Kisha e Shën Marisë në ishullin e Maligradit, destinacion i rrallë për t’u zbuluar

Kisha e Shën Mërisë në liqenin e Prespës në ishullin e Maligradit është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, fton qytetarët ta vizitojnë këtë kishë duke e cilësuar një destinacion të rrallë për t’u zbuluar.

“Kisha e Shën Marisë në ishullin e Maligradit, në liqenin e Prespës, një destinacion i rrallë për t’u zbuluar”, tha Margariti.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Administrata e Zonave të Mbrojtura Korçë e mbështetur nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “Transboundary Biosphere Prespa” në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë dhe European Heritage Volunteers restauruan çatinë e kishës si dhe punuan për ruajtjen e vlerave të këtij monumenti.

Kjo kishë është një atraksion turistik i rëndësishëm jo vetëm për parkun Kombëtar të Prespës, por për mbarë rajonin dhe Shqipërinë.

Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte si tjegulla, kolona e kapitele që i përkasin sipas arkeologëve një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qënë në pjesën e sipërme të liqenit.

Sipër këtij ishulli ndodhen edhe rrënojat e vilës verore të car Simeonit të shekullit XI. Kisha e Shën Mërisë është një themelim i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat shqiptarë.

Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske. / KultPlus.com