Kitaristi Elvis Bytyqi publikon albumin e parë solo të titulluar “Songe” (VIDEO)

Kitaristi klasik nga Prizreni, Elvis Bytyqi ka publikuar albumin e tij të parë solo të titulluar “Songe”, shkruan KultPlus.

Albumi përfshin interpretime të veprave të ndryshme të të komponuara dhe përpunuara nga kompozitorë dhe kitaristë të njohur, si: Roland Dyens, Francisco.Tárrega, Heitor Villa-Lobos, Carlos Barbosa-Lima, etj, si dhe një komponim origjinal të vet kitaristit Bytyqi.

Albumi është i disponueshëm, për dëgjim dhe blerje dixhitale, nëpër platformat e ndryshme, si: Spotify, Deezer, YouTube Music, Amazon music, Apple Music, etj.

Elvisi ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët që ishin pjesë e këtij projekti.

“Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët që ishin pjesë e këtij projekti: Erdem Gavazi, për incizimin dhe miskimin e albumit, Deniz Dadale, për fotografitë e realizuara, Elena Totaj, për dizajnin grafik të albumit, Shqipe Salihu , për realizimin e videos promovuese, Jeton Kaçka , për koordimin dhe menaxhimin e tërë projektit në mënyrën më të mirë të mundshme, vëllaun tim, Gjulian Bytyqi, për përkrahjen e tij të vazhdueshme”, ka shkruar Elvisi.

Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prizrenit.

Për më tepër, ky është linku i videos promovuese, ku mund të dëgjohen shkurtimisht veprat e albumit. / KultPlus.com

Eric Clapton, dashuria e të cilit jeton në telat e kitarës së tij (VIDEO)

“Muzika më shëroi mua”, pati thënë Eric Clapton, duke mos e realizuar faktin se është pikërisht muzika e tij ajo që shëroi shumë dëgjues të tij. Dashuria e tij për muzikën jeton në telat e kitarës së tij, e tekstet e këngëve janë art në vete, shkruan KultPlus.

Eric Clapton, kitaristi i njohur anglez është një nga kitaristët më të njohur dhe më të dashur për publikun. Këngët e tij priten shumë mirë nga dëgjuesit të cilët i qëndrojnë besnik muzikës së tij ndër vite.

Muzika e tij ofron një vend të komfortit që gjithmonë të bënë të ndihesh si në ‘shtëpi’.

Clapton u rendit i dyti në listën e ‘Rolling Stone’ për “100 Kitaristët më të mëdhenj të të gjitha kohërave” dhe i katërti në “50 Kitaristët më të mirë të të gjitha kohërave” të ‘Gibson’. Ai gjithashtu zuri vendin e pestë në listën e revistës ‘Time’ të “10 Lojtarëve më të Mirë të Kitarës Elektrike” në vitin 2009.

“Sa herë që merrni kitarën tuaj për të luajtur, luani sikur të jetë hera e fundit”, sugjeron Clapton, i cili i qëndron prapa fjalës së tij, gjithmonë duke i dhuruar publikut performancat më të mira.

Clapton ka fituar 18 ‘Grammy Awards’, e po ashtu edhe ‘Brit Award’ për ‘Kontribut të Shquar në Muzikë’.

Në karrierën e tij solo, Clapton ka shitur më shumë se 280 milionë disqe në të gjithë botën, duke e bërë atë një nga muzikantët më të suksesshëm të të gjitha kohërave.

Para disa ditëve, Eric Clapton, solli një version të ri të këngës së tij ‘After midnight’ – The lady in the balcony’, dhe sot KultPlus ju sjell atë më poshtë:

Disa nga këngët e tjera të njohura nga Eric Clapton janë:

“Blue Eyes Blue”

“Layla”

“Wonderful Tonight’’

“Badge”

“Old love”, e shumë të tjera që ende i dhurojnë publikut të njëjtat emocione si kur u dëgjuan për herë të parë. / KultPlus.com

Kitaristi Drilon Çoçaj me koncert recital në Suedi

Kitaristi kosovar Drilon Çoçaj, pas disa prezantimeve që pati në vendlindje, tashmë do të mbajë një koncert recital në qytetin e Boras të Suedisë, shkruan KultPlus.

Përpos koncertit Çoçaj ku do të mbajë masterclassin për kitaristët e shkollës së qytetit. Ndërsa në koncertin solo veprat që do t’i luaj janë nga kompozitorë të ndryshëm si Bach, Sor, Legnani dhe Ponce.

Këto aktivitete organizohen nga qytetit i Boras, shkolla e artit të qytetit dhe shoqata e shqiptarëve në Suedi If Dardania./ KultPlus.com

13-vjeçari nga Kosova, fitues i vendit të parë në “Palaio Faliro Guitar Festival” në Athinë (FOTO)

13 vjeçi nga Mitrovica, Diar Aliu, nxënës i klasës së 7-të, ishte pjesëmarrës në edicionin e 7-të të “Palaio Faliro Guitar Festival” të mbajtur në Athinë të Greqisë.

Diari, nga Athina u kthye me vendin e parë në kategorinë e dytë që përmbledh grupmoshat 13-16 vjeç, aty ky ai konkurronte, shkruan KultPlus. Përveç kësaj, Diar Aliu, kishte mundësi të ndiqte një masterklas nga John Feeley dhe Yannis Petridis. Ndërsa përveç mirënjohjes ai fitoi edhe një kitarë të punuar nga mjeshtri Stelios Theodoroudis me vlerë prej 1000 euro si çmimi kryesor i kategorisë.

Diari, për këtë pjesëmarrje në Athinë është mbështetur financiarisht nga prindërit, ndërsa talenti 13-vjeç, ka marrë pjesë edhe nëpër festivalet e tjera të kitarës në Kosovë e së fundmi edhe në spektalin e virtuozeve të organizuar nga Inva Mula.

Talenti në kitarë, doli të jetë fitues i kategorisë së dytë në “Peja Guitar Festival 2017”. Krejt ky sukses i Diarit, sipas prindërve të tij është meritë e profesorit Drilon Cocaj, pasi që, Diar Aliu është nxënës i klasës së pestë i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë./ KultPlus.com

Ron Atiqi, solist me kitarë në koncertin e Orkestrës së të rinjve të Cyrihut

Pak muaj më parë ai ka fituar çmimin më të lartë që për kategorinë e tij ndahet në Zvicër. Ndërsa para një viti Roni pati marrë çmimin promovues të qytetit të Cyrihut për të rinjtë në muzikën klasike.

Orkestra Simfonike e të rinjve e Cyrihut (JSOZ), është një formacion elit i muzikës klasike në metropolin zviceran. Ajo vepron në kuadër të Konservatorit të Muzikës të Cyrihut (MKZ) dhe prej një viti funksionon si një orkestër që realizon projekte muzikore. Këto projekte nënkuptojnë punë intensive
në formë provash që kurorëzohen me koncerte e turne.

Këtë vit JSOZ shënon 30 vjetorin e themelimit dhe në këtë kuadër, gjatë kësaj vjeshte do të ndërmarrë një turne. Si solist gjatë turneut do të interpretojë kitaristi i ri, tashmë i njohur me prejardhje nga Kosova, Ron Atiqi, shkruan albinfo.ch. Ndryshe, në secilin rast kur përmendet emri i tij në njoftimet për koncertet ku ai merr pjesë, nuk harrohet pa u cilësuar nga organizatorët si “njëri ndër kitaristët më të talentuar të Zvicrës”. Dhe për këtë, Roni ka edhe dëshmitë përkatëse.

Pasi ka kaluar me sukses të gjitha nivelet në garat e kitaristëve të rinj, i riu me talent të rrallë ka fituar pak muaj më parë edhe çmimin më të lartë që për këtë kategori ndahet në Zvicër. Ai ka dalë i pari në finalen e Garës Zvicerane të Muzikës për të Rinj (SJMW) të mbajtur në Le Chaux de Fonds. Ndërsa para një viti pati marrë çmimin promovues të qytetit të Cyrihut për të rinjtë në muzikën klasike, për interpretim me kitarë.

Roni është lindur para 18 vitesh në një familje artdashëse të Mitrovicës që jeton në qytezën Elg afër Winterthurit në Kantonin e Cyrihut, shkruan albinfo.ch. Babai i tij, Ali Atiqi është po ashtu kitarist dhe merret edhe me pikturë.

Në koncertin e 26 tetorit Ron Atiqi do të interpretojë si solist veprën për kitarë, “Fantasia para un Gentilhombre të kompozitorit të njohur Joaquin Rodrigo.

Të ardhurat nga koncerti që mbahet më 26 tetor në Zollikon të Cyrihut në organizim të organizatës “Kiwanis” u dedikohen fëmijëve te varfër të Afrikës.

Koncerti fillon në ora 19:30 në Gemeindesaal Zollikon, Rotfluhstrasse 96 8702 Zollikon.
(Foto: Dominik Reichen). / KultPlus.com