Kino Rinia u kthehet qytetarëve të Prishtinës

Kino Rinia, e ndërtuar në Prishtinë qysh në vitin 1956, ka qenë qendër e takimeve kulturore, ku janë mbajtur edhe mbrëmje letrare, teatrore e tubime sociale.

Kjo ndërtesë ikonike tashmë është nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës dhe së shpejti asaj do t’i kthehet funksioni i dikurshëm.

Kryekomunari i Prishtinës, Përparim Rama, ka falënderuar nënkryetaren Donjeta Sahatçiu dhe organizatën Shtatëmbëdhjetë, të cilat organizuan këtë aktivitet të veçantë, si dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për bashkëpunimin.

Vite më parë, Kino Rinisë, rrezikoi t’i ndërrohej destinacioni, por organizata të kulturës në bashkëpunim me institucionet arritën që ta mbanin larg transformimit të saj në objekt tregtar. Ndërtesa është e pozicionuar në zemër të qytetit, por prej më shumë se 20 vjetësh pothuaj e braktisur.

Objekti për katër dekada pati rolin e një prej hapësirave kryesore kulturore në kryeqytet duke bërë bashkë filmbërës e filmdashës, duke inspiruar gjenerata të tëra për filmin dhe përtej. Kino Rinia 1 dhe Kino Rinia 2, bashkë me kinemanë verore akomodoi qindra shikues në ditë, me shfaqje të filmave vendor, rajonal e botëror. Vlera e këtij objekti shkon përtej filmit, duke u cilësuar si “strehe” apo “arratisje nga përditshmëria”. Po ashtu edhe një pjesë shumë e rëndësishme e Kino Rinia është roli që pati në procese të ndryshme shoqërore. / atsh / KultPlus.com

Artisti Christian Nyampeta e rikthen për 100 ditë kinemanë e braktisur të Kino Rinisë

Prishtina është shndërruar në një fole të artit. Ngjarja më e madhe ndërkombëtare e artit bashkëkohor, “Manifesta 14 Prishtina” ka sjellë artistë nga gjithë bota të cilët kanë lënë gjurmët e tyre në pjesë të ndryshme të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Pothuajse në çdo kënd të kryeqytetit ju mund të takoheni me një ndërhyrje artistike që vjen nga Manifesta.

103 pjesëmarrës nga e gjithë bota po presin që puna e tyre të vizitohet e të pëlqehet nga publiku.

Sot, po ju prezantojmë me artistin, regjisorin dhe shkrimtarin Christian Nyampeta.

Në kinemanë e braktisur të Kino Rinisë, Christian Nyampeta prezanton për çdo orë shfaqje të filmit të tij Sometimes It Was Beautiful, si dhe fragmente nga puna e tij e ardhshme, Lovers in a Dangerous Spacetime. Pjesë e instalacionit janë poashtu karriget e falura nga shumë njerëz të ndryshëm nga Prishtina.

Kjo ndërhyrje, së bashku me pjesën tjetër të programit është e hapur çdo ditë, përveç të hënës, nga ora 10.00-20.00. / KultPlus.com

Nëshkruhet marrëveshje për intervenim artistik në objektin ‘Kino Rinia’

Sot drejtori në Drejtorinë e Kulturës, Adrian Berisha ka bërë të ditur se është nënshkruar një marrëveshje për një nga objektet më të rëndësishme kulturore, ‘Kino Rinia’, përcjellë KultPlus.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Edhe nje marreveshje te rendesishme e nenshkruam sot. Kesaj rradhe me Shtatëmbëdhjetë per njerin nga objektet me te rendesishme kulturore te qytetit tone, objektin e “KINO RINIA”.
“Kino Rinia” ka kohe qe po e pret shpetimin dhe pikerisht per nje hap tutje ne kete drejtim, sot kemi nenshkru marreveshje bashkepunimi per hulumtim e intervenim artistik ne kete objekt.
Ky objekt ku per me shume se gjysme shekulli ka qene vendtakim per filmdashesit, ka kohe qe ka mbet i braktisur e i pashfrytezuar, por tani bashke me Zyren Zvicerane per Bashkepunim (SDC) dhe Fondacionin Shtatembedhjete po synojme qe ta perdorim artin dhe kulturen si mjet i cili do te sherbejne per ringjalljen e objekteve te harruara.
Po ashtu po synojme te kete zgjerim te pjesemarrjes se komunitetit ne jeten publike duke zgjeru mundesite per artistet vizuale dhe interpretues.
Ta kthejme vemendjen tek objektet e braktisura dhe t’i shfrytezojme ne te mire te komunitetit. / KultPlus.com

Kino Rinia, Rilindja dhe Hotel Grand dikur objekte shënjuese të identitetit kulturor, tani fati i tyre i papërcaktuar

Era Berisha

Trashëgimia kulturore, historia e qytetit dhe aspekti arkitektonik mbi objektet e vjetra janë këto aspekte që u diskutuan në bisedën “Off the record: Objekte në harresë” në Kino Armata nga panelistët si: Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit Valon Tolaj dhe sociologia Linda Gusia, të cilët folën rreth kontributit dhe vlerat e objekteve që janë lënë të braktisura, të degraduara e të pashfrytëzuara si: Kino Rinia, Hotel Grand dhe Rilindja, që dikur ishin rol kyç në krijimin e ndjesisë së përkatësisë e që sot fati i tyre mbetet në duar të proceseve të ndryshme, fundi i së cilave nuk dihet, shkruan KultPlus.

Nën moderimin e kryeredaktores së K2.O, Besa Luci, e cila fillimisht foli rreth synimit që përmes artit dhe hulumtimeve kulturore të mobilizohen forcat në komunitet për shpëtimin e hapësirave të objekteve publike ku një numër i madh i tyre janë të braktisura apo të harruara dhe që njëkohësisht këto përpjekje të bashkohen në mënyrë që të inkurajohet angazhimi publik rreth qytetit e në veçanti rreth ndërtesave e objekteve që kanë potencial të vihen në shërbim të komunitetit e shpesh herë janë të rrezikuara apo i nënshtrohen procesit të privatizimit, nisi diskutimi rreth këtyre objekteve, deklaratave e premtimeve nga Qeveria për të transformuar procesin e privatizimit dhe vështirësive që ky proces sjell.

Është bërë e ditur se njëra ndër premtimet e Qeverisë ka qenë shuarja e Agjensionit Kosovar të Privatizimit ‘AKP’ dhe transformimit të procesit në përgjithësi ku në fakt një hap i tillë është ndërmarrë rishtazi me anë të shkarkimit të bordit të AKP-së dhe menaxhimi direkt i ndërmarrjeve shoqërore dhe pasurive të aseteve të tyre do të transferohen në fondin sovran që pritet të krijohet.

Duke pasur parasysh që 20 vitet e fundit është shpërfillur çështja se si ndërmarrjet e ndryshme shoqërore përveç funksionit apo potencialit ekonomik, shumica kanë edhe rol e funksion kulturor, ku me anë të tyre këto objekte u konsideruan edhe shënjues të identitetit të vendit tonë, kaluarës, kujtesës kolektive dhe të ardhmes tonë.

“E para është Rilindja, ku është cilësuar si mbretëreshë e ndërmarrjeve shoqërore dikur e kjo për shkak të rëndësisë që e ka pasur si forcë e dijës në gjuhën shqipe por edhe për kontributin që e ka vënë në luftën kundër analfabetizmit, përhapjen e pasurisë kulturore dhe lehtësimin e qasjes ndaj edukimit”, thotë Luci.

Sipas saj, Kino Rinia që dikur ishte kinemaja më e rëndësishme në qytet dhe që është cilësuar si interneti i gjeneratës së vitit 1970 për shkak të rëndësisë së saj që e shpërfaqte përmes filmave. Ndërsa, si objekt të tretë Luci përmendi Grand Hotelin, që është cilësuar si një objekt që mund ta përballojë çfarëdo tërmeti por që sot po i shkundet mbijetesa për shkak të privatizimit.

Qëllimi i bisedës së mbrëmshme ka marrë për bazë edhe mundësitë e humbura gjatë procesit të privatizimit dhe rëndësinë e mbrojtjes dhe kultivimit të kujtesës kolektive duke ruajtur funksionin kulturor të objekteve dhe ndërmarrjeve shoqërore në vrazhdën e premtimeve të transformimeve për procesin në përgjithësi. Andaj, rreth rëndësisë së ruajtjes të këtyre ndërtesave dhe rolit që ato kanë pasur dikur, pikërisht nga perspektiva e saj, ka folur sociologia Linda Gusia.

“Pikërisht fakti që jemi në Kino Armata, një hapësirë që është shpëtuar nga shkatërrimi, harresa e privatizimi duke u shndërruar në një hapësirë kulturore, tregon se si këto hapësira të përbashkëta janë qenësore për ndërtimin e shoqërisë tonë. Andaj, të gjitha organizatat e rezistencës janë një shpresë për shpëtimin e asaj se çfarë na ka mbetur”, thotë Gusia.

Ndërsa, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli rreth themelimit të fondit sovran dhe shpëtimin e hapësirave që kanë domethënie dhe potencial kulturor.

“Kërkesa ime për të gjithë që janë në angazhim është që së bashku të ndërtojmë një ‘case’ për ti bindur të tjerët në institucione që këto hapësira, disa prej të cilave do të trashëgohen nga AKP-ja në modelin e ri të organizimit, ia vlen për ti shndërruar në hapësira të shfrytëzuara nga komunitetet e ndryshme kulturore e të tjera”, thotë Çeku.

Sipas tij, ndonjëherë duhet të reduktohet vetëm qëndrueshmëria financiare sepse sektorët e tjerë mund të jenë konkurrentë në raport me pjesën kulturore por kjo duhet të vijë nga komuniteti në mënyrë që kultura të mos jetë barrë e buxhetit por të vijë në formën e industrisë dhe ekonomisë kulturore.

Po ashtu, drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj foli rreth ndjeshmërisë në lidhje me historinë dhe mënyrën se si janë trajtuar ndërmarrjet e ndryshme shoqërore, varësisht nga funksioni i tyre.

“Problemet janë të shumta por unë besoj që duhet të sqarojmë se objekti i Rilindjes dhe Kino Rinia nuk janë privatizuar. Kurse, Hoteli Grand si pasojë e dështimeve të ndryshme, fatkeqësisht është privatizuar sepse natyra e saj do të kishte një përfundim të njëjtë ku funksioni do të mbetej ajo e hotelit pa e ndërruar destinacionin dhe dizajni duhet të ishte në koordinim të plotë me Komunën”, thotë Tolaj.

Kjo bisedë ka ardhur në kuadër të serisë së bisedave “Off the record” që fondacioni Shtatëmbëdhjetë e ka filluar vitin e kaluar brenda projektit ‘Metamorphosis’. Po ashtu, ky aktivitet është organizuar me rastin e publikimit të artikullit multimedial ‘Fantazmat e privatizimit’ nga K2.0 brenda projektit “Citizens Engage”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar në bashkëpunim me Institutin GAP. / KultPlus.com