Aktorja spanjolle Marisa Paredes ka vdekur në moshën 78-vjeçare, njoftoi Akademia e Filmit në Madrid.
“Kinemaja spanjolle humbet një nga aktoret e saj më ikonike”, thuhet në një deklaratë nga Academia de Cine.
Paredes, i nominuar për çmimin Goya për aktoren më të mirë për “My Secret Flower” në 1995, ka punuar me regjisorë si Pedro Almodóvar, Roberto Benigni, Guillermo del Toro dhe Amos Gitai.
Kryeministri Pedro Sánchez e përshkroi Paredes si “një nga aktoret më të rëndësishme që Spanja ka prodhuar”.
“Prania e tij në kinema dhe teatër, së bashku me angazhimin e tij për demokracinë, do të jetë shembull për brezat e ardhshëm”, shtoi ai.
Mediat spanjolle e përshëndetën Paredes si “madhështia e kinemasë spanjolle”.
Sipas Akademisë, ai luajti në më shumë se 75 filma në ekranin e madh, duke luajtur role të vogla në vitet 1960 dhe 1970 përpara se të bënte debutimin e tij në “Opera Prima” të Fernando Trueba./ atsh/ KultPlus.com
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 80-të vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, Ambasada e Shqipërisë në Kosovë sot ka filluar me shfaqjen e katër filmave historik shqiptar, në Kinemanë ABC, shkruan KultPlus.
Sonte janë shfaqur filmat “Përrallë nga e kaluara”, dhe “Gjeneral Gramafoni”, përderisa nesër pritet të shfaqen filmat “Lulëkuqet mbi mure” dhe “Radiostacioni”.
Në sallën e mbushur plotë adhurues të filmit shqiptar, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj ka thënë se kjo datë e shënuar përfaqëson sakrificat e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.
“Sot jemi mbledhur të kalojmë një mbrëmje të bukur, në prag të festave të ditës së Flamurit tonë kombëtar, po nga ana tjetër për të kujtuar dhe nderuar 80-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë. Një ditë historike që përfaqëson sakrificat dhe përkushtimin e madh të popullit shqiptar, për lirinë dhe pavarësinë e tij, dhe ky përvjetor është një mundësi e artë për të parë jo vetëm historinë tonë të lavdishme, por edhe artin dhe kinemanë që e kanë përjetësuar atë me aq pasion dhe aq mjeshtëri”, ka thënë ambasadori Malaj.
Ambasadori Malaj më tej ka thënë se filmat të cilët shfaqen me rastin e 80-të vjetorit të Shqipërisë paraqesin realitete në të cilat ka kaluar populli shqiptar.
“Arti thotë të vërteta por ndryshe nga filozofia, historia etj. Arti ka një tjetër gjë jo aq të drejtpërdrejtë se sa të tërthortë, është gjuha e tij, nënkuptimi, ajo që fshihet pas një fjale, pas një ngjarje, pas një fati. Alegoria, metafora, simboli janë ato që e krijojnë shumë kuptimësinë në art. Ato që nga konkretja e prekshmja dhe e përsëritshmja kalohen tek e përgjithshmja, abstraktja dhe e papërsëritshmja”, ka shtuar ambasadori.
Për filmin e cili do të shfaqej pas pak “Përrallë nga e kaluara”, ambasadori Malaj ka thënë se përmes karaktereve të tij dhe skenave të papërsëritshme ai kapërcen kohën duke u bërë pjesë e kujtesës kolektive dhe një simbol i përhershëm i shpirtit shqiptar.
Ky film i realizuar në vitin 1987, me regji të Dhimitër Anagnostit vazhdon të jetë një ikonë e kinematografisë shqiptare, i cili ofron një pasqyrë të thellë të jetës patriarkale dhe zakoneve të tradicionale të shoqërisë shqiptare.
“Një djalë i detyruar të martohej në moshë të re dhe një vajze të zgjuar që vë në lojë gjithë një fshat për të drejtën e saj, për dashurinë e saj të jetës. Anagnosti ka ndërtuar një vepër që shfaq me elegancë kontradiktat dhe anët komike të kësaj shoqërie ndërthurur me sfidat e jetës së grave të asaj kohe”, ka thënë ambasadori Malaj.
Ndërsa, filmi tjetër i cili u shfaq i dyti me radhë, “Gjeneral Gramafoni”, është një film që sjellë një pasqyrë të pasur të identitetit kulturor e kombëtarë, duke e shpërfaqur edhe rolin që muzika dhe kultura kanë luajtur gjithmonë në jetën e shqiptarëve.
“”Gjeneral Gramafoni” nga regjisori Viktor Gjika trajton temën e patriotizimit të rezistencës dhe përpjekjes për të ruajtur vlerat kombëtare përmes artit edhe kur kushtet janë të vështira nën presionin për depërtim kulturor të Italisë fashiste, përmes karaktereve të muzikantëve të interpretuar me mjeshtëri nga Bujar Lako, Kadri Roshi dhe grupi i aktorëve të tjerë që janë aty. Përcillet një mesazh i forcës shpirtërore dhe i qëndresës së popullit shqiptarë për të asimiluar muzikën e tyre”, ka thënë ambasadori Malaj duke i ftuar të gjithë të shijojnë filmat.
“Le të jetë ky një moment nderimi për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtyre veprave të të çmuara por edhe një përkujtim për vlerat dhe saktificat e brezave që u përkushtuan për Shqipërinë e lirë”.
Nesër do të vazhdojë shfaqja e filmave “Lulëkuqet mbi mure” (18:00) dhe “Radiostacioni”(20:00) , në kinemanë ABC./ KultPlus.com
Nën organizimin e Komunitetit Shqiptar të Selanikut, filmi kosovar fitues i shumë medaljeve ndërkombëtare “Vera andrron detin” do të shfaqet në dy kinematë e njohura verore të Bashkisë Neapoli-Sykies të Selanikut, përcjell KultPlus.
Për të gjithë të interesuarit, filmit do të shfaqet sipas programit të mëposhtëm:
Kinema “Παράδεισος”, zona Strembeniotis, Neapoli, më datë 3 – 6 gusht, ora 21:15 dhe në Kinema “‘Αλσος”, kodra e Alsos, Sykies, datë 7 – 9 gusht, ora 21:15.
Me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit, filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosoves, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Sa i përket ngjarjes së filmit, Vera është një përkthyese e gjuhës së shenjave në moshë të mesme, e cila bën një jetë të mirë: një grua me një gjykatës të famshëm, një nënë mbështetëse dhe një gjyshe e kujdesshme. Paqja e saj prishet nga vetëvrasja e papritur e të shoqit e ndjekur nga një paradë e padëshiruar, kërcënuese e të afërmve që pretendojnë pronësinë e shtëpisë së familjes së tyre në fshat. Kur fillesat e një skeme të botës së krimit fillojnë të dalin në sipërfaqe, bota e Verës do të përballet me rrezikun dhe do të duket e gatshme të shembet. Frika dhe mosbesimi do ta detyrojnë Verën të marrë në duart e saj fatin e familjes.
Aktorët në rolin kryesor janë Teuta Ajdini Jegeni, Astrit Kabashi dhe Alketa Sylaj. / KultPlus.com
Regjisori Francis Ford Coppola ka parashikuar që një “epokë e artë” e kinemasë ëshë afër.
Ai e ka thënë një gjë të tillë pasi i ka quajtur sukseset e filmave “Oppenheimer” dhe “Barbie” si triumf të kinemasë.
“Ende nuk i kam parë, mirëpo fakti që njerëzit po i mbushin kinematë për t’i parë, dhe që ajo janë as vazhdim-filmi e as filma paraprijës, dhe që janë njëmend të përveçëm…është një triumf për kinemanë”./KlanKosova/KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përcolli momente nga aktivitetet që janë duke u zhvilluar në Shkodër këto ditë, nën logon “Ekrani i artit”, një festival tashmë i kthyer në traditë.
Margariti ndau në rrjetet sociale një album fotografik nga një mbrëmje në Shkodër, ku ishte e pranishme mes artistësh e dashamirësish të artit. “Kënaqësi të bëhesh pjesë e kësaj atmosfere në Javën e Kulturës Italiane, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës”, shkruan Margariti.
I lindur si një projekt që kërkon të promovojë lidhjet midis artit bashkëkohor dhe kinemasë “Ekrani i Artit” , një vazhdimësi e eksperiencës së mirë për 6 vite me radhë në Shkodër, paraqet për publikun autorë, dokumentarë mbi jetën e krijimtarinë e artistëve bashkëkohorë dhe atyre të Kosovës, që do të zgjojnë interesin e njëkohësisht edhe nostalgjinë e publikut për kinemanë si një institucion i rëndësishëm në edukimin e brezave përmes artit e kulturës.
Përveç filmave, shkodranët por edhe vizitorët do të mund të marrin pjesë njëkohësisht edhe në mbrëmje muzikore por edhe diskutime mbi artin. Pa harruar edhe aktivitetet paralele, dedikuar artistëve të rinj, si ai i videoartit, kuruar nga Elsamina Musiq e Xhulian Millaj në Qendra Rinore. Drejtor artistik i “Ekranit të artit” është Edi Muka ndërsa Zef Paci dhe Tea Paci, kuratorë të programit filmik.
Kjo nismë, tashmë e kthyer në traditë, e shenjon Shkodrën për disa ditë me radhë si skenë ndërkombëtare e artit bashkëkohor. Angazhimi i organizatorëve e interesimi i publikut, janë pa diskutim tregues të pasionit për artin, por edhe i domosdoshmërisë për zhvillimin cilësor të tij në Shkodër./ atsh /KultPlus.com
CineStar, kinemaja më e madhe rajonale, hapi sot dyert për herë të parë në Prishtina Mall.
Për të përjetuar të parët pamjet ekskluzive të kinemasë brenda, ishin ftuar mediat ku secili i pranishëm qysh në hyrje mahnitej nga kjo prurje e re në vendin tonë.
Në hapat e parë të hyrjes në kinema, fryma artistike e CineStar vjen me një shfaqje ndryshe. Dritat e buta po na ndriçonin rrugën për të na përcjell në një botë tjetër të imagjinatës. Dizajnet e jashtme moderne që ishin punuar me shumë mjeshtëri, ndihmonin të ndizet interesi dhe kureshtja për të zbuluar mrekullitë e fshehura brenda mureve të kësaj kinemaje e cila qysh në korridor dukej magjike, shkruan KultPlus.
Në këtë rrugëtim po na shoqëronte menaxheri i kinemasë CineStar për Kosovë, Arben Shabani, i cili kujdesej që në detaje të na njoftonte për specifikat e secilës sallë ku asnjëra nuk ngjasonte me tjetrën.
Kur hynim në sallat e brendshme, mahnitja artistike arrinte kulmin. Në këto salla, kufizimet e realitetit humbasin kuptimin dhe spektatori vendoset përballë imazheve të bukura dhe emocionuese që shfaqen në ekranin gjigand. Dyshemetë e mbarëvajtjes ishin një tjetër pikë tërheqëse, duke ofruar një ambient të ngrohtë dhe mikpritës për të shijuar çdo moment të eksperiencës kinematografike.
Kur flasim për të rejat teknologjike të kinemasë CineStar ato sjellin një përjetim të pakrahasueshëm për publikun. Sallat janë pajisur me teknologji të fundit në fushën e kinemasë, me ekrane të gjera dhe cilësi imazhi të jashtëzakonshme. Sistemi i tingullit dhe zërit ofrojnë një efekt tërheqës duke përmirësuar ndjeshëm eksperiencën e shikuesit.
Por mbi të gjitha, është programi i filmave të ofruar nga CineStar që bën hapjen e tij ende më të ndjeshme, ku disa nga trailerat e këtyre filmave patën rastin t’i shohin sot gazetarët e pranishëm.
Duke sjell filma të pasur në përmbajtje dhe vizionarë në kinematografi, CineStar ka krijuar një vend të veçantë për magjinë e kinemasë në një vend ku diçka e tillë kishte munguar dukshëm.
Ky megapleks ishte i përbërë nga hiq më pak se 15 salla.
Po e nisim me konceptin “Destination Cinema”, i cili është një trend absolut në industrinë e kinemasë botërore, nga sot është në dispozicion në Prishtinë për të gjithë ata që dëshirojnë filma dhe argëtim pa fund në ekranin e madh, si dhe shumë përmbajtje dhe formate kinemaje të papara deri më tani.
CineStar Megaplex Prishtina Mall sjell formate ekskluzive të kinemasë premium, dhe pikërisht sot u zbulua një lajm i madh: kjo është kinemaja e parë në rajon me sallën SCREEN X.
Screen X është një teknologji speciale e sallës dhe kinemasë në të cilën ekrani shtrihet majtas dhe djathtas të ekranit qendror, i cili i mundëson shikuesit një përvojë filmi panoramik 270 gradë. Të ashtuquajturit – Kinema Pa Kufi.
Oferta e pasur e formateve premium përfshin Gold Class për ata që pëlqejnë një takim luksoz me darkë në kinema. Pastaj sallën eXtreme me një ekran më të madh dhe teknologji më të fortë, Ultimate nga Dolby Atmos është perfekt për adhuruesit e zërimit më të fundit në botën e teknologjisë. Ka edhe një Gaming sallë për e-sports, një Kids sallë për fëmijë që do të ketë një program dhe tingull të personalizuar për fëmijët e vegjël nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Krahas tij ofrohen edhe dy dhoma ditëlindjeje, që e bëjnë këtë lokacion të preferuar për prindër dhe fëmijë. Të gjitha këto formate janë në dispozicion nga sot, ndërsa CineStar njofton se salla 4DX do të hapet më 15 qershor me filmin “The Flash”.
Me 15 salla kinemaje të pajisura në mënyrë modern, të dimensioneve dhe identitetit vizual të ndryshëm, me afërsisht 2000 ulëse, CineStar Megaplex në Prishtina Mall është kinemaja më e madhe, më moderne, por edhe më e bukura në Kosovë dhe më gjerë. Përveç epërsisë teknologjike që përfshin ekranet Harkness nga muri në mur, projektorët lazer Barco 4K RGB, Real D Ultimate 3D, altoparlantët JBL dhe përforcuesit audio Crown, pjesa e brendshme e CineStar të Prishtinës ka një shumëllojshmëri materialesh, ngjyrash dhe stilesh, të nënshkruara nga dizajnerë të njohur që kanë montuar dhe kinema të tjera CineStar të vlerësuara me shumë çmime, përfshirë çmimin për kinemanë më të mirë të sapondërtuar në Evropë 2018 (CineStar Split).
Biletat për CineStar me ofertën me 50% zbritje do të shiten në arkat e kinemasë duke filluar nga dita e sotme, 2 qershor në orën 15:00 kurse online në www.cinestarcinemas-ks.eu janë të disponueshme që tani.
CineStar Cinemas është zinxhiri më i madh i kinemasë në rajon me 28 multiplekse, 182 salla dhe afërsisht 28,000 dhe me këtë megaplex në Prishtinë, CineStar tani hyn fuqishëm edhe në Kosovë.Shoqata Ndërkombëtare e Kinematografëve (UNIC) e shpalli CineStar Cinemas kinemanë më të mirë në Evropë për vitin 2019, pasi përfaqëson një shembull konkret të një kompanie që ngrit nivelin në industri dhe arrin rritje të vazhdueshme. / KultPlus.com
“Dungeons & Dragons” është filmi numër një në Amerikën e Veriut, duke fituar 38.5 milionë dollarë në fatura këtë fundjavë, njoftoi BoxOfficeMojo.com.
Në vendin e dytë është “John Wick: Chapter 4” me 28.2 milionë dollarë, i ndjekur nga “His only son” në vendin e tretë me 5.5 milionë dollarë, “Scream VI” në pozitën e katërt me 5.3 milionë dollarë dhe “Creed III” në të pestën me 5.1 milionë dollarë, përcjell Klankosova.tv
“Shazam! Fury of the Gods” në vendin e gjashtë me 4.6 milionë dollarë, “A thousand and one” në të shtatin me 1.8 milionë dollarë, “65” në të tetin me 1.6 milionë dollarë, “Ant-Man and the Wasp: Quantumania” në pozitën e nëntë me 1.2 milionë dollarë dhe “Jesus Revolution” në të dhjetën me 1 milion dollarë./klankosova/KultPlus.com
Filmi ‘Zgjoi’ me regji dhe skenar nga Blerta Basholli bëri që emri i Kosovës të përmendet në vende të ndryshme të botës vitin e kaluar dhe një gjë e tillë po e përcjell edhe këtë vit, shkruan KultPlus.
Aktualisht, ‘Zgjoi’ është duke u shfaqur nëpër kinematë e Spanjës, derisa atje ka marrë vëmendjen e shumë mediave spanjolle.
Këtu mund të gjeni shkrimet e disa prej tyre:
“Një grua kundër patriarkatit në Kosovë. Regjisorja kosovare, Blerta Basholli na shfaq luftën në vendin e saj nga këndvështrimi i grave, duke marrë si referencë një histori të vërtetë, atë të një të veje që ka hapur një biznes në kundërshtim me përditshmëritë e shoqërisë” – El Periodico
“Blerta Basholli: ‘Komuniteti i grave është ashtu siç duhet’. Regjisorja kosovare, Blerta Basholli debuton në metrazh të gjatë me një film të bazuar në realitet, një histori frymëzuese që u jep të drejtë grave dhe denoncon shoqërinë patriarkale” – La Gran Ilusion
“’Zgjoi’ i bazuar në një histori të vërtetë, tregon vështirësitë e një gruaje që kërkon të punojë në një mjedis patriarkat” – La Vanguardia
“Blerta Basholli, regjisorja e ‘Zgjoit’: Politikanët serbë shfrytëzojnë inatet e vjetra për të fituar vota. I shpërblyer në Festivalet e Filmit në Sundance dhe atë në Valladolid, kineastja kosovare është frymëzuar nga një historie e vërtetë e një gruaje e cila hapi një biznes bashkë me gra të tjera në një shoqëri rrënjësisht patriarkale” – El Espanol
“Blerta Basholli, regjisorja e ‘Zgjoit’: “Shpresoj që kjo histori të jetë frymëzues për gratë” – Abc.es
“Blerta Basholli: Është një brez i tërë që nuk e di se çfarë ka ndodhur në Kosovë” – Larazon
“’Zgjoi’: Gruaja që sfidoi shoqërinë patriarkale, duke mësuar që të vozisë veturë, në Kosovën e pas luftës. Filmi i Blerta Bashollit, kandidati i Kosovës për ‘Oscars’ shpalos rrëfimin e grave që bashkohen në kohë lufte” – El Diario
“Filmi i parë i gjatë i regjisores kosovare, Blerta Basholli, tregon historinë frymëzuese të një grup grash dhe luftën, këmbënguljen e zgjuarsinë e tyre” – Cineuropa
“Zgjoi” konsiderohet si filmi më i suksesshëm i shtetit të Kosovës, ku është shpërblyer me shumë çmime ndërkombetare dhe gjithashtu arriti të nominohej në listën e ngushtë për çmimiet Oscars. /KultPlus.com
Filmi shumë i dashur për fëmijë Sing 2 arrin në Cineplexx më 25 dhjetor, me eventin Dita e Familjes, ku do të ketë shpërblime dhe aktivitete.
Njëri prej filmave të shumë pritur për fëmijë po arrin në Cineplexx në kohë për festat e fundvitit! Cineplexx, për filmin Sing 2, do të organizojë eventin Dita e Familjes, ku do të ketë shpërblime dhe facepainting falas për të gjithë fëmijët. Ky event do të mbahet në të dy kinematë, në Prishtinë dhe në Prizren, duke filluar nga ora 11:00.
Filmi flet për Buster Moon dhe miqtë e tij të cilët duhet të bindin yllin e rock-ut Clay Calloway që t’u bashkohet atyre për hapjen e një shfaqjeje të re muzikore. Aktorët kryesor mbrapa zërave janë Matthew McConaughey, Scarlett Johansson dhe Reese Witherspoon.
Gjatë eventit do të dhurohen shpërblime të ndryshme në të dy kinematë.
Në kinemanë në Prishtinë do të dhurohen:
10x Gift Cards për bowling falas nga BO Bowling 5x Gift Cards për karaoke box nga BO Bowling
Ndërsa në kinemanë në Prizren do të dhurohen:
5x Gift Cards për bowling falas nga BO Bowling Prizren 5x Gift Cards nga Area 52 Trampoline Park Kosovo 5x Gift Cards nga SUPER 7
Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx Kosovo, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit apo direkt në kinema prej orës 11:00. /KultPlus.com
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan të se nuk do të censurojnë më filmat e lëshuar në kinema.
Kjo është përpjekja e fundit e vendit për të rritur vëmendjen si një qendër liberale tërheqëse për të huajt.
Në vend të prerjes së skenave të ndjeshme, Autoriteti Rregullator i Medias së Emirateve do të prezantojë një kategori të re të moshës 21+ për shikuesit, shkruan Abcnews, transmeton Klankosova.tv.
“Filmat do të shfaqen në kinema sipas versionit të tyre ndërkombëtar”, tha autoriteti në një postim në Tëitter.
Censorët në Emiratet e Bashkuara Arabe, si kudo në Lindjen e Mesme, kanë hequr prej kohësh skena në publikimet kinematografike që tregojnë lakuriqësi, homoseksualitet, seks dhe përmbajtje të tjera që konsiderohen të papërshtatshme./KultPlus.com
Dhjetëra persona u mblodhën në një kinema në periferi të Rio de Janeiros të shtunën për të adoptuar një qen apo mace, apo për të shikuar “Tom and Jerry” me kafshën e tyre shtëpiake, shkruan agjencia AP.
Kjo çasje e re ndaj adoptimit të kafshëve është organizuar nga një grup I të drejtave të kafshëve, që po mundohet t’u gjejë kafshëve të braktisura shtëpi të reja.
“Është premiera e filmit ‘Tom & Jerry’, kështu që sot është një ngjarje e veçantë ku njerëzit mund të shohin film me kafshët e tyre dhe po ashtu mund ta kenë mundësinë të adoptojnë ndonjë kafshë”, ka thënë Karla de Lucas që ka organizuar manifestimin.
Qentë dhe macet kanë shikuar filmin, por dukeshin dukshëm më të interesuar në ushqimin që ofrohej nga pronarët e tyre.
Pandemia ka rritur interesimin për adoptim të kafshëve në Brazil, pasi shumë banorë të izoluar po kërkojnë shoqëri pas kufizimeve.
Shumë biznese kanë zbutur politikat ku nuk lejohen kafshë brenda.
Pronarja e një kafshe shtëpia, Rejane da Costa, ka thënë se është me rëndësi që shumë vende të lejojnë pronarëat me kafshët e tyre shtëpiake.
Organizimi I të shtunës është një nga shumë organizime që planifikohen për të bërë kafshët e braktisura me familje të reja.
Në këtë organizim u adoptuan dhjetë kafshë. /Koha/ KultPlus.com
Dashamirësit e kinemasë në Filipine, të lodhur nga kufizimet e gjata nga Covid-19 kanë zgjedhur të shohin filma në ambjent të hapur, frymëzuar nga Venecia.
Gondolierët të veshur me uniforma drejtojnë dhe pozicionojnë secilën varkë në një kanal të jashtëm për të parë filma të gjatë, një mundësi për të vizituar kinemanë pas nëntë muajsh bllokimesh.
Kinematë filipine janë mbyllur që në mars, kur presidenti Rodrigo Duterte vendosi një nga mbylljet më të vështira dhe më të gjata në botë. Me më shumë se 456,000 infeksione të koronavirusit dhe 8,875 vdekje nga COVID-19, Filipinet janë vendi i Azisë Juglindore më i goditur pas Indonezisë.
Qeveria filloi hapjen graduale të ekonomisë në qershor, por shumica e bizneseve mbetën të mbyllura. Kinemaja-gondola dhe një teatër me makinë janë të vetmet mundësi për fansat e kinematografisë.
Në varkë mund të ulen dy deri në 10 persona dhe anijet janë disa metra larg. Çmimi është 500 pesos (10 dollarë), afërsisht paga minimale ditore në kryeqytet.
Vizitorët sjellin kufjet e tyre dhe dëgjojnë transmetime audio në një frekuencë radioje të disponueshme vetëm për ata që ndodhen në gondola.
Kinematë në shtete të ndryshme kanë shfrytëzuar ambjentet e hapura si një mundësi për të vazhduar biznesin në këtë periudhë të vështirë për bizneset si pasojë e pandemisë./ KultPlus.com
Filmi “Exile” nga regjisori shqiptar në Gjermani, Visar Morina, do të shfaqet në kinemanë “Abaton” të qytetit të Hamburgut në Gjermani. Visar Morina ka lindur në Kosovë dhe zhvillon veprimtarinë e tij si regjisor dhe shkrimtar në Gjermani.
Filmi rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndjehet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhyt atë në krizë të identitetit.
Filmi “Exile” i skenaristi dhe regjisori Visar Morina, skenari i të cilit është shpërblyer me çmimin prestigjioz gjerman “Lola’s Gold”, vjen pas sukseseve me filmin “Babai”, i cili fitoi në Festivalin e Karlovy Varyt për regjinë më të mirë.
“Exile” është bashkëprodhim në mes të Komplizen Film Gjermani, Ikonë Studio Kosovë dhe Frakas nga Belgjika i financuar nga: Minister of State for Culture and Media, Film- und Medienstiftung NRW, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, German Federal Film Board.
Film “Exile” sjell një kastë briliante të aktorëve, si: Sanrda Hüller, Mišel Matieviq, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Ameli Kabashi./ Albinfo.ch./ KultPlus.com
“Unhinged”, triler për mllefin në trafik me aktorin Russell Crowe, do të jetë filmi i parë i madh që do të shfaqet në kinema që nga kufizimet për shkak pandemisë së koronavirusit, ka shkruar revista NME të hënën.
Duke u shfaqur disa muaj më herët se që është planifikuar, filmi i cili është një triler psikologjik dhe që paraqet mllefin që shkakton trafiku, do të arrijë në kinematë e SHBA-së më 1 korrik.
Ky lajm vjen pasi që pothuajse një milion punonjës në industrinë e filmit dhe TV-së kanë humbur vendet e punës në Hollywood pas mbylljes së produksioneve për shkak të përhapjes së virusit.
Karantinat kanë rritur kërkesën për filma dhe programe televizive në mesin e shikuesve të mbyllur në shtëpi dhe ekspertët parashikojnë se transmetuesit do të kenë mungesë të programeve dhe filmave deri në fund të vitit.
Netflixi tashmë ka vazhduar produksionin në vendet si Koreja Jugore dhe Islanda. Qyteti Los Angeles, i cili konsiderohet si kryeqyteti i filmit dhe programeve televizive, ka krijuar grupe pune për të vlerësuar se kur mund të vazhdojë puna në këtë industri, transmeton Koha. / KultPlus.com
Krahasuar me vitin e kaluar, studioja “Disney” i është rikthyer ripërpunimit të projekteve të bazuara në filma të animuar. Po ashtu, kësaj radhe ata kanë vendosur ta rikthejnë në ekran të madh një personazh shumë të dashur për publikun, heroinën kineze të njohur me emrin Mulan.
Traileri i ri i këtij projekti të shumëpritur të bazuar në filmin e animuar hit të vitit 1998, u publikua të dielën gjatë finales së Kampionatit të Futbollit Amerikan “Super Bowl”, dhe cili i zbuloi disa skena interesante duke na lënë të nënkuptojmë se ky është një projekt më ndryshe i studios “Disney” dhe e sjellë një version më ndryshe të historisë së famshme, transmeton Koha.net.
Në filmin e ri “Mulan”, emri i protagonistes është ndryshuar nga Fa në Hua, janë eliminuar këngët që e shoqëronin filmin e animuar, përfshirë këtu personazhin e dragoit të vogël që e shoqëronte Mulanin, si dhe janë shtuar disa personazhe të femrave, si motra e vogël e saj dhe një shtrigë e keqe e cila lufton për armikun.
Në rolet kryesore të filmin vijën aktorët: Liu Yifei, Donnie Yen, Yoson An, Chen Honghui, Tzi Ma dhe Jet Li. Ndërsa regjinë e këtij projekti të shumëpritur kinematografik e ka bërë regjisorja nga Zelanda e Re, Niki Caro.
“Mulan” lansohet nëpër kinematë botërore më 27 mars të këtij viti.
Filmi “Streha mes reve” pas pjesëmarrjes në “Munich Film Fest” do të shfaqet nga 20 shtatori në 40 kinema në të gjithë Gjermaninë.
Filmi “Streha me mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina pak kohë më parë u shpall edhe filmi më i mirë në “Valletta Film Festival” në Maltë. Vlerësimi për filmin ishte me motivin: “Streha mes reve” për qasjen delikate të një subjekti të ndjeshëm për kohët që jetojmë, bashkëekzistencën paqësore mes katolicizmit dhe islamit, në sfondin kinematografik të maleve shqiptare”.
Filmi “Streha mes reve” muaj më parë u shfaq premierë botërore në një festival të kategorisë A në Estoni. Në film interpretojnë aktorë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova, emra që janë të vlerësuar dhe në botë me kinemanë. Në role interpretojnë aktorët si Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili, Virus Shala, etj.
Filmi rrëfen, historinë e Besnikut një bariu, besimtar i devotshëm mysliman, i cili zbulon që xhamia e vjetër e fshatit të vogël ku ai jeton, në Veri të Shqipërisë mes Alpesh, ka qenë dikur kishë. Ky zbulim hap debate të zjarrta në komunitetet e ndryshme fetare që jetojnë aty. Besniku është pjesë e një familjeje anëtarët e së cilës kanë besime të ndryshme dhe bashkëjetojnë në paqe me njëri tjetrin, deri ditën që Fadili babai ish komunist i familjes vdes, dhe atyre u duhet të ndajnë shtëpinë e vjetër në fshat mes tyre. Këtë vendim e bën të vështirë, amaneti që babai ish komunist ka lënë. Në rininë e tij, Besniku ra në dashuri me një vajzë nga një familje e persekutuar dhe Fadili duke qenë komunist i thekur nuk e lejoi të birin të realizonte ëndrrën e tij.
Kjo i shkaktoi Besnikut një traumë që koha nuk e shëroi. Fadili e vuajti gjithë jetën kompleksin për traumën që i shkaktoi të birit, të cilën u përpoq ta shlyente me amanetin që la në fund të jetës. Amaneti i babait, do t’ia vështirësojë Besnikut përpjekjen për të mbajtur së bashku familjen dhe komunitetet me besime të ndryshme fetare në fshat, dhe do ta bëjë të marrë një vendim të rëndësishëm për jetën e tij. /atsh / KultPlus.com
Heqja e ndalesës 35 vjeçare për kinematë në Arabinë Saudite ka shkaktuar valë të mëdha të reagimeve të ndryshme.
Mbështetësit e rihapjes së kinemave thonë se kjo do të ndikojë pozitivisht në “investime dhe punësim” dhe se do të krijojë një atmosferë kulturore, ndërsa kundërshtuesit e nismës thonë se meqë vendi nuk ka një kinematografi vendore, atëherë kinematë nuk do të kenë kuptim tjetër pos imponimit të kulturës perëndimore.
Ish-kreu i Shoqatës Kulturore dhe Artistike të Arabisë Saudite dhe këshilltari për media, Sultan el-Bazigi, rihapjen e kinemave pas 35 vitesh e cilësoi si “hap pozitiv”.
Do të jetë sektor i rëndësishëm për investim dhe punësim
“Kjo gjendje padyshim që do të krijojë një atmosferë të ndryshme kulturore. Në të njëjtën kohë do të jetë edhe sektor i rëndësishëm për investim dhe punësim”, u shpreh Bazigi.
Ai poashtu tha se popullata e Arabisë Saudite nuk është e huaj në botën e kinemasë dhe shtoi: “Edhe përkundër faktit që sallat e kinemave ishin të mbyllura, shumica e popullatës kanë ndjekur nga afër kinematografinë arabe apo dhe të huaj nëpërmjet televizorit, tabletit apo dhe me shkuarjen në kinema gjatë vizitave të vendeve të tjera. E reja tani është që do mund të shikojnë filmat sapo të fillojnë të shfaqen”.
Kinemaja është një gjuhë që reflekton opinionin botëror
Në shpërndarjet në rrjetin social Twitter kishte prej atyre që mbështesnin rihapjen e kinemave me etiketën #HapjaEKinemaveNëRijad, por edhe përdorues që kundërshtonin një gjë të këtillë.
Një përdorues i Twitterit me emrin “Er-Rumeysi”, tha se kinematografia egjiptiane është model për inkurajimin e veprave të ndryshme letrare, për zhvillimin e llojit të tregimeve si dhe për përhapjen e kulturës së kinemasë te popullata. Ai poashtu përgëzoi popullin e Arabisë Saudite për heqjen e ndalesës për kinematë. Nga ana tjetër, një përdorues tjetër i Twitterit me emrin “Miknas” tha: “Kinemaja nuk është as lojë e as argëtim. Është një mjet shprehjeje që reflekton opinionin botëror. Kinemaja në Arabinë Saudite është e domosdoshme. Urime për popullin e Arabisë Saudite.”
Synohet përhapja e kulturës perëndimore
Një arab me emrin Sehm el-Leyl, në postimin në Twitter, duke kundërshtuar idenë për hapjen e sallave të kinemave, tha: “Ne nuk kemi prodhim tonin të cilin mund ta shfaqim në kinematë tona. Prandaj, me këtë gjendje të re synohet që të lumturohet perëndimi duke përhapur kulturën perëndimore dhe duke tregtuar me prodhimet financiare dhe kulturore të tyre”.
Revista e quajtur “Ahfad esh-Shura” publikoi fetvanë nga Drejtoria për Studime Shkencore dhe Fetva ku thuhet se “kinemaja është haram”.
Marrëveshje mes “Al Hokair Group” nga Arabia Saudite dhe zinxhirit britanik të kinemave “Vue”
Nga ana tjetër, gazeta britanike Daily Telegraph bëri të ditur që është nënshkruar marrëveshje mes “Al Hokair Group”, një prej ndërmarrjeve më të mëdha investuese të Arabisë Saudite, dhe zinxhirit britanik të kinemave “Vue” për çështjen e “hapjes së 30 sallave të kinemasë në Arabinë Saudite”. Gjithashtu, u theksua që së shpejti në Arabinë Saudite do të hapen dhe kinema të përhershme.
Kreu i bordit drejtues të Vue, Tim Richards, marrëveshjen në fjalë e cilësoi si “moment i jashtëzakonshëm në historinë e kinemasë botërore”.
Ndryshe, në njoftimin me shkrim të publikuar në dhjetor të vitit 2017 nga Ministria e Arabisë Saudite për Informacion dhe Kulturë , thuhej: “Drejtoria e Përgjithshme e medias radio-televizive ka publikuar një vendim me të cilin jepet licenca për sallat e kinemave, të cilat janë të përfshira në bizneset komerciale të ditëve tona”.
Në deklaratën të cilën ministri për Informacion dhe Kulturë, Avvad bin Salih el-Avvad, e dha lidhur me këtë çështje, u bë e ditur se salla e parë e kinemasë në vend pritet të hapet në mars të vitit 2018.
Ndryshe, më 24 tetor të vitit 2017, në Rijad u mbajt mbledhja “Iniciativa për investime në të ardhmen”, ku morën pjesë dy mijë e 500 persona nga mbi 60 vende. Në këtë mbledhje të organizuar nga Fondi Publik për Investime, princi trashëgimtar Muhammed Bin Selman premtoi që vendin e tij do e kthejë drejt një “Islami të moderuar”./ KultPlus.com