Më 1 prill të vitit 1929, u miratua njëri prej akteve juridike më të rëndësishme të shtetit shqiptar, Kodi Civil.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave thekson se Kodi përbënte risi për terrenin normativ dhe shoqëror të Shqipërisë së viteve ‘30.
Vetiu, legjislacioni shqiptar pati shëmbëlltyrën e të drejtave të huaja e veçanërisht të së drejtës franceze, italiane dhe deri diku të asaj gjermane e zvicerane.
Thënë këtë, përgjatë përpilimit, u huazuan dispozitat për barazinë e të gjithë qytetarëve, për emancipimin e pronësisë mbi tokën dhe për lirinë e angazhimit në aktivitete ekonomike.
Hyrja në fuqi e këtij Kodi Civil e grupoi të drejtën civile shqiptare në llojin romano-gjermanik, duke e mëvetësuar nga e drejta otomane. Me ndryshimin e regjimit qeverisës në vend, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ky legjislacion asokohe bashkëkohor, u shfuqizua.
Në dokument, paraqitet një telegram falenderimi që Ministria e Drejtësisë ia drejton Mbretit Zog, për vënien në zbatim të Kodit Civil. / KultPlus.com
Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka paralajmëruar se do ta ridërgojë Projektkodin Civil në Kuvend.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kjo ministri tha se është në pritje të vendimit të Kuvendit për mosmiratimin e Kodit gjatë seancës së 16 marsit.
Kuvendi i Kosovës dështoi të miratojë Projektkodin Civil në leximin e parë pasi disa deputetë, në pushtet dhe opozitë, e kundërshtuan nenin, i cili do t’i hapte rrugë hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.
Ministria nuk dha më shumë detaje se a do ta ndryshojë Projketkodin, apo do ta riprocedojë të njëjtin.
Sekretari i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, Ismet Krasniqi, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se rregullorja aktuale e Kuvendit të Kosovës nuk e ndalon që i njëjti tekst i Projektkodit të procedohet, si dhe nuk ka kufizime në afatin kohor për procedim.
Qemajl Marmullakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se Ministria e Drejtësisë, për të ridërguar projektligjin për shqyrtim edhe miratim në Kuvend, i ka dy mundësi në dispozicion, por që të dyja nënkuptojnë që projektligji duhet të miratohet.
“Të rishikojë projektligjin, të bëjë ndryshimet e nevojshme dhe ta riprocedojë për miratim; si dhe të qartësojë pikën apo nenin-et që janë kontestuese nga ana e deputetëve, të bëjë presionin e nevojshëm politik (kushtimisht) për të marrë përkrahjen e deputetëve për nenet që janë kontestuar ata dhe të vazhdojë për miratim”, tha Marmullakaj për Radion Evropa e Lirë.
Për këtë projektkod votuan 28 deputetë, kundër ishin 29, 4 kanë abstenuar, kurse 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.
Disa deputetë, në fjalimet e tyre gjatë seancës së mbajtur më 16 mars në Kuvendin e Kosovës, derisa po diskutohej për Projektkodin Civil, e konsideruan të papranueshëm lejimin e “bashkësive civile”.
Deputetja Labinote Demi-Murtezi nga Lëvizja Vetëvendosje, deklaroi se “standardi i moralit shoqëror në vendin tonë e dikton si të pranueshme vetëm martesën e gjinive të kundërta, çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral”.
Muajin e kaluar, udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë, Bashkësisë Islame, Kishës Katolike, Kishës Protestante Ungjillore dhe Bashkësisë Hebraike, kanë bërë thirrje që në Projektkodin Civil të mos bëhen ndryshime në përkufizimin dhe interpretimin për familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve.
Ndërsa të enjten, disa qytetarë dhe pjesëtarë të komunitetit LGBTI kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës në shenjë pakënaqësie ndaj mosmiratimit të Projektkodit Civil. Protestuesit e dënuan edhe gjuhën e përdorur nga deputetët gjatë seancës së Kuvendit. /REL/ KultPlus.com
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka dalë me një reagim lidhur gjuhën e përdorur në Kuvendin e Kosovës referuar çështjes së ligjit të Kodit Civil për martesat e së njëjtës gjini.
Mes tjerash KMDLNj po e kundërshton ashpër fjalorin fyes dhe përjashtues në Parlamentin e Kosovës, njofton Klankosova.tv.
”Në seancën e datës 16 mars 2022 të Kuvendit të Kosovës dështoi votimi i Kodit Civil shkaku se nga 61 deputetë sa kishin votuar 28 deputetë kishin votuar për, 29 kishin votuar kundër ndërsa 4 të tjerë kishin abstenuar.
Duket qartazi se Kodi Civil nuk ishte votuar për faktin se shumë deputetë janë frikësuar se me këtë Kod Civil i hapet rruga legalizimit të martesave të gjinisë së njëjtë e që e kanë bërë të ditur edhe në diskutimet e tyre para se të votohej ky Ligj. Disa prej tyre deklaruan se do të votojnë për këtë Kod Civil nëse hiqet neni përkatës që e lë këtë mundësi dhe për të cilin kanë kërkuar që të votohet pa asnjë ndryshim vendet e QUINT-it dhe BE –e.
Për KMDLNj –në është e padiskutueshme e drejta e deputetit që të votojë pa iu nënshtruar asnjë presioni dhe të votojë në bazë të vullnetit të deputetit duke përfaqësuar dhe mbrojtur të drejtat e votuesve që e kanë votuar por edhe votuesve të tjerë, të[ drejtat e qytetarit të Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve politike, besimeve fetare, moshës, gjinisë apo statusit në shoqëri e që në shumë raste nuk ka ndodhur për faktin se deputetët i janë nënshtruar presionit brutal të subjektit që i takon dhe bashkësisë ndërkombëtare siç ishte rasti me Demarkacionin apo themelimin e Gjykatës Speciale.
KMDLNj –ë është i shqetësuar për fjalorin e papërmbajtur, degradues, fyes dhe përjashtues që deputetët e Kuvendit të Kosovës e përdorin kryesisht në mungesë të fakteve dhe për qëllime politike.
Me rastin e diskutimeve për Kodin Civil në Kuvendin e Kosovës pati diskutime të papranueshme nga aspekti i të drejtave të njeriut dhe nga aspekti i mandatit të deputetit me ç’rast u fyen rëndë pjesëtarët e një komunitetit me orientim seksual ndryshe e që nuk do të duhej të tolerohej sikur që deputetët e tillë do të duhej të sanksionoheshin për këtë fjalor përjashtues, fyes, degradues, diskriminues dhe racist.
E drejta e pakundërshtueshme dhe e pamohueshme e deputetit që të votojë në bazë të bindjeve që i ka, vullnetit dhe pa iu nënshtruar asnjë presioni nuk nënkupton edhe të drejtën që të fyejë dhe diskriminojë të tjerët edhe nëse nuk pajtohen me asgjë me përmbajtjen e ligjit të propozuar.
Mosvotimin e Kodit Civil KMDLNj –ë e konsideron më shumë si lojë politike, të pozitës dhe opozitës sepse, pa asnjë dyshim ky Kod Civil do të votohet në një të ardhme të afërt prandaj deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të tregohen shumë të kujdesshëm dhe të përmbajtur për fjalorin që e përdorin.
KMDLNj e respekton, si të drejtë të njeriut edhe mospajtimin e disa deputetëve më këtë Kod Civil mirëpo nuk përkrah në asnjë mënyrë fjalorin fyes, diskriminues dhe degradues ndaj askujt e në rastin konkret të komunitetit me orientim seksual ndryshe”./ KultPlus.com
Kreu i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka reaguar pasi dështoi votimi i Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës.
Szunyog lavdëroi deputetët për kalimin e dy projektligjeve në lexim të parë, siç janë ai i financimit të partive politike dhe deklarimit të pasurisë, por pati kritika për dështimin e votimit të Kodit Civil.
“Pas nisjes premtuese të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, me miratimin në lexim të parë të projektligjeve për financimin e partive politike dhe deklarimin e pasurisë, mosbërja e njëjtë me Kodin Civil është zhgënjyese. Legjislacioni i rëndësishëm nuk duhet të presë”, shkroi ai në rrjetin social Twitter.
Following the promising begging of the 🇽🇰 Assembly session today, with the adoption in the first reading of the draft laws on Political Party Financing and Disclosure of Assets, failure to do the same with the Civil Code is disappointing. Important legislation should not wait.
Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë përmes një deklarate për media, u ka bërë thirrje deputetëve që të miratojnë Kodin Civil.
BE thotë se dështimi i miratimit të këtij kodi do të ketë pasoja serioze negative në shumë aspekte të jetës së qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës, si dhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.
“Kodi Civil do të rregullojë konceptet juridike moderne lidhur me detyrimet kontraktuale, të drejtat pronësore, marrëdhëniet familjare dhe të drejtat e trashëgimisë. Kodi Civil sjell një avancim shumë të nevojshëm në zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit dhe në gjendjen e disa prej sektorëve më të cenueshëm të shoqërisë kosovare, veçanërisht të grave dhe fëmijëve si dhe të personave LGBTI. Të drejtat e fëmijëve janë avancuar në tekst duke përcaktuar se organi kompetent (gjykata) gjithmonë vendos në interesin e tyre. Gjithashtu, janë sqaruar dispozitat lidhur me trajtimin e fëmijëve të braktisur ose pa përkujdesje prindërore, si dhe e drejta për t’u dëgjuar në moshën 6 vjeçare. Kur bëhet fjalë për barazinë gjinore, pasuria e përbashkët e bashkëshortëve do të jetë e barabartë (50 me 50). Për të shmangur martesat e të miturve, është e ndaluar martesa nën moshën 18 vjeçare siç rekomandohet në vendet e BE-së. Gratë kanë të drejtë për procedura të barabarta dhe transparente në lidhje me divorcin dhe trashëgiminë para noterëve dhe gjykatave”.
BE thotë se deputetët duhet të marrin në konsideratë këtë pjesë të rëndësishme të legjislacionit dhe të përfshijnë shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit në shqyrtimin e mëtejshëm të këtij Kodi, “veçanërisht kur bëhet fjalë për garantimin e të drejtave të grupeve më të cenueshëm”. /KultPlus.com
Ambasada e ShBA-së në Kosovë, ka deklaruar se në hartimin e Kodit Civil të Kosovës duhet të përfshihen edhe të drejtat e komuniteve të margjinalizuara siç janë komuniteti LGBTI.
“Kosova është duke hartuar Kodin Civil për herë të parë? Si duhet të duket? Ne besojmë se duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe duhet të ketë ligje që mbrojnë interest e të gjithë qytetarëve, përfshirë të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara dhe lidhjet e gjinisë së njëjtë që janë të garantuara nga Kushtetuta”, thuhet në reagimin e Ambasadës. / KultPlus.com