Nga kalldrëmet e Prizrenit tek reflektorët e Hollywood-it, Bekim Fehmiu u rikthye dje në vendin e tij të preferuar

Jeta Zymberi

“Nëse e fitoj këtë rol, unë shkova”, këto ishin fjalët e Bekim Fehmiut drejtuar vëllait të tij, Arsim Fehmiut, pasi kishte marr në duar skenarin e filmit “Mbledhësi i Puplave”. Ashtu siç e kishte parashikuar edhe vetë Bekimi, ky film ishte drita jeshile për aktorin tonë i cili do ta sillte në krye të skenës së artit botëror.

Madhështia e Bekim Fehmiut dje u rikthye në Kinemanë ABC përmes filmit dokumentar  të cilin e punoi me shumë dashni regjisori Valmir Tertini. Ky film ishte një kthim në kohë, një rikthim i emocioneve dhe shpërblim i vogël për punën e jashtëzakonshme të aktorit pasi filmi solli një kujtim të bukur që do të ruhet në historinë e kinematografisë, shkruan KultPlus.

Hyrja për në kinema dje nuk ishte e lehtë, pasi numri i të interesuarve ishte i madh, por megjithatë të gjithë zunë vendin e tyre dhe emocionet ishin në ajër pasi në një mënyrë ose tjetër, Bekimin do ta kishim në sallë.

Por para se të vijë ky moment, fjala ju dha kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës i cili u shpreh se ky film mundohet të hedh dritë mbi figurën e Bekim Fehmiut.

“Në këtë film, arti i shtatë, rrëfimtaria si dhe historia e përbashkët e popujve të Ballkanit, ndërthuren nëpërmjet një emri të përveçshëm, atij të legjendës kinematografike shqiptare, jugosllave e botërore, të madhit, Bekim Fehmiut. Prej hapave të parë artistik që i nisi në kalldrëmin e Prizrenit e deri te reflektorët e ndritshëm të Hollywoodit, Bekim Fehmiu u ngrit si një gjigant që i ka kapërcy barrierat e kufijve dhe për këtë arsye emri i tij do të mbetet i gdhendur përgjithmonë në historinë e kinematografisë botërore”, u shpreh Rama teksa tha se ajo që e bën këtë dokumentar të veçantë është autenciteti i tij si portret real i aktorit.

“Historia e Bekim Fehmiut është më shumë se sa një Odise e suksesshme kinematografike, një dëshmi e fuqisë së artit për t’i kapërcyer hendeqet sado të mëdha që janë ato”, përfundoi Rama.

“Mirëdita” tha në shqip Branka Petric, zonja që ndau dallgët e jetës me aktorin tonë të madh e cila u ngjit në skenë për të thënë disa fjalë rreth këtij dokumentari dhe ndjenjave të saj të përziera në ato momente.

“Jam shumë e lumtur dhe njëkohësisht shumë e shqetësuar që jam e pranishme këtu sepse hapësira e Kinemasë ABC ishte vendi i preferuar i Bekimit”, tha Branka e cila shqetësimin e saj u mundua ta fshehtë me qeshje, një qeshje që dukej si një ironi thurur ndjenjave të saj dhe një barrierë përmes të cilës mundohej t’i mbante lotët.

“Kur erdhëm në Prishtinë ishte duke rënë një shi shumë i madh dhe ja sot dielli ka dal dhe ka zbukuruar këtë ditë”, u shpreh Branka duke na lënë të kuptojmë se Bekimi ishte dielli i Prishtinës në këtë ditë vjeshte.

“Shpresoj që do të ju pëlqej ky projeksion dhe jam e bindur se edhe Bekimit do ti pëlqej ky film sepse unë jam e bindur se është dikush atje lart që na sheh”.

Për të marr përshtypjet e tyre të gjithë të pranishmit, në ekranin e madh të kinemasë filmi nisi me aktin e vdekjes së aktorit, akt përmes të cilit jo vetëm u shua jeta e një ylli të madh por u privua edhe mundësia e dëshira e madhe e shumë njerëzve që ëndërronin ta takonin një ditë. Por ky akt i cili ndodhi më 15 qershor të vitit 2010 në apartamentin e tij në Beograd, kur ai ishte 74 vjeçar, nuk e zbehi asnjëherë madhështinë e tij e cila vazhdon të frymëzojë edhe gjeneratat e reja.

I lindur më 1 qershor të vitit 1936 në Sarajevë, në gjirin e një familje gjakovare, Bekim Fehmiu ishte i biri i Ibrahim Fehmiut dhe Hedijes. Pasi i ati i tij ishte internuar në kryeqendrën boshnjake nga autoritetet mbretërore jugosllave. Më 1939 familja u zhvendos në Shkodër, ku kaluan tre vite dhe pas bashkimit të një pjese të Kosovës me Shqipërinë e pushtuar nga Italia, u vendosën në Prizren.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

Fëmijëria e tij u rrëfye në këtë film nga vëllai i tij, Arsim Fehmiu, i cili mungoi në shfaqjen e këtij dokumentari, pasi vitin e kaluar u nda nga jeta. Por rrëfimi i tij tashmë ka mbetur i dokumentuar dhe emocionet i përçoi fuqishëm tek publiku.

Ndërsa bashkudhëtarja e aktorit, Branka Petric me të cilën ka edhe dy djem, rrëfimin e saj në këtë dokumentar e nis këndshëm. Pas 10 vitesh, ajo për herë të parë hapë valixhen ku ruante gjithçka që i përkiste bashkëshortit të saj, nga kapela me të cilën u paraqit te filmi “Mbledhësi i Puplave”, një fletore shënimesh, arma me të cilën luajti në një film e shumë gjëra të tera të çmuara të aktorit.

Gjatë rrëfimit të saj, Branka qan, qesh e madje edhe këndon derisa shpalos shumë detaje nga jeta e përbashkët me Bekimin.

Gjatë 60 minutave dokumentar i cili erdhi në formë të intervistave ekskluzive nga familjarë, të afërm, miq, artistë e bashkëpunëtorë, u shpalosën më shumë përshtypjet që këta personazh kishin për Bekim Fehmiu, por nuk munguan edhe detaje që zbulonin më shumë për karakterin e aktorit.

“Bekim Fehmiu ishte i madhërishëm dhe shumë modest në të njëjtën kohë”. “Ai ishte Odisea jonë”. “Bekimi ishte aktori më i madh i kohës sonë”. Këto ishin vetëm disa nga fjalët e shumta që u thanë për aktorin Bekim Fehmiu nga personazhet si: Enver Petrovci, Timo Flloko, Roza Agnanosti si dhe regjisorë e bashkëpunëtorë të huaj me të cilët punoi Bekim Fehmiu.

Një pjesë mjaft emocionuese e këtij dokumentari ishte edhe momenti kur Bekim Fehmiu kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1972. Momente ku shfaqet malli dhe dashuria e tij për këtë vend. Gjatë kësaj vizite ai kishte shkuar edhe tek shtëpia në Shkodër ku i kaloi tre vite të fëmijërisë së tij.

Ky film dokumentar, është i pari krijim mbi figurën e Bekim Fehmiut i cili u ndërtua nga skenari i gazetarit Fahri Musliut dhe nënë përkujdesjen regjisoriale të Valmir Tertinit.

Padyshim që një film është e pamundur të mbërthejë gjithë jetën dhe karrierën e një ylli të tillë siç është Bekim Fehmiu, këtë e pranoi edhe skenaristi Fahri Musliu i cili u shpreh se nuk ishte i lehtë as vendimi për të pranuar ofertën e bashkëpunimit nga regjisori por gjithsesi për të kjo tashmë është një ëndërr e realizuar.

“Filmi nuk e prezanton Bekimin si figurë në totalin e plotë të tij, por vetëm në disa pjesë”, ka thënë Musliu.

Pas përfundimit të filmit dokumentar i cili u përcoll me duartrokitje të shumta, për KultPlus përshtypjet e saj i ndau edhe drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që tashmë është realizuar një film për figurën e Bekim Fehmiut sepse një i tillë i ka munguar shumë Kosovës.

“Ky film flet shumë për jetën e tij si artist dhe është diçka që i ka munguar Kosovës. Shpresoj që këtë film ta shohin sa më shumë njerëz, sa më shumë të rinjë, që ta dijnë se kush ishte Bekim Fehmiu. I uroj suksese regjisorit për këtë punë të madhe që e ka bërë sepse është shumë e rëndësishme të punosh film për një figurë kaq të madhe. Ky film e ofroj një dritare të vogël për madhështinë e Bekimit sepse shumë njerëz sot nuk e dijnë andaj filmat janë të domosdoshëm që këto të përcillen edhe te gjeneratat e reja”, u shpreh Zeqiri.

Ndërsa, profesoresha dhe shefja e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Beogradit, Naile Imami e cila e njihte Bekim Fehmiun për vite të tëra në Beograd dhe njohu nga afër jetën dhe familjen e tij, në momentin që po e realizonim intervistën ende nuk kishte një mendim të prerë për filmin, por ajo ishte e sigurte për një gjë.

“Ende nuk kam një mendim të prerë për këtë film dokumentar për shkak të faktit se unë e njoha Bekim Fehmiun me vite të tëra në Beograd dhe njoh jetën e familjen e tij, di shumë gjëra të bukura dhe në këto momente i kam të përziera këto emocione. Në film, nuk pash shumë detaje për Bekim Fehmiun dhe për këtë më vjen keq. Gjithashtu përzgjedhja e personazheve që folën në film për Bekim Fehmiun nuk më pëlqeu sepse po të ishte Bekimi gjallë nuk do t’i pëlqente. Por e rëndësishme është që është realizuar ky film, më mirë pak se hiq”, u shpreh Imami ndër të tjera.

Krejt për fund, disa fjalë i ndau për KultPlus edhe personi i cili qëndron pas gjithë këtij filmi, regjisori i cili mori guximin të bëjë një film për një figurë kaq të madhe, Valmir Tertini. Ai shpalosi sfidat gjatë realizimit të këtij dokumentari të cilat nuk ishin të pakta.

“Ka qenë një sfidë e madhe si kohore ashtu edhe financiare për realizimin e këtij filmi. Por megjithatë filmi arriti të finalizohet pas më shumë se 5 viteve punë e peripeci. Unë kam vendos që në këtë dokumentar mos të përdorim asnjë fotografi por vetëm video, kryesisht nga filmat e tij dhe disa video janë ekskluzive”, tha Tertini i cili u shpreh tutje se figura e Bekimit ka qenë e keqkuptuar dhe beson shumë se ky dokumentar tregon shumë për të që nga lindja e deri të kulminacioni i tij.

Krejt për fund, Tertini tregoi se filmi pas premierës në Tiranë, Prizren dhe Prishtinë, do të vazhdoj me premierat e radhës në Beograd dhe Romë e gjithashtu do të udhëtojë edhe nëpër festivale. / KultPlus.com

Ceremoninë e hapjes së “Mirëdita, dobar dan!” nesër në Kino ABC

Edicioni i dhjetë jubilar i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike kulturore që organizohet në Prishtinë dhe Beograd që nga viti 2014, do të mbahet këtë vit nga 4 deri më 6 maj në Kosovë, me prezantimin e skenës kulturore, artistike, e shoqërore të Serbisë dhe me diskutimin e çështjeve kritike që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në një periudhë sfiduese për të dy shoqëritë. 

Ceremonia e hapjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të mbahet në Kino ABC në Prishtinë, më 04 maj 2023 (e enjte), nga ora 18:00h.

Qëllimi kryesor i programit “Mirëdita, dobar dan!” është krijimi i lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, media, shoqëri civile, nëpërmjet prezantimeve kritike dhe dialogut mbi çështjet bashkëkohore me të cilat ballafaqohet rajoni dhe promovimin e kulturës si një mënyrë bashkëpunimi dhe mësimi për njëri-tjetrin. /KultPlus.com 

Filmi “IFIREHS” nga Ben Apolloni sonte premierë në Kino ABC

Filmi “IFIREHS” me skenar dhe regji të Ben Apollonit vjen premierë sonte në Kinemanë ABC, shkruan KultPlus.

Ky film i metrazhit të shkurtër, është i bazuar në ngjarje të vërtetë.

Producente e filmit është Erza Ramku e cila njëherit edhe luan një ndër rolet kryesore në film.

Në film luajnë edhe: Valon Nuhiu, Erza Ramuka, Edona Berisha- Bekteshi, Gjelbrim Emini, Asdren Selimi, Rexhep Ramuka,

Drejtor fotografie i filmit është Fisnik Halili, editor Avdi Thaci, skenograf dhe kostumograf Ardian Kadriu, tonist dhe dizajn i audios Engjëll Mahmuti, ndërsa make-up artiste Lirije Laqi etj.

Filmi vjen premierë sonte në ora 19:00. / KultPlus.com

Kinemaja ABC fillon vitin me premierën e filmit “Juliet, Naked”

Premiera e parë për vitin 2019 që do të shfaqet në kinemanë ABC është premiera e filmit “Juliet, Naked”, shkruan KultPlus. 

Filmi do të shfaqet nga dita e enjte më 10 janar, në ora 20:00 dhe 22:00, duke vazhduar çdo ditë në të njëjtat terminë.

Annie (Rose Byrne) është e mbërthyer në një marrëdhënie afatgjatë me Duncan (Chris O’dowd) – një tifoz i ngulët i rokerit të panjohur Tucker Crowe (Ethan Hawke). Kur demoja akustike e hitit të Tucker thyen rekordin 25 vjet më parë, lirimi i tij çon në një takim që ndryshon jetën e vetë rokerit. Bazuar në romanin e Nick Hornby, “Juliet, Naked” është një tregim komik për shanset e dyta të jetës.

Në kinemanë ABC do të shfaqet edhe filmi për fëmijë “Ralph breaks the internet” 3D, në ora 16:00 ndërsa gjatë vikendit në ora 14:00 dhe 16:00. 

Gjashtë vjet pas ngjarjeve të “Wreck-it Ralph”, Ralph dhe Vanellope, tani miq, zbulojnë një wi-fi router në arkadat e tyre, duke i çuar në një aventurë të re. Djaloshi i keq i video lojërave Ralph dhe shoqja e tij e keqe Vanellope Von Schweetz duhet të rrezikojnë të gjitha duke udhëtuar në World Wide Web në kërkim të një pjesë zëvendësuese për të shpëtuar videon e Wanellope, “Sugar Rush”.

Po ashtu do të jetë edhe filmi “Bumblebee”, në ora 18:00. Film ky aksion, aventurë dhe fantastiko-shkencor. 

Gjatë arratisjes në vitin 1987, Bumblebee gjen një strehë në një qytet të vogël të plazhit të Kalifornisë. Charlie (Hailee Steinfeld), në majën e kthesës së moshës 18 vjeçare, përpiqet për të gjetur vendin e saj në botë, zbulon Bumblebee, të dëmtuar dhe të thyer nga beteja. Kur Charlie e ringjall atë, ajo shpejt mëson se kjo nuk është një makinë e zakonshme, e verdhë./ KultPlus.com

Tubim Përkujtimor dhe shfaqje të dokumentarit, kushtuar koreografit shqiptar Agron Bajrami në Prishtinë

Nesër në ambientet e Kinemasë ABC në Prishtinë, mbahet Tubimin Përkujtimor për koreografin dhe drejtorin e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit SHOTA në Zvicër, Agron Bajramin, i cili u nda nga jeta me 12 mars 2018 në moshën 54 vjeçare.

Ai ishte edhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte piktor në teknikën pirografi dhe punoi si kameraman e montazhier në një televizion zviceran.

Në këtë Tubim Përkujtimor, do të përkujtohet puna, veprimtaria dhe kontributi i Agron Bajramit për kulturën shqiptare me Shkollën Shqipe të Vallëzimit SHOTA, të cilën ai e themeloi në vitin 1993.

Me këtë rast do të shfaqet edhe filmi dokumentar kushtuar Agron Bajramit me titull “Të mësohemi të ecim shqip” realizuar nga Llesh Nikolla.

Tubimi Përkujtimor mbahet më 23 mars në Kinemanë ABC-Prishtinë, duke filluar nga ora 13:00.

Tubimin Përkujtimor e organizon Shkolla Shqiptare e Vallëzimit «Shota» nga Zvicra në bashkëpunim me Shoqërinë Kulturo-Artistike «Bajram Curri» nga Prishtina./ KultPlus.com

Dy filma shqiptarë shfaqen sonte në Prishtinë

Sonte në kinemanë ABC, në Prishtinë, vijnë dy filma shqiptarë të cilët kanë korrur suksese nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

“Dita zë fill”, me regji të Gentian Kocit, është filmi i cili është propozim i Shqipërisë për Oscar. Ky film vjen sonte në kinemanë ABC, në Prishtinë, pra më 7 dhjetor e enjte me fillim nga ora 20:00.

“Dita zë fill”, tashmë është edhe film i çmimeve, pasi që, aktorja e këtij filmi Ornela Kapetani ka fituar çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit, sikurse që ky film ka fituar edhe çmimin ‘Golden Sun’, filmi më i mirë në Cinedays Fest of European Film. Ky film flet për një nënë e cila bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Në film luajnë: Ornela Kapetani: Suzana Prifti, Hermes Kasimati, Adele Gjoka…

Ndërsa menjëherë pas përfundimit të këtij filmi në kinemanë ABC, vjen filmi horror shqiptar “Bloodlands”. Ky film zë vend në terminin e orës 22:00 në kinemanë ABC, ndërsa shpalos historinë e një gruaje të thjeshtë e cila dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj.

Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Suela Bako, Ilire Vinca, Gëzim Rudi, Emiljano Palali, Alesia Xhemalaj, dhe ky film është prodhim australiano- shqiptarë./ KultPlus.com

Nesër nis Java e Filmit Izraelit në Prishtinë

Bashkësia Hebreje – Bet Israel Kosova në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit në Beograd, nesër më 16 nëntor hapin Javën e Filmit Izraelit në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Mysafir special në natën e hapjes do të jetë Alona Fisher Kamm, ambasadore e Izraelit në Beograd.

Hapja e Javës së Filmit Izraelit fillon me shfaqjen e filmit dokumentarë “Ben Gurion” nga regjisori Izraelit Yariv Mozer.

Java e Filmit Izraelit në Prishtinë nis nesër më 16 nëntor me fillim nga ora 19:00 në Kinemanë ABC ndërsa zgjat deri më 18 nëntor./ KultPlus.com

“Kësulat”, sjellë tregimin e realitetit të luftës në Kosovë nga një këndvështrim i baraspeshuar

Filmi “Kësulat” i cili vjen nën regjinë e Alan M. Trow është shfaqur sot premierë për herë të parë për mediat në ekranin e Kinemasë ABC. Para gazetarëve ky film shpalosi jetën e dy familjeve, shqiptare dhe asaj serbe, të cilat njihen prej kohësh dhe kanë fqinjësi të denjë, në një fshat Kosove, shkruan KultPlus.

Filmi nis me pamjet e tymit dhe flakës në shtëpitë e djegura gjatë pranverës së vitit 1999, duke treguar më pas jetesën e banorëve shqiptar dhe atyre serb , para afrimit të luftës me shpejtësi. Në fokus të filmit paraqitet fqinjësia e një mjekut të fshatit, (Albanit) i cili mjekon edhe babin e sëmurë të fqinjit të tij serb (Draganit). Mirëpo ky raport i kushton atij me kërcënime të vazhdueshme, duke u trajtuar si tradhtar nga bashkëfshatarët, e veçmas nga Besniku, një anëtar aspirues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Filmin pason me ngjarjet pas pushtimit të menjëhershëm nga ushtria serbe, ku i gjithë fshati hidhet në panik dhe eksod masiv, ndërsa në mesin e tyre edhe Dr. Albani, i cili në anën tjetër përballet me rezistencën e babit të tij (Tefikut) për të qëndruar në shtëpinë e tij, për të cilën thotë se kishte dhënë besën që nuk do ta braktis. Derisa fshati zbrazet, Tefiku dhe fqinji i tij serb dëshmojnë fqinjësinë e tyre duke ndihmuar njëri-tjetrin në momente të vështira, madje pas vdekjes së babit të fqinjit serb (Draganit), të dy e varrosin atë në dy rite të ndryshme fetare.

Për të sjellë të plotësuar ngjarjen e luftës, veçantia e këtij filmi vjen përmes gërshetimit të rrëfimeve reale brenda skenave të filmit edhe përjetimet e këtyre personazheve: Brahim Asllani dhe Rifat Ali Bilalli, nga zona e Drenicës dhe Nazim Shahin Veseli dhe Ujup Maliqi nga Zona e Podujevës. Ky gërshetim sipas skenaristit të filmit, Jim Tihofsit vjen për t’i ofruar shikuesit më afër realitetit dhe për t’i vendosur të gjitha tregimet brenda kontekstit të filmit.

Blerim Kaçiu në një konferencë për media të mbajtur sot pas shfaqjes së filmi, ku të pranishmit kishin mundësi të flasin më shumë rreth filmit, ai thotë se pika më e fortë e filmit është se sjellë baraspeshimin e të dy anëve.

“Veçantia e filmit është që nuk anon nga asnjëra anë, duke e lënë shikuesin të vendos se në cilën anë po shkon, filmi nuk e ka për qëllim orientimin nga njëra anë apo tjetra. Filmi e ka qëllimin vetëm tregimin e realitetit të luftës në Kosovë nga një këndvështrim më i baraspeshuar” , ka thënë Kaciu.

Në rolet kryesore në këtë film janë: Selman Jusufi, Bislim Muqaj, May-Linda Kosumovic, Ismail Kasumi, Fatime Sefaj, Jimi Tihofsi, Meli Qena, Labinot Lajçi, Furtuna Aliu, Avni Abazi, Besfort Daka dhe Nuhi Matoshi.

Ismail Kasumi i cili në këtë film është paraqitur në rolin kryesor të mësuesit serb (Draganit) tregon për vështirësitë sa i përket përdorimit të gjuhës serbe.

“Unë e kam pasur më të lehtë për shkak se jam nga Maqedonia , mirëpo gjuha maqedonase ka shumë dallime me aksentin dhe gjuhen serbe, mirëpo fatmirësisht me ndihmën e disa kolegëve dhe disa shokëve dhe shoqeve serbe , të cilët më kanë ndihmuar në aspektin e realizimit të gjuhës dhe ndihmën e producentit Blerim Kaçiut e cili e flet mirë gjuhën serbe besoj që jam kam dalë mjaft mirë”, ka treguar Kasumi.

Duke filluar nga sonte, filmi do të shfaqet për një javë rresht në repertorin e rregullt të Kinemasë ABC, çdo ditë në ora 20:00.

Distribuimi i këtij filmi është bërë në Kosovë dhe ky film do të shfaqet edhe në disa qytete të tjera të Kosovës, nga e hëna në Prizren ndërsa me datë 24 tetor në Mitrovicë. Premiera në Angli vjen me datën 4 nëntor. / KultPlus.com

‘Fundi i heshtjes’, shfaqet dokumentari në 20 vjetorin e protestave studentore

Sot bëhen 20 vjet nga mbajtja e protestave studentore që u organizuan nga Unioni i Pavarur i Studentëve i Universitetit të Prishtinës (UPSUP).

Kjo demonstratë që nisi në si lëvizje studentore llogaritet edhe si një ndër ngjarjet më të mëdha të historisë më të re të Kosovës.
Pas 1 tetorit protestat studentore morën përmasa gjithë popullore. Në Kosovë ndryshoi gjithçka. Politika paqësore pasive u zëvendësua me rezistencë aktive e më pas u shndërrua edhe në luftë të armatosur.

Për këtë ngjarje që sivjet mbushë 20 vjet produksioni “Anna” ka realizuar një dokumentar me titull “Fundi i heshtjes”.

Aty flasin protagonistët kryesorë të ngjarjes, organizatorët, mbështetësit e saj. Flasin edhe ata që e kundërshtuan organizimin e kësaj proteste. Në këtë dokumentar 50 minutash flasin edhe ata që rrezikuan jetën për të qenë pjesë e këtij organizimi.

Dokumentari që mban autorësinë e gazetarit Arsim Lani, shpalosë për herë të parë prapaskenat e kësaj ngjarje, sfidat, rreziqet por edhe këmbënguljen.
Kjo ngjarje nuk nis dhe përfundon vetëm me protestat e 1 Tetorit. Ato ishin pikënisje e zhvillimeve tjera që do ndodhin në Kosovë e që do kulmonin me lirinë e Kosovës.

Gjithçka që nga ideja për organizimin e protestës, mbajtjen e saj, protestat e mëvonshme, fillimi i luftës dhe deri të Liria e Kosovës janë të përmbledhura në dokumentarin “Fundi i heshtjes” që shfaqet në Kinema ABC në Prishtinë në orën 20:00 dhe transmetohet drejtpërdrejtë në RTK1./ KultPlus.com