Kryeministri Rama: Mozaikut evropian të Këshillit të Evropës po i mungon Kosova

Me 131 vota për dhe 29 vota kundër Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (KiE), votoi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndër më të rëndësishme evropiane.

Pas këtij vendimi ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e quajti hap historik.

“Urime, urime, urime nga zemra Kosovës dhe faleminderit të gjithë miqve e partnerëve në Asamblenë Parlamentare, që na mbështetën në hedhjen e këtij hapi të drejtë, i cili i dha Kosovës çka i takonte dhe i bëri nder vetë Këshillit të Europës”, u shpreh Rama.

“Tani hapi i fundit historik në maj, në Komitetin e Ministrave, ku të gjithë duhet të bëjnë të vetmen gjë të duhur”.

“Vulosjen e këtij anëtarësimi pa të cilin mozaikut europian të Këshillit të Europës i mungon një gur i pamohueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Forca Kosovë”.

Nis diskutimi në Asamblenë Parlamentare të KiE për anëtarësim të Kosovës

Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka filluar diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë.

Diskutimi ka nisur rreth orës 17.30, ndërkohë që në fund pritet edhe votimi i raportit

Në hyrje të kësaj seance, fjalën e mori Dora Bakoyannis, raportuesja për Kosovën në KiE, e cila lexoi raportin e përpiluar nga vetë ajo, përmes së cilit kërkon që Kosova të bëhet anëtare e KiE-së.

Ajo i bëri thirrje të pranishmëve që të votojnë raportin e saj, në mënyrë që Kosova të mund të bëhet anëtare e KiE-së.

Ajo mes tjerash tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale.

Sipas saj, juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.

Ajo ka përmendur tri çështje që i ka konsideruar më problematike për t’u zgjidhur, atë për Manastirin e Deçanit, shpronësimin dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Kam identifikuar tri çështje të mbetura, ku ka qenë i nevojshëm veprimi i menjëhershëm. Implementimi i aktgjykimit për Manastirin e Deçanit, shpronësimi i ligjshëm i pronave të pakicës serbe dhe themelimi i Asociacionit. Gjatë angazhimit tim në këtë dosje të gjitha palët shtetërore më kanë paralajmëruar se nuk mund të pritet ndonjë progres në asnjë prej këtyre çështjeve të përmendura. Por, me një punë persistente progresi real është vërejtur. Asambleja Parlamentare kas arritur ta zgjidhë atë që është identifikuar një prej rasteve më të rëndësishme të shkeljeve të së drejtës, implementimi i vendimit të Kushtetueses që do t’i kthente pronën Manastirit”, ka thënë ajo.

Bakoyannis është shprehur optimiste se Asambleja do ta rekomandoj që Kosova të ftohet të bëhet anëtare./rtk/KultPlus.com

Kryeministri Kurti mirëpriti Bouyxin, e falënderoi për përkrahje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bertrand Bouyx, që në takim shoqërohej nga Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Bëhet e ditur se Kurti falënderoi Bouyxin për përkrahjen e tij në procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Pas miratimit të raportit të raportueses Dora Bakoyannis në Komision, pritet votimi i të njëjtit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me 16 prill.

“Republika e Kosovës po shënon progres të vazhdueshëm në zhvillimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, sipas organizatave prestigjioze ndërkombëtare. Besimi në të drejtat e njeriut është thelbësor pasi i bën bashkë universalitetin dhe barazinë”, tha kryeministri Kurti gjatë takimit.

Republika e Kosovës është e përkushtuar ndaj garantimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe është e gatshme të rreshtohet me shtetet tjera anëtare në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave dhe lirive themelore, përmes anëtarësimit në Këshillin e Evropës në 75-vjetorin e themelimit të tij, thuhet tutje në kumtesën për media të kryeministrisë.

Kryeministri Kurti mirëpriti Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bertrand Bouyx. 02.04.2024. Foto: ZKM

Miratimi i raportit për anëtarësim në KiE, Kurti: Kosova i ka përmbushur të gjitha parakushtet

Komisioni për politikë dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e ka miratuar sot raportin për Kosovën, duke u hapur rrugën hapave të ardhshëm drejt anëtarësimit në këtë Këshill.

Lidhur me këtë ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti tha se ky është një hap shumë i rëndësishëm.

Ai theksoi se opinionin e sotëm do ta hedh në votim Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

“Sot Komisioni për politikë dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka bërë një hap të rëndësishëm përpara për Kosovën. Opinioni konfirmon përmbushjen e të gjitha parakushteve të anëtarësimit nga ana e Kosovës dhe rekomandon t’i bëhet ftesë Kosovës që t’i bashkohet Këshillit të Evropës si si shtet anëtar. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të votojë Opinionin në prill”, shkroi Kurti.

Kosova kaloi hapin e parë, Osmani: Do të punojmë me aleatët për anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi Kosova kaloi me sukses hapin e parë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës.

Presidentja Osmani ka thënë se shteti i Kosovës do të vazhdojë të punojë me aleatët për t’u siguruar që të gjithë qytetarët të kenë qasje në instrumentet e Këshillit të Evropës përmes anëtarësimit të plotë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë akses të drejtë në instrumentet e KiE përmes anëtarësimit të plotë të Kosovës.”, ka shkruar Osmani.

Shqipëria 27 vite anëtare e KiE-së, Nikolla, thirrje shteteve anëtare për pranimin e Kosovës 

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla kujtoi sot ditën e anëtarësimit me të drejta të plotë të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.

Ajo thekson se Shqipëria për 27 vjet si anëtare me të të drejta të plota e Këshillit të Evropës, ka shënuar arritje të rëndësishme.

“Sot, 27 vjet nga pranimi i Shqipëria si anëtare me të drejta të plota e Këshillit të Evropës. Gjatë këtyre viteve, Shqipëria ka shënuar arritje të rëndësishme në konsolidimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut.  Reformat e rëndësishme që kemi ndërmarrë, sidomos reforma në sistemin e drejtësisë, po kontribuojnë në avancimin për zbatimin e këtyre standardeve”, kryeparlamentarja.

Po ashtu, Nikolla i bën thirrje shteteve anëtare të Këshillit të Evropës për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Në këtë ditë të shënuar, Shqipëria u bën thirrje shteteve anëtare të Këshillit të Evropës  për pranimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme për mbrojtjen dhe zhvillimin e parimeve të lirisë dhe  demokracisë”, u shpreh Nikolla./ atsh / KultPlus.com