Ahmet Zogu i shkruan Koço Kotës: Të zëvendësohen zyrtarët e paaftë! Universiteti të merret me arsimimin e grave

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Gusht 2019

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të dielën e 20 janarit 1929, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me udhëzimet e mbretit Zog për zbatimin e programit të ri qeveritar, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Programi i qeverisë shqiptare

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Tiranë, 29 Janar. Zyra e shtypit shqiptar publikon informacionin e mëposhtëm:

Në transmetimin e dekretit që emëron ministrat e rinj tek Presidenti i Këshillit (Koço Kota), Mbreti dërgoi një letër në të cilën përcakton udhëzimet e përgjithshme për zbatimin e programit qeveritar. Pikat kryesore të programit të mëparshëm të kabinetit mbeten në përmbajtjen e programit të ri. Zyrtarët e paaftë do të zëvendësohen me ata kompetentë. Këta duhet të jenë shërbëtorët e popullit sovran. Kompanitë e huaja që dëshirojnë të punojnë në Shqipëri do të gjejnë lehtësitë e nevojshme.

Kodi Civil së shpejti do të hyjë në zbatim. Një kod tregtar (komercial) është në përgatitje e sipër. Ministria e Arsimit Publik do të dërgojë studentë jashtë vendit. Universiteti do të duhet të merret me arsimimin e grave.

Në një vend aq pjellor sa Shqipëria, nuk duhet të jetë e nevojshme të blihet bukë jashtë vendit, kështu që reforma agrare nuk mund të vonohet. Do të ndërtohen kanalet e ujitjes. Taksa doganore për makineri do të ulet.

Populli që paguan taksat pret nga ekzekutimi i punëve publike një shpërblim për sakrificat e tij. Të gjithë shqiptarët do të kuptojnë se interesi i kombit vjen së pari. (Havas).

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve


https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-1929-mbreti-zog-kryeministrit-koco-kota-leter-te-zevendesohen-zyrtaret-e-paafte-universiteti-te-merret-me-arsimimin-e-grave-te-behet-reforma-agrare/ / KultPlus.com