Poezi nga Ismail Kadare
Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Ku prej kohësh më s’lozin filma të përsëritur,
Ku s’bëjnë më zhurmë njerëzit me karriget,
Ku në pushimet e seancave
S’shesin kikirikë.
Ekrani me njolla,
Megafonët prishur,
Stolat janë boshe si radhë të pashkruara;
Këtë poemë stolash të gjatë, të braktisur
Nga dera e vështroj
Plot mall e i menduar.
Kinema e fëminisë,
Kinema e rrëmujës,
Kam parë aq vende,
Kam parë aq salla,
Por n’asnjë prej tyre s’kam hyrë me aq bujë,
Sa tek ti,
E shtrenjta barakë,
E rralla!
Më mirë asgjëkund veten s’e kam ndier,
As në sallat luksoze me kadife që shndrit,
Megjithëse në to me leshverdha kam qenë,
Kurse tek ti vija
Me jevgun Rakip.
Lekë, lekë,
Të mbledhura me mundim paret,
Tingulli i gëzuar në biletari,
Afishet tek xhamia
Dhe tek Qafë e Pazarit
Të shkruara nga vetë portieri Qani.
Për të njëjtin film tek njëra afishe
Shkruhej titulli ndryshe,
Te tjetra.
Por kjo asnjeriu punë s’i prishte.
T’i falnin ty të gjitha,
E dashura,
E vjetra.
Në atë copë ekran,
Për herë të parë,
Një copë të botës së gjerë ne pamë.
Në gjashtë metra katrore.
Bota fund s’kish e anë,
Bota ngjante e shkëlqyer,
Ndonëse ekrani ish me arna.
Dhe ne ishim me arna,
Me arna ish Republika,
Koha, bërrylat, shtetet ishin me arna.
Por në sytë tanë
Kish të tillë dritë,
Që nuk e patën kurrë
Më të ndriturat ekrane.
Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Stola ku janë ulur varg
Ditët e fëminisë,
Cicëronjëse gjithmonë
Si një rresht zogjsh
Mbi një tel telefoni.
Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Stola të rëndë, të gjatë, të vithisur.
Në çdo moshë që të hyj,
Në çdo vend që të vete
Si hamall këto stole
Do t’i marr me vete. /KultPlus.com