Kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit drejt trashëgimisë botërore

Ekspertët e misionit “Europa Nostra” shprehen entuziastë për vlerat që përfaqësojnë kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit, duke sugjeruar përgatitjen e dosjes që këto kisha të vlerësohen me statusin e mbrojtjes si trashëgimi botërore nga UNESCO.

Vlerësimi është bërë gjatë një takimi të misionit me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe drejtoreshën e Institutit të Monumenteve, Arta Dollani. Ato pritën në një takim pune misionin e ekspertëve të Europa Nostra-s, përfaqësuar nga Anëtari i Bordit, Paolo Vitti dhe Peter Bond dhe Lourdes Llorens Abando, ekspertë teknikë nga Banka Europiane e Investimit.

Pas vizitës në terren, në kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit, Vitti u shpreh i mrekulluar për vlerat arkitektonike dhe artistike që përcjellin këto monumente të kulturës, frymëzuar nga trashëgimia e kultit bizantin, duke i cilësuar “Thesare Unike” në rajon e më gjerë. Misioni u shpreh entuziast dhe sugjeroi përgatitjen e dosjes që këto kisha të vlerësohen me statusin e mbrojtjes si trashëgimi botërore nga UNESCO./ BallkanWeb./ KultPlus.com