Nga një copë druri e deri tek formësimi i kitarës, lutieri Arben Begaj shpalos madhështinë e këtij zanati

Era Berisha

Kur një kitarist lëviz një tel të kitarës, ajo fillon të dridhet vazhdimisht, derisa ta gjejë fundin e ritmit. Është një varg i dridhjeve që përshkon krejt trupin e instrumentit. Dridhjet nisin rrugën nëpër telat e tjera dhe e zhvendosin ajrin brenda trupit të tij, me ç’rast shpërthen një notë muzikore. Për të ndërtuar një instrument të tillë me dorë, mund të kalojnë muaj të tërë dhe gjatë prodhimit, haset nëpër vështirësi që për krijuesit e tyre është një pasion më vete. Por, kitara është folësi i tyre më i mirë dhe këtë e vërejmë edhe tek puna e mrekullueshme e gjithë lutierëve në botë të cilët kanë krijuar me një fjalë, “magji”, shkruan KultPlus.

Për vite të tëra, lutierët punonin vetëm me dorë. Tani ka makineri të mëdha që japin kontribut në përsosmërinë e instrumentit, por bukuria e të krijuarit diçka me duart e tua, do të mbetet përherë pjesë e pandashme e njeriut. I tillë është rasti edhe me lutierin e vetëm shqiptar në Kosovë, Arben Begaj, i cili në një intervistë për KultPlus, shpalos punën e tij unike me instrumentin e kitarës.

“Dëshira për të krijuar kitare ka lindur tash e 15 vite. Pas lindjes së djalit tim të dytë, dëshira ime për t’i krijuar atij një lodër, ka qenë e madhe, dhe me kalimin e kohës më është rritur interesi për këtë fushë. Në fillim, e kam marrë si sfidë dhe andaj e kam sfiduar veten për të ndërtuar tingullin. Pas një kohe të gjatë, kjo më është shndërruar në zanat.”

Kështu e nis rrëfimin Begaj, i cili ndër të tjera, thotë se procesi i ndërtimit të kitarës është një temë që nuk ka fund dhe duhet një kohë e gjatë për t’u kuptuar. Ai veçoritë si serioziteti, durimi dhe preciziteti, i ka cilësuar si pika kyçe kur dëshira për të filluar e ndërtuar një kitarë, ekziston. Ndërkaq, dashuria e madhe dhe e pakrahasueshme është e nevojshme për këtë zeje që do shumë përkushtim dhe aspak nuk e parapëlqen dorëzimin.

Por, nëse tejkalohen të gjitha hapat e parë për të vazhduar drejt përballimit të vështirësive, pjesa teknike është krejt ajo se çka mbetet dhe e cila konsiderohet të jetë e lehtë vetëm atëherë kur prezent është përvoja, ushtrimi i pandalshëm dhe interesi i lartë.

“Deri më tani, nuk kam takuar asnjë mjeshtër tjetër që merret me këtë punë në Kosovë. Realisht, edhe nuk shoh mungesë në këtë fushë, pasi që me të vërtetë ka mjeshtër të mirë edhe pse çdo herë vetëm po mbesin më pak. Tek ne nuk ka ekzistuar si traditë, krijimi i kitarës, andaj edhe kjo është ajo që e bënë këtë punë shumë më të veçantë për mua”, thotë Begaj.

Një grumbull i drurëve është ajo çka i nevojitet kitarës. Pjesa e pasme dhe anët e saj, kanë nevojë për dru të fortë, ndërsa majat kërkojnë një lloj tjetër që është më e lehtë dhe fleksibile për të krijuar dridhjet e nevojshme për tingujt. Tani, druri duhet të prehet në copa më të vogla, asisoj që të përbëjnë trupin e një kitare (pjesa e sipërme, e pasme dhe anët). Duhet të maten mirë pjesët dhe madhësitë e tyre, në mënyrë që modeli specifik, të mos ketë të meta të dukshme.

Në shumicën e kitarave, e shohim një model lulesh të vendosura në mënyrë rrethore rreth vrimës së kitarës në mesin e trupit. Kjo ka qenë pjesa që e ka zbukuruar kitarën dhe që ka bërë të duket më tërheqëse në shikim. Edhe sot, shumica e kitarave kanë një “qëndisje” të tillë në trupat e tyre. Ndërkaq, ato që e mbështesin dhe e mbajnë trupin e kitarës në një formë precize, janë copat e holla të drurit në pjesën e poshtme dhe të sipërme, që faktikisht e bëjnë punën më të rëndësishme gjatë procesit. Ndonëse ky detaj nuk shihet pasi që përfundon puna, thyerja e atyre copave ka fuqinë që ta shkatërrojë komplet trupin e kitarës.

Magjia e lutierëve vërehet pikërisht edhe tek puna e tyre me drurin, lëmimin dhe përkuljet e tij. Shtypja, nxehtësia e avulli janë tjera elemente që shërbejnë për këndet e trupit të instrumentit. Ngjitësi, në anën tjetër, është thelbi më “pikant” në këtë proces. Ai luan rolin kryesor në bashkimin e skajeve të trupit të kitarës, duke i lidhur krejt nyejt mes vete. Tutje, lëmimi dhe mbushja, tharja dhe llaku, lustrimi, prerja e qafës dhe dërrasës, montimi i qafës, vendosja e urës, e të tjera, janë proceset e fundit që shkojnë drejt finalizimit të këtij instrumenti.

Në këtë pikë, tashmë kitara është gati për t’u luajtur. Por, se ku e gjen materialin për ta zhvilluar këtë proces, e tregon edhe vetë Begaj.

“Materialin kryesisht e marrë nga Zvicra kur më është e nevojshme për pjesën përpara ose fytyrën. Për kapakun përpara, furnizohem nga Spanja, ndërsa pjesët e tjera e kanë prejardhjen nga India, Afrika apo Amerika latine, pasi që druri është më ekzotik. Po ashtu, nga Gjermania zakonisht e marrë mekanizmin, apo dhe veglat teknike me të cilat punoj dhe që janë shumë të nevojshme”, ka thënë ai.

Kur flasim për interesimin për të porositur një instrument të tillë, Begaj thotë se ka relativisht një interesim të madh por duke marr parasysh gjendjen financiare të popullit, mundësia për të pasur një kitare të krijuar nga dora ose që është e bërë enkas për ta, është shumë e pakët.

“Unë të gjitha porositë i konsideroj si të veçanta më vete dhe të gjithat i punoj me shumë përkushtim. Mirëpo, parakusht është që ai/ajo të jetë i interesuar për kitarat e mia, për t’i luajtur ato apo edhe për të pasur qoftë edhe dashurinë ndaj këtij instrumenti. Ka pasur raste kur edhe kam bërë dhuratë ndonjë kitarë, dhe besoj që kjo do të ndodh prap edhe në të ardhmen”, thotë Begaj.

Tutje, ai thotë se ka shumë kitaristë të talentuar në Kosovë dhe pedagogë të mirë të kësaj fushe. Si dëshmi për këtë, ai përmend kitaristët kosovarë që kanë interpretuar nëpër arenat botërore si dhe nxënësit që e kanë kryer shkollën në Kosovë dhe tani ligjërojnë në botë.

Krejt për fund, ai ka treguar se a kanë të rinjtë interesim për këtë profesion kaq të veçantë.

“Për fat të keq, të rinjtë nuk kanë interes për shumë gjëra që krijohen nga dora, e aq më pak për artizanat”, ka thënë Begaj, i cili e ka përmbyllur intervistën me keqardhjen e tij në kuadër të mungesës së dashurisë ndaj këtij profesioni.

“Është me të vërtetë për keqardhje, por kështu është realiteti i hidhur që personalisht nuk më pëlqen aspak dhe besoj që kjo vlen edhe për shumë të tjerë.” / KultPlus.com

Kitara e Kurt Cobain shitet për 4 milionë e gjysmë dollarë

Kitara Fender Mustang e Kurt Cobain e vitit 1969, të cilën artisti i ndjerë e kishte përdorur në videon e Nirvana-s te “Smells like teen spirit” është shitur për 4.5 milionë dollarë në ankand.

Kitara elektrike ka qenë e ekspozuar në Projektin e Muzikës Eksperience të Seattle, të riemërtuar tani Muzeu i Kulturës Pop, shkruan rtv21.

Oferta përfundimtare tejkaloi vlerën fillestare pej 600 mijë dollarë.

Cobain e konsideronte si kitarën e preferuar të tij.

“Nga të gjitha kitarat në botë, Fender Mustang është e preferuara ime”, ishte shprehur Cobain./ KultPlus.com

Në përvjetorin e vdekjes përkujtojmë këngën e papublikuar të George Harrison

Sot mbushen plot 20 vite nga vdekja e kitaristit të pakrahasueshëm, George Harrison, shkruan KultPlus.

Edhe kur po vdiste, George Harrison nuk mund t’i shpëtonte shtypit. Që kur Beatles u bënë të famshëm në fillim të viteve 1960, ata shikuan çdo lëvizje të tij, ashtu si të gjithë grupit. George e urrente atë pjesë të famës. Ai i quajti mediat një bandë “bedelesh”.

KultPlus sot po kujton këngën e tij të papublikuar më parë.

Kënga e papublikuar e muzikantit dhe kompozitorit britanik, George Harrison, e titulluar “Hello Miss Mary Bee”, e vitit 1968, u shkrua për mikeshën e Harrison, Mary Bee, në të njëjtën periudhë kur doli në treg albumi i tij i parë solo “Wonderwall Music”.

Kënga është e regjistruar në një kasetë duke përfshirë edhe disa regjistrime alternative të hiteve të Beatles dhe disa letra të shkruara për Bee ndërsa Harrison ishte në Indi me gruan e tij, Pattie Boyd. / KultPlus.com

Anton Pashku dhe kitara

Nga Anton Pashku

Zemra ime vallëzon vetëm atëherë kur dëgjon titrimin e telave të kitarës. Vetëm shpatat e zërit të saj mund ta copëtojnë brengën dhe t´ua falin flatrave të harresës. Po, vetëm kitara, kjo kitarë që rri përpara meje e varur aty në mur, mundet.

Edhe pse tash vrik jam mësuar të luaj me telat e saj, kitara ime lëshon zëra që, duke u ngatërruar ndërmjet vete, krijojnë jone, për mua shumë të hareshme. Vetëm për mua! Them vetëm për mua, sepse tingujt e saj janë shumë të çuditshëm. Nuk mund t´i kuptojë, ose nuk do t´i kuptojë, gjithkush: qajnë kur duhet të gëzohen, gëzohen kur duhet të qajnë.

Si tash më kujtohet vaji i vashës, që m´u lut t´ia këndoj një këngë. Pranova. Mora kitaren në duar. U ula pranë dritares, duke shikuar në qiellin e natës, i cili, nëpër dritaren time, dukej katërkëndësh me fillim, por pa fund. Pëlqeva telat dhe gishtat e mi zunë të luajnë nëpër to. Tingujt e kitarës përcillnin fjalët e këngës për Hënën e dashuruar në një yll që tradhtoi Diellin, i cili, zemëruar pamasë, shkreu që ta shëmtojë përgjithmonë fytyrën e Pabesës.
-Pse t´u mbush mendja ta këndosh këtë këngë?-pyeti ajo dhe sytë ia mbytën bulzat e lotëve që i gufonin pajada.
Rrudha krahët. Rrudha edhe ballin. Nuk dita ç´t´i them. Dita, por diçka më lidhi në fyt.

-Po pse, pse po loton?-dëgjova pyetjen mbasi doli prej gojës sime.
-Si…pse?!-tha ajo duke u munduar për t´i ndalë lotët, që i rridhnin nëpër faqe.
-Si, të lutem, si ka mundur Dielli të bëhet aq mizor…
-Mizor?!
-Po, po!-tha ajo—Si ka mundur të bëhet aq mizor ndaj Hënës, e cila për çdo mbrëmje del për ta stolisur lumin tonë me shtyllën e artë të rrezeve të veta?
-Shtylla e artë e Hënës?
-S´është e Hënës.
-Po e kujt është?
-Fol sa të duash, por ti s´je duke prekur telin e solit?
-Unë?
-Ti, pra. Të Pabesës…-thashë dhe u ndala. Mendimin, që desha t´ia them asaj, e përtypa në heshtje.
Më shikonte. Pesha e shikimit të saj, që më kaploi, ishte tepër e rëndë. Ishte e rëndë sa s´bëhet.
-Mirë, mirë!-thashë.
Preka telat e kitarës sime. U krijuan tinguj që s´kishin lidhje me njëri tjetrin.

-A di çka,-tha ajo,-ta lëmë Hënën.
-Ta lëmë, nëse na lë.
-Mos u tall!
-Nuk po tallem.
-Atëherë, pra, jipja këngës për sumllën e djersës!
-Për sumllën e djersës, pa të cilën nuk mbin as therra për gardhiqe?
-Po, ke të drejtë.
-S´dua!
-Pse?
-S´dua t´ia them asaj kënge, sepse është e dhimbshme.
-Ani që është e dhimbshme, ani.
-Por ti s´e merr vesh!
-Si nuk e marr vesh!-tha ajo.-Vëllaut tim të vogël ia shoh sumllën e djersës sa herë që mundohet ta gënjejë nënën…
-Eh…-thashë unë.
Një e qeshur, për mua fare e pakuptimtë, shpërtheu në gojën e saj. Ishte aq therrëse dhe e padurueshme, sa mua më hypi gjaku në krye.

Shikova nëpër dritare: m´u duk se një yll kishte zbritur dhe tashti ishte mu përpara syve të mi. Çova dorën dhe mora hov: desha ta thej kitarën në njërën këmbë të atij ylli. Por, sjellja shkoi kot: ylli ishte larg, atje lart duke hequr valle me shokët e vet.
-Ha, ha,ha!-dëgjohej e qeshura e saj.
Mora kitaren. Drodha një tel. I thashë:
-Për ty, për lëkurën tënde pa asnjë pore!
Ndali të qeshurit. Më shikoi me ballë të mrrolur. Drodha të gjashtë tela e i thashë:
-Për ty, për ty që m´je tingull i pazëshëm!
-Paska tinguj të pazëshëm?
-Ja, paska!
Brofi në këmbë. Bëri një hap dhe u ndal përpara meje.
-Shiko veten, o i mjerë!-tha ajo.
-O gjuetar i ëndrrave, a s´po sheh se je krejt lakuriq!
-Unë?

-Ti, ti…A s´po sheh se ke mbetur lakuriq?…A s´po sheh se kitara të solli në këtë ditë të zezë?…Hidhe atë kitarë e mos rri kështu lakuriq, se do të bëhesh gazi i botës…
Zonjusha Vulë lëvizi vendit. Megjithatë, shtrëngova kitarën. Kitara u dalldis. Kurse ajo u mrrol edhe më shumë. Dikur fluturoi jashtë, duke mbyllur derën me forcë.
Mbeta vetëm unë, kitara dhe tingujt e saj magjikë që përpiqeshin për ta zhdavaritur rrapëllimën e derës së mbyllur…

Shkurt, 1957 / KultPlus.com

Kitara e Kurt Cobain shitet për 6 milionë dollarë

Një kitarë e Kurt Cobain u shit për 6 010 000 dollarë, ka njoftuar sot shtëpia e ankandeve ”Julien’s California”, transmeton KultPlus.

Kitara akustike-elektrike ”Martin D-18E” është një rekord i ri botëror shitjeje.

Kobain luajti instrumentin gjatë një paraqitjeje në “MTV Unplugged” në Nju Jork, në 1993, në atë që konsiderohet performanca më ikonike e grupit ”Nirvana”.

Performanca u regjistrua para një publiku ”live”, pesë muaj para vdekjes së Cobain.

Cobain dekoroi qafën e kitarës me një fletë pentagrami nga albumi i grupit rock të ”Poison Idea” / KultPlus.com

Kitara e Kurt Cobain vlerësohet 1 milion dollarë në ankand

Kitara e përdorur nga Kurt Cobain gjatë regjistrimit të koncertit të famshëm “Unplugged” nga Nirvana, në 1993, do të ofrohet në ankand gjatë një shitje të organizuar më 19 dhe 20 qershor në Los Angeles, me një vlerë fillestare prej një milion dollarësh.

Kitara gjysmë akustike, që do të shitet nga “Julien’s Auctions” është një model i rrallë, D-18E, i bërë nga fabrikuesi amerikan i instrumentave, Martin, në vetëm 302 kopje dhe i përket vitit 1959.

Koncerti “Unplugged”, i regjistruar në Nju Jork më 18 nëntor 1993, korrespondon me kulmin e Nirvana-s, grupi më i shquar i rrokut i viteve ’90.

Performanca skenike u zhvillua më pak se gjashtë muaj para vetëvrasjes, më 5 prill 1994, të Kurt Cobain-it, që vuante nga depresioni dhe varësia nga heroina.

Kitara më e shtrenjtë në histori është një Fender Stratocaster, i quajtur “Black Strat”, i përdorur nga kitaristi i grupit britanik Pink Floyd, David Gilmour./ atsh/ KultPlus.com