Një prej çështjeve më të ndjeshme në dy dekadat e fundit në Kosovë, çështja e personave të pagjetur, të vrarë, të masakruar dhe zhdukur gjatë pushtimit nga shteti i Serbisë, ka mbetur në udhëkryq. Praktika po tregon që sot ajo është vetëm brengë e familjarëve, të cilët nuk e kalojnë asnjë natë të qetë, derisa nuk e dinë ku i kanë eshtrat e më të dashurve të tyre.
Familjarët që e kanë nisur edhe një vit të ri në ankth dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut thonë për KosovaPress, se kjo çështje duhet të trajtohet ekskluzivisht si çështje humane, ndërkohë kryetari i shtetit thotë se ekziston amnisti ndërkombëtare për gjenocidin që Serbia e ka kryer në Kosovë.
Të mllefosur me mos-punën e institucioneve vendore e ndërkombëtare drejt zbardhjes së fatit të personave të pagjetur tash e dy dekada, por asnjëherë të lodhur nga pritja që një ditë më të dashurit e tyre do të t’i kenë varret mbi të cilat ata do të vendosin lule, në çdo përvjetor, në çdo festë e në çdo përkujtim.
Çdo ditë janë plot sy e vesh mos dikush po tregon diçka të re, se mos diku do të gërmohet, se mos shteti i Serbisë, i cili në luftën e fundit në Kosovë vrau dhe zhduki shqiptarë civil, po tregon lokacionet se ku i ka lënë trupat.
Këta janë familjarët e personave të zhdukur në Kosovë, një prej kategorive më të ndjeshme që ka prekur lufta e fundit nën regjimin e atij që njihet si kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
Mbi 1600 persona sot nuk prehen të qetë në varret e tyre. Mbi 1600 familje nuk dinë çka është festa tash e 20 vjet, meqë për ata ekziston vetëm një ditë feste, një ditë gëzimi, e ajo është dita kur ata i gjejnë trupat e familjarëve të tyre.
Në ditëlindjen e babës së tij, në përvjetor, Tafil Strana mund të vendosë lule vetëm pranë obeliskut për personat e pagjetur që ndodhet krejt pranë ndërtesës së Kuvendit dhe asaj të Qeverisë së Kosovës. Institucione këto që deri tani nuk kanë arritur të “detyrojnë” Serbinë, e as të kushtëzojnë atë, të tregojë se ku i ka lënë shqiptarët që i ka zhdukur në luftën e viteve ’98-99.
Vetëm të ky obelisk, Tafil Strana nga Mitrovica përkulet dhe bashkë me familjarë të tjerë vendosë lule dhe bënë thirrje për zbardhjen e fatit të babës së tij që u zhduk më 13 mars të vitit 1999, dhe mijëra të tjerëve ende të pagjetur.
Strana: Babën e kam të zhdukur nga 13 marsi i vitit 1999
“Është i zhdukur prej dorës serbo-çetnike, këtu gisht doktor Marko Jakshiq, prej dorës së tij është mbyt, është zhdukë. Sot po bëjmë përpjekje me i gjetë personat e zhdukur, nuk është në pyetje veç një prind i jemi, por shumë prind. 1500 të zhdukur në Kosovë, 114 vetë janë të Mitrovicës”, thotë ai për KosovaPress.
Dukë rrëfyer për jetën e tij dy dekadëshe në kërkim të babës së zhdukur, Strana thotë e ka mjaft të vështirë çdo ditë e çdo festë që kalon.
Strana: Familjarët nuk kanë gjumë rehat kur nuk e dinë për fatin e më të dashurve të tyre
“Pa babën vështirë është, neve si familjarë as gjumin si gjumë nuk mund ta bëjmë prej ëndrrave, prej ankthit, kur të paramendojmë që janë të zhdukur e nuk i kemi familjarët tonë. Hajde Serbia krime ka bërë, por edhe institucionet e tona të përparshme asgjë nuk kanë punuar ndaj tyre”, rrëfen ai.
Familjarët konsiderojnë se çështja e personave të pagjetur ka mbetur në udhëkryq dhe se me këtë çështje madje po bëhet lojë nga Beogradi përgjegjës.
Bajram Qerkinaj, është edhe një tjetër prind që kërkon djalin e tij të zhdukur. Ai udhëheq me shoqatën “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë, dhe në emër të familjeve thotë se ekzistojnë fakte për vendndodhjen e trupave.
Qerkinaj: Çështja e të pagjeturve ka mbet në udhëkryq, kush duhet të na tregojë ku është rruga?
“Sa u bë këtë vit, ne nuk jemi të kënaqur aspak, për shkak se neve na u ka dukë jo që po na shkelen të drejtat e njeriut ato elementaret, çka janë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve por po duket se po bëjnë edhe njëfarë loje, si Beogradi, ashtu edhe mjerisht ndërkombëtarët të cilët na kanë çlirua. Të të pagjeturit, ky proces i tyre, i familjarëve ka mbetur në rrugëkryq, kur të fol me udhëheqësin tonë thonë ka faj EULEX-i, kur fol me EULEX-in thonë nuk i kemi marrë krejt dokumentacionet prej UNMIK-ut, e kur nisë jashtë Kosovës, katastrofë, me bë me fol me grupin punues edhe të Serbisë, është katastrofë, nuk kanë zbardh asnjë fat qysh duhet, edhe pse të ne ka dokumente, i kemi faktet e gjalla, jo për një por për shumë të tjerë. Tash çka, ku jemi, kush duhet të na tregojë ku është rruga?”, thotë Qerkinaj.
I pikëlluar që ka hyrë edhe në një vit tëri, me plagë të vjetra, Qerkinaj që është mjaft i shtyrë në moshë, nuk pranon të jetë lodhur nga kërkimi për djalin dhe mijëra persona të tjerë të zhdukur.
Ai thotë që Serbisë i duhet vënë kusht dhe mos të bisedohet për asnjë temë tjetër, pa u përmbyllur procesi i të pagjeturve.
Qerkinaj: Serbisë duhet vënë kusht, mos të bisedohet pa zbardhjen e fatit të personave të pagjetur
“Kusht duhet t’i qitet gjithqysh Serbisë për personat e pagjetur, nuk ka bisedime. Nëse në Rudnicë kanë shkuar 250, e pranojnë serbët, e pranojnë eprorët që i kanë dërgua, të bisedosh me ta dhe t’i kanë dhënë vetëm 50, pse me bisedu me ta, duhet me thënë ne e kemi dokument që i kanë marrë 450 kur Vakariq ka thënë i kemi 250. Për çka me bisedu më, çka do me bisedu”, thotë Qerkinaj i mllefosur me këtë situatë kur nuk po dihet asgjë për të zhdukurit.
Ndërsa në Këshillin për Liritë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut thonë se procesi për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur do të zvarritet derisa kjo çështja nuk trajtohet si humanitare por hedhet në një teren politik.
Kryetari i KLMDNj, Behxhet Shala thotë se kjo çështje duhet trajtuar ekskluzivisht si e drejtë e njeriut.
Shala: Çështja e të pagjeturve duhet të trajtohet ekskluzivisht si e drejtë e njeriut
“Derisa çështja e personave të pagjetur nuk trajtohet ekskluzivisht si e drejtë e njeriut, si çështje humanitare, por bëhet përpjekje të hedhet në një teren politik, atëherë vetëm sa do të kemi zvarritje, sepse në fund të fundit politika është përgjegjëse për fatin e tyre dhe ajo që është përgjegjëse nuk ka as interesim të jap sqarime apo informata për fatin e tyre. Kjo duhet të trajtohet ekskluzivisht si e drejtë e njeriut dhe në atë drejtim mund të bëhet më tepë, ndoshta me kalimin e kohës dikush edhe mund të jap informacione mirëpo nuk pres që do të ketë informacione për të gjithë”, thotë ai.
Sipas tij, mund të arrihet marrëveshje finale me Serbinë, por pa zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur ajo nuk do të ishte e qëndrueshme.
Shala: Nuk mund të ketë paqe pa zgjedhjen e çështjes së të zhdukurve.
“Problem të ketë qetësi, problem të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme, sepse mund të arrihet marrëveshje e cila është e imponuar, thjesht u imponohet dy palëve e keni këtë ofertë doni ose jo duhet ta bëni. Pra nëse familjarët e personave të pagjetur nuk janë të kënaqur me një vendim, atëherë asnjë paqe nuk do të jetë e qëndrueshme”, thotë Shala.
Hilmi Jashari i cili drejton institucionin e Avokatit të Popullit, vlerëson se ka pasur mundësi të bëhet më shumë drejt zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.
Jashari: Ka pasur mundësi të bëhet më shumë për çështjen e të pagjeturve
“A ka pas mundësi të bëhet më shumë, jam më së i bindur që po, sepse vet fakti që ka pasur një lloj konfuzioni të përgjithshëm në mes të autoriteteve tu përfshi UN e deri tek momenti kur është shpallë pavarësia e vendit, e pastaj ka pasur një varg zbrastësirash e derisa në momentin kur është trajtuar dhe konsideruar si çështje politike e cila është vendosë në procesi ne dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. Dhe kjo nuk ka ndihmu definitivisht në zgjedhjen ligjore ose juridike të këtij problem, mundësitë kanë qenë të hapura, ndoshta edhe më të mira për të bërë më shumë si vend, duke filluar përmes mekanizmave ndërkombëtar e duke i shfrytëzuar ato, duke mbledhë të dhënat që ka pas një defekt në sigurimin dhe mbledhje ne të dhënave adekuate, profilizimi ne të gjitha këtyre të dhënave dhe pastaj për t’i adresuar në mënyrë më të duhur dhe në formë dokumenti zyrtar, deri të te dhënat që janë bërë past aj në vend”, thotë Jashari.
Krerët e institucioneve të Kosovës vazhdimisht kanë deklaruar se po bëjnë përpjekje të shtyjnë përpara procesin e zbardhjes së personave të pagjetur.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, flet për amnisti ndërkombëtare për gjenocidin që ka kryer Serbia në Kosovë.
Thaçi: Amnisti ndërkombëtare për gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë.
“Ne merremi vazhdimisht kudo që jemi me këtë çështje por Beogradi nuk ka qenë bashkëpunues në këtë drejtim dhe krejt çka kemi pasur mundësi të bëjmë është të bashkëpunojmë ngushtë me mekanizma ndërkombëtarë që të influencojnë të shteti i Serbisë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, kjo është e padiskutueshme, ka kryer spastrim etnik, ka vrarë mbi 13 mijë civil shqiptar, ka kryer rreth 400 masakra kundër civilëve shqiptarë dhe ka kryer rreth 20 mijë dhunime, për çka nuk janë ballafaquar me drejtësi ndërkombëtare. Definitivisht është një amnisti ndërkombëtare për spastrimin etnik që ka ndodhë në Kosovë nga shteti i Serbisë, spastrim etnik dhe gjenocid. Lirisht mund të themi amnisti ndërkombëtarë për gjenocidin që ka kryer Serbia në Kosovë.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se ka qenë i kujdesshëm me shoqatat e familjeve të personave të pagjetur, duke i përkrahur në aspektin buxhetor dhe thekson që ka kërkuar nga ndërkombëtar për presion ndaj palës serbe.
Haradinaj: Kam kërkuar që ndërkombëtarët të bëjnë presion mbi Beogradin për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
“Kam kërkuar në instanca të nalta ndërkombëtare takime që të bëhet presion mbi Beogradin për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, mirëpo e vërteta është se kjo është dy pjesëshe, një pjesë është identifikim i mbetjeve mortore që janë në Kosovë, ende nuk janë identifikuar krejt mbetjet mortore që ekzistojnë në Kosovë, por po ashtu është edhe një zbardhje dhe një dhënie e të dhënave që i ka Serbia e nuk po i jep”, thotë Haradinaj.
Familjarët e personave të pagjetur, të cilët bëjnë thirrje për presion ndaj Serbisë që kjo e fundit të tregojë se ku ua ka lënë më të dashurit e tyre, kërkojnë më shumë angazhim nga politikanët kosovarë që kanë mandat udhëheqës.
Qerkinaj: Vendorët do të japin përgjegjësi para popullit dhe Zotit për çështjen e të pagjeturve.
“Nuk është seriozitet edhe nga vendorët. Vendorët, për mua, jo që po hyjnë në gjynah, e jo që nuk e kanë me seriozitet, por do të japin përgjigje para popullit dhe Zotit, sepse kjo çështje është jashtëzakonisht e dhimbshme”, thotë Bajram Qerkinaj, kryetar i shoqatës “Zëri i Prindërve”.
Ata kërkojnë nga qeveria e re që pritet të formohet në Kosovës, që mos të bisedojë me Serbinë për asnjë çështje tjetër para kësaj për personat e pagjetur. /KultPlus.com