Galeria “Oda” në Shkodër hapi ekspozitën e parë të vitit, një ngjarje që solli në qendër të vëmendjes artin e dy krijuesve shqiptarë nga rajone të ndryshme. “Klithma e Heshtur” është një ndërthurje mes pikturës dhe skulpturës, ku artistët Kaltrina Hoti nga Plava e Malit të Zi dhe Fatlon Ibishi nga Maqedonia e Veriut sjellin përmes veprave të tyre një reflektim të thellë mbi shqetësimet emocionale dhe përjetimet e brendshme.

Për Kaltrinën, kjo është hera e parë që ekspozon në Shkodër, duke e prezantuar artin e saj si një thirrje të brendshme që merr formë përmes pikturës. Ndërsa për skulptorin Fatlon Ibishi, i cili rikthehet për herë të dytë në këtë hapësirë ekspozuese, skulptura është një dëshmi e emocioneve të tij më të thella, një formë arti që prek dhe komunikon me audiencën përmes formave të gdhendura në materie.
Kjo ekspozitë shënon një moment të rëndësishëm për artin shqiptar, duke sjellë në një hapësirë të përbashkët krijues nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Përtej kufijve gjeografikë, arti mbetet një urë lidhëse që flet një gjuhë të vetme – atë të ndjesive universale dhe të përbashkëta.
Galeria “Oda”, e drejtuar nga galeristja Rozafa Shpuza, prej pesë vitesh mirëpret artistë nga mbarë bota, duke e kthyer Shkodrën në një qendër të rëndësishme për artin bashkëkohor. Ekspozita “Klithma e Heshtur” tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të shumtë, duke dëshmuar edhe një herë se arti nuk njeh kufij, por vetëm ndjenja dhe mesazhe që mbeten të përjetshme./ KultPlus.com
