Shoqata “Nënë Tereza” në Namur dhe Organizata Studentore Shqiptare “Vlera” në Bruksel të Belgjikës, në bashkëpunim me RTSH-në dhe ULB-në, organizuan mbrëmjen kulturore kushtuar “Kodikut të Purpurt të Beratit”.
Me një pjesëmarrje të madhe falë interesit të komunitetit shqiptar në Bruksel dhe pranisë së studiuesve, artistëve, historianëve, shkrimtarëve, pedagogëve e diplomatëve, u shfaq dokumentari “Kthim te Kodiku Beratinus”, realizuar me mbështetjen e Grupit Mediatik të Kinës.
Mbrëmja kulturore u drejtua nga organizatorët Jetnis Avdijaj dhe Arian Bajraktari, në formë bashkëbisedimi me historianë, gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë etj.
Ragip Zekolli, Eden Babani, Denajda Bajraktari, dr. Nikolla Shabani, Albert Nikolla, Leonora Canja, si dhe shumë të tjerë bashkëbiseduan mbi Kodikun e Beratit dhe historinë e restaurimit të tij nga Akademia e Shkencave të Kinës.
Gëzim Podgorica, nënkryetar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, tha se Kodiku, nëpërmjet këtij dokumentari, shkoi në Bruksel pas shfaqjes premierë në Paris dhe rrugëtimi do të vazhdojë në metropole të tjera europiane. Ai solli fakte e histori interesante nga restaurimi i Kodikut në Kinë gjysmë shekulli më parë, duke tërhequr vëmendjen e studiuesve të pranishëm. Dekani i Fakultetit të Letërsisë dhe Komunikimit në Universitetin e Lirë të Brukselit, Xavier Luffin, u shpreh se kjo histori e bashkëpunimit për restaurimin e Kodikut mes Shqipërisë dhe Kinës ishte e panjohur për të dhe mjaft interesante.
Konsullja e Republikës së Shqipërisë në Ambasadën e Shqipërisë në Bruksel, Vjola Kaloshi, theksoi rëndësinë kulturore të Kodikut, kësaj vlere unike të shqiptarëve, që është prej vitesh në mbrojtje të UNESCO-s, si dhe prezantimin e dokumentarit në kryeqytetin europian, Bruksel. /KultPlus.com