‘Nëpër gjemba drejt yjeve‘, koncert për Shyqri Nimanin

Të enjten më 9 dhjetor, në Kino Armata do të mbahet koncerti ‘Nëpër gjemba drejt yjeve’ për nder të Shyqri Nimanit, shkruan KultPlus.

Kantautori Shyqri Nimani gjatë karrierës së tij muzikore, të viteve ’60, ’70 dhe të viteve ’80, ka realizuar rreth 100 këngë në Radio Televizionin e Prishtinës, si dhe ka botuar 3 albume (me Jazz orkestrën e Radio Televizionit të Beogradit, prodhim i PGP dhe Radio Televizionit të Zagrebit). Këngët Adriatiku, Ilirjana dhe Adriana kane arritur në top listat muzikore të Jugosllavisë së asaj periudhe.

Ky koncert do të mbahet me rastin e 80 vjetorit të artistit multidisiplinar, ku disa nga muzikantët më të dashur të skenës shqiptare, siç janë: Inva Mula, Vesa Luma, Edona Reshitaj, Mariza Ikonomi, Dren Abazi, Genc Salihu, Shpat Deda, Art Lokaj, Alban Nimani, Armend Xhaferi dhe Agron Peni, do t’i interpretojnë këngët e Nimanit.

Koncerti përkrahet nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, KTV dhe Kino ARMATA./KultPlus.com

Premiera e jashtëzakonshme e dokumentarit “Më shëro” të Danijela Štajnfeld, hap ‘Mirëdita, dobar dan!’

Era Berisha

Edicionin e tij të 8-të, festivali “Mirëdita, dobar dan!”, e nisi të enjten mbrëma me premierën e dokumentarit të Danijela Štajnfeld, të titulluar “Më shëro” (Zaceli me), me ç’rast një audiencë e tërë pati rastin të shoh, të dëgjoj e të ndjejë thellë brenda tyre, historitë e dhimbshme e tejet personale të disa personave që kanë përjetuar dhunën seksuale e së bashku me të edhe të gjitha emocionet që të përndjekin pas atij çasti, shkruan KultPlus.

Përgjatë dy orëve, objekti i Kino Armatës mblodhi rreth vetes dashamirë të panumërt të artit dhe kulturës serbe, duke u shndërruar kështu në një fole ku përveç krijimtarisë muzikore e filmike, nuk kishte vend për asgjë tjetër.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, para publikut kosovar solli një atmosferë krejtësisht ndryshe nga e zakonshmja. Ishin meloditë e muzikës serbe ato që po shoqëronin të pranishmit para hapjes zyrtare të festivalit, e nën tingujt diversiv nisi edhe performanca e Drag Queens, Loakiin dhe Sunnoka, të cilët në lëshimin e parë të muzikës së përgatitur, e kapluan jo vetëm skenën ku po performonin por edhe sytë e zemrat e të gjithë atyre që brohoritnin në çdo sekondë. Kurse, DJ Jovijah ishte ai që solli ritmin e i cili njëkohësisht shijonte shfaqjen e cila po krijohej para tij.

Pas këtij interpretimi të veçantë i cili padyshim që zgjoi shpirtrat në publik, hapjen e festivalit e nisi Kushtrim Koliqi, nga organizata jo-qeveritare ‘Integra’.

“Është hera e parë që po organizojmë festivalin në Prishtinë në formatin klasik të tij. Përveç vështirësive të zakonshme, tashmë festivali po organizohet në rrethana të jashtëzakonshme, me pandeminë covid-19 në njërën anë dhe me një ambient politik e toksik në anën tjetër. Festivali është një nga iniciativat e pakta bashkëpunuese mes dy shoqërive, të Kosovës dhe të Serbisë, që i ka qëndruar kohës dhe çdo vit po vazhdon të ofrojë mundësi për njohje e bashkëpunim mes dy shoqërive nëpërmjet prezantimit të formave kulturore dhe artistike”, thotë Koliqi.

Sipas tij, edicioni i tetë i festivalit ka për qëllim të promovojë skenën kulturore dhe artistike të Serbisë në Prishtinë, përmes aktivitete të ndryshme artistike dhe debateve që do të organizohen në ditët në vazhdim.

“Si çdo vit, festivali vazhdon të promovojë vlerat e përbashkëta, përkundër diskursit nacionalist, paragjykues e ndonjëherë negativ që vazhdon të mbizotërojë në dy vendet. Ajo se çka është e rëndësishme për festivalin tonë është ti ofroj qytetarëve të dy vendeve, është mundësia që ata të shohin një realitet ndryshe ku e kaluara kujtohet e kuptohet drejtë. Si çdo vit, edhe këtë herë nuk mund të mos e përmend frymëzimin e këtij festivali, pra aktori i njohur shqiptar Bekim Fehmiun, i cili ka qenë i njohur si aktor në Beograd, në ish-Jugosllavi dhe në botë dhe i cili paraqet simbolin e unitetit dhe skizmës, si dhe mundësinë e ndërlidhjes së dy hapësirave kulturore në një tërësi unike”, përfundon Koliqi.

Ndërsa, Ivan Duriq nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriu, theksoi se është pikërisht ky festival, hapësira ku shqiptarët dhe serbët mund të zgjidhin problemet mes vete, por jo në mënyrën se si e bëjnë politikanët.

“Ne nuk ëndërrojmë që do të vijë një e ardhme, në momentin ku shqiptarët dhe serbët do të pajtohen për të gjitha, mirëpo ëndërrojmë për një moment kur shqiptarët dhe serbët do të mund të komunikonin me njëri tjetrin dhe do të gjenin një zgjidhje. Por, jo të bisedojmë sikur po bisedojnë sot Vuçiqi me Kurtin duke e nënçmuar njëri tjetrin apo ngjashëm, por që të bisedojmë vërtetë e të gjinden rrugë të përbashkëta dhe zgjidhje të përbashkëta”, thotë Duriq.

Sipas tij, qëllimi i tyre është që të luftojnë për paqe dhe të çrrënjosin nacionalizmin i cili na ndan neve dhe kjo duhet të bëhet këtu menjëherë.

Radha që dokumentari “Më shëro”, të shfaqet tashmë kishte ardhur e së bashku me të pasoi edhe heshtja absolute për të parë e dëgjuar rrëfimet e ndryshme të personave që kanë përjetuar dhunën seksuale dhe ndikimin që lë, qoftë ajo fizike apo mentale.

Filmi dokumentar “Më shëro” nga Danijela Stajnfeld, fokusin e vë mbi mbijetesën e personave të dhunës seksuale po aq sa edhe tek autorët e sulmeve seksuale. E gjitha kjo nis nga rrugëtimi i gjithsecilit person për të provuar e shfaqur përjetimin tronditës të tyre qoftë edhe tek një familjar. Por sikur mos të kishin mjaftuar pasojat e rënduara mbi viktimat, disa familjar e edhe persona të afërt me ata persona, manipulojnë me ndodhinë e tyre, duke paragjykuar kështu secilin person që ka përjetuar dhunën seksuale e njëkohësisht duke shtyrë që ata persona të mbyllen në vetvete.

Lufta për tejkalim dhe mbijetesë, është një luftë kjo e cila dëshmon se dhuna seksuale ndodh ndaj çdo kujt pavarësisht moshës, gjinisë, profesionit apo pozitës që ka.

Ndërsa, vetë regjisorja e këtij dokumentari Danijela Štajnfeld, dikur si një aktore e re ishte viktimë e sot një e mbijetuar e dhunës seksuale. “Më shëro”, është dhe mbetet një çlirim shpirtëror, nëpërmjet së cilës ajo vrapon pas mundësisë së shërimit, si një forcë që nëse kapet, nuk do të mund të ketë mundësi të thyhet më.

“Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014, këtë edicion ka prezantuar skenën kulturore e shoqërore të Serbisë në Prishtinë. Këtë edicion janë qytetarët e Kosovës ata që do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Serbisë përmes një sërë prodhimesh artistike; filma, koncert, ekspozitë promovime të librave, etj. Një pjesë e programit si çdo herë do t’i kushtohet diskutimeve dhe debateve që trajtojnë tema të rëndësishme për shoqëritë e të dy vendeve.

Gjatë ditëve të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, audiencës së Prishtinës do t’i prezantohen artistë dhe krijues që përfaqësojnë skenën kulturore dhe shoqërore moderne të Serbisë.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra, Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com

Sot nis edicioni i tetë i “Mirëdita, dobar dan!”

Edicioni i tetë i “Mirëdita, dobar dan!” hapet sot në ora 18:30 në Kino Armata në Prishtinës, me shfaqjen e filmit dokumentar, “Hold me right” (Më shëro) të Danijela Stajnfeld.

Gjatë tri ditëve sa do të zgjasë ky festival, në kryeqytetin kosovar do të prezantohen artistë dhe krijues që përfaqësojnë skenën kulturore dhe shoqërore moderne të Serbisë.

Programi i “Mirëdita, dobar dan!” për këtë vit, sipas organizatorëve mbyllet me 16 tetor 2021, me filmin “Ngarkesa” të Ognjen Glavoniç.

“Mirëdita, dobar dan!” si qëllim të vetin ka shkëmbimet kulturore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Që nga 2014 në kuadër të këtij festivali në Beograd është prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës, ndërsa këtë edicion, “Mirëdita, dobar dan!” prezanton  skenën kulturore e shoqërore të Serbisë në Prishtinë.

“Qëllimi kryesor i programit “Mirëdita, dobar dan!” është krijimi i lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, media, shoqëri civile, nëpërmjet prezantimeve kritike dhe dialogut mbi çështjet bashkëkohore me të cilat ballafaqohet rajoni dhe promovimin e kulturës si një mënyrë bashkëpunimi dhe mësimi për njëri-tjetrin”, thuhet në njoftimin e “Integra”-s, organizatoret e “Mirëdita, dobar dan!”.

Programi “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga “Integra”, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe “Rockefeller Brothers Fund”. / KultPlus.com

Kino Rinia, Rilindja dhe Hotel Grand dikur objekte shënjuese të identitetit kulturor, tani fati i tyre i papërcaktuar

Era Berisha

Trashëgimia kulturore, historia e qytetit dhe aspekti arkitektonik mbi objektet e vjetra janë këto aspekte që u diskutuan në bisedën “Off the record: Objekte në harresë” në Kino Armata nga panelistët si: Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit Valon Tolaj dhe sociologia Linda Gusia, të cilët folën rreth kontributit dhe vlerat e objekteve që janë lënë të braktisura, të degraduara e të pashfrytëzuara si: Kino Rinia, Hotel Grand dhe Rilindja, që dikur ishin rol kyç në krijimin e ndjesisë së përkatësisë e që sot fati i tyre mbetet në duar të proceseve të ndryshme, fundi i së cilave nuk dihet, shkruan KultPlus.

Nën moderimin e kryeredaktores së K2.O, Besa Luci, e cila fillimisht foli rreth synimit që përmes artit dhe hulumtimeve kulturore të mobilizohen forcat në komunitet për shpëtimin e hapësirave të objekteve publike ku një numër i madh i tyre janë të braktisura apo të harruara dhe që njëkohësisht këto përpjekje të bashkohen në mënyrë që të inkurajohet angazhimi publik rreth qytetit e në veçanti rreth ndërtesave e objekteve që kanë potencial të vihen në shërbim të komunitetit e shpesh herë janë të rrezikuara apo i nënshtrohen procesit të privatizimit, nisi diskutimi rreth këtyre objekteve, deklaratave e premtimeve nga Qeveria për të transformuar procesin e privatizimit dhe vështirësive që ky proces sjell.

Është bërë e ditur se njëra ndër premtimet e Qeverisë ka qenë shuarja e Agjensionit Kosovar të Privatizimit ‘AKP’ dhe transformimit të procesit në përgjithësi ku në fakt një hap i tillë është ndërmarrë rishtazi me anë të shkarkimit të bordit të AKP-së dhe menaxhimi direkt i ndërmarrjeve shoqërore dhe pasurive të aseteve të tyre do të transferohen në fondin sovran që pritet të krijohet.

Duke pasur parasysh që 20 vitet e fundit është shpërfillur çështja se si ndërmarrjet e ndryshme shoqërore përveç funksionit apo potencialit ekonomik, shumica kanë edhe rol e funksion kulturor, ku me anë të tyre këto objekte u konsideruan edhe shënjues të identitetit të vendit tonë, kaluarës, kujtesës kolektive dhe të ardhmes tonë.

“E para është Rilindja, ku është cilësuar si mbretëreshë e ndërmarrjeve shoqërore dikur e kjo për shkak të rëndësisë që e ka pasur si forcë e dijës në gjuhën shqipe por edhe për kontributin që e ka vënë në luftën kundër analfabetizmit, përhapjen e pasurisë kulturore dhe lehtësimin e qasjes ndaj edukimit”, thotë Luci.

Sipas saj, Kino Rinia që dikur ishte kinemaja më e rëndësishme në qytet dhe që është cilësuar si interneti i gjeneratës së vitit 1970 për shkak të rëndësisë së saj që e shpërfaqte përmes filmave. Ndërsa, si objekt të tretë Luci përmendi Grand Hotelin, që është cilësuar si një objekt që mund ta përballojë çfarëdo tërmeti por që sot po i shkundet mbijetesa për shkak të privatizimit.

Qëllimi i bisedës së mbrëmshme ka marrë për bazë edhe mundësitë e humbura gjatë procesit të privatizimit dhe rëndësinë e mbrojtjes dhe kultivimit të kujtesës kolektive duke ruajtur funksionin kulturor të objekteve dhe ndërmarrjeve shoqërore në vrazhdën e premtimeve të transformimeve për procesin në përgjithësi. Andaj, rreth rëndësisë së ruajtjes të këtyre ndërtesave dhe rolit që ato kanë pasur dikur, pikërisht nga perspektiva e saj, ka folur sociologia Linda Gusia.

“Pikërisht fakti që jemi në Kino Armata, një hapësirë që është shpëtuar nga shkatërrimi, harresa e privatizimi duke u shndërruar në një hapësirë kulturore, tregon se si këto hapësira të përbashkëta janë qenësore për ndërtimin e shoqërisë tonë. Andaj, të gjitha organizatat e rezistencës janë një shpresë për shpëtimin e asaj se çfarë na ka mbetur”, thotë Gusia.

Ndërsa, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli rreth themelimit të fondit sovran dhe shpëtimin e hapësirave që kanë domethënie dhe potencial kulturor.

“Kërkesa ime për të gjithë që janë në angazhim është që së bashku të ndërtojmë një ‘case’ për ti bindur të tjerët në institucione që këto hapësira, disa prej të cilave do të trashëgohen nga AKP-ja në modelin e ri të organizimit, ia vlen për ti shndërruar në hapësira të shfrytëzuara nga komunitetet e ndryshme kulturore e të tjera”, thotë Çeku.

Sipas tij, ndonjëherë duhet të reduktohet vetëm qëndrueshmëria financiare sepse sektorët e tjerë mund të jenë konkurrentë në raport me pjesën kulturore por kjo duhet të vijë nga komuniteti në mënyrë që kultura të mos jetë barrë e buxhetit por të vijë në formën e industrisë dhe ekonomisë kulturore.

Po ashtu, drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj foli rreth ndjeshmërisë në lidhje me historinë dhe mënyrën se si janë trajtuar ndërmarrjet e ndryshme shoqërore, varësisht nga funksioni i tyre.

“Problemet janë të shumta por unë besoj që duhet të sqarojmë se objekti i Rilindjes dhe Kino Rinia nuk janë privatizuar. Kurse, Hoteli Grand si pasojë e dështimeve të ndryshme, fatkeqësisht është privatizuar sepse natyra e saj do të kishte një përfundim të njëjtë ku funksioni do të mbetej ajo e hotelit pa e ndërruar destinacionin dhe dizajni duhet të ishte në koordinim të plotë me Komunën”, thotë Tolaj.

Kjo bisedë ka ardhur në kuadër të serisë së bisedave “Off the record” që fondacioni Shtatëmbëdhjetë e ka filluar vitin e kaluar brenda projektit ‘Metamorphosis’. Po ashtu, ky aktivitet është organizuar me rastin e publikimit të artikullit multimedial ‘Fantazmat e privatizimit’ nga K2.0 brenda projektit “Citizens Engage”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar në bashkëpunim me Institutin GAP. / KultPlus.com

Blerta Basholli, ligjëruese në ‘Neo School’ të Kino ‘Armata’

Regjisorja Blerta Basholli do të ligjëroj në Neo_School, shkollën joformale për prodhimin e filmave të shkurtë dokumentarë të organizuar nga Kino ‘ARMATA’ mes 31 maj – 4 korrik 2021, mbi përvojën e saj në industrinë filmike, sidomos suksesin e jashtëzakonshëm me filmin e saj të fundit “Zgjoi”, përcjell KultPlus.

Blerta Basholli është skenariste/regjisore me stil unik dhe realistik vizuel. Rrëfimet e saj prekin çështjet sociale dhe gjinore të shtetit ku ka lindur dhe është rritur, Kosovës e përtej.

Në vitin 2008 ajo ka fituar Deans Fellowship në programin pasdiplomik të filmit në Tisch School of the Arts – NYU. Blerta ka jetuar në New York për katër vite, ku pati mundësi të punojë në disa projekte studentore të filmit.

Filmi i saj i shkurtë “Lena & Me”; i shfaqur dhe shpërblyer në: First Run Film Festival 2011; Dokufest 2011; Skena Up 2011; Tirana International FF 2011; Pogradec Food and Film Festival 2011; 9/11 Film Festival 2012 – Shpërblimi për Aktoren më të Mirë.

Filmi i shkurtë “Gjakova 726”, 2008, mori pjesë në Rotterdam Film Festival 2009 në programin e filmave të shkurtë, Busho Film Festival 2009 – garën zyrtare, Doku Fest 2009 – garën zyrtare 2009, Toffifest 2009 – garën zyrtare, Filmmor Women’s Film Festival 2009 – garën zyrtare.

Filmi dokumentar “Mirror, mirror…”, 2006, është përzgjedhur zyrtarisht nga Sarajevo Film Festival 2006, New York International Independent Film and Video Festival 2016, Tirana International Film Festival 2006; Balkan Black Box Film Festival 2006, Berlin.

Në vitin 2011, ajo u kthye në vendlindjen e saj, Prishtinë, Kosovë, ku shkroi dhe ishte regjisore e shumë filmave të shkurtë dhe të gjatë.

Në vitin 2020, ajo përfundoi filmin e saj të parë të luajtur “ZGJOI”, të cilin e shkroi dhe e bëri regjinë sipas tregimit të vërtet. Zgjoi u shfaqë në Sundance Film Festival 2021 si pjesë e World Cinema Dramatic Competition dhe bëri historinë duke fituar tri shpërblime, Shpërblimin e Madh të Jurisë, Regjinë më të Mirë dhe Shpërblimin e Audiencës. Ky është filmi i parë në Sundance që fitoi të tri shpërblimet në këtë garë.

Neo_School Info: fb.com/1502507309877883/posts/3737138646414727

Neo_School përkrahet nga Agjencioni Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Dita e Fëmijëve sjell premierën e 4 filmave në Kino Armata

Premiera e katër filmave të metrazhit të shkurtër do të shfaqet me rastin e Ditës së Fëmijëve, me ç’rast do të trajtohet tema rreth ngacmimeve dhe konflikteve brenda institucioneve edukativo-arsimore në Kosovë, shkruan KultPlus.

Filmat si: ‘Ciklik’ nën regjinë Doki Qerimi me skenar të Pashtrik Brahaj dhe Florent Kurtalani, ‘Zyra nr.2’ nën regjinë e Elhami Gjeli me skenar të Brikena Sopi, ‘WC’ nën regjinë e Loreta Berbatovci me skenar nga Pashtrik Brahaj, ‘Pasqyrë’ nën regjinë e Ermal Duli me skenar të Brikena Sopi, nesër do të shfaqen në Kino Armata duke filluar nga 20:00.

Në ekipën artistike përfshihen: Anisa Ismaili, Arben Bajgora, Avdullah Gjikokaj, Besart Zeneli, Eli Gashi, Lirie Bytyqi, Vesa Potera, Yzeir Meha, Sindi Sadrija, Shkëlqesa Salihu, Gëzim Hasani, Agron Demolli dhe Dijart Dyla, Olti Kaçiu, Art Berisha, Ervin Aliu, Donat Kaçiu, Ledri Kaçiu, Lendita Humolli, Rrezona Hajvazi, Donarta Uka, Erzë Uka, Adelina Makolli, Edona Osmani, Shkëlqim Hyseni, Amir Qamili, Ermir Qamili dhe Enes Duli.

Kjo ngjrarje organizohet me mbështetjen e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe në koordinim me aktivitetet e Komunës së Prishtinës dedikuar Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve. / KultPlus.com

Filmi ‘Afër’ me premierë në Kino Armata më 29 mars

Do të prezantohet filmi ‘Afër’, i xhiruar në kuadër të edicionit të 15-të të festivalit DAM, më 29 mars në Kino Armata, shkruan KultPlus.

Shfaqja e filmit do të bëhet me fillim në ora 19:00.

Filmi ‘Afër’ me regjisor Leart Rama do të dokumentojë performancat e Agona Shportës dhe Visar Kuçit para një dëgjuesi, në Kino Lumbardhi. Në mes të një boshllëku rrethues, meloditë rrjedhin nëpër peizazh në dy qytete, duke u përpjekur të shfaqin një fragment të ndërhyrjes në frymën e këtij momenti.

Për shkak të masave parandaluese të Covid-19, numri i pjesëmarrësve është i kufizuar por pas shfaqjes se filmit, të interesuarit mund të jenë pjesë e bashkëbisedimit me protagonistët, regjisorin dhe producentët./ KultPlus.com

Prishtina Brass hap Javën e Frankofonisë, solli ngrohtësinë e munguar të pranverës në Kino Armata

Me koncertin e Prishtina Brass të mbajtur sot në Kino Armata, u shënua fillimi i Javës së Frankofonisë në Kosovë e cila prezantoi edicionin e 24-të të programit të tyre që në thelb shfaq kulturën franceze me të gjitha degët e saj diversive, shkruan KultPlus.

Prishtina Brass filloi koncertin e hapjes së Frankofonisë, pikërisht nën tingujt e himnit shtetëror. Të pranishmit edhe pse qëndruan në të ftohtë shijuan melodinë e përzemërt të përcjellë me heshtje. Me vazhdimin e interpretimit të instrumentistëve të mahnitshëm dhe pas secilës këngë ishte publiku ai që me entuziazmin e vet e bëri edhe më të ngrohtë koncertin e mbajtur nën tezgën e jashtme të objektit Kino Armata. Për shkak të pandemisë COVID-19, pjesëmarrësit ishin të limituar por megjithatë publiku i paktë i cili afroi pranë edhe fëmijët e vegjël, përcolli lumturinë e cila u shpalos edhe nën duartrokitjet e tyre nga duart e akullta ku edhe më pas atmosfera u gjallërua edhe më shumë.

Ndonëse data 21 mars përkon me ditën e parë të stinës së Pranverës, ardhja e së cilës përcaktohet me ndjekjen e qendrës së Diellit sipas ekliptikës, dielli sot nuk ishte prezent për të shoqëruar tingujt e instrumenteve dhe interpretimit të orkestrës. Edhe pse në mot me borë, audienca nuk po humbiste ritmin e saj, teksa ata kërcenin e lëviznin herë pas herë, me qëllim të ngrohjes së trupit, pasi që tanimë zemrat dhe shpirti i tyre, ishin të mbushura plot me harmoninë e pasuar nga talenti i shfaqur para syve të tyre.

Kënga e fundit që u soll nën interpretimin e Prishtina Brass ishte ‘Kur pranvera ishte në Prishtinë’, për të sjellë sado pak melankolinë e pranverës, të shoqëruar me fluskat e borës që kishin zënë të bien.

Pas përfundimit të koncertit të Prishtina Brass, të pranishmit vazhduan të mbledheshin brenda objektit të Kino Armata, për të shijuar nga një kafe apo gotë verë. Ata më pas u shoqëruan nga shfaqja e filmit “Le chant du loup” nga Antonin Baudry. Kësaj rradhe filmi u transmetua në rehatinë dhe ngrohtësinë e domosdoshme në këtë mot të ftohtë./KultPlus.com

Hapësirat e braktisura në fokus të diskutimit në KinoArmata

Hapësirat publike të cilat janë të braktisura kanë një histori brenda tyre mirëpo, shpesh nuk mund ta kenë një të ardhme për shkak të neglizhencës kolektive. Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” do të trajtoj këtë perspektivë nën temën “Gjendja e hapësira të braktisura” në kuadër të serisë “Off the record” të premten në KinoArmata, shkruan KultPlus.

Ky takim publik do të jetë në kuadër të edicionit të tretë të projektit “Metamorphosis”, teksa publiku do të bashkohet më 23 tetor duke filluar nga ora 15:00 për të dëgjuar zëvendësministrin në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Engelbert Zefajn, drejtoren për Kulturë të Komunës së Prishtinës, Blerta Bashollin, drejtorin e organizatës CHwB Sali Shoshin dhe krijuesen e platformës digjitale për Rilindjen, Ervina Halili.

Rëndësia e ruajtjes së hapësirave të braktisura, hapat e duhura që duhet të ndërmerren për mbrojtjen dhe funksionalizimin e tyre, roli i institucioneve dhe shoqërisë në këtë drejtim do të trajtohen në diskutimin publik të organizuar nga Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”.

Ky aktivitet vjen pas intervenimit artistik “but first, check the water” që zuri vend me 30 shtator, të konceptuar nga artistja Nurhan Qehaj./KultPlus.com

Paraqitje e mrekullueshme e ‘Big Band Prishtina’ në mbyllje të ‘Prishtina Jazz Week”

Qendrim Badalli

Me nga një shishe verë apo ndonjë birrë në dorë, një numër i madh i adhuruesve të Jazz-it në Kosovë, po prisnin në hollin e Kino Armatës, për të hyrë në sallë e dëgjuar koncertin nga Big Band Prishtina, i cili do ta përfundonte edhe edicionin e sivjetëm të këtij festivali në vend, shkruan KultPlus.

Kur gjithçka ishte gati, në skenë po dilnin anëtarët e bendit të njohur kosovar të cilët për më shumë se një orë ofruan një koncert fantastik. Duartrokitjet nuk mungonin nga publiku që kishte stërmbushur hapësirën e Kino Armatës.

Më 2 mars filloi ky edicion me formacionin nga Hungaria, Nikoletta Szoke Quartet feat Kristof Bacso, me tre mars vazhdoi mbrëmja me formacionin nga Turqia, Elif Caglar Quartet, me 4 mars vazhdoi tutje me formacionin nga SHBA, Marcos Varela, me 5 mars po ashtu me një formacion tjetër nga ShBA me Broken Circles ft Joel Ross dhe krejt në fund me 6 mars me mbrëmjen e djeshme me Prishtina Big Band.

Në një artikull kushtuar ‘Prishtina Jazz Week’, gazetari i KultPlus-it, Bujar Meholli, tregon për natyrën e muzikës Jazz:

“Xhazi si zhanër muzikor, përpos që është instiktiv, ka lindur si një largim apo ikje nga realiteti. Pra, kur sheh disa muzikantë teksa performojnë xhaz, ata thjeshtë ikin nga racionalja dhe nisen drejt spontanitetit , drejt shpërfaqjes së shpirtit të lirë, pa shpjegime, përmes tingujve”.

Në një intervistë ekspluzive për KultPlus, pianisti i Big Band Prishtina, Ilir Bajri, shprehu përshtypjet e tij si dhe falënderimet për mbrëmjen e djeshme:

“Ky është koncerti jonë i dytë, jam kënaq pak ma shumë, më ka pëlqyer atmosfera. Jemi ndje më të sigurt edhe si grup edhe rasti ke më i mirë, pra e patëm mbylljen e festivalit. Më duhet ta përgëzoj edhe Nesim Maxhunin edhe Komunën për këtë organizim”.

Tutje Maxhuni tregoi edhe për rendësin që ka organizimi i ‘Prishtina Jazz Week’:

“Rëndësia më e madhe është që njerëz të vijnë dhe të ndihen mirë, me pasë një jetë pak më urbane, me pasë eksperienca të reja. Mendoj se kemi pasur një organizimi dhe realizim mjaft të mirë”.

Në një intervistë për KultPlus, njëri nga organizatorët e këtij festivali, Shpat Deda, ka folur për organizimin në të gjitha netët e kësaj jave:

“Unë për vete jam kënaq shumë edhe pse jemi lodh shumë. Kemi pasur vështirësitë tona si cdo organizim, por përfundimisht mendoj që kemi arrit me organnizu bashkë me Nesimin dhe Ardianin dicka të rrallë dhe fantastike për qytetin. Kemi pasur bende shumë shumë të mira prej krejt botës që na kanë inspiru edhe mu si muzikant më kanë inspiru shumë”.

Ai vlerësoi edhe mbrëmjen e djeshme, për të cilën tha që ‘e mbylli më së miri këtë edicion’:
“Sonte jam tepër tepër krenar që e përfunduam këtë edicion me Prishtina Big Band. Të gjitha ata që kanë qenë sonte këtu besoj që pajtohen me mu që ka qenë mënyra më e mirë se si të përfundohet ky edicion”.

Veçantia e çdo edicioni është rritja e interesimit nga ana e publikut:

“Secili edicion është i veçantë në vetvete por për çdo edicion që po e mbajmë po vërejmë interesim më të madh dhe gjithashtu me cdo mysafir që po na vie nga jashtë neve na rriten kontaktet”.

Edicioni i sivjetëm “Prishtina Big Band” ka filluar nga 2 marsi dhe ka përfunduar mbrëmë, ku të gjitha mbrëmjet janë mbajtur në Kino Armata. / KultPlus.com

Për shkaqe teknike, Kino ARMATA e mbyllur deri të hënën

Kino ARMATA ka njoftuar opinionin se për shkak të intervenimeve teknike që po bëjnë, kjo kinema do të jetë e mbyllur deri të hënën, shkruan KultPlus.com

Përndryshe, të hënën pritet të fillojë “Prishtina Jazz Week 2020”, një pjesë e aktiviteteve të së cilit do të zhvillohen pikërisht në Kino ARMATA.

“Për shkak të intervenimeve teknike, Kino ARMATA do të jetë e mbyllur deri të hënën (2 mars) kur fillon Prishtina Jazz Week 2020”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook. / KultPlus.com

Vigan Nimani prezantoi mbrëmë fotografitë ku luan rol vetëm momenti

Një prezantim ndryshe i fotografive u paraqit mbrëmë në ambientin e Kino Armatës, ku pas paraqitjes të të gjitha fotografive në ekran, fotografi Vigan Nimani  bashkë me regjisorin Ilir Hasanaj  të ulur në mes të skenës, përballë publikut, komentuan të gjitha fotografitë me rend duke krijuar kështu një dialog me atë se çfarë artisti kishte tentuar të shpalos para publikut e dashamirësve të artit, shkruan KultPlus.

Nimani duke qenë se ka kryer studimet në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës në pikturë, ai pas pikturës kishte filluar të merrej edhe me fotografinë, ku për publikun e pranishëm shpalosi më në detaje se si e kishte nisur këtë rrugëtim.

“Unë fotografinë e kam filluar si projekt gjatë vitit 2009 ku kam nisur të fotografoj ndërtesa. Në esencë nuk kam pasur tendencë ndaj fotografisë, por e kam përdorur vetëm si studim, dhe me kalimin e kohës filloi të më pëlqejë shumë dhe kështu nisa të fotografoj me shumë qejf”.

Në tërë prezantimin e fotografive ajo që mbizotëronte më shumë ishte estetika e objekteve që ishin protagoniste në ato fotografi. Objektet si fabrikat, shkollat e dhomat, në të cilat vërehej pothuajse një koncept i njëjtë. Personazhi nëse ishte në objekt ishte i vendosur gjithmonë në mes dhe kjo sipas Nimanit nuk kishte ndodhur me qëllim, por në shumë raste ishte rastësi.

“E kam pasur të qartë që nga fillimi se çfarë dua, por këto, do të thoja se nuk i planifikoj, këto ndryshe i quaj edhe aksidente të lumtura”, shtoi tutje ai

Ngjyrat që më së shumti ishin përdorur në shumicën e fotografive ishin e gjelbërta dhe e kuqja, por që nuk mungonte edhe koleksioni me ngjyrat bardhë e zi. I pyetur edhe nga Iliri se pse këto dy ngjyra dhe pse koleksioni me fotografi bardhë e zi, Nimani tregoi se që të dyja këto ngjyra i pëlqejnë dhe nuk mund t’i dallojë nga njëra tjetra.

Në shumë raste syri i Nimanit i trajnuar si në pikturë ashtu edhe në fotografi e kishte thyer perfeksionin e tij. Sipas tij fotografitë që ai i ka bërë janë shumë intuitive. Nuk kanë ndonjë rregull specifike, madje disa në prezantimin e tij duken edhe jo reale. Këtë ai e preferon shumë.

“Është pjesë shumë intiutive, unë vetëm nga një fotografi e bëj, nuk provoj më. Kam dëshirë kur në fotografi ndodhë diçka si montazh, që nuk duket reale por që është në të vërtetë fotografi. Kjo më pëlqen shumë, sepse është më ndryshe”, deklaroi Nimani.

Prezantimi shkoi me të qeshura dhe në komunikim me publikun pasiqë edhe ata u përfshinë në tërë këtë diskutim të fotografive.

Në shumë raste Nimani nuk kujtonte momentet që i kishte bërë këto fotografi në vite të ndryshme, por pikërisht kjo tregonte që arti i tij është i veçantë dhe kjo e bën atë edhe një artist më ndryshe, më origjinal, pasiqë në këto raste luan rol vetëm momenti.

Vigan Nimani ka studiuar pikturë në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës mes 2002 dhe 2006. Ai ka ekspozuar punët e tij në Kosovë, Shqipëri, Slloveni, Serbi dhe Holandë. Solo ekspozita e tij e fundit ishte “Properties of the Undeveloped“ në Galerinë Motrat të Prishtinës në vitin 2017.

Pos pikturës, si medium kryesor artistik, Nimani gjithashtu merret me fotografi dhe muzikë; ai është pjesë e bendit Tetris. Për momentin jeton dhe punon në Prishtinë. / KultPlus.com

Driant Zeneli prezantoi ekspozitën personale ‘’Përpjekje për me u çue’’ në Kino Armata

Qëndrim Morina

Galeria Kombëtare e Kosovës dhe Ambasada Italiane në ambientet e Kinemasë “Armata” prezantoi sonte ekspozitën individuale “N’përpjekje për me u çue”, të artistit Driant Zeneli, shkruan KultPlus.com

“N’përpjekje për me u çue” nga Zeneli është bashkë-kuruar nga Claudia Buizza, një kuratore e pavarur me qendër në Paris dhe Alicia Knock, një kuratore në qendrën Pompidou në Paris.

Përveç filmit, video-instalacioneve dhe përformancës, vepra e Driant Zenelit heton nocionet e përpjekjes, dështimit, ëndrrës dhe utopisë si elemente që krijojnë këndvështrime alternative.

Kjo ekspozitë funksionon nga tërheqja e thellë e Zenelit ndaj iluzionit: një ndjenjë magjie e trashëguar nga fëmijëria dhe parametri estetik, si dhe një mjet kritik për të përqafuar kompleksitetin e shpalosur nga mënyra se si takohen realiteti dhe trillimi.

Duke u nisur nga efekti ‘’tromple l’oeil’ që lidh Zenelin – prodhues filmash konceptual postkomunist- me babanë e tij – portretuesi komunist – por poashtu Shqipërinë dhe Kosovën, duke fluturuar dhe duke rënë, Zeneli punoi në çmontimin e efekteve të iluzionit për t’u angazhuar me boshkëllëkun lënë midis imagjinatës dhe reales.

Ky film është realizuar në bashkëpunim me fëmijë nga Bonevet, një organizatë jofitimprurëse nga Prishtina, aktivitetet e së cilës kryesisht merren me eksperimente teknologjike, elektronikë, robotikë, etj.

Zeneli, duke sfiduar poziocionin e artistit si të vetë-mbështetur, ai zbuloi se si bëhen mjetet e nevojshme për të sfiduar dhe ndryshuar perceptimet, kufijtë dhe dëshirat tona, në mënyrë që të vazhdojmë të prodhojmë histori të punuar me dorë dhe teknologji, të kaluara dhe tanishme.

Driart Zeneli, u shpreh shumë i kënaqur që ka arritur ta prezantojë para publikut kosovar dhe se ka qenë fat që ta bëjë një gjë të tillë.

“Nuk ka qenë aspak vështirë, sigurisht që ka pasur vështirësi, por jam shumë i kënaqur dhe me fat që kam mundur të prezantojë një projekt të tillë në Kosovë”, tha fillimisht ai.

Ai u gjithashtu tha që ndihmat e bashkëpunëtorëve kanë qenë thelbësore, pa të cilët nuk do të ishte ky që është.

 “Dua t’i falënderoj bashkëpunëtoret e mia Claudian dhe Alician, pa të cilat sigurisht që ky projekt nuk do të ishte kaq i plotë”, shtoi Zeneli.

Zeneli gjithashtu tha se ekspozita i ka ndihmuar të zbulojë dy ndërtesa të tjera: kampusin universitar të ndërtuar nga i njëjti arkitekt që ka ndërtuar bibliotekën dhe kishën ortodoske të ndërtuar nga serbët pranë Galerisë Kombëtare.

Bashkëkuratorja, Alicia Knock tha se kjo ‘retrospektivë’ e Zenelit është sa përrallore, po aq edhe poetike.

“Retrospektiva nga Driant Zeneli, na dërgon në një udhëtim sa përrallor, poetik, ashtu dhe politik dhe i cili na mëson nevojën paradokssale për të ndikuar në realitet përmes imagjinatë”, tha ajo.

Në fund Driant Zeneli falënderoi të gjithë pranishmit dhe premtoi projekte të tjera të ngjashme. /KultPlus.com

“Free Jazz Explosion”, festivali dyditor nis këtë të premte




“Free Jazz Explosion” është festival dyditor i cili feston energjinë e jazz muzikës të lëshuar prej kufizimeve të mainstream-it, përcjellë KultPlus.

Gjatë programit dyditor, mund të dëgjoni improvizuesin legjendar të free jazz Dror Feiler, free form duon Jooklo Duo, dhe muzikën improvizuese nga Brunberg.

Koncertet e artistëve ndërkombëtar do të përkrahen nga ligjëratat mbi historinë shoqërore të free jazz muzikës me Sezgin Boynik, Taneli Viitahuhta, dhe Dror Feiler, si dhe shfaqja e kult filmit mbi free jazz të Ron Mann “Imagine the Sound” (1981). Festivali do të nis më datë 29 nëntor dhe do të zgjasë deri më 30 nëntor.

PROGRAMI

E premte, 29 nëntor
19:00h
“Imagine the Sound” (1981), regj. Ron Mann
21:00h
Dror Feiler (SE)
Ligjëratë / Koncert
Agitatorum / The Brutal Sentimental Concept Nr. 13

E shtunë, 30 nëntor
19:00h
Prezentim / Sezgin Boynik (KS/FI), Taneli Viitahuhta (FI)
Libri “Free Jazz Communism” (Rab-Rab Press, 2019)
21:00h
Koncert / Brunberg (FI)
22:00h
Koncert / Jooklo Duo (IT)



Free Jazz Explosion 2019 përkrahet nga Komuna e Prishtinës, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe programi Culture for Change i financuar nga Bashkimi Evropian. / KultPlus.com



Sonte në Prishtinë vjen opera “Ana dhe Zefi”

Sonte në Prishtinë në Kino ARMATA duke filluar nga ora 20:00 do të mbahet opera “Ana dhe Zefi”, shkruan KultPlus.

Anne Frank vdiq në kampin e përqëndrimit Bergen-Belsen. Zef, një djalë shqiptar i ditëve tona, është viktimë e një hakmarrjeje. Ata takohen me njëri-tjetrin në parajsë ku zbulojnë se kanë shumë gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve kulturore. Anne është shkrimtare, Zefit i pëlqen të jetë aktor dhe të dy kanë probleme me prindërit e tyre. Ata i tregojnë njëritjetrit për jetën e tyre, gjë që i afron gjithnjë edhe më shumë.

Kjo është, me pak fjalë, historia e operas mbresëlënëse për të rinj “Anne & Zef”. Pjesa e Annës do të luhet nga sopranoja shqiptare Anjeza Marku (2002), ndërsa baritoni Patrik Vjollca (1997) do të jetë në rolin e Zefit. Muzika do të luhet nga orkestra e përbërë nga muzikantë shqiptarë nën drejtimin e Huba Hölloköi-t.

Libretisti Ad de Bont shkroi libretin për përshtatjen e veprës së tij të suksesshme Anne & Zef, e cila bazohet në ditarin e njohur me famë botërore të Anne Frankut. Muzika është krijuar nga Monique Krüs. Regjizorja e operas, Corina van Eijk bën të ditur: “Të dy fëmijët kanë jetuar të izoluar deri në vdekjen e tyre, megjithatë ata takohen me njëritjetrin në kontekstin e lirisë absolute; në jetën e përtejme. Me këtë opera, duam të tregojmë se shumë pak ka ndryshuar që nga koha e Anne Frankut. Njerëzit janë ende të izoluar në vende për të cilat nuk dinë asgjë. Këta njerëz nuk shfaqen në lajme, megjithatë, historitë e tyre dalin në pah pas shumë kohësh pasi ato kanë ndodhur. Falë Anne Frankut, ne tani dimë shumë më tepër për jetën e përditshme gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo nuk është një temë e thjeshtë, megjithatë, për shkak të muzikës prekëse, e cila është kompozuar posaçërisht për këta këngëtarë të rinj, opera premton të jetë një pjesë emocionuese dhe tepër prekëse.

Opera është e përshtatshme për të rritur dhe fëmijë nga mosha 12 vjeçare. Anne & Zef është autorizuar nga Orkestra Filarmonike Holandeze. Produksioni origjinal i orkestres në dirigjimin e Corina van Eijk, me skenografi dhe video te animuara nga Jolanda Lanslots dhe ndriçim nga Henk Post do të prezantohet me një përkthim të ri në gjuhën angleze nga Jonathan Levi në bashkëpunim me Opera Spanga, Syrin Blu, Ambasadat e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë dhe Prishtinë, të mbështetur nga Bavaria Holland, VidiSquare, Neelevat, Fiege transport, “Fondi për Performancën e Arteve të Hollandës” dhe Ambasada e Izraelit në Tiranë.

Anne Frank është në Parajsë. Aty shfaqet Zef Bunga që mendon se e njeh atë. Ata flasin për jetën dhe vdekjen e tyre dhe se çfarë bënin kur qëndronin të fshehur. Anne shkruante ditarin e saj dhe Zef vepronte. Anne e pyeti Zefin nëse ai dëshironte të bënte diçka për të dhe së shpejti ajo ra dakort me të; Zef luante rolin e babai e tij, dhe Anne rolin nënës se tij. Zef flet për Kanunin, gjakmarrjen dhe vëllain e tij, Anne i tregon për kohën e saj në kampin Westerbork dhe atë të përqëndrimit Auschwitz. Ata ankohen për prindërit e tyre dhe flasin për ëndrrat e tyre. Midis adoleshentëve krijohet një lidhje e veçantë.

Shfaqja do të luhet në gjuhën angleze. Para performancës bëhet një hyrje dhe në fund të saj publikut i jepet mundësia t’u bëjë pyetje krijuesve dhe interpretuesve./ KultPlus.com

“Hashima”, jazz kuarteti nga Beogradi performojnë në Kino Armata

Jazz kuarteti nga Beogradi ‘Hashima’ të cilët kombinojnë përvoja të ndryshme muzikore drejt aventurave të reja, stili i të cilave është vështirë i definueshëm, do të zbarkojnë për të performuar në Kino Armata në Prishtinë më datë 8 shtator duke filluar nga ora 21:00, shkruan KultPlus.

Gravitas (lat. Graviteti), në kontekst shkencor, është fenomeni natyror ku të gjitha gjërat me masë ose energji i afrohen njëra tjetrës; në shoqëri, kjo fjalë përshkruan dikë ose diçka që ka peshë dhe rëndësi. Gjatë Gravitas, Armata shndërrohet në qendër të toneve dhe harmonive, zhurma unifikohet dhe bëhet dimenzionale, duke krijuar platformë me rëndësi për dialog kulturor.

Muzikantët dhe zhanret që i inspirojnë “Hashima” përfshijnë Wayne Shorter, Vasilije Mokranjac, Igor Stravinsky, improv, rok dhe folklor. Poetika e tyre anon kah arthouse filmat dhe letërsia evropiane, me gërshetim sublim të thelbit të muzikës origjinale të Hashima, duke i dhënë karakter programor. Temat e komponimeve të Igor Mišković përfshijnë motive muzikore plotësisht të zhvilluara përmes aranzhimeve dhe improvizimit të lirë, pa kufizime në zhurmë ose miniatura lirike. Katër instrumente të ndryshme dhe senzibilitetet bashkohen në formë, të zhveshur prej karakteristikave tradicionale stilistike, përmbajtja e të cilave është e inspiruar nga ishulli i largët dhe i braktisur i Japonisë – Hashima.

The Haywain, albumi i dytë i Hashima, ka dalur në tetor 2017 dhe është masterizuar në studion franceze La Buissone nga Nicolas Baillard (i cili i masterizoi dhe incizoi më shumë se 30 ECM albume).

Koncerti përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)./KultPlus.com

Java në Kino ARMATA

Këtë javë në Kino ARMATA do të vijnë një seri filmash të regjisorit gjerman Walter Ruttmann, shkruan KultPlus.

Nga 27 gusht deri më 2 shtator, do të vijnë në Kino ARMATA filma si: Der Siger, Der Aufstieg, Berlin, Symphony of a Great City e të tjerë nga ky regjisor.

Po ashtu gjatë kësaj kohë do të shfaqen edhe filma të tjerë nga regjisorja Dziga Vertov. Më poshtë mund të shihni edhe listën e plotë të filmave si dhe orarin e shfaqjes së tyre./ KultPlus.com

Pas tri dekadave, Kino Armata ndezi ekranin dhe mbushi karriget

Alberina Haxhijaj

Ka shumë njerëz që kujtojnë filmat të tillë si filmat me Bruce Lee, Bud Spencer, Terence Hill dhe aktorë të tjerë të tillë, të cilët janë shfaqur në kinemanë e cila gjendet në Shtëpinë e Armatës, afër Hotel Grandit, në Prishtinë. Mirëpo kjo kinema e cila është mbyllur 30 vite më parë ka hapur përsëri dyert e saj për publikun, shkruan KultPlus.

E ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore, ndërtesa ku qëndron Kino Armata ishte caktua për Ushtrinë Popullore Jugosllave, e cila më vonë themeloi kinemanë brenda kompleksit dhe e hapi për publikun për shfaqje dhe ngjarje.

Mirëpo kinemaja u mbyll mes viteve 1988 dhe 1999 për shkak të situatës politike dhe sociale në vend, e cila u përkeqësua shpejt pas revokimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe veçanërisht kur filluan luftërat jugosllave të viteve 1990. E historia që e përcolli këtë kinema është mjaftë interesantë.

Ndërtesa ka të gdhendur në historinë e saj edhe historinë e Kosovës. Kështu vlen të theksohet se interieri brenda saj është i kohës së socializmit, ndërsa në anën tjetër karriget, të cilat janë vendosur pas luftës janë prej kohës së UNMIK-ut.

Për menaxhuesin e Kino ARMATA, Alush Gashi, ruajtje e këtyre elementeve ka një rëndësi të veçantë.

“Ruajtja e trashëgimisë çfarëdo që ka qenë mundëson që na të rikujtojmë ato që na kanë ndodhur përpara por edhe ruajtjen e memories kolektive të cilën e kemi pasur e që sipas meje na ka bërë kjo që jemi. Prandaj të gjithë ato që kemi kaluar është mirë që të ruhen, të studiohen dhe të diskutohet për to”, theksoi ai për KultPlus, duke treguar se gjendja e kinemasë tani është në rregull mirëpo janë edhe disa aspekte teknike të cilat duhet të realizohen duke përfshirë edhe blerjen e një projektori të ri.

“Ajo që po mundohemi të bëjmë është tërheqja e publikut pasi që pas 30-të viteve kjo kinema po hapet përsëri. Kemi si synim që të sjellim program artistik sa më kualitativ, filmik, muzikorë por është edhe një skenë në kinema e cila mund të shfrytëzohet edhe për teatër dhe balet. Jemi duke e krijuar një këshill iniciues me njerëz të profesioneve të ndryshme në mënyrë që të sjellim ide dhe mundësi të ndryshme për shfrytëzimin e kësaj hapësire”, tha ai duke shtuar se në kuadër të kësaj kinemaje do të punohet shumë edhe me fëmijë.

Pas luftës në Kosovë në vitin 1999, kjo ndërtesë u mor nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, deri në shpalljen e pavarësisë së vendit në vitin 2008, kur u bë selia e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.

Në momenti që EULEX ua dorëzoi këtë ndërtesë institucioneve të Kosovës kjo kinema është liruar që të shfrytëzohet. Mirëpo për shkak se dorëzimi i është bërë ministrisë së Administratës Publike e cila nuk ka pasur institucione kulturore, komuna ka shpreh interesimin për rifunksionalizimin e saj. Drejtori i Kulturës në Prishtinë, Yll Rugova tha për KultPlus se tashmë kinemaja ju është rikthyer qytetarëve.

“Ideja është që ta ruajmë historinë, por edhe ndërtesën ta ndryshojmë sa më pak. Të njëjtën gjë e kemi bërë edhe më emrin. Për shkak se armata është e Jugosllavisë dhe kjo armatë nuk ngjallë kujtime të mira, ne kemi menduar që ta ruajmë emrin mirëpo të tregojmë që tani nuk po flasim për një armatë ushtarake por për një armatë kulturore”, tregoi ai duke theksuar se komuna e Prishtinës është duke shikuar edhe projekte të tjera për rifunksionalizim edhe të disa ndërtesave të tjera brenda Prishtinës të cilat do të shërbejnë në fushën e kulturës.

Hapja e kinemasë është shënuar me shfaqjen e filmit Kabineti i Dr. Caligari (gjermanisht: DasCabinetdes Dr. Caligari) nga regjisori Robert Wiene, dhe me performancen e kolektivit artistik TETRIS, të cilët ekzekutuan livesoundtrack mbi imazhet filmike./ KultPlus.com

Kino “Armata” hapet me filmin “Kabineti i Dr.Caligarit”

Kino “Armata” do të hapet sonte me shfaqjen e filmit horror “Kabineti i Dr.Caligarit” dhe një performancë të kolektivit artistik “Tetris”.

Nga ora 19:00 do të transferohet filmi horror gjerman, me regji të Robert Wiene.

Kabineti i Dr. Caligari (gjermanisht: Das Cabinet des Dr. Caligari) është film horror gjerman pa zë i prodhuar në vitin 1920.

I konsideruar si vepra më e rëndësishme e kinemasë ekspresioniste gjermane, filmi tregon për hipnotistin e çmendur Werner Krauss, i cili përdor somnambulistin Conrad Veidt për të kryer vrasje. Filmi ka stil të errët dhe të shtrembëruar vizuel, me forma të mprehta, vija oblike dhe harkore, struktura dhe panorama të cilat lakohen nën kënde të çuditshme, dhe hije e shtresa të dritës të ngjyrosura drejtpërdrejt në sheshxhirim.

Filmi prezanton tema të autoritetit brutal dhe irracional; Dr. Caligari prezanton qeverinë e luftës së Gjermanisë, derisa Cesare është simbol i njeriut të thjeshtë, të kushtëzuar, si ushtarët, për vrasje.

Në librin e tij me ndikim prej Caligari te Hitleri, Siegfried Kraucauer thotë se filmi reflekton nevojën e nënndërgjegjshme të shoqërisë gjermane për të pasur tiran, duke qenë shembull i bindjes së tyre ndaj autoriteteve dhe mosdashjes për t’u rebeluar kundër autoritetit të çmendur.

Ai thotë se filmi është paralajmërim i ngritjes së Adolf Hitler dhe Partisë Naziste, dhe se shtimi i rrëfimit bazë kthen filmin përndryshe “revolucionar” në film “konformist”. Tema tjera të shtjelluara përfshijnë kontrastin destabilizues mes çmendurisë dhe mendjes së shëndoshë, percepcionin subjektiv të realitetit, dhe dualitetin e natyrës njerëzore.

TETRIS është grup i artistëve të bazuar në Prishtinë, që krijojnë audio ambiente mbi fraza hipnotike të sintave të shumtë dhe basit të thellë. Line-up që ndryshon tërë kohës nuk heziton të manipulojë analogisht kitarat e zhurmshme, piano klasike dhe ritme monotone, duke shtuar ngjyrë performancave të tyre të paparashikueshme dhe (shpesh) eksplozive./ KultPlus.com

Kino ARMATA, fton artdashësit të diskutojnë për mënyrën e funksionimit të kësaj hapësirës në të ardhmen

Kino ARMATA, shtëpia e filmit dhe kulturës, prej kësaj jave ka filluar misionin e saj në promovimin e shprehjeve alternative artistike.

Pak prej banorëve të Prishtinës e mbajnë mend si kinema ku në vitet e ’80-ta janë shfaqur filmat me Bruce Lee, Bud Spencer dhe Terence Hill, Asterix, e heronj tjerë të kinematografisë së asaj kohe; deri tash ajo ka qenë e mbyllur për publikun e gjerë.

Për këtë shkak ftohen të gjithë artdashësit (por jo vetëm) në takim joformal këtë të premte, 20 prill, prej orës 18:00, ku do të ketë diskutim për mënyrën se si do të funksionojë hapësira në të ardhmen.

“Ndoshta dikush do të vijë vetëm për çështje nostalgjie, por ju inkurajojmë që të vini me ide dhe rekomandime të cilat do të na ndihmonin në krijimin e platformës programore e cila është ende në konceptim. Mos hezitoni t’i merrni edhe fëmijët në takim, sepse mendojmë se rritja e tyre në atmosferë të shëndoshë kulturore është shumë e rëndësishme për zhvillimin e mirëfilltë shoqëror”, thuhet në ftesën e menaxhuesit të kësaj hapësire Alush Gashi.

“Gjatë takimit do të lëshojmë (dhe ekzekutojmë) muzikë të improvizuar, kështu që kush donë mund t’i sjellë instrumentet e veta muzikore dhe të na bashkangjitet në skenën e kinemasë. Duke qenë se hapësira ende nuk është plotësisht funksionale, në frymën më të mirë të organizimit komunal ju ftojmë të sjellni pije dhe freskim për vete”, thuhet tutje në njoftim./ KultPlus.com
https://www.facebook.com/events/184450392277778/