Javën që lamë pas në Bernë u mbajt edicioni i katërt i festivalit KinoKosova, i cili, përveç në Bernë, mbahet edhe në Cyrih.
Nga 20 deri me 24 shtator, adhuruesit e artit të shtatë patën mundësi që për herën e katërt me radhë të ngujohen para ekranit të madh në Bernë e të ndjekin një program mjaft interesant, ku pos filmave, bënin pjesë edhe punëtoritë, panelet e diskutimit, një ekspozitë arti si dhe në fund, një koncert.

Filmdashësit iu gëzuan shfaqjes së mbi 30 filmave të metrazheve të ndryshëm nga artistë e regjisorë nga Kosova, si dhe të mysafirëve që kësaj radhe ishin kineastë nga Greqia, shkruan albinfo.ch. Kjo, për publikun ishte një mundësi e mirë për të përjetuar dhe mësuar nga perspektiva e rajonit të Ballkanit.

Tashmë me dy edicione brenda vitit, në Cyrih dhe Bernë, Kino Kosova ngadalë dhe sigurt po shndërrohet në një festival serioz, jehona dhe fama e të cilit nga viti në vit është duke shënuar ngritje të mirëfilltë.

“Konsistenca apo edhe lidhja për idenë e organizimit të një festivali më se të nevojshëm për komunitetin shqiptaro-zviceran, janë tashmë një ndër çelësat kryesorë të suksesit të vazhdueshëm të këtij projekti” tha për Albinfo.ch, drejtori artistik i KinoKosova, Sabahet Meta.

Sipas tij, festivali po rritet në mënyrë të natyrshme, duke u nisur edhe nga numri i drejtuesve dhe i afër 20 vullnetarëve, shkruan albinfo.ch. Ndërsa për numrin e shikuesve mjafton të thuhet se këtë vit, në mungesë të ulëseve të mjaftueshme, shpesh herë ka ndodhur që shikuesit janë detyruar të ulen edhe në tokë, për të ndjekur programin e KinoKosova.
Lidhjes tashmë speciale mes Zvicrës dhe Kosovës, organizatorët ia kanë ofruar edhe këtë platformë, ku trajtohen shumë aspekte që e karakterizojnë shoqërinë kosovare (dhe atë evropiane), siç janë migracioni, gjinia, vizat, shpresat, ligjet dhe nevojat.

Pjesë e KinoKosova të edicionit të katërt ishte edhe filmi “Cascadeuses” i regjisores shqiptare nga Zvicra, Elena Avdija. Ai ofron njohuri mbi botën e rrezikshme të grave kaskadere, e cila është ende e padrejtë në krahasim me atë të burrave të këtij profesioni. Kujtojmë se Elena në Festivalin e Filmit të Cyrihut (ZFF, në progreamin “Focus”) vitin e kaluar ishte shpallur fituese për regjinë më të mirë. Ajo po ashtu është vlerësuar si Personalitet i Vitit 2022 në sferën e kulturës respektivisht filmit, nga redaksia e platformës mediale albinfo.ch.

“Cascadeuses” që u shfaq në natën e fundit të festivalit, ngjalli shumë reagime nga të pranishmit. Në fund shikuesit patën mundësi të marrin pjesë në rubrikën “Pyetje dhe përgjigje”, si platformë bashkëbisedimi mes shikuesve dhe regjisorëve/aktorëve.
Për regjisoren Avdija, që merrte pjesë për herë të parë në këtë festival, KinoKosova është një pasqyrë/platformë e mirë për shikuesit në Zvicër për të treguar se edhe në vende, si Kosova, ka filmbërës që me veprat e tyre dinë të japin mesazhe të fuqishme.

Si pjesë përbërëse e KinoKosova këtë vit ishin edhe panelet e diskutimit, ku u trajtuan tema të ndryshme, e jo vetëm të kinematografisë, raporton albinfo.ch. Ato u moderuan nga gazetarja zvicerane, Aleksandra Hiltmann, e cila që nga edicioni i parë është pjesë e KinoKosovës.
Hiltmann deklaroi për albinfo.ch se ky edicion ka qenë një sukses i madh jo vetëm për nga numri i shikuesve, por edhe nga cilësia e filmave, si dhe nga programi më se i pasur i festivalit.

Ekspozita e artistit të mirënjohur kosovar, Jakup Ferri, ishte ngjarja tjetër që e pasuroi edhe më shumë KinoKosovën.
Jakup Ferri vitin e kaluar ishte pjesëmarrës në Bienalen e Venecias, ku përmes artit ngacmon vizitorët me imagjinatën e tij të gjallë, ngjyra të fuqishme, një shije delikate të humorit si dhe pafajësinë fëmijërore.

Festivali KinoKosova, siç është bërë tashmë traditë, u përmbyll në mënyrën më të mirë me një koncert, ku për të pranishmit u përkujdesën Edona Vatoci me grupin e saj dhe Leart Rama nga Kosova, si dhe DJ PanoΣ. / KultPlus.com
