Të shtunën jepet premiera e veprës ‘Monade’ nga Robert Bisha, bashkëpunim mes Fondacionit Lumbardhi dhe Filharmonisë së Kosovës

Flonja Haxhaj

Të shtunën, më 17 shtator, Kino Lumbardhi në Prizren do të jetë nikoqire e veprës ‘Monade’ të kompozitorit, Robert Bisha, një vepër kjo e bashkë-komisionuar nga Fondacioni Lumbardhi dhe Filharmonia e Kosovës, shkruan KultPlus.

Vepra e cila shënon edhe fillimin e sezonit të Filharmonisë së Kosovës dhe 70-vjetorin e krijimit të Kino Lumbardhit, është një suitë simfonike për piano, orkestër, kor, solistë dhe multi-media.

Për të folur më shumë për këtë vepër, sot është mbajtur një konferencë për media ku kanë qenë prezentë vetë kompozitori, Robert Bisha, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari dhe drejtuesi i Fondacionit Lumbardhi, Ares Shporta.

Jashari thotë se është i lumtur për hapjen e sezonit të Filharmonisë së Kosovës me këtë vepër, ndonëse filharmonia ka realizuar tashmë dy koncerte në fillim të shtatorit, më 5 shtator me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës dhe koncerti i dytë ishte pak ditë më parë i Korit të Filharmonisë së Kosovës e që u realizua në Kishën Shën Ndou.

“Tani jemi në prag të një projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm, të veçantë dhe të madh të Filharmonisë së Kosovës, bëhet fjalë për një vepër vokalo-instrumentale të kompozitorit shqiptar, Robert Bisha. Ditëve të fundit, Filharmonia e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e angazhuar në përgatitjen e një vepre shumë të veçantë, për nga përmbajtja për nga formacioni, pjesëmarrësit, tematika, ishte një përvojë më e ndryshme për Filharmoninë e Kosovës bazuar në programet paraprake”, u shpreh Jashari, i cili ndër të tjerash tha që në fillim, pjesëtarët e filharmonisë ishin pak skeptikë pasi morën me vonesë programin por kanë bashkëpunuar duke e njohur kapaxitetin dhe stilin e kompozitorit Bisha.

Ndërkaq, Ares Shporta nga Fondacioni Lumbardhi tha vepra që shënon edhe fundin e festimeve të 70-vjetorit të hapjes së Kino Lumbardhit, e ka sjellë bashkëpunimin mes Filharmonisë së Kosovës dhe Fondacionit Lumbardhi në një nivel të ri të bashkëpunimit tashmë 5-vjeçar.

“Ky është një bashkëpunim i ri mes Prizrenit, Kino Lumbardhit dhe Robertit i cili e ka mbajtur koncertin e vetëm të vitit të parë pandemik, një piano solo për 50 veta në një distancë në bahçe. Mirëpo biseda që nisi atëherë në Prizren u zgjat edhe e gjeti veten në mes të diskutimit se si duhet me kremtu 70-vjetorin e Kino Lumbardhit që trajton një 70-vjetor të një institucioni interesant me faza të ndryshme në një kontekst kontradiktor dhe me e pa se si mundemi që edhe muzikën edhe filmin, më shumë muzikën me e trajtu në  mënyrë të re, në një hapsirë që është mësuar vetëm me u konsumu dhe jo me u prodhu dhe me u diskutu.”, tha Shporta, përcjell KultPlus.

E krejt në fund fjalën e mori edhe kompozitori Robert Bisha, i cili rikthehet në Prizren pas dy vitesh me një mision tjetër të veçantë.

“Jam shumë i kënaqur që kam pasë mundësi në njëfarë mënyre me e vënë në dispozicion se çka është backgroundi im apo se çka është dhuntia ime në dispozicion të Fondacionit Lumbardhi me të cilin kam nderin që bashkëpunoj përgjatë këtyre viteve dhe gjithashtu edhe në dispozicion të filharmonisë me të cilën pata nderin të punoj këto ditë.”, deklaroi Bisha.

“‘Monade’ ndahet në tetë pjesë, numër simbolik për mua sepse çdo koncert e bëj në tetë pjesë. Janë të gjitha kohë që shpjegojnë, që ka një narrativë të tyre nga pastoralet deri te pjesa e fundit, kanë një historik të tyre që sheh apo mundohet me e pa Prizrenin si nga detaji, por edhe si nga sipër apo edhe mundohet që Prizrenin ta shohin nga pikëpamja e vetë”, u shpreh më tutje kompozitori Bisha, duke folur për pikësynimin poetik të asaj se çka sjell ‘Monade’.

Kujtojmë që koncerti ‘Monade’ mbahet të shtunën (17 shtator) nga ora 20:00 në Kino Lumbardhi./ KultPlus.com

‘Zgjoi’ shfaqet sonte në ‘Kino Lumbardhi’ në Prizren

Në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Rinisë, sonte në Kino Lumbardhi në orën 20:30 do të shfaqet filmi “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare.

Si pjesë e këtij organizimi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për Muajin e Rinisë, ky film do të shfaqet edhe në Pejë, më 28 gusht.

Hyrja do të jetë e hapur për të gjithë./ KultPlus.com

Ceremonia përmbyllëse e DokuFest mbahet te Kino Lumbardhi

Si çdo vit, pas më shumë se një jave rrugëtim nëpër botën e filmit, ceremonia përmbyllëse e Dokufest do të mbahet te Kino Lumbardhi!

Lumbardhi në bashkëpunim me DokuFest, në edicionin e sivjetëm të festivalit sollën filma të përzgjedhur nga programi special i filmit LXX, për ta festuar 70 vjetorin e hapjes së Kino Lumbardhit.

E shtunë, 13 gusht – 20:00

Kino Bahçe

The Last Waltz

Martin Scorsese (1978)

Më shumë se një nga filmat më të mëdhenj rreth koncerteve të realizuar ndonjëherë, The Last Waltz (Balloja e fundit) është një përmbledhje ekstatike dhe elegjiake e një epoke jetike të rock muzikës amerikane. I ftuar për ta kapur performancën e lamtumirës të grupit legjendar Band në Sallën e Ballit Winterland të San Franciskos në Ditën e Falenderimeve, 1976, Martin Scorsese konceptoi një lloj të ri dokumentari muzikor. Duke përfshirë shtatë operatorë kamerash (të udhëhequr nga drejtori i fotografisë Michael Chapman, dhe gjithashtu duke përfshirë kineastët e njohur Vilmos Zsigmond dhe László Kovács) dhe stilistin e prodhimit Boris Leven për të dizajnuar skenat teatrale mahnitëse, Scorsese krijoi një përvojë madhështore që i sjell shikuesit në skenë dhe brenda muzikës. vetë. Ajo muzikë – e realizuar nga Band-i dhe një mori artistësh të tjerë që përcaktojnë brezin, duke përfshirë Bob Dylan, Joni Mitchell, Van Morrison, Staple Singers, Muddy Waters dhe Neil Young – jeton si një shprehje pothuajse fetare e mundësive transhendente. e rock and roll-it. /KultPlus.com

Me emocione të fuqishme nisi edicioni i parë i festivalit ‘Prizrenfest’

Me emocione të fuqishme nisi edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur në Kosovë, Prizrenfest,  në Kino Lumbardhi, përcjellë KultPlus.

Nën brohoritjet dhe duartrokitjet e pafund të publikut në natën e parë u prezantua Teatri Kombëtar i Sarajevës me shfaqjen “To Nikad Nigdje Nije Bilo”, (Kjo kurrë s’ka ndodhë)  nga regjisori i njohur Dino Mustafic.

Me këtë shfaqje, Teatri Kombëtar  i Sarajevës, të krijuar për njëqindvjetorin e ekzistencës së tij, kujton shumë nga ditët e tij të lumtura dhe jo të lumtura, njerëzit dhe fatet e panumërta që e shënuan gjatë gjithë asaj kohe dhe që u shënuan prej tij… dhe kujton atë që kurrë, askund, nuk ndodhi.

Ndërkaq në natën e dytë, me 1 gusht në Prizrenfest, do të prezantohen tri shfaqje.

“PPP Ti Presento L’Albania (ITA )”, me regji nga Klaus Martini, në Muzeun Arkeologjik duke filluar nga ora 20:00h.

Në ora 21:00h, tek Burgu i Qytetit, do të prezantohet shfaqja nga Kosova “Ora e vdekjes” (RKS )”, me regji nga Ilir Bokshi.

Duke mos lënë anash as më të vegjlit, në skenën e Abi Çarshisë duke filluar nga ora 19:00h, jepet shfaqja për fëmijë.

Të nderuar me praninë e shumë artistëve dhe artdashësve, organizatorët e Prizrenfest ju ftojnë që të vazhdoni të jeni pjesë e festivalit deri më datën 4 gusht, kur do të jetë edhe nata përmbyllëse. / KultPlus.com

Fondacioni Lumbardhi vazhdon programin e 70-vjetorit të filmit ‘LXX’ me “Taksisti” dhe “Ndjekje”, ngritet qështja e pashpresësisë së luftës

Fondacioni Lumbardhi vazhdon programin e 70-vjetorit të filmit LXX me “Taksisti” (Martin Scorsese) dhe “Ndjekje” (Živojin Pavlović) që e ngrisin qështjen e pashpresësisë së luftës, përcjell KultPlus.

Blloku programor i “Taksisti” të Scorsese dhe “Ndjekje” i Pavloviçit ngrisin çështjen e pashpresësisë së luftës: i pari në nivel shumë individual, duke hulumtuar traumat e pasluftës në mesin e veteranëve të luftës, ndërsa i dyti, në vend që ta lavdërojë luftën dhe heroizmin, shikon zhgënjimin dhe mungesën e shpresës së atyre që luftojnë për atdheun.

Një nga filmat më të rëndësishëm në filmografinë e Martin Scorcese, “Taxi Driver” është i njohur për interpretimet mahnitëse të Robert De Niro (Travis) dhe të 12-vjeçares Jodie Foster (Iris). Ndërsa përgatitej për rolin e saj, Foster jetoi e përcjellur nga një i varur nga kokaina për ca kohë dhe Robert De Niro merrej me thekse të perëndimit të mesëm dhe çështje psikologjike, ndërsa punoi si taksist për 2 muaj.

Duke parë Travisin, i cili nuk mund t’i kapërcejë pasojat e Luftës së Vietnamit dhe mundohet ta udhëheqe jetën e tij si taksist, kur ai rebelohet kundër botës së padrejtë, ne e identifikojmë veten me personazhin; dikush që e do vetminë, është në prag të çmendurisë dhe nuk mund të jetë pjesë e botës “normale”, por as nuk dëshiron të jetë. Teksa vizualizon tjetërsimin e individit nga vetja dhe shoqëria, si dhe djegien politike, kulturore dhe ekonomike të viteve të 70-ta në qytetin e Nju Jorkut dhe braktisjen e tij në kalbje, filmi përpiqet të shfaqë një sfidë alternative.

Me regji të një prej regjisorëve më të mirë të Valës së Zezë, Živojin Pavlović, “Ndjekje” jep një kontribut të veçantë në filmografinë e filmave partizanë të ish-Jugosllavisë, të xhiruar deri në vitin 1977. Megjithatë, në vend që ta glorifikojë luftën partizane, Pavloviç fokusohet në pakuptimësinë e luftës dhe zhgënjimin, duke filmuar vdekjen pa pushim.

Filmat e programit LXX janë përzgjedhur me kujdes nga grupi kuratorial i përbërë nga zëvendësdrejtori për kërkime dhe programe në Fondacionin Lumbardhi, Bengi Muzbeg, regjisorja, kuratorja dhe studiuesja Kumjana Novakova dhe drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari.

Programi i filmit LXX u mundësua me mbështetjen e Raiffeisen Bank Kosova, Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Bashkimit Evropian.

Programi u realizua në bashkëpunim me Dokufest, Filmski Centar Sarajevo, Vardar Film dhe World Cinema Project të Fondazione Cineteca di Bologna.

Më poshtë gjeni datat e shfaqjes së dy filmave:

E premte, 15 korrik – 20:30
TAKSISTI
Martin Scorsese (1973)

E shtunë, 16 korrik – 20:30
NDJEKJE
Živojin Pavlović (1977) / KultPlus.com

“Lumbardhi prezanton: MALIBU”, ngjarja unike muzikore që shënon 70 vjetorin e Kino Lumbardhit

Lumbardhi prezanton: MALIBU është një ngjarje unike muzikore që hulumton dhe ndërlidhë përvojat tingullore me ato të filmit, përbrenda programit aktual LXX që shënon 70-vjetorin e Kino Lumbardhit.

Malibu është një muzikante elektronike franceze, puna e së cilës lundron mes ambientit dhe eteriales. E frymëzuar nga vokalet e buta jehuese dhe zhvillimet e akordeve melodike, tingulli i Malibu është zhytës, si në një det me tela dhe kore sintetike. Krijimet e saj muzikore, qasja ndaj shkrimit dhe përformanca njësuese audiovizive mund të konsiderohen lehtësisht kinematografike, nxitëse dhe emocionale.

Kjo përvojë e mbushur me një atmosferë të veçantë do të paraprihet nga një shfaqje speciale filmike dhe do të pasohet nga një sesion përmbyllës muzikor.

E dielë – 12.06.2022
22:00
Kino Lumbardhi / KultPlus.com

Nesër mbahet takimi i parë në kuadër të projektit “Plani i Prezantimit dhe Interpretimit për Lokalitetin Arkeologjik në Prizren”

Nesër fillojnë diskutimet publike në kuadër të projektit për hartimin dhe zbatimin e Planit të Prezantimit dhe Interpretimit për Lokalitetin Arkeologjik në Prizren.

Siç njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në takimin e parë ftohen banorët e lagjes dhe komuniteti i biznesit që operon në afërsi të lokalitetit arkeologjik.

Ky takim do të mbahet të martën, me datën 31 Maj 2022 , në Kino Lumbardhi, nga ora 13:00 deri 15:30.

Në takimin e dytë ftohet komuniteti profesionit i Prizrenit dhe më gjerë. Ky takim do të mbahet të enjten, me datën 02 Qershor 2022, në Kino Lumbardhi, nga ora 13:00 deri 15:30.

Prezantimi, interpretimi dhe promovimi i Lokalitetit Arkeologjik si një lokalitet me rëndësi të madhe historike, shkencore, kulturore dhe edukative, përmes projektit të interpretimit synon që të ngre vetëdijen për rëndësinë e këtij lokaliteti si dhe të promovojë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor. / KultPlus.com


“Lumbardhi: një histori episodike” dhe “LXX” vijnë në 70-vjetorin e Kino Lumbardhit

Fondacioni Lumbardhi hapë sezonin e programeve që kremtojnë 70-vjetorin e kinemasë me promovimin e librit “Lumbardhi: një histori episodike” dhe fillimin e programit të filmit LXX në ekran të madh, me 25 maj, duke nisur nga ora 19:00, në Kino Bahçe.

“Lumbardhi: një histori episodike” nga Bengi Muzbeg dhe Tevfik Rada, flet për takimin dhe ndërveprimin midis Kino Lumbardhit dhe Prizrenit, prej rrethanave që sollën te hapja e kinemasë në vitin 1952 e deri te ndalja e aktivitetit pas falimentimit të ndërmarrjes shoqërore “Kino Bistrica” në fillim të shekullit të ri.

I botuar në kuadër të hulumtimit shumështresor “Kinofigurimi” që trajton historinë e Kino Lumbardhit dhe zhvillimin e kinemasë në Kosovë, bazuar kryesisht në studime arkivore dhe kujtime të protagonistëve të episodeve të ndryshme të kinemasë, libri tenton ta vendosë zhvillimin e kinemasë në kontekst politik dhe kohor, e ta kuptojë rëndësinë shoqërore dhe historike të kinemasë dhe pamjeve lëvizëse në raport me qytetin dhe realitetin politik të vendit.

Pas promovimit të librit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi ta përcjellin fillimin e shfaqjeve të programit LXX në ekran të madh, të bashkëkuruar nga Bengi Muzbeg, Kumjana Novakova dhe Veton Nurkollari. Përzgjedhja e filmave është bazuar në listat e filmave të shfaqur në kinemanë Lumbardhi gjatë pjesës së dytë të shekullit XX, që përfshinë një gamë të gjerë të zhanreve, prej filmave propagandistikë jugosllavë e hollywoodianë, deri te filmat artistikë europianë, melodramat turke, indiane e meksikane.

Sezoni veror i shfaqjeve hapet me Beteja e Neretvës (1969) me regji të Veljko Bulajić, film historik i bazuar në ngjarje nga Lufta e Dytë Botërore, njëkohësisht edhe filmi më i shtrenjtë i prodhuar në ish-Jugosllavi, i nominuar për shpërblimin Oskar, me një ekip ndërkombëtar e rajonal të aktorëve, prej Orson Welles e deri te Faruk Begolli. Para filmit, fjalën do ta marrin drejtorja e Qendrës Filmike të Sarajevës, Ines Tanović, si dhe kuratorët e programit të filmit.

Mes 25-29 maj, për pesë ditë rresht, programi LXX do t’i shfaqë edhe filmat “Loves of a Blonde”, “Era dhe Lisi”, “Dry Summer” dhe “Once upon a time in the West”, me fillim nga ora 20:30 në Kino Bahçe, ndërkohë që programi do të vazhdojë deri në muajin shtator, me mbi 40 shfaqje filmike të prezantuara në orare dhe formate të ndryshme./ KultPlus.com

‘Shishet e zbrazëta nga një vend i largët: Retrospektivë e Chris Marker’, sonte në Kino Lumbardhi

‘Shishet e zbrazëta nga një vend i largët: Retrospektivë e Chris Marker’, shënon 100 vjetorin e ditëlindjes së regjisorit të njohur të filmit që i dha formë kinemasë dhe artit të shekullit, shkruan KultPlus.

E për këtë 100 vjetor sot në Kino Lumbardhi në Prizren do shfaqen filmat në gjuhën shqipe dhe angleze.

Shfaqja e filmave do të bëhet me fillim nga ora 20:30 dhe hyrja do të jetë falas.

Që nga fillimi i praktikës së tij, Chris Marker, ishte shumë i ndjeshëm ndaj luftërave politike në të gjithë botën dhe ndaj kryqëzimit të këtyre ndryshimeve që mund të shënohen në formë të filmit. Si rezultat i qëllimit të tij të angazhuar artistik, ai gjatë gjithë jetës u mor me kujtimet e luftrave anti-koloniale që ndodhnin larg, por disi shumë afër vendit të tij. Filmat e tij, të cilët janë përfshirë në këtë retrospektivë, zgjerohen gjeografikisht nga Siberia në Bosnjë, nga Japonia në Kosovë, duke krijuar një plejadë globale dhe historike të sfidave. “Kush i mban mend të gjitha ato?”, pyet ai në një nga filmat eseistikë të tij duke iu referuar shteteve si shishe: “historia hedh shishet e saj të zbrasta nga dritarja.” Kjo retrospektivë përpiqet t’i mbledhë dhe sjellë disa prej këtyre shisheve për t’ia treguar botës nga këndvështrimet e harruara.

‘Shishet e zbrasta nga një vend i largët: Një Retrospektivë e Chris Marker’ mbështetet nga Ambasada Franceze dhe Bashkimi Evropian, në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës”./ KultPlus.com

Kino ‘Lumbardhi’ shënon 69-të vjetorin e themelimit

E ndërtuar në vitet 50-ta, Kino ‘Lumbardhi’ që dikur njihej me emrin “Bistrica”, solli artin kinematografik në Prizren, përveç filmave, kinemaja po u ofron qytetarëve aktivitete kulturore nga më të ndryshmet dhe hapësirë publike për shfrytëzim ditor. Kurse sot Kino ‘Lumardhi’ feston 69 -të vjetorin e themelimit dhe funksionimit të saj, shkruan KultPlus.

https://twitter.com/kinolumbardhi/status/1356227535076536322

Një historik i shkurtër

Një kinema e re nga Ura e vjetër e Gurit –  1952

Në vendin e përvetësuar përgjatë lumit Bistrica, Ndërmarrja Sociale dhe Kinemaja “Bistrica” u hap në 1 Shkurt 1952 për një turmë prej 700 qytetarësh. E ndërtuar sipas projektit të arkitektit Jak Mazreku, pjesë e ekipit themelues ishte projeksionisti i parë i Prizrenit, Shefki Gështenja, i cili ishte përgjegjës për shfaqjen në kinematë e para të Prizrenit para Luftës së Dytë Botërore. Epoka ishte e famshme për shfaqjen e filmave kryesisht për luftën antifashiste dhe perëndimore.

Kino Bahçe: Kinemaja e parë e hapur e Prizrenit – 1960

Në më pak se një dekadë, Kino Bistrica zgjeroi hapësirën e saj duke ndërtuar një Kinema Kopshti “Kino Bahçe” dhe zhvendosi dyert e saj nga rruga kryesore në hyrjen anësore përmes kopshtit. Kapaciteti total i dy sallave arriti në 1200 vende. Lumbardhi u bë një nga tre kinematë në Ballkan me ekranet e brendshme dhe të jashtme.

Vitet e Arta – 1960-1985

Për më shumë se tre dekada, Kinema Lumbardhi ishte qendra e jetës shoqërore dhe kulturore të qytetit. Nga artet marciale në perëndimore, filma indiane në filma spageti-perëndimor, Jugosllavi në filma të tjerë të Hollivudit. Së bashku me kinemanë e punëtorëve “Kino Radnik”, institucioni shiti mbi 500,000 bileta në vit.

Lumbardhi – një vend i festivaleve –  1986

Edicioni i parë i “Zambaku i Prizrenit” u mbajt në Kino Bahçe. Jo vetëm një vend kinemaje dhe koncerti, Lumbardhi u bë një pikë qendrore për festivalet e qytetit. Me rritjen e shikimit të televizionit në kafene, shfaqjen e klubeve video, VHS dhe rënien e bashkëpunimit politik në vend, kinemaja përjetoi një rënie serioze dhe të pashmangshme të pranimeve.

Prizreni – një qytet pa kinema – 1999

Pas një dekade të rënies së cilësisë së programit, frekuentimit dhe mirëmbajtjes së ndërtesave, kinemaja pushoi aktivitetin e saj tre ditë para se të fillonin bombardimet e marsit. Vendi dhe menaxhmenti nuk mund të funksiononin, megjithë përpjekjet e kolektivave të punëtorëve. Pronësia e saj më vonë iu kalua Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe në Prizren pushoi së ekzistuari ndonjë kinema.

DokuFest bën thirrje për ringjalljen e Lumbardhit – 2002

Kërkesa nga qytetarët për ringjalljen e kinemasë merr formë në edicionin e parë të festivalit të filmit DokuFest, mbajtur midis 9-11 shtator 2002. Festivali u hap me “10 Minuta” nga Ahmet Imamovic. DokuFest do të luajë një rol kryesor në kthimin e Lumbardhit.

Qytetarët ndalojnë prishjen e Lumbardhit – 2007

Kryetari i Komunës së Prizrenit shpall vendimin për prishjen e kinemasë për ndërtimin e një parkingu të ri të qytetit. Nisma për Mbrojtjen e Kinemasë Lumbardhi u shfaq gjatë edicionit të 6-të të DokuFest, ndërsa aktivistët e shoqërisë civile në qytet mblodhën gjithsej 8,000 nënshkrime që protestonin ndaj vendimit. Kinemaja arriti të mbijetojë.

Në mes viteve 2007 – 2014

Kinemaja mbeti pa menaxhim, e përdorur si një klub informal pensionistësh, një strehë dhe një hapësirë e përdorur në mënyrë sporadike për DokuFest dhe festime të tjera. Midis 2012-2014 u përdor si një kafene dhe një hapësirë shoqërore nën emrin “Shoqëria Kulturo-Artistike”, duke formuar një lidhje midis një brezi të ri dhe kinemasë.

Nisma mbron Kinemanë Lumbardhi – 2014 – 2015

Agjencia Kosovare e Privatizimit vendosi të shesë S.E. Kino Bistrica dhe pasuritë e saj në korrik 2014. Protesta në hapjen e edicionit të 13-të të DokuFest ringjalli Nismën për Mbrojtjen e Kinemasë Lumbardhi. 58 organizata jofitimprurëse të drejtuara nga DokuFest dhe EC Ma Ndryshe u mblodhën për të kundërshtuar privatizimin dhe bënë thirrje për ringjalljen e kinemasë. Në janar 2015, pas fushatës, Kinema Lumbardhi u hoq nga lista e privatizimit dhe u konsiderua një vend i trashëgimisë kulturore.

Lumbardhi përsëri për publikun – 2018

Ekipi pas nismës themeloi Fondacionin Lumbardhi për të vazhduar angazhimin e tyre për ringjalljen e plotë të institucionit. Shumë organizata nënshkruese dhe komuniteti lokal u bënë pjesë e procesit duke mbështetur infrastrukturën, zhvillimin organizativ, programimin dhe përpjekjet e avokimit. Kinemaja u bë një vend takimi për grupe të ndryshme, duke pritur mbi 300 aktivitete nga më shumë se 70 organizata dhe institucione, dhe duke rimarrë vlerën e saj publike./ KultPlus.com

Kino “Lumbardhi” feston 68-vjetorin e themelimit

U ndërtua në vitet 50′, fillimisht e njohur me emrin “Bistrica”, për t’u bërë më pas Kino “Lumbardhi”, shkruan KultPlus.

Kino “Lumbardhi” është inaguruar me 1 shkurt 1952. E hapur si kinemaja e parë publike në Prizren pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, “Lumbardhi” për gjysmë shekulli ka vepruar si kinema, sallë e koncerteve dhe si vendtakim i qytetarëve.

Në mungesë të dokumentimit relevant në arkivën e qytetit, për shumë vite është supozuar që është hapur mes viteve ‘40 dhe ‘50. Ne vitin 2015, kur u shpall monument i mbrojtur, formulimi zyrtar i është referuar themelimit si “vitet 50”, ndërsa data e saktë është identifikuar me 2018 në arkivat e gazetës “Rilindja”, si pjesë e hulumtimit të Fondacionit Lumbardhi për historinë e institutcionit.

“Lumbardhi” e ngjalli artin kinematografik duke ofruar ndër vite aktivitete të ndryshme kulturore e hapësira për shfrytëzim.

Kino “Lumbardhi” është edhe atraksion turistik, e vendosur në qendrën historike të Prizrenit pranë lumit, u bë pikë turistike, e sidomos frekuentimi i kësaj kinemaje rritet gjatë Festivalit të Filmit “DokuFest”. /KultPlus.com

Kino Lumbardhi në Prizren vazhdon me shfaqjen e filmave

Kino Lumbardhi në Prizren po vazhdon me shfaqjen e filmave në Prizren. Ata kanë publikuar programin e tyre për javët e ardhshme, i cili duket shumë i pasur, shkruan KultPlus.com

“Programi i filmit, Retrospektiva e Wim Wenders.
Lightning Over Water [Vetëtima mbi ujë] (1981), 92 min
Regjisor: Nicholas Ray, Wim Wenders

Nicholas Ray ka qenë një regjisor i filmit amerikan që njihët për filmat e tij si Johnny Guitar dhe Rebel Without a Cause. Filmat e Ray dëshmojnë se kanë pasë ndikim me rëndësi në punën e Wenders, dhe këta dy janë takuar gjatë produksionit të “The American Friend”, kështu duke u bë shokë. Ky dokumentar ndjek ditët e fundit të jetës së Ray për shkak të kancerit me 1979, dhe ofron një paraqitje të veçantë për punën kinematografike të Ray”, thuhet në njoftimin e tyre.

Kino Lumbardhi në Prizren publikon programin e shtatorit



Kino Lumbardhi ka publikuar programin e shtatorit i cili përfshinë një kombinim të pasur të shfaqjes së filmave dhe aktiviteteve tjera artistike dhe kulturore.

“Lumbardhi ka kënaqësinë të prezantojë programin e shtatorit, i cili përfshin një kombinim të pasur të performancave, programit të filmit dhe shfaqjeve të veprave të video-artit në sallën e kinemasë”, thuhet në njoftimin e tyre, përcjellë KultPlus.

Programi fillon me 1 shtator teksa për këtë program është kërkuar një mbështetje financiare nga Ambasada dhe Media vendore.

“Programi fillon të dielën me 1 shtator me performancën e bendit indian “Tapi Project”, pasuar nga programi i filmit “Retrospektiva e Wim Wenders”, lansimi i projektit më të ri muzikor nga AJO dhe seria e shfaqjeve të video-artit të komisionuar Protocinema “Of Our Own Making” e cila do të organizohet në natën e 14 shtatorit në kuadër të Nuit Blanche te Lumbardhi.

“Programi i shtatorit i paraprin rijetësimit të Kino Bahçes dhe ciklit dimëror të programit të rregullt te Lumbardhi i cili fillon me 1 Nëntor 2019”.

Ky program është mundësuar me partneritetin e BpB, Gjirafa, Goethe Institut, Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Fondacioni Wim Wenders, Protocinema, Grupi KOHA dhe Komuna e Prizrenit.

Këtu keni programin e plotë të publikuar nga Lumbardhi:

PROGRAMI:

1 Shtator, e Diel, 21:00
Performancë: Tapi Project

6 Shtator, e Premte, 20:00 – 29 Shtator, e Diel, 20:00 
Programi i filmit: “Retrospektiva e Wim Wenders”

13 Shtator, e Premte, 21:00
AJO, lansim i albumit

14 Shtator, e Shtunë 20:00 – 07:00 
Protocinema prezanton: “Of Our OWn Making”. / KultPlus.com

Kino “Lumbardhi” në Prizren synohet të rijetësohet

Se objekti i kinemasë “Lumbardhi” duhet vendosur në shërbim të gjeneratave të ardhshme dhe se objektit duhet t’i shtohen funksione tjera për ta bërë atë të shfrytëzueshëm në baza ditore, është thënë në takimin konsultativ të Komisionit për Rijetësim të këtij objekti, me hisedarë të ndryshëm.

Komentet e takimit të mbajtur në kuadër të procesit për hartimin e projektit për restaurim e rijetësim të kësaj kinemaje do të shqyrtohen në një diskutim publik që pritet të mbahet muajin që vjen, shkruan sot “Koha Ditore”.

Arkitektja Aslihan Demirtas nga studioja “Khora” ka bërë të ditur se ky proces synon që ta vendosë këtë ndërtesë në shërbim të gjeneratave të ardhshme në përputhje me aspiratat, dëshirat dhe nevojat e tyre.

Kinemaja ’Lumbardhi’ është ndërtuar dhe e menaxhuar dikur nga shteti.

Ares Shporta nga fondacioni “Lumbardhi” ka përmendur se bëhet fjalë për një institucion kulturor të qytetit, i cili pas dy vjetësh i mbush 70 vjet të themelimit.

“Rijetësimi dhe funksionalizimi i objektit të ish-kinemasë ‘Lumbardhi’ duhet t’u përgjigjet nevojave të reja të identifikuara nga komuniteti, duke respektuar të kaluarën e saj”, ka thënë ai./ KultPlus.com

‘Peer Gynti nga Kosova’ shkon në Lumbardh

‘Peer Gynti nga Kosova’, me tekst të Jeton Neziraj e regji të Agon Myftarit të mërkurën më 11 tetor, me fillim nga ora 20:00, shfaqet në Kino Lumbardhi në Prizren, shkruan KultPlus.

Shfaqja sjellë një rrëfim për një ëndërr të dështuar. I udhëhequr nga një shpresë e thjeshtë për jetë më të mirë dhe për të gjetur lumturinë, Peeri i ri, para luftës në Kosovë, niset për të kërkuar të ardhmen në ‘parajsën’ e quajtur Evropë.

Ajo çka ndodhë me këtë të ri gjatë këtij udhëtimi reflekton eksperiencat e shumë desperadove të rinj të cilët çdo vjet, të mbushur me shpresë, lëshojnë atdheun e tyre. Shpesh, në atdheun e tyre të ri, të keqtrajtuar nga autoritetet, të izoluar dhe larg nga shtëpia, me mungesë perspektive dhe të mospërfshirë në shoqëri, atyre ëndrra u bëhet një makth i madh.

Në dëshirën e tyre për t’u pranuar ata shpesh bien viktima të shokëve të këqij, të cilët ua ofrojnë “sigurinë e munguar”. Peer, personazhi kryesor i kësaj drame, e gjen veten të respektuar në një grup shqiptarësh të cilët ia tregojnë atij shkathtësitë kriminale dhe i garantojnë siguri. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ai shpejt bie në burg. Gjatë kësaj periudhe në burg, gradualisht fillon procesi i radikalizimit. Religjioni i jep atij kurajë, kuptim në jetë dhe ia forcon vetëbesimin. Këtu drama merret me një problem aktual në shoqëritë tona – radikalizimin religjioz të të rinjve në burgje. Shumë nga këta të ashtuquajtur ‘luftëtarë të shenjtë’ nga Evropa, të cilët luftojnë në Siri, janë radikalizuar në burgje.
Por pavarësisht seriozitetit të temës, shfaqja asnjëherë nuk bëhet patetike apo didaktike. Në fund, publiku e lë shfaqjen jo vetëm i merakosur dhe kuptimplotë, por edhe i argëtuar në mënyrë perkfekte.

“Publiku në shfaqje e ndjenë që ky Peer Gynt modern jo vetëm se dëshiron të tregoj një rrëfim autentik, por edhe të tregoj një rrëfim të vërtetë, si shembull për krejt shpresat për liri, për lumturinë dhe prosperitetin në Evropën e tanishme. Dhe për dëshpërimin”, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Tristan Halilaj, Donikë Ahmeti, Shpetim Selmani, Ernest Malazogu. Ndërsa skenografia nga Nicola Minssen, kompozitor është Gabriele Marangoni, kostumet i ka bërë Yllka Brada e dramaturg Stefan Schletter.

Kjo shfaqje u mundësua me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Qendrës Multimedia dhe nuk pasqyron doemos pikëpamjet e USAID apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Kjo shfaqje është realizuar nga Qendra Multimedia, përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe realizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC./ KultPlus.com

Së shpejti koncerti vjetor i Orkestrës së Qytetit të Prizrenit

Orkestra e Qytetit të Prizrenit sjellë koncertin vjetorë, shkruan KultPlus.

Ky koncert vjen më 4 tetor në sallën e Kino Lumbardhit, për të gjithë qytetarët e artdashësit e muzikës klasike. Koncerti që mbahet të mërkurën nis me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com