Nesër hapet ‘Kino n’oborr’, ofron falas shfaqjen e filmave kosovarë

Nesër, në kopshtin e CNP-së do të bëhet hapja e ‘Kino n’oborr’, ku për një muaj radhazi do të shfaqen pa pagesë filma të ndryshëm kosovarë, shkruan KultPlus.

‘Luaneshat e Kodrës’ me regji të Luana Bajramit, është filmi i parë që do tu paraprijë filmave të tjerë, duke u shfaqur që nesër me fillim nga ora 20:00.

Në rolin kryesor të këtij filmi do të jenë aktorët nga Kosova, Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj dhe Andi Bajgora.

Filmi ‘Luaneshat e Kodrës’ ishte i pari nga Kosova që pati premierë në Festivalin e Kanës në kategorinë ‘Director’s Fortnight’. Brenda tij përfshihet historia e tre grave të reja të cilat vendosin të ikin nga jeta e tyre e përditshme dhe të krijojnë një bandë.

Ky projekt është realizuar nga CNP-ja në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës, përmes të cilëve do të organizohet shfaqja mujore e filmave kosovarë.

Kujtojmë se që prej nesër, me datë 13 korrik me fillim nga ora 20:00 do të hapet mundësia e shikimit falas të filmave kosovarë. / KultPlus.com