Pjesëtarët e KFOR-it në Kosovë kanë nderuar sot ish-komandantin, duke ulur flamurin e KFOR-it në gjysëmshtizë, shkruan KultPlus.
“Me zemër të rënduar përshëndesim dhe e ulim flamurin e KFOR-it në gjysmështizë për humbjen e ish-komandantit, gjeneral Dr. Klaus Reindhardt”, thuhet në një postim në Facebook.
“Ne si ushtarë të KFOR-it nuk i harrojmë kurrë vëllezërit tanë dhe të gjithë ndajmë dhimbjen për humbjen e ish-komandantit tonë. U prefsh ne paqe gjeneral. Nuk do të harrohesh kurrë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it në “Facebook”.
Gjenerali Reinhardt komandoi KFOR-in ndërmjet 8 tetorit 1999 dhe 18 prillit 2000. /KultPlus.com
Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka shkruar për ndarjen nga jeta të Gjeneralit Klaus Reinhardt, i cili ishtë komandanti i parë i trupave të KFOR-it në Kosovë.
“Si komandant i parë i trupave të KFOR-it në Kosovë, Gjenerali Reinhardt ka dhënë një kontribut vendimtar në kthimin gradual të Republikës së Kosovës në një jetë normale, civile dhe në rindërtimin e vendit pas një lufte të tmerrshme dhe përballjes me gjenocid”, shkruan ministrja.
Ministrja ka shprehur ngushëllime për vdekjen e gjeneralit.
Postimi i saj i plotë:
Me pikëllim të thellë kam pranuar lajmin që është ndarë nga jeta Gjenerali Klaus Reinhardt.
Si komandant i parë i trupave të KFOR-it në Kosovë, Gjenerali Reinhardt ka dhënë një kontribut vendimtar në kthimin gradual të Republikës së Kosovës në një jetë normale, civile dhe në rindërtimin e vendit pas një lufte të tmerrshme dhe përballjes me gjenocid.
Krahas mbrojtjes së popullsisë, vendosjes dhe ruajtjes së paqes në Kosovë, roli i Gjeneralit Reinhardt ishte vendimtar edhe në dhënien e impulseve të shumta dhe të rëndësishme për rindërtimin e shtëpive private dhe institucioneve publike si dhe në ringritjen e institucioneve civile.
Me shërbimin dhe udhëheqjen e tij, ai ka dhënë një kontribut shumë të çmuar jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendin e tij, Gjermaninë dhe me të drejtë ka zënë një vend të paëvendësueshëm në kujtesën kolektive të qytetarëve të Kosovës.
I jemi mirënjohës përjetë Gjeneralit Klaus Reinhard, i cili Kosovën e pati gjithnjë në zemër dhe do të mbetet gjithnjë në zemrat tona.
Familjes dhe miqve të tij, ushtrisë gjermane, në të cilën i shërbeu kaq gjatë vendit të tij, Gjermanisë, iu shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta./ KultPlus.com