Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë padinë e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP), ndaj Komunës së Prishtinës, me arsyetimin se kësaj komune i mungon legjitimiteti pasiv në këtë kontest.
Me aktvendimin e 26 gushtit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë padinë e UP-së me anë të së cilës kjo e fundit kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës dhe Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Graçanicë, vërtetimin e së drejtës në shfrytëzim dhe kthimin në posedim të pronës në sipërfaqe prej 4.27.16 ha, në të cilën gjendet Kisha Ortodokse Serbe.
Në aktvendim thuhet se të paditurës, Komuna e Prishtinës, nuk mund t’i kërkohet t’ua kthejë paditësit në shfrytëzim pronën, të cilën nuk e ka.
“Pasi që lënda kontestuese është e drejta e shfrytëzimit të parcelës kadastrale P-07090-14 me sipërfaqe prej 4.27.16 ha, ZK Prishtinë, të cilën Komuna e Prishtinës nuk e ka, nuk mund të jetë palë në marrëdhënien kontestuese materiale-juridike, me fjalë të tjera nuk mund të kërkohet nga e paditura Komuna e Prishtinës, të ia kthejë paditësit atë që nuk e ka”, thuhet në aktvendim.
Sipas këtij vendimi, kjo pronë nuk është në kompetencë të kësaj komune, mirëpo e njëjta është në kompetencë të Agjencionit për Kadastër të Kosovës, për të cilën thuhet se zbatohen rregullat e procedurës administrative me kërkesë të bartësit të së drejtës së shfrytëzimit. https://zeri.info/inarticle.html
Po ashtu, në këtë aktvendim thuhet se kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të së njëjtit përmes kësaj gjykate.
Ndërsa, sa i përket kërkesës së bërë në seancën e 26 gushtit 2021 nga përfaqësuesja e UP-së avokatja shtetërore Ilire Aydogan për përjashtimin e gjykatësit Jovica Mitroviq nga kjo çështje, e njëjta është refuzuar si e pabazuar nga kryetarja e kësaj gjykate Albina Shabani-Rama.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 29 nëntor 2015, paditësi Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, që prej datës 12 dhjetor 1975, e ka në shfrytëzim patundshmërinë në sipërfaqe prej 4.27.16 ha, në Prishtinë, e cila gjatë gjithë kësaj kohe thuhet se është shfrytëzuar në mënyrë të papenguar, pasi që e njëjta ka qenë pjesë përbërëse e Kampusit Universitar sipas planit detal urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë.
Në padi thuhet se e paditura e parë Komuna e Prishtinës, në kundërshtim me palanin urbanistik, pa bazë juridike dhe në mënyrë të kundërligjshme ia ka dhënë në shfrytëzim tani të paditurës së dytë Kishës Ortodokse Serbe “Xh.Sh Nikolla Xh. Serpska” në Prishtinë, e cila thuhet se duke e uzurpuar tani pjesën kontestuese në mënyrë të kundërligjshme e ka ndërtuar Kishën Ortodokse “Sveti Sava”, në sipërfaqe prej 0.54.12 ha, me oborr në sipërfaqe prej 3.73.04 ha.
Tutje, në padi thuhet se bazuar në këto fakte tani paditësi sipas ligjit në fuqi si bartës i së drejtës së shfrytëzimit të patundshmërisë e ka të drejtën e kërkesës për kthimin e tani patundshmërisë kontestuese pasi që e njëjta thuhet se e ka pasur në shfrytëzim dhe posedim në mënyrë të ligjshme këtë pronë.
Gjithnjë bazuar në padi, sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, parashihet se të gjitha ligjet, vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese, nuk mund të zbatohen në Kosovë.
Po ashtu, në padi thuhet këto veprime janë të kundërligjshme pasi që të njëjtat janë marrë nën masat e dhunshme nga autoriteti i dhunshëm ish-Këshilli Ekzekutiv Komunal, andaj sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, të gjitha ligjet, vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë.
Me anë të kësaj padie UP-ja, po kërkon nga gjykata që të aprovohet padia dhe kërkesëpadia e tij, të vërtetohet se i njëjti ka të drejtën e shfrytëzimit të patundshmërisë në sipërfaqen e përgjithshme prej 4.27.16 ha, në Prishtinë, të detyrohet Komuna e Prishtinës që të bëjë ndryshimin e bartësit të së drejtës së shfrytëzimit të paluajtshmërisë.
Po ashtu, me këtë padi kërkohet të detyrohen dy të paditurat që atij t’ia kthejnë në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar këtë patundshmëri, si dhe në mënyrë solidare të paditurat atij t’ia kompensojnë shpenzimet e procedurës. /betimipërdrejtësi/KultPlus.com