Kinema “Agimi” i rikthehet qytetit të Tiranës si qendër arti

Është bërë dje mbrëma inaugurimi i hapësirës më të re dedikuar artit, i Qendrës së Artit “Agimi”.

E pranishme në këtë ngjarje ka qenë ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Ministrja ndau foto me ndjekësit e rrjeteve sociale ku duket transformimi i mjediseve të kinema “Agimit” që tashmë do të jetë më shumë se kinema.

“Kinema “Agimi” i rikthehet qytetit”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale. “Agimi” tashmë hap dyert jo vetëm si shtëpi e filmit, por si një qendër arti multifunksionale.

“Arti dhe kultura ka tashmë një hapësirë më shumë për festivale, takime muzikore, ekspozita e mbi të gjitha dialog”, ka deklaruar ministrja e Kulturës.

Kinema “Agimi” në Tiranë, është e njohur për historinë e saj të gjatë dhe kontributin në kinematografinë shqiptare. Ky transformim ka sjellë një frymë të re kreative në ambientet e saj. Tani, ky vend i veçantë ofron një hapësirë për shfaqje të filmave, ekspozita artistike, performanca teatrale dhe shumë aktivitete të tjera artistike. Qendra arti “Agimi” është një destinacion i favorshëm për dashamirësit e artit dhe kulturës që kërkojnë përvoja të reja dhe frymëzim artistik./ atsh / KultPlus.com

Rikthehet kinema “Agimi”, pikëtakim për artin e kulturën

Në vitin e Kryeqytetit Evropian të Rinisë, Tirana themelon një strukturë të re kushtuar artit, kulturës dhe teknologjisë. Agjencia e Industrisë Kreative është institucioni më i ri në varësi të bashkisë së këtij qyteti, që ka si qëllim kryesor zhvillimin e industrisë, sipërmarrjes dhe ekonomisë krijuese.

“Kjo agjenci është si një pikëtakimi për artin dhe kulturën në Tiranë. Do të kujdeset për disa asete të bashkisë së Tiranës, siç është kinemaja “Maks Velo” në Laprakë, kinema “Agimi”, një kinema klasike e qytetit, por unë besoj se aseti më i madh në këtë qytet janë njerëzit dhe teksa shoh fytyrat e shumë prej jush, që ju kam takuar stacione të ndryshme të jetës sime, them se më në fund, si përfaqësues dhe shërbëtor i këtij qyteti, kemi edhe një agjenci që do të jetë në të njëjtin nivel me ambiciet dhe ëndrrat që ju keni dhe ku ne mund të jemi sadopak të dobishëm”, tha Veliaj, gjatë ceremonisë së hapjes së Agjencisë së Industrisë Kreative.

Programi i Agjencisë së Industrisë Kreative do të ndikojë në fushën e artit, të filmit, kinemasë, ariktekturës, dizajnit, modës, turizmit, prodhimeve audio vizuale, të rekreacionit dhe të teknologjisë. Agjencia e Industrisë Kreative synon rivitalizimin e kinemave të qytetit, si e famshmja Kinema Agimi, si dhe ngritjen e zyrës së filmit në Tiranë.

Kjo do të realizohet përmes një ekipi tërësisht të krijuar nga vajza dhe djem të rinj, ekspertë të njohur, të ardhur nga fusha të ndryshme, të cilët do të angazhohen për të krijuar strategji, aktivitete, shërbime, trajnime dhe hapësira të dedikuara për individë dhe sipërmarrje aktive në Tiranë.

Tregu global ka dyfishuar kërkesën e tij për prodhime kreative përgjatë viteve të fundit, falë zhvillimit të jashtëzakonshëm të teknologjisë dhe rrjeteve sociale, përdoruesit e përfituesit më të mëdhenj të këtij boom-i mbeten të rinjtë./ atsh/ KultPlus.com