Mos dashuro të gjysmë dashuruar


Poezi nga Khalil Gibran – (Do not love half lovers)
Përktheu: Guri K. Buza


Mos dashuro të gjysmë dashuruar
Mos zbavit gjysmë shokë
Mos shijo vepra të të gjysmë talentuarve
Mos jeto një gjysmë jete  
dhe mos vdiq një gjysmë vdekje
Nëse zgjedh heshtjen, atëherë ji i heshtur
Kur të flasësh, vazhdo deri sa ta përfundosh
Mos e hesht veten për të thënë diçka  
Dhe mos fol për të qenë i heshtur
Nëse e pranon, atëherë shprehe troç
Mos e mbulo
Nëse e refuzon, atëherë të jesh i qartë
se një refuzim i dyshimtë
nuk është veçse një pranim i dobët  
Mos prano një gjysmë zgjidhje
Mos beso në gjysmë të vërteta
Mos ëndërro një gjysmë ëndrre
Mos fantazo për gjysmë shpresa
Gjysmë gote nuk do të ta shuaj etjen
Gjysmë vakti nuk do të të ngop
Gjysmë rruge nuk do të të shpie gjëkundi
Gjysmë ideje do të të lërë pa rezultat
Gjysma jote tjetër nuk është ajo që e dashuron
Je ti në një kohë tjetër por në të njëjtën hapësirë
Je ti, kur ti nuk je
Gjysmë jete është një jetë që s’e ke jetuar
Një fjalë që nuk e ke thënë
Një buzëqeshje që e ke vonuar
Një dashuri që nuk e ke pasur
Një shoqëri që nuk e ke njohur
Të zgjatesh dhe të mos arrish
Të punosh dhe të mos punosh
Të marrësh pjesë vetëm që të mungosh
Çfarë të bën të huaj tek më të afërtit e tu
dhe ata të huaj tek ti
Gjysma është veçse një moment paaftësie
por ti je i aftë se ti nuk je një gjysmë qenie
Je një tërësi
që ekziston ta jetosh një jetë
jo një gjysmë jete. / KultPlus.com

“Fëmijët tuaj nuk janë fëmijët tuaj”

Nga Khalil Gibran

Fëmijët tuaj nuk janë fëmijët tuaj.

Ata janë bijtë dhe bijat e mallit për jetën për veten e tyre.

Ata vijnë nga ju, por jo nga ju,

Dhe megjithëse janë me ju, nuk ju përkasin.

Ju mund t’u jepni atyre dashurinë tuaj, por jo mendimet tuaja,

Sepse, ata kanë mendimet e tyre.

Ju mund të mbërtheni trupat e tyre, por jo shpirtrat e tyre,

Sepse, shpirti i tyre nga nesër po qëndron në shtëpi, të cilën nuk mund ta vizitoni, as në kujtesat tuaja.

Ju mund të ngjiteni për të qenë si ata, por mos kërkoni që ata të jenë si ju.

Sepse jeta nuk shkon prapa dhe as mbetet pardje.

Ju jeni harqet nga të cilat fëmijët tuaj shkëputen si shigjeta të gjalla. / KultPlus.com

“Bijtë”

Khalil Gibran

Fëmijët tuaj nuk janë bijtë tuaj,
Janë bij e bija të etjes që jeta ka për vetveten,
ata vijnë nëpërmjet jush, por jo nga ju,
edhe pse jetojnë me ju, nuk u përkasin.

Mund t’u dhuroni atyre dashuri, por jo mendimet tuaja:
ata kanë mendimet e veta.
Mund t’u jepni strehim trupave të tyre, por jo shpirtrave të tyre:
ata banojnë në shtëpinë e së nesërmes,
të cilën nuk do u lejohet ta vizitoni as në ëndërr.

Mund të provoni të jeni si ata janë, por jo t’i bëni të ngjashëm me ju:
Jeta ecën e nuk vonohet me të shkuarën.
Ju jeni harqet, prej ku bijtë, si shigjeta të gjalla, janë hedhur përpara.
Harkëtari sheh pikësynimin në horizontin e pafund,
dhe ju tendos me forcë, derisa shigjetat e tij të shkojnë shpejt e larg.
Besohuni me gëzim në dorën e harkëtarit,
pasi, siç do fluturimin e shigjetës, ashtu do edhe shtrëngimin e harkut./ KultPlus.com

15 mendime të bukura mbi dashurinë

15 mendime të bukura mbi dashurinë:

“Ajo ishte e gatshme të mohonte ekzistencën e hapësirës dhe kohës, më shumë se sa ta pranonte se dashuria mund të mos jetë e përjetshme.”
– Simone de Beauvoir

“Është e lehtë të biesh në dashuri. Pjesa e vështirë është gjetja e personit që do ta shkaktonte atë.”
– Bertrand Russell

“Në dashuri, ne shpesh e dyshojmë atë që më së shumti e besojmë.”
– François de La Rochefoucauld

“Secila dashuri, sa do qiellore që mund të duket, rrënjët e saj i ka në instiktin seksual.”
– Arthur Schopenhauer

“Dashuria është emri për përpjekjen tonë për plotëni; për dëshiron tonë për të qenë komplet.”
– Plato

“Gravitacioni nuk është përgjegjës që njerëzit bien në dashuri.”
– Albert Einstein

“Oh, dashuria nuk është këtu për të na bërë të lumtur. Unë mendoj se ajo ekziston për të na treguar se sa shumë mund të durojmë.”
– Herman Hesse

“Sa më shumë që ke sukses në dashuri, aq më shumë do të bindesh në ekzistencën e Zotit dhe në pavdekshmërinë e shpirtit.”
– Fyodor Dostoevsky

“Dashuria e vërtetë nuk e njeh thellësinë e saj deri në momentin e ndarjes.”
– Kahlil Gibran

“Dashuria është një gjendje në të cilën njeriu i sheh gjërat ashtu siç ato nuk janë.”
– Friedrich Nietzsche

“Dashuria pushton çdo gjë, prandaj le ti nënshtrohemi dashurisë.”
– Virgil

“Ata që është më së vështiri për t’i dashuruar, kanë më së shumti nevojë për të.”
– Socrates

“E dini që jeni të dashuruar kur nuk mund të flini, sepse më në fund realiteti është më i bukur se sa ëndërrat e juaja.”
– Dr. Seuss

“Kur dashuroni, ju dëshironi të bëni diçka për të. Dëshironi të sakrifikoni për të. Dëshironi ti shërbeni asaj.”
– Ernest Hemingway

“Një grua e njeh fytyrën e burrit që e dashuron, ashtu siç detari e njeh detin e hapur.”
– Honore de Balzac / KultPlus.com

Gibran: Të kthehesh pas në ekzistencë është e pamundur

Fragment nga Khalil Gibran:

Thuhet se përpara se të hyjë në det, një lumë dridhet nga frika.

Ai kthen kokën dhe vështron rrugën në të cilën ka udhëtuar, nga majat e maleve, pyjet dhe fshatrat që përshkojnë rrugën e gjatë dredha-dredha.

Dhe tani, para vetes ai sheh një oqean kaq të gjerë, sa që për të hyrë hrenda tij, nuk duhet asgjë më shumë sesa të zhduket përgjithmonë.

Por nuk ka asnjë mënyrë tjetër.

Lumi nuk mund të kthehet pas.

Askush nuk mund të kthehet.

Të kthehesh pas në ekzistencë është e pamundur.

Lumi duhet të marrë rrezikun për të hyrë në oqean, sepse vetëm atëherë frika do të zhduket, sepse aty lumi do të kuptojë se nuk ka të bëjë me zhdukjen në oqean, por për t’u bërë oqean. / KultPlus.com

“Fjala më e ëmbël në buzët e njeriut është fjala nënë”

Thënie nga Khalil Gibran

Kahlil Gibran është poet, piktor dhe filozof libanezo-amerikan. Ai mbahet si një nga mendjet më të holla të letërsisë dhe mendimit të shekullit të XX, shkruan KultPlus.

Në shqip është përkthyer libri më i suksesshëm i tij Profeti, në dy variante, nga dy botues të ndryshëm.

Gibran u lind në qytezën e Bsharrit në Mytesarifatin e Malit të Libanit, Perandorisë Osmane (në Libanin e sotëm), i biri i Khalil Gibran dhe Kamila Gibran (Rahmeh). Kur ishte i ri Gibrani emigroi me familjen e tij drt t Shteteve të Bashkuara, ku studioi arte dhe filloi karrierën e tij letrare, duke shkruar në anglisht dhe arabisht.

Në botën Arabe, Gibran konsiderohet si një rebel letrar dhe politik. Stili i tij romantik ishte në qendrën e një rilindjeje në letërsinë moderne arabe, veçanërisht poezisë prozaike, duke e shpranguar nga shkolla klasike. Në Liban, ai ende përkujtohet si një hero letrar.

Më poshtë po i sjellim disa thënie të tij:

Nëse nuk mund të punoni me dashuri, por vetëm me mllef, është më mirë të leni punën tuaj, të uleni në hyrje të tempullit dhe të merrni bamirësi nga ata që punojnë me gëzim.

Martirizimi më torturues nuk është ferri. Ferri është zemra boshe.

Bujari nuk është të më japësh atë që kam nevojë më shumë se ju, por për atë që ju nevojitet më shumë se unë.

Mësuesi me të vërtetë i mençur nuk është ai që ju shtyn në shtëpinë e mençurisë, por ai që ju çon në pragun e mendjes suaj.

Ne zgjedhim gëzimet dhe dhimbjet tona shumë kohë para se t’i jetojmë.

Besoni në ëndrrat, sepse në to është e fshehur porta e përjetësisë.

Mençuria pushon të jetë mençuri kur bëhet shumë krenare për të qarë, tepër serioze për të qeshur dhe shumë egoiste për të kërkuar diçka më shumë se vetë ajo.

Brezat janë të japin më shumë se ju mundeni. Krenaria po bëhet më pak se sa të keni nevojë. /KultPlus.com

Kahlil Gibran, Stefan Zweig dhe Paulo Coelho nën drithërimat e shpirtit të dashurisë

– Kahlil Gibran“Profeti”

“Dashuria nuk posedon e as nuk mund të posedohet; sepse ajo është e mjaftueshme për veten. Dhe mos mendoni se ju mund ta drejtoni kursin e dashurisë; nëse asaj i dukeni i vlefshëm, ajo e drejton kursin tuaj. Dashuria nuk asnjë dëshirë tjetër përveç se ta përbush vetveten.

Por nëse dashuroni dhe keni nevojë patjetër për dëshira, atëherë le të jenë këto dëshirat e juaja: të tretesh e të bëhesh si një përrua që e këngon melodin e vet gjatë natës. Ta njohësh dhimbjen e butësisë së tepërt. Të plagosesh nga kuptimi i yt për dashurinë; dhe të rrjedhësh gjak vullnetarisht dhe me kënaqësi.”

– Stefan Zweig“Beware of Pity”

“I tronditur në thellësit e shpirtit tuaj, e dini që dikush është duke pritur për ju ditë dhe netë, duke menduar për ju, duke u përgjëruar me psherëtim për ju – një grua, një e huaj. Ajo të kërkon, ajo të dëshiron me secilën fije të qënies së saj, me trupin e saj, me gjakun e saj. Ajo i dëshiron duart e tua, flokët e tu, buzët e tua, natën dhe ditën tënde, emocionet e tua, ndjenjat e tua dhe gjithë mendimet dhe ëndërrat e tua. Ajo dëshiron të ndajë çdo gjë me ju, të marrë gjithçka nga ti, dhe ta tërheq atë brenda me frymën e saj.

Prandaj, që këtej e tutje, ditën dhe natën, pavarësisht nëse jeni i fjetur apo i zgjuar, ekziston diku në botë, një qënie që është zgjuar për ju, dhe ju jeni qendra e zgjimit dhe ëndrrës së saj. Është i kotë tentimi i juaj për të mos menduar për të, për atë që mendon gjithmonë për ju. Më kotë ju tentoni të arratiseni, sepse ju nuk rroni më tek vetja e juaj, por tek ajo.”

– Paulo Coelho“By the River Piedra I Sat Down and Wept”

“Kam qenë i dashuruar më parë, është si narkotik. Në fillim, ajo e sjell euforinë e nënshtrimit të plotë. Ditën tjetër ju dëshironi edhe më shumë. Ju ende nuk jeni i varur, por e pëlqeni atë ndjesi dhe mendoni se ende mund t’i kontrolloni gjërat. Ju mendoni 2 minuta për personin që e dashuroni dhe pastaj e harroni atë për 3 orë. Por pastaj ju mësoheni me atë përson dhe filloni të jeni plotësisht i varur nga ai. Tani ju për atë mendoni 3 orë dhe e harroni vetëm 2 minuta. Nëse ajo nuk është atje, ju e ndjeni një varësi e cila nuk ka shërim. Dhe ashtu sikurse varësit të cilat ua vjedhin veten tuaj dhe ju poshtërojnë për ta arritur atë që kanë nevojë, edhe ju jeni në gjendje të bëni çdo gjë për dashurinë.”/filozofia.al/ KultPlus.com

Për dashurinë

Nga Khalil Gibran

Kur dashuria ta bën me shenjë, shoqëroje atë
Ndonëse rrugët e saj janë të ashpra dhe të rrëpira
Dhe kur krahët e saj të përqafojnë ty, dorëzoju asaj
Ndonëse shpata e fshehur në mes të krahëve të saj mund të të lëndojë
Dhe kur ajo të flet, ti besoi asaj
Ndonëse zëri i saj mund t’i prishë ëndrrat e tua
ashtu si era e veriut shpërndahet në kopshtin e shkretë.
Ashtu siç dashuria të kurorëzon po ashtu ajo të mundon. Ashtu siç të rrit po ashtu edhe të shkurton
Ashtu siç ajo lartësohet në shtatin tënd dhe i ledhaton degët e tua të buta të cilat dridhen në diell

Po ashtu ajo do të zbresë në rrënjët e tua dhe do t’i tundë ato gjatë kacavirrjes në tokë.
Njësoj si tufat e grurit ajo të mbledh tek vetja e saj
Ajo të shkund për të të lënë lakuriq
Ajo të shoshit për të të liruar nga lëvozhgat e tua
Ajo të bluan për të të zbardhur
Ajo të përzien deri sa të bëhesh i përpunueshëm
Dhe pastaj ajo të fut në zjarrin e saj të shenjtë, që të bëhesh një bukë e shenjtë për gostinë e shenjtë të Zotit.
A do t’i bëjë dashuria të gjitha këto gjëra ndaj teje që ti të dish sekretet e zemrës tënde, dhe njohuria tek ajo të bëhet një pjesë e zemrës së Jetës?
Nëse në frikën tënde do të kërkosh vetëm paqen dhe kënaqësinë e dashurisë

Atëherë më mirë për ty do të ishte që ta mbulosh lakuriqësinë tënde dhe t’i dorëzohesh rrymës së dashurisë
Në botën e pakohë ku ti do të qeshësh, por jo për të gjitha të qeshurat e tua, dhe do të qash, por jo për të gjitha të qarat e tua
Dashuria nuk jep asgjë tjetër veç vetes, dhe nuk merr asgjë tjetër veç vetes
Dashuria as nuk të zotëron dhe as nuk është e zotëruar
Dashuria është e mjaftueshme vetëm tek dashuria.
Kur dashuron nuk duhet të thuash, “Zoti është në zemrën time,” por duhet të thuash, “Unë jam në zemrën e Zotit.”
Mos mendoni se ju jeni ai që e drejtoni rrjedhën e dashurisë, për dashurinë, nëse jeni njeri me vlera, ajo e drejton rrjedhën tuaj.
Dashuria nuk ka tjetër dëshirë përveç plotësimit të vetes
Por nëse ju dashuroni dhe keni nevojë për dëshira, lërini që dëshirat tuaja të jenë këto:

Të shkriheni dhe të bëheni si një përrua i vazhdueshëm që ia këndon melodinë e vet gjatë natës
Ta njihni dhimbjen e brishtësisë së tepërt
Të plagoseni nga të kuptuarit tuaj të dashurisë
Të pikoni gjak me vullnet dhe me gëzim
Të zgjoheni në agim me një zemër me krahë dhe të falënderoni për një tjetër ditë dashurie
Të pushoni në mesditë dhe të meditoni për ekstazën e dashurisë
Të ktheheni në shtëpi në mbrëmje me mirënjohje
Dhe pastaj të flini me një lutje për të dashurën në zemrën tuaj dhe me një këngë lavdërimi në buzët e tua. /KultPlus.com

Khalil Gibran për të dashurën e tij të zemrës Meri

“Mbeta i shtangur nga prania jote, që kur të pashë për herë të parë. Ti erdhe në studio për të parë pikturat e mia. Sa më shumë të njihja aq më mirë ndjehesha. Më pëlqente mënyra se si arrinim të bisedonim, ëmbëlsia me të cilën ti më nxisje që të flisja për veten time. Më bëje aq pyetje sa nganjëherë ndjehesha keq, por falë shpirtit tënd dhe inteligjencës tënde, arrija të të tregoja gjithçka që ti doje të dije. Mjaft njerëz më quanin tip interesant, sepse jam një njeri ndryshe. Për ato unë jam vetëm një zbavitje, e destinuar për t’u harruar shumë shpejt, sapo t’ju shfaqet dikush tjetër më kurioz se unë. Ndërsa ti arrite të nxirrje nga thellësia e shpirtit tim ndjenjat që aq rrallë unë i ndaja me dikë tjetër. Ishte aq bukur dhe është akoma.

Mbasi u bëmë miq, të kërkova që të martoheshim. Që nga ajo ditë ti fillove të më lëndoje. Dhe vazhdoje ta bëje. Unë vuaja, por sa herë takoheshim (në atë kohë takoheshim dy herë në javë), ti më thoje: «Kahlil, më duket se të kam lënduar të mërkurën e kaluar», ose të premten ose një ditë çfarëdo. «Më fal, nuk doja ta bëja.»

E më pas bëheshe krijesa më e ëmbël e botës, dhe unë mendoja : «Kjo është Meri që dua». Ndërsa ti pak para se të mbaronte takimi, nuk rezistoje dot pa nxjerrë nga goja diçka brutale. Asgjë nga ato që unë mund të thoja apo të bëja, nuk të ndalonte dot. Ti ishe agresive dhe më vrisje. Kthehesha në shtëpi dhe reflektoja:

Nëse e pranoj diellin, të nxehtit, ylberin, duhet të pranoj edhe djegjen, stuhinë e tufanin.

– Unë përpiqesha ta bëja, por e ndjeja që gjërat e rëndësishme brenda meje, po vdisnin pak nga pak. Në zemrën time gjërat tashmë kishin ndryshuar, sepse shpirti im nuk rezistonte më të lëndohej pa fund. Duhet të mbrohesha. Dhe vazhdimisht i përsërisja vetes:

– Një lidhje më intime me këtë grua është e pamundur?

Natyrisht edhe kjo strategji nuk dha asnjë rezultat. Edhe kur unë të rrëfeva se çfarë po më ndodhte. Por që nga ai moment, ti nuk më lëndove më kurrë. I shkruaja të gjitha këto për të të treguar se si i kam përjetuar unë vitet e para me ty. Gjërat më të rëndësishme nuk kanë ndryshuar kurrë: ndjenja, pasioni, gjithçka ka mbetur si atëherë, dhe do të jenë kështu përgjithmonë. Do të të dua përjetësisht, siç të desha shumë kohë para se të takoja për herë të parë. Dhe këtë unë e quaj fat. Asgjë nuk mund të na ndajë. As ti dhe as unë nuk mund ta ndryshojmë më këtë lidhje. Do të doja që ti t’a kujtoje për tërë jetën tënde se je njeriu më i rëndësishëm i botës sime. Se edhe nëse do të martoheshe shtatë herë, me shtatë burra të ndryshëm, zemra ime do të ishte gjithmonë si një herë e një kohë.

Vetëm sot arrij ta kuptoj pse martesa jonë ishte e pamundur. Ajo do të na kishte shkatërruar të dyve. Ne e jetuam jetën së bashku në një mënyrë krejt tjetër: prandaj dhe shpëtuam. Ti më ke ndihmuar që të zbuloj veten time dhe punën time. Edhe unë mendoj që kam bërë të njëjtën gjë me ty, dhe falënderoj Qiellin që jemi së bashku.”/KultPlus,com

20 mësime jete nga poeti i njohur Khalil Gibran

I cilësuar si poeti i tretë më i lexuar në botë, pas Shekspirit dhe Laozit, Khalil Gibran është ende edhe sot një margaritar i çmuar i zemrave të pastra poetike që flasin fjalë frymëzuese për dashurinë, jetën dhe mirësjelljen.

Khalil Gibran është një poet, shkrimtar dhe artist libanez. I lindur në qytetin Bsharri në Veri të Libanit të ditëve të sotme, atëherë pjesë e Perandorisë Otomane, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku studioi art dhe filloi karrierën letrare. Në botën arabe, ai njihej si një rebel politik dhe i shkrimeve. Stili i tij romantik ishte zemra e rilindjes në letërsinë moderne arabike, sidomos proza poetike. Në Liban, ai njihet ende si një hero i letrave.

Libri “Profeti” i dha famën në botën anglishtfolëse. Ai është poeti i tretë më i shitur në botë pas Shekspirit dhe Laozit.

Mësime jete

1. Ji mirënjohës për kohët e vështira, ato të kanë treguar sesa i fortë mund të jesh. “Nga dhembja kanë dalë shpirtrat më të fortë, karakteret më të mëdha janë djegur nga plagët.”

2. Sjellja e mirë është virtyt i të fortit. “Sjellja e mirë dhe të qenët njerëzor, nuk janë shenjë e dobësisë dhe dëshpërimit, por manifestojnë fuqi dhe vendosmëri.”

3. Nuk ekziston e vërteta absolute. “Mos thuaj kam gjetur të vërtetën, por thuaj kam zbuluar një të vërtetë”, thotë Khalil Gibran. “Nuk e di të vërtetën absolute. Por jam i përulur përpara injorancës sime dhe aty qëndron nderi dhe vlerësimi im.”

4. Vetëm njerëzit e vegjël përpiqen të poshtërojnë dhe të ulin të tjerët. Kush nënvlerëson është vlerëpak.

5. E keqja që të bëjnë të tjerët, harrohet më lehtë se e keqja që u bën të tjerëve. Nëse dikush të lëndon, ti mund ta harrosh plagën, por kur ti lëndon dikë, do ta mbash mend gjithmonë.

6. Mund t’i harrosh njerëzit që të bënë të qeshësh, por nuk do t’i harrosh kurrë ata me të cilët qave, ata që të qëndruan pranë në orët më të vështira. “Zemrat që bashkohen në dhembje dhe brengë, nuk do të ndahen nga gëzimi dhe lumturia. Lidhjet që krijohen në trishtim, janë më të forta se ato të kënaqësisë dhe gëzimit. Dashuria që është larë nga lotët, mbetet gjithnjë e pastër dhe besnike.”

7. Gjërat e thjeshta në jetë janë ato më të jashtëzakonshmet. “Në ëmbëlsinë e miqësisë, gjendet e qeshura dhe ndarja e kënaqësisë.”

8. Dashuria është jetë. Dhe jeta është dashuri. “Kur dashuron, nuk duhet të thuash ‘Zoti është në zemrën time’, por ‘Unë jam në zemrën e Zotit’.”

9. Bëje punën me dashuri. “Puna është pamja që merr dashuria. Nëse nuk mund të punosh me dashuri, por vetëm me neveri, lëre punën dhe ulu në portën e një tempulli dhe merr mësime nga ata që punojnë me gëzim. Nëse e pjek bukën me shpërfillje, ti po pjek bukë të hidhur, që ushqen vetëm gjysmën e urisë së njeriut. “Ata më çmendin, sepse nuk i shes ditët e mia për para; dhe unë i çmend ata, sepse mendojnë se ditët e mia kanë një çmim.”

10. Për të kuptuar zemrën dhe mendjen e një personi, mos shiko vetëm çfarë ka arritur, shiko edhe se çfarë qëllimesh ka ai. Beso tek ëndrrat, aty gjendet porta e fshehur e përjetësisë.

11. Dashuria e vërtetë nuk mund të zotërohet. Për dashurinë, mjafton dashuria. Dhe mos mendo se mund të ndryshosh drejtimin e dashurisë, nëse dashuria të sheh si të vlefshëm, ajo e ndryshon drejtimin për te ti. Dashuria s’ka dëshirë tjetër veç të vetëpërmbushet.

12. Përballu me sjelljen e keqe në mënyrë të këndshme. “Testimi i vërtetë i sjelljeve të mira, është të jetë në gjendje të përballet sa më mirë me sjelljet e këqija.”

13. Dashuria bashkon gjithçka në harmoni perfekte. Një shprehje thotë: “Nëse një njeri e njeh veten, ai njeh të gjithë njerëzimin”, ndërsa Khalil Gibran thotë: “Nëse dikush e do njerëzimin, atëherë ai di diçka për veten”.

14. Gjithnjë shiko anën e ndritur të jetës. “Optimisti sheh trëndafilin, jo gjembat; pesimisti ua ngul sytë gjembave, harron trëndafilin.”

15. Ne nuk i shohim gjërat siç janë. Ne i shohim gjërat siç jemi ne. “Pamja e gjërave ndryshon sipas emocioneve; ne shohim gjëra të bukura dhe të magjishme te to, kur në fakt magjia dhe e bukura janë brenda nesh.”

16. Dashuria e vërtetë është produkt i tërheqjes shpirtërore. Është e gabuar të mendosh se dashuria vjen nga shoqëria e gjatë. Dashuria është produkt i tërheqjes shpirtërore dhe nëse kjo tërheqje nuk krijohet në çast, nuk do të krijohet edhe nëse kalojnë vite apo breza.

17. Lër hapësirë në marrëdhënien tënde. Kur je me dikë, lër hapësirë që të fryjë erë e re mes jush. Duajeni njëri-tjetrin, por mos e kufizoni dashurinë: lejoni që ndërmjet brigjeve të zemrave tuaja, të jetë një det i gjallëruar.

18. Nëse lutesh kur bie shi, sigurohu të lutesh edhe në ditë me diell. “Ti lutesh kur ke nevojë dhe je në tension, por do të ishte mirë të luteshe edhe në gëzimin më të madh dhe në ditët më të lumtura.”

19. Kur jepesh vetë, ai është çasti kur jepesh plotësisht. “Kur jep nga pasuria, ke dhënë pak. Kur jep nga vetja, atëherë ke dhënë vërtet.”

20. Bukuria e vërtetë vjen nga brenda. “Bukuria nuk është te fytyra; bukuria është një dritë në zemër.” / KultPlus.com

Khalil Gibran: Duajeni njëri-tjetrin por mos e bëni dashurinë obligim

Artisti, poeti dhe shkrimtari libanez Khalil Gibran njihet për stilin e tij të vecantë të shkrimit, shkruan KultPlus.

Stili i tij romantik ishte zemra e rilindjes në letërsinë moderne arabike, sidomos proza poetike. Në Liban, ai njihet ende si një hero i letrave. KultPlus ju sjellë një pjesë nga romani i tij i njohur “Profeti”.

“Le të ketë hapësirë në bashkimin tuaj dhe lëreni frymën e qiejve të vallëzojë mes jush. Duajeni njëri – tjetrin por mos e bëni dashurinë një obligim: lëreni atë më shumë të jetë një Det i lëvizshëm mes brigjeve të shpirtrave tuaj.

Mbusheni gotën e njëri – tjetrit por mos pini nga gota e njëjtë. Këndoni dhe vallëzoni bashkë dhe bëhuni gazmorë, por lëreni njëri – tjetrin të jetë vetëm. Edhe telat e lahutës qëndrojnë të vetëm edhe pse dridhen me të njëjtën muzikë. Jepeni zemrën tuaj, por jo në zotërimin e njëri – tjetrit, sepse vetëm dora e jetës mund ta nxë zemrën tënde. Dhe, qëndroni bashkë, por jo shumë afër njëri – tjetrit: sepse edhe shtyllat e tempullit qëndrojnë të ndara. Lisi dhe Bredhi nuk mund të rriten në hijen e njëri – tjetrit”./KultPlus.com