“Kodi i nderit”, filmi i metrazhit të gjatë me skenar nga Valton Jakupi dhe Lirie Sahiti, e regji të Valton Jakupit, në muajin tetor nis xhirimet edhe në Kosovës, shkruan KultPlus.
Pas disa ditë xhirimeve në Shqipëri tashmë ky film do të xhirohet edhe në Kosovë, me një kastë aktorësh të njohur për publikun shqipfolës.
Filmi flet për fëmijët jetim binjak, për jetën dhe vështirësitë e tyre në familje të papërgjegjshme.
Në rolet kryesore janë Dijart Sylejmani dhe Lorena Jakupi, ndërsa në rolet e tjera vijnë Margarita Xhepa, Xhevdet Doda, Adem Zhitopotoku, Anita Muriqi, Selam Jusufi, Sulejman Lokaj (i ndjerë) Blerim Hasani, Dafina Restelica, Leonit Maloku, Osman Tahiri, Rei Guri e shumë aktorë të tjerë.
“Skenat me aktorin e madhe Sylejman Lokaj janë kryer para disa muajve shkaku i gjendjes se tij shëndetësore, por për fat të keq që nuk është tashmë në mesin tonë starti i fillimit të filmit do të jetë pak më ndryshe. Por jemi krenar që është në filmin tonë ashtu siç do të jetë gjithmonë në zemrat tona”, ka thënë për KultPlus regjisori Valton Jakupi.
Filmi është prodhim i kompanisë filmike International Film Europe në bashkëpunim me Movi Design dhe Theater Antika. Ass. Regjie do të jetë Anita Muriqi ndërsa xhirimet në Kosovë i janë besuar produksionit filmik Evolution Production nga Bujanoci me drejtor Jeton Ismailin. Filmi nis xhirimet më 3 tetor në fshatin Hodonoc të Komunës së Kamenicës./ KultPlus.com