Ekspozitë grupore dhe prezantim i katalogut me Argjire Krasniqi, Brixhita Deda, Dardan Zhegrova, Korab Krasniqi, Lulzim Hoti dhe Vildane Maliqi, vjen më 9 dhjetor duke filluar nga ora 19:00 në kinemanë Jusuf Gërvalla, përcjell KultPlus.
‘Landscapes of Repair’ është një projekt bashkëpunues për peizazhet post-traumatike në Kosovë dhe rajon. Që nga viti 2021, projekti ‘Landscapes of Repair’ ka themeluar një platformë bashkëpunuese për krijimin dhe ndërtimin e vendeve post-traumatike, disponueshmerinë dhe transformimin e hapësirave publike në Kosove dhe rajon. Në këtë janë përfshirë hulumtuesit, hisedarët nga shoqëria civile dhe artistët kosovarë dhe ndërkombëtar.
Ekspozita ‘Landscapes of Repair’ ekzaminon konceptet ekzistuese të krijimit të hapësirës dhe praktikave të memorializimit në Kosovë dhe Ballkan Perëndimor. Ekspozita na fton të shqyrtojmë hapësinoren si hapësirë diskurzive të traumave të së kaluarës në të tashmen.
Nga ky pikëvështrim ekspozita ‘Landscapes of Repair’ i përgjigjet pyetjeve në vijim: Si implikohen hapësirat pas konfliktit në procesin e praktikave të memorializimit dhe riparimit në Kosovë? Cili është ndikimi i dukshëm dhe i padukshëm i konfliktit dhe traumës në mjedisin e ndërtuar, arkitekturën dhe vendet publike? Si duket riparimi në peizazhin post-traumatik në Kosovë dhe Ballkan Perëndimor? Cilat janë mundësitë që lejon praktika kreative për të angazhuar këto vende në mënyrë kritike në të tashmen? / KultPlus.com
Konferenca “Partneriteti Publiko-Civil për Reformën në Qeverisjen Kulturore në Kosovë” do të mbahet më 13 dhe 14 dhjetor në hapësirat e Kinema “Jusuf Gërvalla”.
E organizuar në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja “Hapësirat Kulturore të Kosovës”, kjo konferencë avokon për forma të reja dhe efektive të partneritetit dhe bashkëpunimit publiko-civil, duke inicuar një diskutim dhe duke vendosur një plan për përpjekjet e ardhshme të rrjeteve të organizatatave kulturore, komuniteteve artistike dhe autoriteteve publike.
Konferenca është mundësuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, në kuadër të projektit Partneriteti Publiko-Civil për Reformën në Qeverisjen Kulturore në Kosovë implementuar nga Anibar, Lumbardhi, 7 Arte, dhe Pogon.
Përmbajtja e kësaj konference është përgjegjësia e Anibar dhe jodomosdoshmërisht reflektojnë pikëpamjet e Bashkimit Europian.
Pjesë e konferencës do të jenë edhe këto panele:
Paneli I: “Mbështetje e Qëndrueshme Publike për Skenën e Pavarur Kulturore”
Paneli II: “Qeverisja e Infrastrukturës Publike”
Panel III: “Rrjetet e Kulturës”
Ndër të tjera, do të mbahen dy sesione pune që do të trajtojnë hapësirat kulturore dhe financim publiktë tyre dhe rrjetëzimin e bashkëpunimin kulturor. Në kuadër të konferencës, janë paraparë dy vizita në dy objekte me potencial të shndërrimit në hapësira kulturore: “Domi Ramiz Sadiku” dhe “Kulla e Ministerit”.
Konferenca do të jetë e mundur në tri gjuhë (me përkthim simultant) ndërsa pjesëmarrësit do të jenë nga i gjithë rajoni. / KultPlus.com
Fituesja e çmimeve Oscar dhe Emmy, Brooke Keesling ka mbajtur një prezantim sot në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në kuadër te Festivalit të Filmit të Animuar Anibar, përcjellë KultPlus.
Brooke Keesling tregoi për përvojën e saj gjatë kohës kur punoi për kompani si ‘Cartoon Network’, ‘Disney dhe Warner Bros’, ku edhe ka qenë e përfshirë në disa filma si: “Inception”, “The Dark Knight” dhe “Pirates of the Caribbean”.
Ajo vazhdoi duke treguar për punën e saj në Bento Box Entertainment, shtëpia e “Bob’s Burgers” dhe “Central Park”.
Pos këtyre, Keesling ndau me publikun fakte interesante rreth filmit të saj të parë të animuar, “Boobie Girl”, i cili ka fituar çmimet Oscar dhe Emmy në vitin 2005.
Ajo ka një përvojë të gjatë pune në nivelet më të larta të industrisë së animacionit dhe në detaje tregoi pikërisht për këtë.
Në fund, ajo pranoi edhe pyetje nga publiku ku tregoi për mundësitë e shumta në industrinë e animacionit, duke ju dhënë këshilla animatorëve të rinj të cilët janë të interesuar të kenë një karrierë në fushën e animacionit. / KultPlus.com
Pas vendosjes së masave të Qeverisë së Kosovës të cilat kanë hyrë në fuqi ditën e sotme, Kinemaja ‘Jusuf Gërvalla’, ka ndryshuar orën e mbajtjes së termineve të aktiteteve, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në Facebook është bërë e ditur se terminët e aktiviteteve do të fillojnë në orën 16:30 si dhe është zvogëluar pjesëmarrja në kinema, ku ka zbritur në 30% të kapaciteteve të përgjithshme.
Më poshtë mund të lexoni njoftimin e tyre të plotë:
Për shkak të masave të reja të vendosura nga institucionet relevante, terminet e aktiviteteve nga ora 18:00 ndryshojnë dhe mbahen duke filluar nga ora 16:30. Diskutimi në Kinema mes Gani Mehmetaj dhe Arben Zharkut si dhe Q&A me Shkumbin Istrefin pas shfaqjes se filmit “Tri Dritare dhe Një Varje” bartet virtualisht.
Po ashtu, për shkak të masave të reja anti-COVID, pjesëmarrja në kinema zbret ne 30% të kapaciteteve të përgjithshme dhe inkurajohet regjistrimi paraprak në format që mund t’i gjeni tek aktivitetet e lajmëruara në rrjetet tona sociale.
Qëndroni të shëndetshëm dhe shihemi te filmi!/ KultPlus.com
Në vitin 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë, pjesa më e madhe e qytetit të Pejës u shkatërrua. Kinemaja e qytetit e cila u dëmtua rëndë, ndau fatin e shumë ndërtesave në qytetin e Pejës. Për ta riaktivizuar atë, një shumë e konsiderueshme parash duhej të investohej për të restauruar pjesën më të madhe të ndërtesës. Donatorët e parë u gjetën në Itali, ndërsa ideja fillestare ishte ta shndërronin kinemanë në një teatër klasik, pasi ndërtesa e Teatrit “Istref Begolli” ishte nën kontrollin e KFOR-it italian.
Kinemaja “Jusuf Gervalla” (ish Kino Radi) është ndërtuar me qëllim që të sigurojë një hapësirë kulturore në qytetin e Pejës, ndërsa gjatë periudhës 1955-1998 ka shërbyer si pikë qendrore e aktiviteteve të përbashkëta kulturore për banorët e komunës së Pejës, duke përfshirë kështu shfaqjen e filmave më të fundit, diskutime publike për filma të ndryshëm, koncerte muzikore, shfaqje teatrale dhe programe për fëmijë, duke u bërë kështu një nga institucionet kulturore më të frekuentuara të asaj kohe.
Kinemaja “Jusuf Gervalla”, në të kaluarën është njohur si Kino Rad (“Kinema e Punëtorëve”) u ndërtua në vitin 1955 me paratë e Sindikatës së Punëtorëve. Kinemaja ishte një ndërmarrje e shfaqjes së filmit që në atë kohë quhej Komuniteti Vetëqeverisës i Interesit në Kulturë (SCIC).
Kurse pas investimeve, Asambleja Komunale përmes një vendimi, ia dha kinemanë Anibarit për ta përdorur atë për një periudhë 15 vjeçare. Programi i aktiviteteve që Anibar kishte prezantuar përfshinte aktivitete si: shfaqja e filmit, panele diskutimesh dhe debate, koncerte, duke mos përjashtuar punëtori të ndryshme dhe zhvillimin e Akademisë së Animacioneve.
“Kinemaja e qytetit është pikëtakim i së kaluarës dhe i së ardhmes, i aktivizmit qytetar për avansim shoqëror, pajtimit dhe vend i mundësive të reja për dije dhe kreativitet. Kinema Jusuf Gërvalla shërben si hapësirë alternative ku organizohen aktivitete kulturore, festivale, ngjarje, shfaqje filmave, diskutime etj. Ndërtesa renditet si monument historik në listën e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare” tha Vullnet Sanaja, drejtor ekzekutiv dhe bashkëthemelues i Anibarit, për KultPlus.
Pas luftës, përmes ndihmës së dhënë nga një organizatë donatore nga Italia kinemaja është rindërtuar, rindërtimi filloi më 1 Korrik 2000, dhe kinemaja u rihap në shkurt 2001. Ndërtimi i përfunduar në këtë fazë nuk ka qenë në pajtim me kodin e ndërtesave të trashëgimisë kulturore për të ruajtur formën dhe arkitekturën e kohës, për këtë arsye ndërtesa ka humbur një pjesë të identitetit të saj, e cila mund t’i rikthehet përmes një programi të mirëfilltë të restaurimit.
Kinemaja i jep mundësi te rinjve që të organizojnë tubime të ndryshme kulturore, siç janë aktivitete muzikore, shfaqje teatrale, promovime dhe fjalime.
Dimal Stublla qytetar nga Peja tregon se pse është kino e rëndësishme dhe se çka duhet të ndryshojë.
“Personalisht kam marr pjesë në shumë aktivitete gjatë viteve. Kino mendoj që është i rëndësishëm, pasi që Pejës si qytet i ka humbur sensi kulturor”, ka thënë ai.
Komuna e Pejës ka kaluar nëpër procedurën e alokimit për përdorim afatshkurtër të pronës së paluajtshme komunale, kryer përmes procedurës së ankandeve publike përmes të cilave procedura Anibar-it i është dhënë koncesioni për 15 vitet e ardhshme, çka do t’i mundësojë Anibar-it ta rivitalozojë, rimëkëmbë dhe t’ia rrisë vlerën ndërtesës përmes strategjisë së tij të zhvillimi dhe programit të paraparë për avancimin kulturor të kinemasë.
Në Kinema Jusuf Gërvalla shfaqen filma-dokumentar, të animuar, të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër, zakonisht shfaqen filma artistikë dhe alternativ.
Kinemaja Jusuf Gërvalla ka një program vjetor të rregullt. Programi aktual i Kinemasë përfshin shfaqje filmash, diskutime publike, netë poezie, koncerte, përformanca, dhe aktivitete tjera kulturore.
Kino nuk duhet të qëndroj gjithmonë si pjesë e një organizate, thotë Ariston Lipa qytetar nga qyteti i Pejës, i cili ka mbajtur edhe një aktivitet rreth robotëve në Kino.
“Shumica aktiviteteve janë të Anibar që ndodhin në kinema. Për momentin involvimi është veç si vullnetar, po s’ka shumë aktivitete përveç menaxhimit të kinos dhe kur ka ndonjë event si frankofonia ose shfaqja e ndonjë filmi. Unë kam mbajt me Anibar një aktivitet, është quajtur “Cute Robots” ka qenë aktivitet me fëmijë 5-7 klasë të cilët do ndërtonin robota skulpturë prej pjesëve elektronike të vjetra… Kinemas i mungon një mision, qëllimi objektiv specifik se ku dëshirojmë të arrij mbas 3-5 viteve, jo vetëm një organizatë ta menaxhoj dhe ta përdor si zyre e kohë pas kohë të bëjë aktivitet koti”, ka thënë ai.
Anibar filloi negociatat me Komunën e Pejës që nga viti 2014 për të rritur numrin e aktiviteteve në kinema, megjithëse Anibar kishte përdorur kinemanë që nga viti 2010 për aktivitetet e saj. Vetëm në vitin 2014 kinemaja filloi të ringjallet me programe, pas negociatave të shpeshta me Komunën e Pejës, të cilat vërtiteshin rreth qëllimit të rritjes së numrit të aktiviteteve të kinemasë, të cilat njëkohësisht do të kontribuonin në ringjalljen e ndërtesës e cila ka qenë pasive në vite.
Kino Jusuf Gërvalles i mungon leja për shfaqjen e filmave në suaza të rregullta, dhe mundësi iu jep vetëm aktiviteteve të cilat janë të aprovuara nga Drejtorati i Kulturës dhe Sportit.
“U jap mundësinë ta shfrytëzojnë hapësirën dhe paisjet e kinos për aktivitete të aprovuara nga Drejtorati i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në qoftë se do të rifunksionalizohej, rëndësia e kinos do të vinte në konsideratë në aspektin kulturor dhe rekreativ. Ndryshimet në Kino do të ishin logjistike (paisjet) dhe administrative (leje për shfaqjen e filmave në suaza te rregullta). I mungon qëllimi. nuk plotëson aktivitetet që nënvizohen në fjalinë “kino-teatri i qytetit”. Andaj momentalisht do e cilësoja si objekt me potencial për zhvillim”, thotë Kastritot Lipa .
Kinemaja ka qenë prej kohësh dhe mbetet edhe sot, vitrina më e mirë për filmat e rinj. Disa filma mund të qëndrojnë në kinema për disa javë me radhë, ndërsa të tjerët mund të zhduken shumë shpejt. Një gjë është e sigurt – filmat nuk shfaqen thjesht në kinema rastësisht.
Sidoqoftë, kinemaja e vetme e qytetit të Pejës ende nuk funksionon me aktivitete të përditshme për shkak të mungesës së kushteve teknike, siç është një projektor dixhital që do të mundësonte shfaqjen e filmave më të rinj. Pavarësisht nga këto vështirësi, mund të thuhet se Kinema “Jusuf Gervalla” është burimi alternativ më efektiv i programeve edukative-kulturore./ Diona Krasniqi/ KultPlus.com
Filmi ‘Recollection’ me regji të Art Haxhijakupi vjen në Kinema “Jusuf Gervalla” në Pejë, përcjellë KultPlus.
Filmi ‘Recollection’ është film eksperimental i prodhuar në vitin 2017 i cili vë në pah jetën e kosovarëve gjatë viteve 90-të krahas regjimit të Milosheviqit dhe superioritetit të atëhershëm të komunitetit serb në Kosovë.
Autori i filmit, Art Haxhijakupi, përdorë materiale nga arkiva familjare e viteve 90-të në Pejë duke ndërtuar një tregim të ndërlikuar përmes së cilit elemente nga historia e diskursit politik, pop kultura, nacionalizmi dhe ideali kombëtar ofrojnë një qasje të re ndaj interpretimit të së kaluarës dhe kujtesës kolektive. Temat e ndërlidhura të këtij filmi u themeluan dhe shtjelluan paraprakisht në kuadër të një projekti akademik gjatë viteve 2015-16, ndërsa në fillim të vitit 2017 u adaptuan në format filmik.
Ky film është shfaqur fillimisht në festivalin e filmit Dokufest në Kosovë, kurse së fundi u prezantua në Londër në kuadër të programit për studime shqiptare “Alexander Nash” në universitetin me renome botërore University College London.
‘Recollection’ vjen më datë 13 tetor prej orës 19:00 në Kinemanë “Jusuf Gervalla” në Pejë. /KultPlus.com