Aktorja dy herë fituese e çmimit Emmy, e cila u bë e famshme në rolin e saj në serialin televiziv hit ‘Cheers’ Kirstie Alley ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare.
Vdekja e saj u konfirmua përmes një deklarate të lëshuar nga fëmijët e saj e cila u publikua në llogarinë e saj zyrtare në Twitter.
“Për të gjithë miqtë tanë, në mbarë botën… jemi të pikëlluar t’ju informojmë se nëna jonë e mrekullueshme dhe e dashur ka ndërruar jetë pas betejës me kancerin, e cila u zbulua së fundmi”, thuhet në deklaratën e True dhe Lillie Parker.
” Sa ikonike që ishte në ekran, ajo ishte një nënë dhe gjyshe edhe më e mahnitshme.”- përfundon deklarata.
Roli që e bëri atë të njohur ishte në serialin e NBC ‘Cheers’, në të cilin ajo luajti nga viti 1987 deri në 1993, dhe për të cilin mori një çmim Emmy dhe një Golden Globe në 1991.
Ajo fitoi një tjetër çmim Emmy në 1994 për filmin televiziv ‘David’s Mother’.
Alley gjithashtu u shfaq në shumë filma gjatë viteve 1980 dhe 1990, duke përfshirë ‘Look Who’s Talking’, ‘It Takes Two’, ‘Deconstructing Henry’ dhe ‘Drop Dead Gorgeous’./KultPlus.com