Sot mbahet seanca ku UP-ja kërkon kthimin e pronës ku gjendet Kisha Ortodokse Serbe

Sot është caktuar të mbahet seanca përgatitore për rastin ku Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) ka paditur Komunën e Prishtinës dhe Kishën Ortodokse Serbe, për vërtetimin e së drejtës së shfrytëzimit dhe kthimit në posedim të pronës në kampus, ku dhe gjendet kisha, transmeton KultPlus.

Kjo seancë ishte caktuar fillimisht të mbahej më 25 mars të këtij viti, mirëpo e njëjta ishte shtyrë, për çka kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”.

Kësisoj, seanca përgatitore pritet të mbahet sot nga ora 10:00.

Padia në këtë rast është ushtruar më 29 nëntor 2015.

Sipas padisë, Universiteti i Prishtinës ”Hasan Prishtina” në Prishtinë, që prej 12 dhjetorit 1975, e ka në shfrytëzim patundshmërinë në sipërfaqe prej 4.27.16 ha në Prishtinë, e cila gjatë gjithë kësaj kohe thuhet se është shfrytëzuar në mënyrë të papenguar, pasi që e njëjta ka qenë pjesë përbërëse e Kampusit Universitar sipas planit detal urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë.

Në padi thuhet se e paditura e parë, Komuna e Prishtinës, në kundërshtim me planin urbanistik, pa bazë juridike dhe në mënyrë të kundërligjshme ia ka dhënë në shfrytëzim tani të paditurës së dytë, Kishës Ortodokse Serbe “Xh.Sh Nikolla Xh. Serpska” në Prishtinë, e cila thuhet se duke e uzurpuar tani pjesën kontestuese në mënyrë të kundërligjshme e ka ndërtuar Kishën Ortodokse “Sveti Sava”, në sipërfaqe prej 0.54.12 ha, me oborr në sipërfaqe prej 3.73.04 ha.

Tutje, në padi thuhet se bazuar në këto fakte tani paditësi sipas ligjit në fuqi, si bartës i së drejtës së shfrytëzimit të patundshmërisë, e ka të drejtën e kërkesës për kthimin e tani patundshmërisë kontestuese, pasi që e njëjta thuhet se e ka pasur në shfrytëzim dhe posedim në mënyrë të ligjshme këtë pronë.

Po ashtu, në padi thuhet se sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, parashihet se për të gjitha ligjet vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë.

Po ashtu, në padi thuhet këto veprime janë të kundërligjshme  pasi që të njëjtat janë marrë nën masat e dhunshme nga autoriteti i dhunshëm ish-Këshilli Ekzekutiv Komunal, andaj sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, të gjitha ligjet vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë.

Me anë të kësaj padie, UP-ja po kërkon nga gjykata që të aprovohet padia dhe kërkesëpadia e tij, të vërtetohet se i njëjti ka të drejtën e shfrytëzimit të patundshmërisë në sipërfaqen e përgjithshme prej 4.27.16 ha, në Prishtinë, të detyrohet Komuna e Prishtinës që të bëjë ndryshimin e bartësit të të drejtës së shfrytëzimit të paluajtshmërisë. Tutje, kërkohet që dy të paditurat t’ia kthejnë në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar këtë patundshmëri, si dhe në mënyrë solidare të paditurat paditësit t’ia kompensojnë shpenzimet e procedurës. /gazetaeexpress/ KultPlus.com

Çeku për liturgjinë e sotme në Kishën Ortodokse Serbe: Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar për këtë aktivitet

Peshkopi Teodosije i Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji në Kishën e braktisur në oborrin e UP-së për herë të parë prej vitit 1998.

Për festën që mbahet në ditën e 40 pas krishtlindjeve ortodokste që njihet si “Dita e Ngritjes së Krishtit”, Dioçeza e Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji së bashku me besimtarë dhe peshkopë të tjerë.

Për këtë ngjarje, ka reaguar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, ku ka theksuar se për aktivitetin në fjalë, Policia e Kosovës nuk ka qenë e informuar paraprakisht duke bërë kështu që ky aktivitet të shkelë rregullat e sigurisë publikë në Kosovë.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të ministrit Çeku.

Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë.

Prona ku është ngritur struktura e papërfunduar aktualisht është në procedurë kontestimore dhe ku paditës është Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Për këtë arsye, asnjëra palë që është pjesë e procedurës gjyqësore nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat. Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë.

Liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjitha mekanizmat institucional. Mirëpo, veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cënojë rendin, ligjin dhe drejtësinë. Për paqen që e gëzojmë sot kemi paguar çmim të lartë, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që cënojnë sigurinë publike, ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe nxisin konflikte duke e rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve. / KultPlus.com

UP- ja me procedurë të re gjyqësore kundër Kishës Ortodokse

Gjykata e Apelit në Prishtinë ka konfirmuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin hapësira prej 4 hektarësh brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i takon Kishës Ortodokse Serbe, përkatësisht kishës “Shën Nikolla” në Prishtinë. Aktvendimin tashmë e ka marrë Universiteti i Prishtinës , konfirmojnë zyrtarët e Rektoratit të këtij universiteti.

Pikërisht, në hapësirën e kontestuar nga Universiteti i Prishtinës, gjatë viteve 90 -të të shekullit të kaluar, në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviqit, kishte nisur ndërtimi i kishës “Krishti shpëtimtarë”, e cila nga shqiptarët e Kosovës shihet si objekt i ndërtuar me qëllime politike.

Universiteti i Prishtinës konsideron që hapësira në të cilën është ndërtuar kisha, është në shfrytëzim nga universiteti, tash e 50 vjet me radhë.

Në vitin 2012, Universiteti i Prishtinës, kishte nisur procesin gjyqësor për pronësinë e tokës, gjegjësisht kërkesën që toka e kontestuar t’i kthehet nën pronësi universitetit.

Më 26 dhjetor të vitit 2015, Universiteti i Prishtinës kishte marrë një aktvendim të parë të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku konsiderohej e tërhequr padia e Universitetit të Prishtinës kundër të paditurës Kishës ortodokse “Shën Nikolla”, për vërtetim të pronësisë. Për faktin se në seancën gjyqësore kishte munguar përfaqësuesi ligjor i Universitetit të Prishtinës, Gjykata Themelore kishte konfirmuar pronësinë e Kishës ortodokse serbe “Shën Nikolla”.

Sekretari i përgjithshëm i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar se në kohën kur ka arritur ftesa nga Gjykata Themelore, në universitet ka pasur protesta të studentëve, të cilat kanë pamundësuar rrjedhjen normale të informimit për ftesën nga gjykata. Rrjedhimisht, universitetit i ka ikur data për tu paraqitur në gjykatë.

“Ne menjëherë kemi dërguar reagimin tonë, sipas ligjit siç parashihet, për ta arsyetuar mungesën tonë në këtë seancë. Fatkeqësisht kjo nuk është marrë në konsideratë dhe nxirret një vendim më 18 janar 2016, ku hidhet poshtë kërkesa e paditësit për të qenë në gjendjen e mëparshme. Njëkohësisht kemi dërguar edhe në Gjykatë të Apelit një kërkesë të tillë, e cila tani ka ardhur, me datën 31 nga Gjykata e Apelit, e cila po ashtu e hedhë poshtë, si të pabazuar, ankesën e përfaqësuesit, me arsyetim që nuk ka mundur të marrë pjesë. E vërtetoi vendimin e shkallës së parë, të Gjykatës Themelore”, thotë Kelmendi.

Megjithatë, Kelmendi thotë se ende nuk ka përfunduar e gjithë çështja dhe se universiteti do ta dorëzojë deri në fund të kësaj jave do të kërkojë që procesi gjyqësorë të kthehet në pikën zero.

“Menaxhmenti aktual, përsëri do ta iniciojë procedurën pranë Gjykatës Themelore. Do të ngritë padi të re, sepse fatmirësisht, hedhja poshtë e padisë nuk nënkupton humbjen e të drejtës për padi të re. Universiteti i Prishtinës është duke e përgatitur dosjen dhe besoj që deri në fund të javës do ta kemi padinë e re pranë gjykatës kompetente, për të kërkuar të drejtën tonë, në mënyrë që kjo pronë e uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme, t’i kthehet në shfrytëzim UP-së dhe studentëve të saj”.

Siç thotë Kelmendi, gjatë kohës sa ka zgjatur kontesti gjyqësorë, Universitetit të Prishtinës i është dashur të shmangë një varg projektesh për ndërtimin e objekteve të ndryshme në kampusin e saj.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe nuk kanë dashur ta komentojnë vendimin e Gjykatës së Apelit, e as paralajmërimet e Universitetit të Prishtinës për inicimin e një procesi të ri gjyqësor, por kanë theksuar se dëshirojnë që kjo çështje të rregullohet paqësisht.

Lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit, kanë reaguar drejtuesit e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Përmes një komunikatë ata e kanë thënë se “legjitimimi i veprimeve të paligjshme të periudhës së Millosheviqit, në rastin e pronës së Universitetit të Prishtinës, por edhe në raste të tjera të ngjashme, është turp për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës”.

Gjithashtu, drejtuesit e këtij Fakultetit Filozofik, e kanë kritikuar menaxhmentet e Universitetit të Prishtinës , të viteve 2015 deri 2017 për, siç thuhet, papërgjegjësi, e cila “është e patolerueshme, si dhe dëmton pronën dhe kredibilitetit” e universitetit.

EKSKLUZIVE: UP Humb Gjyqin, Toka në Kampus i Mbetet Kishës

Gjykata e shkallës së dytë i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Si pasojë të mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq për pronësinë e tokës në kampusin e UP-së, kjo tokë ka mbetur në pronësi të Kishës Ortodokse.
Toka rreth 4 hektarë në të cilën gjendet Kisha Ortodokse Serbe në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, do t’i takojë Kishës Ortodokse ‘Sveti Nikolla’.

Gjykata e Apelit në Prishtinë ka marrë vendim që ta hedhë poshtë si të pabazuar ankesën e Universitetit të Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’, lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta kondsideruar të tërhequr padinë e UP-ssë për pronësinë e tokës ku gjendet kisha e pa funksionalizuar.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit të marrë më 27 shtator të këtij viti, të cilin e ka siguruar KALLXO.com thuhet se vendimi i Gjykatës Themelore në vitin 2015 kishte qenë i bazuar meqenëse pala paditëse, përkatësisht UP-ja nuk ishte paraqitur në seancën kryesore lidhur me këtë kontest.
Sipas gjykatës, arsyetimi i UP-së për mospjesmarrje në seancë në vitin 2015 kishte qenë fakti se ka pasur protesta të shumta para kishës së lartpërmendur.

“Pretendimet ankimore te palës paditëse se me datën 17.11.2015 dhe me datë 18.11.2015 para ndërtesës se rektoratit ka pasur protesta prej disa dhjetëra punëtorëve, kjo gjykate i konsideroi si të pabazuara sepse kjo nuk ishte pengesë që ata të mos marrin pjesë në seancë. Prandaj, në situatën konkrete të gjitha pretendimet ankimore të debitorëve, Gjykata e Apelit i konsideron të pabazuara dhe të paqëndrueshme ngase nuk kanë bazë në prova konkrete”, thuhet në vendim.

Pas këtij vendimi, Universiteti i Prishtinës ka të drejtë që të nisë procedurat nga fillimi dhe të ushtrojë padi të re për të njëjtën çështje.
Kisha e pafunksionalizuar e cila u ndërtua në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviq në vitet 1990, u bë shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinës./kallxo