Nis restaurimi i kishës së Shën Mëhillit në Kostar të Finiqit

 Kanë filluar punimet e mirëmbajtjes, restaurimit, konsolidimit në objektin monument kulture Kat. I-rë, “Kisha e Shën Mëhillit”, e cila ndodhet në Kostar të Bashkisë së Finiqit, pjesë e paketës së mirëmbajtjes të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, për vitin 2023.

Pas hartimit të projektit nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe miratimit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, zbatimi i punimeve të mirëmbajtjes, restaurimit dhe  konsolidimit konsiston kryesisht në restaurimin dhe konsolidimin e muraturës së rrënojave të kishës, restaurimin e kalldrëmit të kishës, konsolidim i elementeve konstruktiv; restaurim i elementeve dekorativ në muraturë, sistemimin e terrenit, etj.

Kisha e Shën Mëhillit është një rrënojë, e cila ruan në pjesën më të madhe muret në lartësinë e dikurshme. Nga pikëpamja arkitektonike ajo është një kapelë e vogël një nefshe, drejtkëndore në plan. Në murin lindor ndodhet absida e vogël rrethore me dalje nga jashtë dhe nikja e prothesit. Në murin verior në ambientin e altarit ndodhet një kamare e vogël.

Duke u bazuar në karakteristikat ndërtimore dhe në materialin arkeologjik të zbuluar në territorin e monumentit, mendohet se kisha datohet në shek. XII-XIII. Për ndërtimin e kishës janë përdorur gurë lehtësisht të punuar të lidhur me llaç gëlqereje të bollshëm, ndërsa vërehet edhe përdorimi i copërave të tullave, të vendosura ndërmjet gurëve. I vetmi trajtim dekorativ i muraturës konsiston në kornizën kurrizpeshku, e realizuar me teknikën e kluasonazhit. Trashësia e muraturës është 60 cm. Në shumicën e perimetrit të saj ruan lartësine origjinale./KultPlus.com