk u sha e kritikua, por u mbrojt e u lëvdua Rusia. Presidenti i saj, Vladimir Putin, të cilit iu bë një mural këtu, u quajt vëlla.

Ngjarja në Serbi, që dikush në Berlin e cilësoi të neveritshme, turpëruese dhe pështymje në vlerat evropiane, nuk e shqetësoi kështu shumë edhe ambasadorin në Prishtinë.

“Janë 7 milionë serbë dhe 2 mijë prej tyre në rrugë, kështu që, sipas meje, disa njerëz që bëjnë thirrje të papërgjegjshme dhe shpërndajnë urrejtje nuk do të thotë që po e shfaqin qëndrimin e gjithë popullit serb”, tha Rohde për Klan Kosova.

“Unë besoj në arsyeshmëri, një parandalim të arsyeshëm dhe, siç e dini, të gjithë duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe mendoj se i tërë rajoni i përket BE-së, kjo është ajo që edhe qeveria ime e re e ka shprehur. Ky është prioriteti ynë dhe për këtë arsye do të ketë edhe vizita zyrtare së shpejti në Kosovë”.

Rohde komentoi edhe situatën e sigurisë në Kosovë, pas luftës që nisi Rusia.

“Sikur e dini shumë mirë, ne jemi partnerë të fuqishëm të Kosovës, KFOR-i është këtu duke e monitoruar situatën dhe unë ju garantoj se tani për tani nuk ka ndonjë shenjë rreziku”. / KultPlus.com

KFOR-i publikon pamje të jashtëzakonshme të Kosovës nga ajri (FOTO)

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka publikuar disa fotografi të Kosovës nga lartësia.

Në faqen zyrtare të KFOR-it në Facebook janë shpërndarë katër fotografi nga ajri ku shihen pamje të jashtëzakonshme të Kosovës.

“Çfarë pamje! Patrullat Ajrore të KFOR-it duke vëzhguar Kosovën.⁣ Fotot nga fotografi i KFOR-it, toger Barna Koncsek”, shkruhet në postim.

Më poshtë gjeni fotografitë e publikuara nga KFOR. / KultPlus.com

KFOR-i sqarohet pas zëvendësimit të pengesave artificiale pranë Manastirit të Deçanit

Zëvendësimi i pengesave artificiale që janë vendosur në rrugën për në manastirin e Deçanit, në hyrje të zonës, nga njësitë që i përkasin misionit të KFOR-it, ishte një vendim i marrë nga ata në marrëveshje me autoritetet lokale.

Kështu thuhet në një komunikatë të KFOR-it, ku theksohet se e konsiderojnë të nevojshme zëvendësimin e pengesave të vjetra me pengesa të reja, në mënyrë që të sigurojë një nivel të vazhdueshëm dhe efektiv të mbrojtjes dhe sigurisë, transmeton KultPlus.

 “Në fakt, dihet mirë se zona përreth manastirit të Deçanit është me interes të lartë artistik e kulturor, dhe ka tërhequr turistë dhe studiues për dekada. Ky hap i fundit do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së jetës, si për popullatën lokale ashtu edhe për turistët që vizitojnë Manastirin dhe zonat përreth tij”, thuhet në komunikatë, transmeton tutje KultPlus.

KFOR tutje thotë se Manastiri i Deçanit është i vetmi objekt fetar që ruhet nga KFOR-i, teksa të gjitha objektet e tjera fetare ruhen nga Policia e Kosovës ose nuk ruhen fare.

Autoritetet lokale të Deçanit ende nuk kanë dhënë ndonjë sqarim lidhur me rastin./ KultPlus.com

​KFOR-i kujton 22 vjetorin e hyrjes në Kosovë (VIDEO)

Në 22 vjetorin e hyrjes në Kosovë, KFOR-i ka përkujtuar këtë ditë me një video, duke siguruar se do të vazhdojë të luajë një rol thelbësor, në ofrimin e sigurisë në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Njëzet e dy vjet më parë, pas miratimit të Rezolutës 1244/1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, NATO zbarkoi mbi 50,000 trupa në Kosovë si pjesë e misionit të saj të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë, dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Aktualisht, KFOR-i përbëhet nga rreth 3,600 trupa, nga 27 vende, duke përfshirë vendet e NATO-s dhe partnerët e saj.

“KFOR-i vazhdon të luajë një rol thelbësor, në ofrimin e sigurisë në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Gjeneral Major Franco Federici, Komandant i KFOR-it, gjatë një ceremonie përkujtimore të mbajtur në “Camp Film City” (Prishtinë), që është nikoqire e zyrave qendrore të misionit.

Gjatë kryerjes së aktiviteteve, KFOR-i punon në bashkëpunim të ngushtë me një varg akterësh, përfshirë Kombet e Bashkuara, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit dhe Organizatat e Sigurisë në Kosovë. / KultPlus.com