Nis restaurimi për kishën e Shën Mëhillit, monument kulture i kategorisë së parë

Në kishën e Shën Mëhillit që gjendet në pjesën e sipërme të fshatit Vuno, ka nisur projekti restaurues që synon rikthimin e kishës në një gjendje funksionale si dhe mbrojtjen e vlerave të saj historike dhe arkitektonike.

Kisha është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 2015.

E ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqereje, ajo i përket tipit të kishave me një nef, me apsidë të rrumbullakët dhe afreske të vitit 1783. Deri më tani nuk kishte pasur ndërhyrje restauruese.

Pikat kryesore të projektit restaurues: çati e re me tjegulla vendi; restaurim dhe konsolidim strukturor i muraturave prej guri; pastrim dhe fugatim i murit; restaurim i kornizave dhe dyshemesë me gurë; ringritje e kambanares dhe ndërtim trotuari me kalldrëm; F.V. dyer dhe dritare druri.

Kisha e Shën e Premtes në Përmet, dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë kulturore dhe arkitektonike

Kisha e Shën e Premtes (ndërtuar më 1776) është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së parë në vitin 1963 dhe ndodhet në Zonën e Mbrojtur të Qendrës Historike të qytetit të Përmetit.

Kisha është e tipit bazilikë me përmasa 22 metra e gjatë, 16 metra e gjerë dhe 8 metra e lartë.

Mbishkrimi i gdhendur mbi një pllakë guri, tregon për ndërtimin e kishës më 1776, nga kryemjeshtri Ilia Kristo.

Afresku me skena nga shkrimet e shenjta është realizuar më 1808 nga piktori Terpo Zografi. Ikonostasi dhe gdhendjet në dru, janë punuar artistikisht nën drejtimin e Dhimitrit, mjeshtrit shqiptar nga Konica.

Në vitin 1964, Kisha e Shën e Premtes është përmbytur prej përroit që kalon aty pranë. Uji i përzier me baltë shpërtheu derën jug-perëndimore të narteksit dhe mbushi naosin deri në lartësinë 3 metra, duke shkaktuar dëme të mëdha në pikturën murale të kishës.

Punimet për kullimin e ujërave filluan në vitin 1967. Më pas u restaurua narteksi dhe naosi. Gjithashtu muralet e kishës janë restauruar edhe në vitet 1981-1982./atsh/ KultPlus.com

Kori Siparantum sonte me koncert në Kishën Katolike ‘Shën Ndou’

Kori Siparantum  sonte do të performojë në Kishën Katolike “Shën Ndou” me një koncert të veçantë për publikun.

Pas një sezoni të suksesshëm me performanca në Belgjikë, Suedi, Austri, Poloni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kori Siparantum rikthehet në vendlindje për të prezantuar punën dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm.

Ky koncert do të ofrojë një program të larmishëm muzikor, duke përfshirë vepra nga kompozitorë të njohur kosovarë dhe ndërkombëtarë, që nga periudha e Rilindjes deri tek muzika bashkëkohore.

Bashkohuni në këtë festë të vërtetë të artit vokal, duke sjellë së bashku traditën dhe  një mbrëmje magjepsëse muzikore.

Kisha e Shën Anës, monument kulture i kategorisë së parë

Kisha e “Shën Anës” (Panajotopulla) mbi fshatin Dervician daton në shek.XVI dhe është monument kulture i kategorisë së parë, por që njihet pak nga vizitorët.

Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore Gjirokastër solli të dhëna për këtë monument kulture.

Kisha e Shën Anës është ndërtuar në një pllajë të lartë mbi fshatin Dervician, në një territor të mbushur me rrënoja të   një vendbanimi të hershëm. Kisha është e vogël me përmasa të brendshme 4,5m x 2,9 m, por me interes për sa i përket ndërtimit të saj struktural. Eshtë në formë salle e mbuluar me qemer cilindrik.

Në muret gjatësore dalin pilastra,të cilat lidhen me harqe në të dy drejtimet. Harqet tërthore shërbejnë si brinjë rigjiditeti (qëndrueshmërie) të qemerit ndërsa ato gjatësore shërbejnë si mbështetje të këtij qemeri,duke krijuar nike në muret veriore dhe jugore.

Ambienti i altarit ndahet me një ikonostas prej muri, i cili ka dy hyrje dhe dy vende  ikonash të mëdha.Apsida e bemes del jashtë në formë rrethore. Ndriçimi është shumë i paktë dhe vjen nga dritare të vogla të hapura mbi portën perëndimore dhe në apside.

Pjerrësia e terrenit mbi të cilin ngrihet kisha ka lehtësuar ndërtimin e një qimitri gjysëm të futur në shkëmb. Ai ka forme katrore me një kollonë në mes ,e cila lidhet  me muret perimetrale me harqe, duke krijuar katër bërthama katrore,dy prej të cilave mbulohen me kupola ,ndërsa dy të tjera me qemer cilindrik.

Muratura është ndërtuar me gurë shtresorë, me vendosje të rregullt të tyre. Kisha është e zhveshur nga çdo përpunim dekorativ. Të vetmet elemente dekorative jane nikja mbi portë dhe dritarja dyfishe mbi të e mbuluara me harqe tulle.

Kisha e Shën Anës, monument kulture i kategorisë së

Papa sugjeron se Kisha Katolike mund të bekojë çiftet e gjinive të njëjta

Papa Françesku ka sugjeruar se do të ishte i hapur që Kisha Katolike të bekonte çiftet e të njëjtës gjini.

Duke iu përgjigjur një grupi kardinalësh që i kërkuan atij qartësi për këtë çështje, ai tha se çdo kërkesë për bekim duhet të trajtohet me “bamirësi baritore”.

“Ne nuk mund të jemi gjyqtarë që vetëm mohojnë, refuzojnë dhe përjashtojnë,” tha ai.

Kërkesa ishte një nga numri i dërguar Papës përpara një mbledhjeje globale njëjavore për të diskutuar të ardhmen e Kishës që do të fillojë në Vatikan të mërkurën.

Në Kishën Katolike, një bekim është një lutje ose përgjërim, që zakonisht bëhet nga një shërbëtor, duke i kërkuar që Perëndia të shikojë mirë personin ose njerëzit që bekohen.

Peshkopët në një numër vendesh, duke përfshirë Belgjikën dhe Gjermaninë, kanë filluar të lejojnë priftërinjtë të bekojnë çiftet e të njëjtit seks, por pozicioni i autoriteteve të Kishës mbeti i paqartë.

Në vitin 2021, pas një kërkese të ngjashme për sqarim, zyra doktrinale e Vatikanit vendosi kundër lejimit të praktikës.

Duke iu përgjigjur kërkesës së fundit, Papa tha se Kisha e kupton martesën si një “bashkim ekskluziv, të qëndrueshëm dhe të pazgjidhshëm midis një burri dhe një gruaje” dhe duhet të shmangë “çdo lloj riti apo sakramenti që mund të kundërshtojë këtë bindje”.

Por ai shtoi se “kur kërkohet një bekim, është shprehja e një lutjeje ndaj Zotit për ndihmë, një lutje për të jetuar më mirë”./KultPlus.com

Kisha Shqiptare ‘Shën Kozmai’ mallkon kishen serbe dhe jep disa vendime kanunore kishtare

Kisha Shqiptare “Shën Kozmai”, ka bërë të ditur që kjo kishë ka vendosur Vendim Kanunor Kishtar ndaj kishës serbe.

Përmes një njoftimi në facebook është bërë e ditur se “Shën Kozmai” mallkon kishen serbe.

Sipas tyre, ky vendim parasheh edhe mosnjohjen e asnjë dokumenti që lëshohet nga kisha serbe.

Postimi i plotë:

Vendim Kanunor Kishtar!

Me vendim të Këshillit të Kishës Ortodokse Kombëtare Shqiptare dhe me bekimin e kreut të Kishës sonë, zotit at Nikolla Xhufka, është vendosur:

1- Kisha jonë mallkon kishen serbe dhe kreun e saj, Patriarkun Profire.

2- Ndarja kanunore me çdo kishë serbe në Serbi ose në mbarë botën.

3- Shpalljen heretik të çdo kleriku serb.

4- Mosnjohjen e kishës serbe si kishë paqësore të krishterë.

5- Mosnjohjen e asnjë dokumenti që lëshohet nga kisha serbe (certifikata pagëzimi, kurorëzimi etj.)

6- Ndalimin e hyrjes se çdo prifti serb në kishën shqiptare.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë./KultPlus.com

Komuniteti dhe shteti bëhen bashkë për të shpëtuar kishën e fshatit Niçë

Rikthim sërish tek kisha e “Shën Marisë”, pasuri kulturore shumë e rëndësishme në zonë dhe në qarkun e Korçës. Me këto fjalë, kreu i DRTK Korçë, Gjergji Koki, ka njoftuar nisjen e restaurimit të kishës së fshatit Niçë.

Ndërhyrja e shpëtimit të kishës së “Shën Marisë”, është bërë e mundur falë ndihmës financiare të familjeve me origjinë nga kjo zonë dhe Shoqatës Kulturore Nica Vllahe.

Kjo ndërhyrje shpëtimi konsiston në restaurimin e këmbanares dhe çatisë të nartekstit, të cilat rrezikonin shembjen.

Ekipi i DRTK Korçë po qëndron prej ditësh në një terren të vështirë dhe jo lehtësisht të aksesueshëm, për të realizuar këtë ndërhyrje të rëndësishme.

Një falënderim për kontributin financiar të komunitetit, punën e palodhur të ekipit të DRTK Korçë si dhe mbështetjen e Bashkisë Pogradec për këtë nismë shpëtimi, ka bërë edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja shkruan “kënaqësi kur komuniteti dhe shteti bëhen bashkë për të shpëtuar trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore. Trashëgimia është e të gjithëve”.

Kisha e “Shën Marisë” në Niçë është një objekt kulti i rrallë, i ndërtuar në vitin 1749 mbi gurthemelin shekullor të një kishe të hershme. /atsh / KultPlus.com

Pas 23 vitesh, në mes të Prishtinës, mbahet liturgji në Kishën brenda oborrit të UP-së

Peshkopi Teodosije i Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji në Kishën e braktisur në oborrin e UP-së për herë të parë prej vitit 1998.

Për festën që mbahet në ditën e 40 pas krishtlindjeve ortodokste që njihet si “Dita e Ngritjes së Krishtit”, Dioçeza e Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji së bashku me besimtarë dhe peshkopë të tjerë, shkruan KosovoOnline.

“Për herë të parë që nga viti 1998, një liturgji është mbajtur në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në qendër të Prishtinës. Liturgjia e shenjtë është shërbyer nga Peshkopi Teodosije me priftërinj dhe besimtarë në kishën e pambaruar, për nder të ditës së ngritjes”, thuhet në deklaratën e Dioçezës.

Në këtë liturgji ka marrë pjesë edhe deputeti i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq. / KultPlus.com

Një mesazh 165-vjeçar gjendet në murin e një kishe

“Në këtë kishëz në restaurim punoi Godard”, këto fjalë të shkruara nga një suvatues, në 1856, u zbuluan javën e kaluar në kantierin e qytetit Dijon, në lindje të Francës.

Nga një restaurim në tjetrin, ishte një murator që zbuloi dorëshkrimin, një shekull e gjysmë më vonë, duke zhvendosur një gur në një mur të kishës Sainte-Croix-de-Jerusalem, e ndërtuar në shekullin e XV në kryeqytetin në Bourgogne.

“Isha në proces të bëja një kanal në mur për të kaluar linjat elektrike nëpër të. Në një vrimë të vjetër të skelave, pashë një gur të lëvizte dhe prapa gjeta letrën të palosur”, tregon Victorien Coille.

Një dorëshkrim i ruajtur në mënyrë të përsosur sipas imazheve të publikuara nga e përditshmja rajonale “Le Bien Public” e cila publikoi këtë zbulim.

Një vendas nga Moloy, në veri të Dijon, tregon se Nicolas Godard ishte fillimisht një marinar, i cili ishte përjashtuar nga fregata me avull “Orénoque” pasi kishte bërë fushatën e Krimesë në moshën 18 vjeç.

Ky konflikt do të përballte Perandorinë Ruse, nga 1853 deri në 1856, me një koalicion të formuar nga Perandoria Osmane, Franca, Britania e Madhe dhe Mbretëria e Sardenjës.

“Kush vendos një ndalesë në tërbimin e valëve, di gjithashtu të ndalojë komplotet e liga”, shton Godard, një citim nga një shfaqje e Jean Racine, Athalie. Më pas vijnë emrat e  punëtorëve të tjerë që ndoshta kanë punuar në këtë kishë.

Pastaj një datë, 10 gusht 1856, në pjesën e pasme të fletës, adresa e një dyqani dhe kjo përmendje e fundit: “në kohën kur shkruhen këto letra, mjerimi më i madh ekziston në Dijon”.

“Si të shpjegojmë praninë e kësaj fjale? “Në esnafët e vjetër të zanateve, gjithmonë ka pasur një dëshirë për të lënë një gjurmë, ashtu si dhe gurëgdhendësit që nënshkruan punimet e tyre”, shpjegon Bassir Amiri, këshilltar komunal përgjegjës për Arkivat dhe Trashëgiminë Kulturore./ atsh/ KultPlus.com

Nis puna për restaurimin e kishës së Shën Ilias, objekt kulti 400 vjeçar

Në fshatin Stegopull, Gjirokastër ka nisur puna për restaurimin e Kishës së Shën Ilias.

Kisha e Shën Ilias është rreth 400 vjeçare e ndërtuar në shek. XVII dhe konsiderohet si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore në vendin tonë.

Lajmin për fillimin e punimeve në këtë objekt kulti e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti ku thekson se punimet restauruese në këtë kishë erdhën si pasojë e kërkesave të vazhdueshme të komunitetit të zonës.

“Pas kërkesave të vazhdueshme të komunitetit të zonës, ka nisur puna për restaurimin e Kishës së Shën Ilias, në fshatin Stegopull, Gjirokastër. Një monument i shek. XVII, i cili i ka rezistuar kohërave e zografisur nga dora e Kostandinit”, shprehet Margariti.

Puna restauruese në këtë objekt bën të ditur ministrja konsiston në stabilizimin e strukturës së muraturave si dhe në ndërhyrje konsoliduese – restauruese në pikturën murale të interierit.

“Projekti i hartuar nga specialistët e Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe financuar nga buxheti i shtetit, parashikon rishikimin e gjendjes dhe strukturës së çatisë së hajatit në anën perëndimore, pastrimin e territorit përreth, stabilizimin e strukturës së muraturave si dhe ndërhyrje konsoliduese – restauruese në pikturën murale të interierit”, bën të ditur Margariti.

Ky projekt i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore do financohet nga fondet e buxhetit të shtetit me një vlerë prej 8 milionë lekësh të reja.

Kisha e manastirit të Shën Ilias është e vetmja e mbijetuar mes 13 kishave të fshatit Stegopull në Gjirokastër. Kisha e një stili të rrallë arkitekturor mendohet se është një ndër më të vjetrat në rajon dhe ka njohur disa faza rindërtuese përgjatë shekujve. /a.a/ KultPlus.com

Në Izrael gjenden mbetjet e një kishe 1300 vjeçare

Arkeologët izraelitë kanë zbuluar mbetjet e një kishe 1.300-vjeçare në Izraelin Verior, njoftoi Autoriteti i Antikiteteve në Izrael.

Kisha u zbulua gjatë një gërmimi në Kfar Kama, në Galilenë e Poshtme, përpara ndërtimit të një sheshi lojërash.

Sipas arkeologut Nurit Feig, kisha ka përmasat 12×36 metra dhe përfshin një oborr të madh, një korridor dhe një sallë qendrore.

Kfar Kama ndodhet afër malit Tabor, i cili është identifikuar si vendi i Shndërrimit të Jezusit, siç thuhet në Testamentin e Ri./atsh /KultPlus.com

Kthim në identitet për kishën e Shën Mërisë Hyjëlindëse në Manastirin e Zvërnecit

Procesi i restaurimit të kishës së Shën Mërisë Hyjëlindëse në Manastirin e Zvërnecit, monument kulture i kategorisë së parë, pritet të përfundojë  së shpejti, ndërsa pritet të fillojnë dhe ndërhyrjet restauruese në fjetoren e ndodhur brenda këtij manastiri.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë, Orgest Feimi, tha sot për ATSH-në se “projekti është hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me DRKK Vlorë, investimi po kryhet nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë”.

Këto ndërhyrje restauruese,  nën mbikëqyrjen e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë, po kthejnë në identitet një nga monumentet më atraktivë dhe të rëndësishëm, të besimit të krishterë në jug të Shqipërisë.

“Projekti konsiston në ndërhyrje restauruese për riparimin e plotë të çatisë, problematikë e madhe dhe konstruktive paraqiteshin në katër prej kolonave që përbëjnë harkadat e kishës në pjesën e Ikonostasit”, – theksoi Feimi.

Ai bëri të ditur se është bërë restaurimi ose konsolidimi i dyshemesë së kishës në ato pjesë ku ka pasur probleme, fugatimi i të gjithë pjesës perimetrale të kishës duke përfshirë kupolën, muret dhe të gjitha muret e brendshme.

“Po ashtu është bërë sistemimi i rrjetit nëntokësor të ujërave të kishës. Më pas do të vendosen dyert, dritaret, lyerja e pjesëve të brendshme të kishës dhe restaurimi i plotë i këmbanores”, – tha Feimi.

Sipas tij, shumë shpejt pasi të miratohet edhe projekti do të nisë restaurimi i fjetores, që është pjesë integrale e manastirit të Zvërnecit.

Kisha e Shën Mërisë Hyjëlindëse në Manastirin e Zvërnecit daton në shek. XIII-XIV, duke u bazuar në trajtimin e fasadave në arkada, si dhe ngjashmërisë me kishën e Shën Kollit në Kurjan të Fierit. Në një mbishkrimin në gur te porta kryesore e hajatit jepet edhe viti 1884. Ky vit ka të bëjë me ndërtimin e hajatit, eksonarteksit dhe kambanores. / Atsh / KultPlus.com

Restaurohen porta dhe afresket e rralla në kishën e “Shën Triadhës”

Pas gjendjes së jashtëzakonshme, nga COVID-19 që ka prekur edhe vendin tonë, dyert e Kishës së “Shën Triadhës” në Berat do të hapen sërish, për të gjetur paqe apo për të shijuar afresket e rrallë që gjenden aty.

Specialistët dhe eskpertët e fushës kanë restauruar portën dhe afresket.

Mnistrja e Kulturës, Elva Margariti se shpehet se “Shën Triadha” është një nga kishat më të bukura, në Berat, e cila daton prej shek. XIII. Ajo do të hapet sërish, për të gjetur paqe mes shenjtorësh apo për të shijuar afresket, që specialistët e Drejtorisë Rajonale të Teatrit dhe Kulturës, Berat, të cilët me durim po i nxjerrin në dritë”.

“Duke ju uruar një ditë të mbarë, po ndaj me ju disa nga momentet e restaurimit të dyerve dhe afreskeve, të një prej kishave më të bukura në Berat, e cila daton prej shek. XIII. Pas kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, dyert e Kishës së “Shën Triadhës” do të hapen sërish, për të gjetur paqe mes shenjtorësh apo për të shijuar afresket, që specialistët e DRTK, Berat, me durim po i nxjerrin në dritë”, shprehet Margariti. /Atsh /KultPlus.com

Dy shqiptarët restaurojnë falas kishën italiane

Ata nuk janë të krishterë por kur panë kishën e San Rocco në Pratola Pelignaro ku njerëzit nuk kishin kushte për të qëndruar, nuk qëndruan indiferentë.

Zoti është vetëm një dhe është kënaqësi të shikosh shtëpinë e tij më të bukur. Një gjest i vëllazërisë dhe solidaritetit nga dy ndërtues me origjinë në Shqipëria por për shumë vjet banor në pratola peligna.

Nga e premtja në mëngjes Luan Hallulli dhe arbert muça shkojnë në punë për të ristrukturuar pjesën e të brendshme të kishës së San Rocco dhe këtë e bëjnë falas.

Mediat italiane i kanë kushtuar një shkrim dy emigrantëve shqiptarë.Luani dhe Alberti, javën e kaluar po kryenin punime në një shtëpi të zonës, duke përfituar nga pushimi i drekës hynë në kishë dhe u habitën nga gjendja e saj.

“Gjithçka ishte e shkatërruar “, thotë Luani,” plot me vrima në mure dhe rrënoja në çdo cep.
I thashë Albertit: bëjmë diçka dhe shkuam te furnizuesit tonë për të blerë produktet. Zonja që kujdeset për kishën e lumtur na tha: Zoti ju bekoftë, askush nuk e kishte bërë ndonjëherë diçka të tillë për kishën “.

Ai Luani ashtu dhe Alberti nuk e fshehur besimin e tyre musliman. Ata thonë se “megjithatë ne jemi fëmijë të zotit nuk ka asgjë për të qenë katolik, ortodoks apo musliman, ne besojmë vetëm në një zot dhe ai është ai që na drejton në atë që bëjmë “. Kujdestarja e kishës së San Rocco, Liliana cavalieri, ishte shumë e impresionuar nga gjesti i dy shqiptarëve. Top Chanel/ KultPlus.com

Vithkuq, punohet për restaurimin e çatisë së kishës së Shën Gjergjit

Në kishën e Shën Gjergjit, Vithkuq vazhdojnë punimet e fazës së parë. Restaurimi i çatisë do të shmangë rrezikun e lagështirës dhe e sjell objektin më qartë në tipologjinë e tij.

Mbas përfundimit të punimeve në çati, do të ndërhyhet në tavanin e kishës dhe pikturën murale, bën me dije DRKK Korçë.

Vithkuqi ka 24 kisha. Ai zë vend të veçantë në Shqipëri, jo vetëm për numrin e tyre, por për arkitekturën dhe zbukurimin.

Në Vithkuq, të vjetra dhe me famë janë edhe kisha e Kryeëngjëjve, Shën Mërisë, Shën Spiridonit, Shën Kozmait, Shën Gjergjit, e shumë të tjera, kisha, që më së shumti kanë përhapur kulturë dhe dije, sesa predikime e ide fetare. /KultPlus.com

Profesori i studimeve islame bën thirrje të ndërtohen fabrika e laboratorë e jo xhamia e kisha

Njëri prej profesorëve në Fakultetin e Studimeve Islame, Xhabir Hamiti ka bërë thirrje të ndalohet ndërtimi i faltoreve të panevojshme nëpër vende të ndryshme të Kosovës.

Kërkesa e tij është drejtuar kah organizatat humanitare ndërkombëtare që po bëjnë ndërtime të xhamive e kishave në tërë Kosovën.

“A bënë t’i lusim “humanitarët” e vendeve islame, por edhe të krishtera të ndalojnë që edhe më tutje të bëjnë garime në ndërtimin e faltoreve në mesin tonë”, ka kërkuar Hamiti, përmes një statusi në fb.

Ky profesor që ligjëron parimet fetare islame ka bërë thirrje të investohet në shkencë e hulumtime për të rritur mirëqenien e qytetarëve.

“Trojet tona dhe kombi ynë sot, krahas faltoreve të domosdoshme për besimtarët, është më se i nevojshëm për hapjen e ndonjë laboratori shkencor, instituti të hulumtimit apo fabrika prodhimi të cilat do të ndihmonin në përmirësimin e mirëqenies sociale për qytetarët tanë”, ka shtuar ai.

Hamiti ka cituar një fjalë shqipe dhe një arabe për të përshkruar krizën e besimit që vjen si pasojë e kushteve të këqija ekonomike, shkruan Gazeta Express.

Prandaj, ai ka thënë se s’ka nevojë të ketë dy e tri faltore në një fshat a lagje për besimtarët që s’i mbushin as ditëve të festave.

“Varfëria dhe mungesa e përspektivës zbehë dhe vë në rrezik edhe lidhjen e besimit me Zotin. Fjala e urtë arabe thotë: “ Varfëria pothuajse të shpie në mos besim”. Ndërsa ne shqiptarët themi: “Varfëria të qonë në derë armikut”. Faltoret na duhen si të domosdoshme, por jo edhe nga dy brenda dy lagjeve të një fshati, e të cilat nuk mbushen asnjëherë me besimtarë, qoftë edhe në ditët e shënuara festive./ KultPlus.com

“Kisha e Shën Mërisë”, monument kulture

Kisha e Shën Mërisë ndodhet në liqenin e Prespës në ishullin e Maligradit. Kisha e Shën Mërisë e shekullit XIV është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore.
Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte si tjegulla, kollona e kapitele që i përkasin sipas arkeologëve një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qënë në pjesën e sipërme të liqenit.
Sipër këtij ishulli ndodhen edhe rrënojat e vilës verore të Car Simeonit të shekullit XI. Kisha e shën Mërisë është një themelim i vjetër dhe ka shërbyer si qëndër shpirtërore për prijësat shqiptarë.
Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.

Qeveria shqiptare shkakton ‘përplasje’ mes Katolikëve dhe Ortodoksëve

Kisha Ortodokse Shqiptare nuk i ka kursyer kritikat e saj pas një ceremonie të zhvilluar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në Kishën e Labovës së Kryqit.

Sipas ortodoksëve, 3 priftërinj katolikë nga Italia, së bashku me një grup turistësh italianë shihen të kryenin “meshën e parë” në Kishën Orthodhokse të Labovës së Kryqit, një monument i famshëm bizantin.

Në këtë ngjarje ishte e pranishme drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës Arta Dollani dhe persona të tjerë, ndërkohë që ende vazhdojnë të kryhen punime plotësuese për restaurimin e këtij monumenti.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë thotë se, nuk pati asnjë dijeni rreth kësaj ngjarjeje.

“Protestojmë për këtë shkelje të re të ligjit që thotë se “shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja e interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”.

Kisha Ortodokse thotë se, është një fakt i pranuar ndërkombëtarisht se shteti nuk ka kompetencë të japë lejë në mënyrë arbitrare tek Kisha apo Fe të tjera, që të përdorin një objekt ortodoks kulti.
“Iniciativa të tilla të papërgjegjshme janë shkelje e hapur e lirisë fetare dhe cenojnë bashkëjetesën paqësore të komuniteteve fetare në Shqipëri” – thuhet në deklaratën e KOASH.

“Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nuk do të reshtë kurrë së theksuari të drejtat e saj, siç ato përcaktohen qartë nga ligji që thotë se “shteti do t’i kthejë dhe kompensojë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të gjitha pronat, me përparësi objektet e kultit tashmë të njohura nga të gjithë, të cilat kanë qenë për shekuj qendra shpirtërore dhe kulturore të komunitetit ortodoks dhe përbëjnë historinë e këtij komuniteti, si objektet e kultit, manastiret e shenjtë, pasuritë, arkivat e saj, të konfiskuara nga regjimi komunist, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në deklaratë./ KultPlus.com

Rikonstruksioni i kishës në Labovën e Kryqit “Lindja e Shën Marisë”, nxjerr në pah skena të reja ikonografike

Pas dy javëve rikonstruksion, specialistët e artit punuan në kishën “Lindja e Shën Marisë” në Labovën e Kryqit, Gjirokastër, ku kryen punime konservuese – restauruese në pikturën murale.

Punimet konsistuan kryesisht në çlirimin e sipërfaqes së pikturës nga mbivëniet e ndryshme (bojë, gëlqere, llaç) dhe u përqendruan në pilastrat në anën perëndimore të bërthamës së vjetër të kishës, si dhe në harkun sipër kolonave në hyrje të naosit.

Gjithashtu, si rezultat i punimeve të kryera, dolën në pah disa skena ikonografike të fshehura prej kohësh poshtë shtresave të mbivendosura, të cilat janë objekt i studimeve të mëtejshme./ KultPlus.com

Kur festonim “Zojën Rruzare” të Trieshit

Lufta e Lepantos solli një prej fitoreve më të mëdha në historinë e Evropës. Flota detare e Venedikut dhe Spanjës e kishin dërmuar keq flotën detare otomane të luftës. Ky triumf i madh evropian u njoftua më 7 tetor të vitit 1571. Evropa kishte lutur natë e ditë Zojën e Bekuar për këtë fitore.

Ishte lutur Zojës në qiell për shpëtimin e këtij kontinenti nga pushtimi barbar i hordhive turko-otomane. Lutjet e tyre kishin kontribuar shumë për shpëtimin e qytetërimit të këtij kontinenti. Kisha Katolike e kishte shpallur ditë fetare të veçantë 7 tetorin dhe qysh atëherë e sot kjo ditë festohet me ceremoni e meshë kudo në botën katolike.

Kjo ditë në kalendarin e Kishës është pagëzuar me emërin “Zoja Rruzare”. Mijëra famulli nëpër botë u pagëzuan me këtë emër të dashur. Kështu ishte emëruar edhe kisha e vendlindjes sime, shkruan Gjekë Gjonlekaj, ish gazetar i “Zërit të Amerikës”, aktualisht botues në New York.

“Zoja Rruzare” e Trieshit festohej gjithmonë te dielën e parë të Tetorit në mënyrë madhështore me miq e bija, me nipa dhe mesa. Banorët autokton të Trieshit e kishin festuar këtë ditë për shekuj të tërë. Ajo pjesë e Trieshit që kishte prejardhjen prej Ba Keqit festonte Ditën e Sh’Njonit më 29 gusht, ashtu siç festonte dhe Hoti, pasi që këta kishin qenë një vëllazëri. Lutja e ndarë e kësaj feste kishte krijuar situata të papërshtatshme për Trieshin.

Por paria e vëndit kishte kërkuar nga autoritetet e larta fetare që krejt Trieshi ta festonte Zojën Rruzare të dielën e parë të tetorit. Ata që kishin festuar Sh’Njonin kishin hequr dorë nga festa e tyre më 29 gusht. Edhe pasardhësit e Ba Keqit kishin pranuar si festë të tyre Zojën Rruzare. Kjo marrëveshje kishte qenë akti më simbolik i bashkimit të Trieshit. Kjo vepër e madhe u realizua në gjysmën e dytë të shekulit XIX, siç duket me rastin e 300-vjetorit të fitores së Lepantos. Kuvendi dhe Paria e Trieshit kishin arritur dy marrëveshje historike. Marrëveshja e parë që krejt Trieshi të festonte Zojën Rruzare dhe Marrëveshja e Dytë që kjo ditë të festohej gjithmonë të dielën e parë të tetorit.

Ky vendim nuk u shkel asnjëherë për pothuajse një shekull e gjysmë. Këtë vendim të lartë njerëzor e kishin arritur burrat më të përmendur të Trieshit të cilët kanë lëne gjurmë në historinë e atyre trojeve. Këtë vendim e kishin pëlqyer edhe autoritet e larta fetare të asaj kohe. Ky vendim nuk është lëkundur asnjëherë deri sot. Diaspora e Trieshit në Amerikë e feston Zojën Rruzare më mirë se asnjë krahinë tjetër për faktin se është në fund të javës (during the weekend).
Edhe amerikanët shumicën e festave kombëtare I kremtojnë në fund të javës ku përfshihet edhe dita e hënë. Ato festa që kremtohen gjatë ditëve të punës këtu në Amerikë janë në shuarje e sipër sepse ndërhynë për ata që përgatiten për festë dhe për ata që shkojnë për të festuar. Vendimi i Trieshit në atë kohë kishte qenë shumë pragmatik ashtu siç kishin qenë edhe vendimet amerikane. Djali i vëllait tim Tomë Gjonlekaj,që është larguar nga Trieshi 47 vjet më parë në moshën 4-vjeçare e feston Zojën e Trieshit dy ditë e net me miq e bija nga vende të ndryshme të Amerikës. Ai e fillon festimin të shtunën dhe vazhdon deri të hënën në mëngjes. Ai e nderon shumë këtë traditë fisnike të Trieshit. Kështu i ka edukuar edhe pasardhësit e tij.

Zoja e Trieshit festohet gjithmonë në fillim të tetorit, që natyrisht është muaji më I frytshëm i gjithë vitit. Tetori është muaji i motit të mirë. është muaji i bereqetit i bagëtisë së majme, sidomos i deshve për fërlikë. Gjatë këtij muaji bjeshkatarët ulen në vërri. Ështe muaji i rrushit dhe verës e rakisë, sado që në Triesh nuk bëhet rrushi. Në kohën time kjo ishte festa më e dashur dhe më e bukur e vendit.

Entuziazmi për këtë festë ishte më i madh se për çdo festë tjetër të motmotit. Në atë kohë, Zoja e Trieshit festohej tri ditë e net. Fillonte të shtunën në mbrëmje dhe merrte fund të martën. Miqtë largoheshin të martën,ndërsa bijat e mesat mund të qëndronin dy javë dhe më shumë. Trieshi ishte shumë i kujdesshëm që pritjet e miqve të ishin në nivelin më të lartë.

Në Triesh muaj të tërë flitej në lidhje me përgatitjet e kësaj feste. Burrat bënin meremetime të mëdha në shtëpitë e tyre. Ata i lyenin shtëpitë me gëlqere. Gratë shkonin tek krojet për të larë rrobat dhe teshat e shtëpisë, sidomos ato të shtretërve. Ato pastronin për bukuri oborret e shtëpive dhe rrugët aty afër. Pjesën më të madhe të artikujve ushqimorë i kishin të vetat, por ato që mungonin i blinin në Podgoricë. Trieshi e blinte rakinë e verën në Fundna të Kuçit. Ata ishin të njohur për kualitetin e mirë të këtyre dy pijeve tepër të rëndësishëm për festimin e Zojës së Trieshit. Buka,mishi,djathi e rakia e vera ishin të domosdoshme. Gratë e fëmija i pëlqenin shumë petullat e mjaltin. Djathërat e ndryshme të bjeshkës kishin shijet të veçanta. Miqtë e Zojës së Trieshit e pëlqenin shumë mazën e bjeshkës dhe djathin e ziem.

Trieshi ishte i njohur edhe për patate të mira. Mishi i dashit i pjekur në fërlik kishte rëndësi të veçantë, ky ishte kryesori (main course).

Pjekja e fërlikut ishte një punë e vështirë dhe delikate. Ata që e merrnin përsipër këtë punë ishin serioz sepse kjo punë kërkonte durim dhe kujdes të veçantë. I Zoti i shtëpisë bënte muhabet me miq, ndërsa ata që ishin më të ri pinin e këndonin edhe më shumë se duhej, këtë nivel entuziazmi ua shtonte rakia. Në Zojë të Trieshit vinin për festë rapsodët më të njohur të Malësisë. Me ta vinte edhe Pjetër Mark Mirdita. Ata ishin lahutarë të njohur.

Disa të tjerë këndonin këngë për maje krahu. Edhe bijat këndonin së bashku siç kishin kënduar në kohërat e vajzërisë në malet tona. Ato evokonin kohën e vajzërisë. Disa burra nga Hoti e Gruda ishin karakteristikë për veshjet e tyre kombëtare. Në këtë mes dallohej Pjetër Uci, Kolë Gjo’Nikë Shabi, Lekë Gjoni dhe Selman Juku, pastaj Nikollë Zeli e Mark Zeli të bijtë e Zef Miliqit. Kënga dhe hareja, natën e Zojës vazhdonte deri në orët e vona të mëngjesit. Shumica e miqve flinin deri vonë,ndërsa njerëzit e shtëpisë ngriheshin herët në mëngjes për shërbimet e drekës.

Pas drekës Ditën e Zojës së Trieshit, i zoti i shtëpisë u printe mysafirëve drejte kishës së vendit për meshë dhe për logun e pas meshës. Bregu i Kishës së Trieshit ishte i madh, pastaj lisat e blinit e bënin edhe më të mrekullueshëm. Në logje këndonin por mund të kishte edhe gara të ndryshme. Por në qoftë se Trieshi kishte përjetuar ndonjë tragjedi të madhe gjatë atij viti nuk pëlqehej kënga,pavarësisht se familjarët bënin çmos që të gjithë të këndonin dhe të gëzonin ditën e festës. Në këtë log shumë herë janë mbajtur edhe fjalime të rëndësishme politike, sidomos gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Në Triesh kanë shërbyer meshtarë të njohur shqiptarë, por edhe shumë të huaj. Për disa familje nata e dytë e festës ishte edhe më e madhe se nata e parë. Edhe kjo natë vazhdonte me këngë e hare deri në mëngjes. Pas dy ditë e netësh shihej lodhja dhe mund të vihej re qetësia e lodhjes. Nuk kishte shtretër për të gjithë she shumica e familjes flinte në tokë.

Gëzimi më i madh i kësaj feste ishte prania e bijave e mesave dhe nipave që vinin për festë nga viset e largëta të Malësisë. Disa nga ato bija ishin martuar larg vendlindjes. Ishin si ato ‘doruntinat’ e Ismail Kadaresë. Pas mbylljes së kufirit me Shqipërinë kjo largësi u shkurtua dhe ato nuk shkonin përtej Hotit e Grudës ose Kojës e Luharit. Pjesëmarrja e burrave të dalluar të Malësisë e bënte festën edhe më të rëndësishme.
Përveç malësorëve katolikë në Zojë të Trieshit vinin edhe malësorët e besimit islam. Trieshi ndjehej mirë për praninë në këtë festë të Sul Brahimit, të Selman Jukut, Ibrahim Demës të Iso Mujit dhe shumë të tjerëve. Në atë kohë marrëdhëniet ndërfetare ishin jashtëzakonisht të mira. Malësoret e krishterë ishin kryelartë për pjesëmarrjen e miqve malësorë muhamedan dhe anasjelltas.

Të gjitha festat e krahinave të Malësisë së Madhe ishin një mrekulli, ishin kulmi i gëzimit,bujarisë,nderit e respektit familjar e shoqëror. Ato ishin një spektakël i vërtetë. Këto institucione jetuan nëpër shekuj dhe riorganizimi i tyre sidomos në trevat tona do të ishte një rilindje e dyte e traditës më fisnike të maleve të Malësisë.

Ata që punojnë sinqerisht për rilindjen e këtyre festave bëjnë punë të mirë fetare e kombëtare. Bota sot po investon shumë për ringritjen e këtyre institucioneve klasike të fesë, të traditës dhe kulturës kombëtare. Malësorët në diasporë bëjnë shumë për ta ruajtur këtë traditë fisnike. Bile në këto festa të Malësisë shumë herë marrin pjesë edhe personalitete të shquara të shoqërisë amerikane. Ata i pëlqejnë shume festat e malësorëve sidomos pritjen e përzemërt dhe të sinqertë të malësorëve shqiptarë. Këto janë pjesë e kulturës dhe qytetërimit të vërtetë evropian. Festat krahinore ringjallin dashurinë për traditën tonë fetare dhe kombëtare. Unë personalisht i kujtoj ato kohëra dhe ato festa me shumë dashuri. Urime e gëzuar për shumë vjet Zojën e Trieshit./ KultPlus.com

Xhamia në Shqipëri me emër të krishterë, kuriozitet për turistët e huaj

Xhamia historike e Gjin Aleksit në Rusan të Delvinës kthehet në destinacion turistik për vizitorët e huaj.

E ndërtuar në rrënojat e një kishe, në oborrin e xhamisë janë të përfshira tre objekte fetare, një teqe, një kishë dhe xhamia.
Xhamia e Gjin Aleksit është ndërtuar në kohën e Sulltan Sulejmanit.

Këto objekte religjioze janë kthyer në destinacion shumë të pëlqyer për turistët e huaj, pasi brenda pak metrave katrore ka të ndërthurura fe të ndryshme.
Prej disa kohësh kjo xhami po i nënshtrohet një restaurimi, që po financohet me fonde të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Ajo po kthehet në një kuriozitet të përditshëm për vizitorët vendas e të huaj./ KultPlus.com