SHBA: Kina i ofron Rusisë teknologji dhe pajisje thelbësore

Një raport i sapo lëshuar nga zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së pretendon se Kina po ofron teknologji dhe pajisje për Rusinë, që po bëhet gjithnjë e më vendimtare për luftën e Moskës në Ukrainë.

Raporti, i titulluar “Mbështetja e ofruar nga Republika Popullore e Kinës për Rusinë”, gjithashtu tregoi se Pekini po ndjek një sërë mekanizmash të mbështetjes ekonomike për Rusinë që zbusin ndikimin e sanksioneve perëndimore dhe kontrolleve të eksportit.

Ai po ashtu tha se Kina ka arritur importet e naftës dhe gazit rus të ridrejtuar nga Evropa.

“Pekini gjithashtu ka rritur ndjeshëm përdorimin e monedhës së tij, juanit, si dhe infrastrukturës së tij financiare në ndërveprimet tregtare me Rusinë, duke i lejuar entitetet ruse të kryejnë transaksione financiare pa pengesa perëndimore”, thuhet në raport.

Inteligjenca amerikane vlerësoi se Kina është bërë një “mbështetëse gjithnjë e më e rëndësishme për Rusinë në përpjekjet e saj të luftës”.

“Pekini po i ofron Rusisë gjithashtu teknologji me përdorim të dyfishtë që ushtria e Moskës e përdor për të vazhduar luftën në Ukrainë”, tha raporti.

Në një rast, raporti tregoi se që nga muaji mars Kina “kishte dërguar më shumë se 12 milionë dollarë në drone dhe pjesë të dronëve” në Rusi.

SHBA-ja dhe aleatët e saj ndërkombëtarë kanë kërkuar të kufizojnë aftësinë e Rusisë për të zhvilluar luftën e saj kundër Ukrainës, duke përfshirë përpjekjet për të kufizuar qasjen e saj në ato që njihen si “teknologji me përdorim të dyfishtë” ose pajisje që mund të përdoren për civilët dhe për qëllime ushtarake.

Në fillim të kësaj jave, një raport pretendonte se kompanitë me bazë në Kinë po furnizojnë Rusinë me pajisje të nevojshme që forcat e Kremlinit mund t’i përdorin në fushën e betejës në Ukrainë.

Siç raporton ”Politico”, kjo përfshin urdhra nga blerësit rusë për qindra mijëra jelekë dhe helmeta antiplumb, drone komerciale që u mundësojnë forcave tokësore të identifikojnë dhe të lidhen me objektivat, si dhe pamje optike termike që u mundësojnë luftëtarëve të qëllojnë më saktë gjatë natës./ atsh/KultPlus.com

Qyteti Mohe në Kinë “pushtohet” nga i ftohti, regjistrohen temperatura shumë të ulëta

Temperatura minimale në Mohe, qyteti më verior i Kinës, ra në minus 53 gradë Celsius të dielën, duke shënuar temperaturën më të ulët të regjistruar ndonjëherë në këtë qytet, transmeton KultPlus

Shifra theu rekordin e mëparshëm prej minus 52.3 gradë Celsius. Temperaturat në Mohe, Provinca Heilongjiang, kanë rënë nën minus 50 gradë Celsius për tre ditë rresht.

Ndërsa një raund i ri i të ftohtit ekstrem goditi Heilongjiang, një numër zonash në vargmalin e Madh Khingan kanë regjistruar temperaturat e tyre më të ftohta ndonjëherë.

Mohe ka një periudhë vjetore akulli dhe bore deri në tetë muaj, me temperaturë mesatare vjetore rreth minus 3 gradë Celsius.

Ndërsa sezoni i pikut të udhëtimit mbërriti gjatë Festivalit të Pranverës, turistët dhe qytetarët vendas këshillohen të qëndrojnë ngrohtë dhe të sigurt pasi dukshmëria e ulët mund të shkaktojë aksidente trafiku, sipas Xu Liling, kreu i stacionit meteorologjik Mohe. /KultPlus.com

Hapet tuneli më i gjatë i autostradës nënujore në Kinë

Tuneli më i gjatë i autostradës nënujore në Kinë është hapur pasi u punua afërsisht 4 vjet për ndërtimin e tij. Ai ka një gjatësi prej 10.79 km dhe tuneli shtrihet nën ujërat e liqenit Taihu. Tuneli që mban emrin e liqenit ku shtrihet ndodhet në provincën Jiangsu dhe është 50 km larg nga Shangai.

Zyrtarët lokalë të Jiangsu deklaruan që projekti ka kushtuar 1.56 miliard dollarë. Ndërtimi i tunelit filloi në 9 janar të vitit 2018 raporton “CNN”. Mbi 2 milion metra kub beton u përdorën për ndërtimin e tunelit me dy drejtime dhe 6 korsi sipas agjencisë kineze të lajmeve zyrtare “Xinhua”. Ai ka një gjerësi prej 17.45 metrash dhe është me drita Led shumëngjyrëshe të dizajnuara për të parandaluar lodhjen e shoferit.

Tuneli është pjesë e autostradës Changzhou-Wuxi që është e gjatë 43.9 km dhe u hap për publikun në 30 dhjetor të 2021. Tuneli u krijua për të ulur presionin e trafikut në qytetet pranë liqenit Taihu dhe për të promovuar zhvillimin ekonomik në zonën e deltës së lumit Yangtze. Në botë deri tani janë ndërtuar disa tunele që kanë thyer rekorde për shkak të gjatësisë së tyre dhe mënyrës së ndërtimit .

Tuneli më i gjatë i një autostrade është ndërtuar në Norvegji dhe lidh qytetin Stavanger me komunën Strand. Ai është një tunel me dy korsi dhe është i gjatë 14.3 km. Në Japoni poshtë gjirit të Tokios kanë ndërtuar një tunel 9.6 km të gjatë.

Tuneli më i gjatë nënujor është ai që lidh Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ai është një tunel hekurudhor që ka një gjatësi prej 37.9 km. /abcnews.al /KultPlus.com