Për nder 112 vjetorit të pavarësisë Shqipërisë dhe në kuadër të javës kulturore kombëtare, Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Kino Armatën, organizojnë shfaqjen e katër filmave të shkurtër.
Programi i filmave që shfaqen me 28 nëntor duke filluar nga ora 19:00:
“Kali” nga Alban Ukaj, Yll Çitaku “Shok” nga Jamie Donoughue “Kolona’ nga Ujkan Hysaj “117” nga Besim Sahatçiu/ KultPlus.com
Edicioni i pestë i festivalit të filmit ‘Kino Kosova’ do të mbahet në Bernë nga 11 deri më 15 shtator. Sipas njoftimit të organizatorëve, festivali i këtij viti përqendrohet në temën “Contemplating” – “Përsiatje”, duke shfaqur filma nga Kosova dhe diaspora e saj në kinematë e Bernës.
Sivjet në ‘Kino Kosova’ do të shfaqen mbi 30 filma, duke ofruar një program të larmishëm dhe atraktiv.
Bosnja dhe Hercegovina është shteti mysafir këtë edicion në bashkëpunim me Sarajevo Film Festival dhe Shoqatën e kineastëve nga Bosnje dhe Hercegovina, dhe me një program të veçantë me filmat e shkurtër zviceranë në bashkëpunim me Festivalin e Filmit të Shkurtër nga Winterthur (Kurzfilmtage Winterthur).
“Përveç shfaqjeve të filmave, pjesëmarrja e artistëve do të jetë e lartë dhe do të ketë panel diskutime, ku audienca do të ketë mundësinë të thellohet në tema të ndryshme së bashku me kineastët dhe artistët. Midis tyre, një panel do të eksplorojë artin e filmave të shkurtër, ndërsa një tjetër do të shqyrtojë fuqinë transformuese të festivaleve të filmit në shoqëritë e pasluftës. Gjithashtu, festivali ka kënaqësinë të mirëpresë dy artiste nga Kosova, Blerta Hashani dhe Lumturie Krasniqi, të cilat po marrin pjesë në një rezidencë artistike në qendrën kulturore PROGR në Bernë përpara se të prezantojnë punën e tyre gjatë festivalit”, thuhet në njoftimin e organizatorëve të festivalit.
Gjithashtu, festivalit do t’i shtojnë ngjyra muzikore edhe artistja shqiptare Linda Rukaj dhe kuarteti i saj.
Nesër, me fillim nga ora 19:00 në Kino Armata shfaqet filmi ‘Faust’ me regji të F. W. Murnau.
Faust është film pa zë i vitit 1926 me regji të F. W. Murnau, i cili analizon traditat e vjetra të legjendës së famshme të Faust si dhe versionit klasik të Goethe. Faust ishte filmi i fundit gjerman i Murnau, pas të cilit ai u zhvendos në Shtetet e Bashkuara për ta bërë regjinë e Sunrise: A Song of Two Humans (1927). Filmi njihet si njëri ndër më të sofistikuarit vizuelisht ndonjëherë, si dhe është klasikë e pa tejkaluar në zhanrin horror.
Friedrich Wilhelm Murnau (1888 – 1931) ishte regjisor gjerman, i influencuar nga Schopenhauer, Nietzsche, Shakespeare dhe shfaqjet e Ibsen të cilat i kishte parë qysh nga mosha 12-vjeçare. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai ishte komandant i togut në frontin e lindjes dhe gjithashtu ishte në aviacionin e ushtrisë gjermane. Ai krijoi trillerin me vampirë Nosferatu në vitin 1922, si dhe ekzaminimin e përpiktë të dashurisë në Sunrise (1927) dhe Tabu (1931). Karriera e tij premtuese përfundoi në aksidentin fatal me makinë në vitin 1931.
MURNAU 101 “Faust” Regjisor: F. W. Murnau Viti i prodhimit: 1926 Kohëzgjatja: 106 min. Titra: Gjermanisht/Anglisht/Gazeta Express/KultPlus.com
Fondacioni Lumbardhi i Kosovës, është përzgjedhur si finalist i çmimeve prestigjioze “New European Bauhaus Awards” për vitin 2023!
Procesi i rijetësimit të Kino Lumbardhit, kinemaja emblematike e Prizrenit, është vlerësuar në mesin e 61 projekteve, nga mbi 1450 aplikime, në kategorinë tematike “Rifitimi i ndjenjës së përkatësisë”, nën shtyllën “New European Bauhaus Education Champions”.
Ky ishte një vlerësim i madh për angazhimi 8-vjeçar për rijetësimin e Kino Lumbardhit.
Ky nominim fokusohet në iniciativa në edukim dhe të mësuarit, në rastin e Lumbardhit, me theks në procesin e të mësuarit në ndërtim institucional, angazhim të komunitetit dhe pronarëve, si dhe trajtim të trashëgimisë kulturore dhe mjedisit të ndërtuar.
Fituesit e “NEB Awards 2023” do të shpallen në datat 21-22 qershor 2023, në Bruksel. Publiku pati mundësinë të votonte për tre projekte fituese përmes votimit online, votim i cili mbyllet sot.
Kinemaja Lumbardhi u krijua në 1952 në Prizren. E hapur si pjesë e një ndërtim modern kulturor në një shtet të sapokrijuar, fillimisht funksionoi si një kinema e brendshme. Në vitin 1959, kinemaja në ambient të hapur u vu në dispozicion të publikut. Deri në ndërhyrjen ushtarake në 1999, Lumbardhi funksiononte si një kinema e cila qeverisej si institucion publik i vetë-menaxhuar./atsh/KultPlus.com
Të enjten, më 6 prill, në Kino Armata shfaqet filmi hungarez “Bet on Revenge” i autorit Gabor Herendi.
Ambasada e Hungarisë në Prishtinë dhe Kino ARMATA, hapësira publike në Prishtinë që promovon kulturë alternative dhe dialog shoqëror, fillojnë me partneritet për t’i sjellur audiencës në Prishtinë dhe Kosovë disa prej punëve më të rëndësishme dhe relevante të autorëve hungarez.
Ky partneritet fillon me shfaqjen e filmit të vitit 2017 “Bet on Revenge”, me regji nga Gábor Herendi. Ernõ Blaskovich ka humbur gjithçka pas Revolucionit Hungarez të vitit 1848. Kincsem, një kalë i shkëlqyeshëm, i jep kuptim jetës së tij pa qëllim dhe vet-shkatërrim. Ai ka shansë për të kthyer të gjitha: hakmarrjen, dashurinë dhe famën.
Sot në ora 19:00 në Kinemanë Armata, do të shfaqet filmi biografik i artistit të stilit barok, Michelangelo Merisi da Caravaggio, shkruan KultPlus.
“Sociologu Bardhi Bakija do të shfaqë për anëtarët e klubit të filmit KINETO organizuar nga Eranda Bokshi filmin që është një biografi e pazakontë e artistit të madh të periudhës së barokut Michelangelo Merisi da Caravaggio”, thuhet në njoftimin e Kino Armatës.
Tutje thuhet se pas filmi do të ketë diskutime për sfera të ndryshme të cilat e përbënin Michelangelon si artist.
“Pas filmit do të diskutojmë për marrëdhënien mes jetës dhe artit, pikturës dhe filmit, për imitimin (mimesis) si pjesë e rendit natyror, për inskenimin e alegorive dhe simboleve në pikturat të Caravaggios si përpjekje për të krijuar një tableaux vivant.”/KultPlus.com/
“Kino” është një ekspozitë e komisionuar nga Lumbardhi në mbështetje të procesit të ndërtimit dhe interpretimit të arkivit të Kinemasë Lumbardhi, me datë 19 Korrik paraqet ekspozitën “Kino” të artistit Vladimir Miladinović, përcjell KultPlus.
Ekspozita “Kino” do të hapet në
ora 19:30 dhe do të qëndroj e hapur deri më 11 Gusht
Artisti u ftua të hulumton dhe të
ndërvepon me arkivin e kinemasë, duke sjellë një tregim të shumëdimensional që
kaplon pesë dekada të jetës së institucionit. Duke zbatuar metodën e tij të
riprodhimit të përzgjedhjeve nga materialet arkivore të shkruara dhe vizuale,
të cilat janë shtypur ose margjinalizuar në kujtesën kolektive të komuniteteve
të vogla, Miladinović shfaq momente dhe marrëdhënie nga jeta e përditshme e një
institucioni të dedikuar për shpërndarjen e vlerave, normave dhe praktikave në
masa të gjera përmes filmit.
Projekti u zhvillua dhe u prodhua
në partneritet me Forumin ZFD në Kosovë dhe Forumin ZFD në Serbi me mbështetjen
e Ministrisë Federale për Zhvillim të Bashkëpunimit Ekonomik (BMZ). Hulumtimi
për këtë ekspozitë është mbështetur nga Foundation for Arts Initiatives.
I bazuar në Beograd, Vladimir Miladinović punon si artist i pavarur që nga viti 2007. Ai aktualisht është rezident i Arkivit UAL dhe Qendrës së Koleksioneve Speciale si hulumtues i arkivit të Stanley Kubrick dhe është pjesë e rrjetit të Metodologjive Vizuale të Trupëzuara VEM me bazë në Kolegjin Kings në Londër. Ai diplomoi në Fakultetin e Arteve Aplikative në Beograd dhe përfundoi doktoraturën në Departamentin e Teorisë së Artit dhe Medias në Universitetin e Arteve të Beogradit. Miladinović ishte anëtar i grupit punues “Katër fytyra të Omarskës”, një grup i artit/teorik që vë në pyetje strategjitë e prodhimit të memorialeve. Interesat kryesore të Miladinovićit qëndrojnë brenda politikës së kujtesës, manipulimit të medias dhe krijimit dhe riinterpretimit të historisë. Ndërsa puna e tij angazhohet me traumën e luftës dhe të pasluftës, që kanë të bëjnë jo vetëm me median, forenzikën, identifikimin politik dhe etik të prezantimit të krimeve të luftës, ato përqendrohen gjithashtu në ideologjitë aktuale të tranzicionit të mohimit dhe fshirjes. Duke pyetur se si mediat dhe institucionet në shoqëritë e pasluftës krijojnë hapësirë publike, gjithnjë duke formuar kujtesën kolektive, Miladinović përdor artin si një forum për të krijuar një kundër-sferë publike që ngre pyetje rreth luftës, propagandës mediale, manipulimit të narrativës, përgjegjësisë historike dhe angazhimit intelektual. Ai
ishte laureati në 53 vjetorin e çmimit të Salonit të Tetorit në Beograd dhe e fitoi çmimin nga fondi “Vladimir Veličković”./KultPlus.com
Me dasht’ me dasht’ me dasht’ i regjisorit Ilir Hasanaj, film ky i cili është incizuar në kuadër të projektit të performancës artistike “Baushtellë: Balkan Temple” dhe gjithashtu mori pjesë në edicionin e sivjetmë të Dokufestit, ku edhe e fitoi çmimin e publikut, tashmë vjen si premierë për herë të parë në Kinemanë Jusuf Gërvalla në Pejë, të premten prej orës 19:00.
Ky film flet për një çift të ndarë rishtas të cilët përpiqen ta gjejë një mënyrë për të punuar dhe jetuar bashkë në një projekt performance arti me 30 artistë që udhëtojnë nëpër 3 shtete. Ata janë të shoqëruar nga një adoleshent i humbur, i cili është i zhgënjyer nga jeta.
Filmi është produksion origjinal Kosovar ku në rolet kryesore vijnë Edona Vatoci, Arbër Salihu, dhe Genc Hasanaj. / KultPlus.com
Me regji, tekst dhe orkestrim nga Naim Krasniqi, muzikëli për fëmijë dhe familje ‘Aladini’ jep premierën më 2 tetor në Kinemanë ABC në kryeqytet, shkruan KultPlus.
‘Aladini’ flet shqip, këndon dhe vallëzon shqip të hënën mbrëma në Kino ABC, duke sjellë në rolet kryesore: Princ Morina, Anzotika Dalipi, Dren Llumnica , Ari Krasniqi, Jona Zeneli…
Ky muzikël për fëmijë, reprizën e parë do ta ketë më 3 tetor në dy terminë atë të 16:00 dhe 18:00, ndërsa gjatë vikendit në orën 14:00./ KultPlus.com