Vjollca Duraku
Një publik entuziast i cili u ngrit dhe qëndroi në këmbë tre herë përgjatë koncertit, ishte rezultat i një interpretimi mjeshtërisht të rrallë të realizuar mbrëmë nga violinisti i shquar Elvin Hoxha-Ganiyev dhe pianistja Klejda Tare, në koncertin e dytë të festivalit Chopin Piano Fest Prishtina 2023, shkruan KultPlus.
Violinisti i famshëm me prejardhje shqiptaro-azerbejxhaniane, Elvin Hoxha-Ganiyev dhe pianistja Klejda Tare, me profesionalizmin e tyre mbrëmë dhuruan çaste të paharrueshme për publikun në sallë, duartrokitjet e të cilëve bënë që muzicientët të performonin edhe një pikë tjetër shtesë në nderim të gjithë atij entuziazmi.
Kjo mbrëmje u hap nga organizatorja e festivalit, Besa Luzha, e cila qysh në hapje të koncertit e paralajmëroi profesionalizmin dhe nivelin e lartë të performancës së muzicentëve të cilët do të perfomonin pas pak. Pas fjalimit të saj, dritat u fikën, dhe tanimë violinisti Elvin Hoxha Ganiyev pushtoi skenën, me veprën e kompozitorit Eugene-Auguste Ysaye, Sonata nr.2, op.27.
Natës së errët me yje dritëshumë, i ngjante edhe paraqitja e violinistit, i cili me një elegancë të theksuar, me kostume të zeza dhe një nur që i shndriste, e tërhiqte publikun si magnet edhe me pamje.
Këtë interpretim, dukej sikur e ndjeu shumë vet mjeshtri i violinës, pasi lëvizjet trupore, mimika dhe forma e kaçurreleve të tij, ndryshonin në bazë të shkallës emocionale në të cilën gjendej muzicienti i shquar përgjatë atyre sekondave.
Nga jashtë dukej sikur violinisti brenda botës së tij ishte në kërkim të diçkaje në dhomat imagjinare të mendjes, e të cilën ndjesi dukej se e gjeti vetëm kur filloi të interpretonte me gishtërinjtë e tij instrumentin për të cilin ai kishte studiuar mijëra orë. Një frymëmarrje e thellë dhe e ngadaltë, një fytyrë që buzëqeshte sikur rrinte e përqafuar me violinën, tani kur tingujt ekzekutoheshin me gishtërinjtë e violinistit, konfirmonin se në ato çaste artisti u përmbush shpirtërisht, dhe kjo njëkohësisht shënoi edhe pikën kulmore të interpretimit.
Pikat tjera të koncertit përfshinë veprat e kompozitorëve Claude Debussy me Sonata për violinë në G minor L. 140 dhe Oliver Messiaen me Theme et variations, ku këtu në skenë u shfaq edhe pianistja Klejda Tare.
Në këto pika të interpretimit, u vë në pah ligji i polaritetit si në tingujt të cilët ofroheshin, e që herë ishin të butë e herë më dinamikë, po ashtu edhe në emocionet e muzicientit, që herë ishin lumturi e gëzim, e herë melankoli, mall e trishtim.
Me një komunikim të hatashëm përmes syve, muzicientët u morën vesh për të filluar edhe pjesën e fundit të interpretimit të kompozitorit Sergei Prokofiev, Sonata nr1, ne F minor, op.80, të cilën e shijuan shumë edhe muzicientët, e po ashtu edhe publiku.
Fundin e performancës e shoqëroi një tërheqje e lehtë e duarve nga piano te lartë, të cilën lëvizje mjeshtërisht e realizoi pianistja Tare me qëllim që tingujt e fundit të jehonin më gjatë në sallë dhe në veshët e publikut.
Pas performancës me gjithë ata tinguj të bukur dhe asaj kënaqësie estetike e cila u dhurua në sallë, radha ishte që të kthehej mbrapsht kundrejt burimit. Publiku u ngrit në këmbë dhe për disa minuta qëndroi ashtu duke duartrokitur, dhe duke kthyer nderin të cilin e morën përgjatë një orë e gjysmë performance.
Meqë duartrokitjet zgjatën për disa minuta, muzicientët vendosën ta interpretojnë edhe një pjesë tjetër, si shenjë respekti për nderimet që po u bëheshin, për të vënë kështu qërshinë mbi tortë me interpretimin e tyre të fundit në këtë mbrëmje artistike.
Pas përfundimit të performancës, emocionet dhe vlerësimin e saj i dha për KultPlus, edhe Drejtoresha Artistike e Chopin Piano Fest, Lejla Pula, e cila tha se koncerti ishte i jashtëzakonshëm, pasi muzicientët edhe pse të rijnë në moshë, kishin sjell një program me kërkesa jashtëzakonisht të vështira teknike, muzikore artistike.
Ajo po ashtu duke thënë se artistët dhanë një perfomancë kulmore, u shpreh se ndihej e kënaqur që kishin arritur të sillnin në skenën e Kosovës, muzicientë të nivelit të tillë.
‘Ishte një koncert i jashtëzakonshëm. Kemi qenë dëshmitarë të një muzikimi të rrallë. Rrallë kemi dëgjuar artistë të rijnë, të këtij niveli, me një bashkëpunim artistik të jashtëzakonshëm me mes Elvin Hoxhës-Ganiyev dhe Klejda Tarës. Vërtetë e kanë sjellë një program me kërkesa jashtëzakonisht të vështira teknike, muzikore artistike. Do të thotë program të kërkesave kulmore virtuoze, duke krijuar një atmosferë të mrekullueshme artistike të cilën e ka shijuar publiku jashtë mase dhe ne jemi të lumtur që në skenën tonë sollëm artistë të këtij niveli’, ka thënë drejtoresha Pula.
Ndërsa Pianistja Klejda Tare, në një prononcim për KultPlus tha se ndihet e nderuar që ishte pjesë e festivalit Chopin Piano Fest, pasi që sipas saj është një ndër festivalet me prestigjioze jo vetëm në trojet shqiptare por edhe më gjerë.
Ajo po ashtu tha se bashkëpunimi me violinstin Hoxha-Ganiyev edhe pse nën presionin e kohës, ka qenë i mrekullueshëm, me shpresë që kanë arritur që të përcjellin emocione të cilat do të zgjasin gjatë në mendjen e publikut.
“Është ftesa e parë të cilën na e kanë bërë organizatorët e festivalit ChopinPiano Fest në Prishtinë, dhe u ndjeva mjaft e nderuar, sepse është një nga festivalet më prestigjioze, jo vetëm të trojeve shqiptare por edhe më gjerë. Për shembull bashkëpunimi me Elvinin ishte diçka e re, sepse unë vij nga Tirana ndërsa Elvini erdhi nga Gjermania, dhe na është dashur vetëm një ditë për të bërë prova. Kështu që ishim pak nën presion, por besoj se ia dolëm me sukses. Këto janë eksperienca të bukura, që brenda një kohe shumë të shkurtër duhej të merreshim vesh me njëri tjetrin dhe të arrijmë të realizojmë veprat më së miri’, ka thënë Tare.
Koncerti i radhës së Chopin Piano Fest do të mbahet më 15 maj në të cilin do të performojnë: Marina Nkolovska-Obo, Orges Malaj-Fagot, Ilir Kokëdhima-Korno, Enkelejda Zajmi-Gorani, Astrit Mustafa-Klarinet dhe Lejla Pula-Piano.
Edicioni i 13-të i festivalit të muzikës klasike, Chopin Piano Fest Prishtina, do të jetë deri më 9 qershor, në të cilin festival adhuruesit e muzikës klasike mund të shijojnë vepra të autorëve më të mirë botërorë./ KultPlus.com