Prishtinë, 19 qershor – “Kino Armata” në kryeqytet ka nisur që të sjellë nëpërmjet ekranit rrëfime të cilat lidhen me transicionin e shoqërisë kosovare gjatë viteve të fundit. Për një javë rresht, në kuadër të “Javës së filmit” në këtë hapësirë, do të shpalosë kinematografinë kosovare të pasluftës.
Filmat të cilët do të shfaqen çdo natë deri më 23 qershor, përveç filmit “A Normal Life” i vitit 2003, janë mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK). “Java e filmit” u hap të hënën mbrëma me filmin “Ajo” të More Raçës për të vazhduar me filmin “Martesa” të Blerta Zeqirit. “Ajo” sjell historinë e një vajze të guximshme, e cila e shpëton veten dhe nënën e saj nga dhuna në familje. Pas këtij filmi, “Martesa” solli një dramë të fuqishme për lidhjet LGBT. Bekimi dhe Anita janë duke u martuar. Anita nuk është në dijeni që Bekimi është akoma në dashuri me shokun e tij më të mirë, Nolin. Pëcjellë Koha.net
Pas shfaqjes së filmave, shikuesit të cilët ishin në numër të madh patën mundësi që të bisedonin me ekipin realizues të filmit.
Regjisorja More Raça dhe producenti i filmit “Martesa”, Kreshnik Berisha, kanë biseduar për filmat dhe për kinematografinë kosovare.
Regjisorja More Raça e ka konsideruar të rëndësishme fillimin e kësaj jave të filmit dhe sidomos prezantimin e filmave të shkurtër.
Dita e dytë e “Javës…” ka sjellë filmin “Një muaj” nga Zgjim Terziqi dhe “Daullet e rezistencës” nga Methieu Jouffre. Të mërkurën vijnë regjisorja Lendita Zeqiri me filmin “Gardhi” dhe Ilir Hasanaj me filmin e tij ”Me dasht‘ me dasht‘ me dasht’”. Të enjten vjen “Tisa” nga Valter Lucaj dhe “Përtej rrugës” nga Yll Çitaku. E premtja u takon dokumentarit “Ferdonija” nga Gazmend Bajri dhe filmit “Histori maje kulmi” nga Gazmend Nela. Të shtunën do të shfaqet filmi “Shok” nga Jamie Donoghoue, që më 2016 ia solli Kosovës nominimin historik për çmimin prestigjioz “Oscar”. Po këtë ditë shfaqet edhe “A Normal Life” i regjisores Elizabeth Chai Vasarhelyi, e cila sivjet me “Free Solo” bashkë me Jimmy Chin mori çmimin “Oscar” për dokumentarin më të mirë. Java e filmit përmbyllet të dielën më filmin “Kanarinët e dinë” nga Kaltrina Krasniqi dhe “Babai” nën regji të Visar Morinës. Kjo javë organizohet në kuadër të aktiviteteve për shënimin 20-vjetorit të çlirimit të Prishtinës.KultPlus.com