Ansambli ‘MATI’ nga Shqipëria fitues i festivalit ‘I këndojmë Lirisë’ në Klinë

Ansambli i këngëve dhe valleve “MATI” nga Shqipëria është shpallur fitues i edicionit të 21-të, të Festivalit Folklorik ‘I këndojmë Lirisë’, i cili i kushtohet heroit kombëtar Mujë Krasniqi-Kapuçit, shkruan KultPlus.

Çmimin kryesor “Mujë Krasniqi” të edicionit të 21-të të këtij festivali e ka fituar ansambli i këngëve dhe valleve “Mati” nga Shqipëria.

Vendin e dytë në këtë festival e ka marrë Qendra Kulturore “Anamorava” nga Vitia.

Vendin e tretë AKV “Kastriotët” nga Ferizaj, ndërsa çmimi i publikut i ka takuar ansamblit të këngëve dhe valleve “Minatori”.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka falënderuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e festivalit duke thënë se si Komunë e kanë mbushur qëllimin  e tyre në organizimin e këtij festivali pasi është shumë domethënës në karakterin dhe cilësinë e Komunës së Klinës.

“Në emër të komunës së Klinës, si organizator i festivalit, i falënderoj grupin organizator për organizimin e shkëlqyeshëm të festivalit, jurinë për punën e tyre, pjesëmarrësit që ia kanë shtuar hijeshinë festivalit.

Ne si komunë e kemi mbështetur Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar ‘I këndojmë lirisë’ duke bërë të mundshme që festivali ta përmbush qëllimin, sepse festivali për Klinën është shumë domethënës, për karakterin dhe cilësinë duke u bërë tashmë tradicional dhe identifikues dhe do të vazhdojmë ta mbështesim çdo herë”, ka shkruar Elezaj në facebook.

Kryetari Elezaj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të festivalit, i cili i kushtohet heroit kombëtar Mujë Krasniqi-Kapuçit ka përkutuar të gjithë të rënët për liri.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për heronjtë e UÇK-së!

Lavdi të gjithë të rënëve për çlirimin e Kosovës!”, ka thënë Elezaj./KultPlus.com

Në Klinë gjenden mbetje mortore, dyshohet se janë nga lufta e fundit në Kosovë

Në fshatin Klinafc të Komunës së Klinës janë gjetur disa mbetje mortore që po dyshohet se mund të jenë viktima të varrosura gjatë luftës së fundit në Kosovë.

ATV ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes ku shihet një rrugë e hapur nga një kompani që po kryente punime në atë zonë.

Vendi tashmë është rrethuar nga shiritat e Policisë së Kosovës, të cilët janë njoftuar nga vet punëkryesit.

Kjo nuk është hera e parë që në kohën kur kryhen punime nëpër rrugë të gjenden mbetje mortore. ATV do t’u mbajë të informuar për më të rejat nga kjo ngjarje./atv/ KultPlus.com

Komuna e Klinës fillon ndarjen e mjeteve për fëmijë të porsalindur

Në seancën e Kuvendit të Komunës së Klinës, kanë marrë vendim nga të gjitha partitë politike për ndarjen e mjeteve buxhetore për realizimin e subvencionit për fëmijët e porsalindur.

Ndarja e mjeteve buxhetore do të behët në tri kategori, për fëmijën e parë do të ndahen 180 euro, për femijën e dytë 200 euro, ndërsa për të tretin dhe të tjerë do të ndahen nga 250.

Për këtë ka njoftuar kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Komuna e Klinës fillon ndarjen e mjeteve buxhetore për fëmijë të porsalindur

Të nderuar qytetarë të Klinës, prindër të dashur,

Sot, Kuvendi i Komunës, me vendim unanim nga të gjitha partitë politike, ka aprovuar propozimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për realizimin e subvencionit për fëmijët e porsalindur.

Ndarja e mjeteve buxhetore do të bëhet në këtë mënyrë:

Për fëmijën e parë do të ndahen 180 euro,

Për fëmijën e dytë 200 euro,

Për fëmijën tretë dhe të tjerë do të ndahen nga 250 euro.

Jam i zgjedhur që të punoj për të mirën e qytetarëve dhe çdo herë do të angazhohem që të ju dalim në ndihmë qytetarëve ”, ka shkruar Elezaj./Express/ KultPlus.com