Filmi “Kiem Holijanda” reflektimi i DukFestit që vë në pah lidhjen vëllazërore, pornografinë dhe migrimin

Alberina Haxhijaj – Prizren

Në platonë e DokuKino-së, ka ardhur mbrëmë premiera kombëtare e filmit “Kiem Holijanda”, shkruan KultPlus.

Qindra qytetarë të cilët janë duke e vizituar Prizrenin këto ditë, po shijojnë edhe programin e larmishëm që po sjell DokuFesti. Në mesin e tyre pati edhe të tillë të cilët mbrëmjen e 4 gushtit, vendosën që të shikojnë filmin “Kiem Holijanda”.

Filmi sjellë historinë e dy vëllezërve, personazhe këto të cilat vijnë përmes dy aktorëve Andi dhe Florist Bajgora, me regji nga Sarah Veltmeyer.

Andi shet shishe me qumësht në fshat, për të ndihmuar familjen e tij. Mirëpo ai po kursen disa nga fitimet e tij dhe nuk po i ndanë me familjen në mënyrë që të blejë një telefon për veten e tij.

Në anën tjetër vëllai i tij, Floristi, të gjitha fitimet i ndanë më familjen pasi që ai tashmë i ka siguruar të hollat që i nevojiten për t’u larguar nga shtëpia.

Filmi së fundmi është paraqitur edhe në Berlinale ku para publikut u shpërblye me “Ariun e Kristaltë” në Berlinale”. Mirëpo për aktoren Arbnesha Grabovci Nixha, e cila në film vjen si nëna e dy vëllezërve, emocionet më të fuqishme i përjetuan në DokuFest.

“Çdo herë kam qenë skeptike dhe çdo herë eci në tokë dhe nuk ëndërroj shumë pasi që çdo herë jam më kritike për projektin apo filmin. Mirëpo, sonte mu krijua një besim më i madh kur i pash edhe filmat tjerë. Më të vërtet kemi bërë një punë të mirë sidomos dy djem e mi në rol”, u shpreh ajo.

Bashkëpunimi me produksionin holandez ajo e konsideroi shumë të suksesshëm edhe pse kishte qenë mjaft skeptike në fillim.

“Provat i kemi mbajtur si në çdo film tjetër ndërsa vendet për xhirim i ka vendosur regjisorja. Regjisorja është shumë e re dhe të them të drejtën njëherë derisa kam fituar besim në punën e saj, më ka marrë pak kohë. Ajo që është e veçantë e këtij filmi është që përveç produksionit nga Holanda të gjitha të tjerat kanë qenë nga Kosova”, tregoi ajo për KultPlus.

E lumtur me suksesin që ka shënuar filmi deri tani aktorja zbuloi se janë duke pritur akoma lajme të mira për rrugëtimin e mëtutjeshëm të këtij filmi.

E kur flitet për filmat ku vëllezërit Bajgora luajnë së bashku dhe për bashkëpunimin e tyre ajo që theksohet nga ata janë fjalët “Kuptohemi në ajër”. Sigurisht lidhja e fuqishme që kanë si vëllezërit, e që reflekton edhe në film, e bënë gjithë procesin shumë më të lehtë.

“Është shumë lehtë më improvizu edhe me lujt, me qenë skena sa më reale pasi që kuptohemi shumë mirë. Janë disa kontakte që i kemi zhvilluar gjatë jetës sonë. Gjithmonë e përmirësojmë njëri-tjetrin, ia dojmë të mirën njëri-tjetrit prandaj mendoj që gjithmonë sa herë që luajmë bashkë e dimë që ka me dal shumë mirë”, tregon Andi për KultPlus i cili tematikën e filmit e konsideron mjaft të ndjeshme për publikun shqiptar.

Në film Andi zbulon një kartë të një ylli holandez pornografie në dhomën e tyre të gjumit dhe opsesionet që të kontaktojë me të. Ai është aq i fiksuar me të dhe me blerjen e telefonit që ta kontaktojë sa nuk e vëren se kjo është dita e fundit së bashku me vëllain e tij.

Kjo deri në momentin kur Andi përballet në oborr me Floristin të cilin para derës po e pret një makinë që ta dërgojë në Holandë. Me një rrëfim shumë intrigues, regjisorja vë në pah lidhjen e fuqishme në mes të vëllezërve dhe rrugët e tyre të ndryshme që udhëhiqen nga ndjenja të fuqishme.

“Filmi është pak temë prekëse për shqiptarët por që besoj që është e nevojshme me u përmend dhe me qenë pjesë e kinematografisë tonë. Ndoshta pikërisht kjo edhe ka qenë arsyeja që më ka bërë ta pranoj rolin në film, duke mos anashkaluar faktin që do luaja së bashku me vëllanë dhe me një ekip shumë të mirë”, thotë ai.

Në anën tjetër Florist Bajgora tregoi për KultPlus se ajo që i ka shtuar erëza të veçanta këtij projekti ka qenë loja së bashku me profesoreshën e tij, aktoren Arbresha Grabovci Nixha.

“Është ndjenjë ndryshe të luash me aktorë të mëdhenj e krejt tjetër të luash me një profesor. Është ndryshe kur e dinë që dikush që të ka mësua ty, që ti e donë edhe që në një formë i ke përcjellë hapat e saj, do jetë së bashku me ty në film. Është e veçantë pasi që çdo ditë i thua profesoreshe edhe pastaj ditën tjetër je duke luajtur në film së bashku me të, kjo e bënë edhe më të veçantë, këtë projekt”, u shpreh ai.

Tutje ai theksoi se janë të lumtur që po rikthehen përsëri në DokuDest. Festival i cili përgjatë 17 edicioneve ka mirëpritur rreth pesë filma ku Floristi ka qenë pjesë e tyre dhe 3 filma me Andin, në kastën e aktorëve.

Në film përveç Andi Bajgora, Florist Bajgora dhe Arbresha Grabovci Nixha, luajnë edhe Xhylsyme Thaci, Shpetim Kastrati dhe Rexhep Llugiqi. /KultPlus.com

Andi dhe Florist Bajgora me “Kiem Holijand” në Palm Springs International ShortFest

“Kiem Holijand”, filmi me regji të Sarah Veltmeyer nga Holanda, i cili ka një kastë aktorësh nga Kosova, së fundmi u shpërblye me “Ariun e Kristaltë” në Berlinale”, shkruan KultPlus.

Kësisoj, ky film po vazhdon rrugëtimin e tij përmes personazheve që i jetësojnë vëllezërit Florist dhe Andi Bajgora-aktorë nga Kosova. Filmi, do të shfaqet më 24 qershor në Palm Springs International ShortFest.

Festivali i cili sivjet ka edicionin e tij të 24-të, nisë më 19 dhe përfundon më 25 qershor në Kaliforni.

Palm Springs International ShortFest është festivali më i madh dhe më i rëndësishëm i filmit të shkurtër në Amerikën veriore, me më shumë se 5000 aplikime çdo vit, nga 100 shtete të ndryshme të botës. ShortFest njëherësh është edhe festival kualifikues për çmimet Oscar, BAFTA dhe Los Premios Goya, dhe deri tash ka prezantuar mbi 100 filma të shkurtër të cilët janë nominuar dhe/ose shpërblyer me çmimin Oscar./ KultPlus.com