Restaurohet kisha e Shën Nikollës në lagjen ‘Kala’ të Beratit

Ka përfunduar ndërhyrja restauruese në kishën e Shën Nikollës, Monument Kulture, Kategoria I, në lagjen “Kala” të qytetit të Beratit.

Kisha e Shën Nikollës ndodhet në krahun perëndimor të kalasë së Beratit, pranë kishës bizantine të Shën Mëri Vllahernës. Periudha e ndërtimit sipas mbishkrimit që gjendet në murin e brendshëm i përket fundit të shekullit të 16-të.

Në përbërje të saj ka tri hapësira kryesore: në qendër ndodhet ambienti kryesor i qarkuar me mure dhe i mbuluar më çati 3-ujëshe ndërsa në të dy anët zhvillohen dy ambiente të tjera edhe këto të pajisura me absida në anën lindore të tyre. Pjesa e brendshme e mureve është e veshur me afresk i cili ruhet në gjendje të mirë konservimi.

Problematikat e shfaqura përpara ndërhyrjes restauruese ishin: degradimi i elementëve të mbulesës së çatisë, dëmtimi i tjegullave mbi murin rrethues të kishës, dëmtimi i materialit drusor të derës anësore të kishës.

Projekti i mirëmbajtjes hartuar nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat, miratuar nga IKTK, synoi ruajtjen e vlerave arkitektonike dhe historike të kishës. Gjatë ndërhyrjes u realizua: qeramosja e çatisë me tjegulla vendi; vendosja e një ulluku për shkarkimin e ujërave të shiut dhe shmangien e lagështisë; u mbulua me mur guri me tjegulla vendi në pjesët e dëmtuara; u restaurua pjesërisht dera, me material drusor./KultPlus.com

Kisha e Shën Nikollës në Voskopojë po i nënshtrohet restaurimit të plotë

Kisha e Shën Nikollës, një nga xhevahiret e gjerdanit të monumenteve të kulturës në Voskopojë po i nënshtrohet restaurimit të plotë, ku një sfidë më vete është rilindja e afreskeve të dëmtuar.

Kryeministri Edi Rama në kuadër të turit të takimeve që po zhvillon në Korçë pa nga afër sot punimet për restaurimin e kësaj kishe.

Rama tha se janë 4 kisha, të gjitha dëshmi të qytetërimit, artit dhe rëndësisë së madhe historike e kulturore të Voskopojës që do ti nënshtrohen restaurimit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se se synojmë që këto 4 kisha ti kthejmë në muze.

“Ne po shikojmë mundësinë e bashkëpunimit me universitete apo shkolla të huaja. Katër kishat kemi arritur ti vendosim në programet me donatorët”, tha ajo.

Në Voskopojë, vijoi më tej Margariti, ka patur një numër të lartë aplikimesh për ngritjen e bujtinave.

Edhe artizanati po merr rëndësi gjithnjë e më të madhe në Korçë, me punime dore të zonjave korçare që po e trashëgojnë këtë traditë të bukur edhe tek brezat e rinj, në funksion edhe të rritjes së kërkesës prej zhvillimit të turizmit.

Kryeministri Rama u ndal në një nga shtëpitë e cila është shndërruar në hapësirë për mbështetjen e grave të zonës që merren me punë dore.

Në këtë shtëpi mblidhen punët dorës së grave të zonës dhe më pas shiten për turistët.
Kryeministri Rama informoi se qeveria po shikon mundësinë e krijimit të një skeme për mbështetjen e zejtarëve.

“Ne duam të krijojmë një model të posaçëm në rrjetin e artizanatit në të gjithë Shqipërinë. Po shikojmë mundësinë se si ti stimulojmë financiarisht dhe prurjen e të rinjve dhe rejave, duke shfrytëzuar bërthama si kjo, që ti mbështesim financiarisht për vend pune, dhe të krijohen punishte që funksionojnë për të marrë zejet, pa taksa”, tha Rama.

https://fb.watch/gx0DibzUVK/ / KultPlus.com