Lasgushi në takim me poetët nga Kosova

   Në fillim të viteve 70, kur u vendosën kontaktet e para me Kosovën, erdhi në Tiranë një grup poetësh e studiuesish nga Prishtina. Një ditë, duke shëtitur me disa prej tyre, u ndalëm në kafe “Tirana”. Sapo hymë, vura re në një cep të lokalit Lasgushin dhe ua tregova miqve. Ata shtangën menjëherë dhe pastaj më pyetën nëse kish mundësi ta takonin. Pa e zgjatur, iu afrova Lasgushit dhe ia thashë dëshirën e poetëve kosovarë. Ai reagoi me mënyrën e tij, lëvizi buzët pa thënë asnjë fjalë, por sytë ndërkaq i shkëlqyen dhe ktheu kokën nga ata. Ata, pa pritur përgjigje, qenë afruar dhe i kishin zgjatur dorën. Ishin të emocionuar dhe pak të hutuar. Si zunë vend, u bë një pauzë deri sa e mori fjalën Lasgushi.
   Domethënë qenkëshit poetë!? Të gjithë, ë? Dhe nga Kosova? Nga Shqipëria e jashtme, ë? Se e brendshmja është kjo që gjendemi ne, kurse e jashtmja është ajo që e lanë jashtë kufijve të 13-s…
   Sytë plot dritë të Lasgushit lëviznin sa te njëri te tjetri. Ishte vërtetë i gëzuar, por brenda natyrës së tij të përmbajtur.
   Sepse, ta dini ju, – vazhdoi poeti duke e ngritur zërin, – një kritik më kritikoi njëherë, se kritikët këtë punë kanë. Tha se unë nuk e njohkam gjeografinë e Shqipërisë. Bobo, ç’më dëgjuan veshët! Sepse ne vjersha “Poradeci” kam shkruar vargjet: “Duke nisur udhëtimin mespërmes nër Shqipëri, Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shendaumi…” More, i paditur, t’i thuash, Lasgushi e di gjeografinë, ti nuk e di. Ti nuk e di se gjysma e Shqipërisë është përtej dhe Drini është kufiri i përrallshëm i dy pjesëve të trojeve tona stërgjyshore. Apo s’është kështu?
   Të gjithë e miratuan me gaz, ndërsa poeti mbante kokën lart. Si u bë një heshtje, Lasgushi, që në kësi rastesh fliste pak, i prekur nga takimi jo i zakontë, mori të fliste prapë i gjallëruar e i gëzuar:
   Domethënë, – pyeti rishtazi Lasgushi me një ton që s’merrej vesh mirë, qenkëshit të gjithë poetë? Shumë poet paska Kosova! Ah, Kosovë, Kosovë, ti që ke nxjerrë njëherë trima, tashti nxjerr poetë!
   Dhe me kokën ngritur lart zuri përsëri t’i vështrojë të ardhurit një nga një, me dashamirësi dhe kureshtje si prej fëmije. Askush nuk fliste. Vetëm dëgjonin. Në një çast poeti iu drejtua njërit prej tyre:
   -Po mirë, ti që je poet, ke tentuar ndonjëherë të vrasësh veten?
Plasi gazi, ndërsa Lasgushi u bë serioz dhe nuk i hiqte sytë nga poeti Latif Berisha, që papritur u ndje ngushtë. Askush nuk dinte t’i përgjigjej kësaj pyetjeje.
   – Epo, – vazhdoi thuajse qortueshëm Lasgushi, po nuk provuar këtë, ta dish se nuk je poet!
   U krijua një situatë e çuditshme, sa serioze aq dhe komike.
Qeshnim, shikonim njëri-tjetrin me sy, po s’dinim ç’të thoshim.
   – Lasgushi, – mori fjalën prapë ai, po kësaj here me një seriozitet sugjestionues, – e ka provuar. Ka zbritur me revolver në bodrum, është ulur atje në cep, ka rënë në mendime, siç bie poeti, ka vënë plumbin në gojën e revoles dhe e ka drejtuar nga koka me gishtin në këmbëz. Është çasti kur Lasgushi dhe vdekja qëndrojnë ballë për ballë. Shihen sy në sy. Poeti i thotë vdekjes: “Ja ku jam. Nuk ta kam frikën”. Të gjitha këto, kur i bën Lasgushi, i bën me të vërtetë. E mbulojnë djersët, zemra i rreh me vërtik dhe, vetëm si kalon këtë kalvar, ngjitet lart. Ngjitet i sigurt, me kokë përpjetë. Domethënë, është poet. Prandaj ju pyeta, a jeni poetë?
   Pyetja mbeti pa përgjigje. Asnjë nuk foli, vetëm buzëqeshën. Buzëqeshi edhe Lasgushi, gjithë triumf e me kokën lart.
   – Jo, jo, – ndërroi bisedën Lasgushi, – më vjen mirë që Kosova ka sot poetë. Një herë e një kohë kish vetëm trima, që mbushnin me zulmë jo vetëm Kosovën, por gjithë Shqipërinë. Hajde, hajde, gjeneral Isa Boletini, trimi me fletë Idriz Seferi… Kur suleshin ata mbi armiqtë, ndizej qielli dhe toka. Po Azem Galica? Nuk gjej fjalë ta tregoj. Ai binte si rrufe atje ku serbit s’ia priste mendja. S’ia priste mendja, sepse Azemi jo vetëm që ishte i mençur sa s’ka, po luftonte dhe në tokë të tij e për tokë të tij, luftonte tok me kaçakët dhe s’i linte naçallnikët e Beogradit t’i merrnin “Arbaninë e vogël”. Hajde, hajde, Azem Galica, kur ia donte puna, një tren të tërë ndalonte. E kam parë vetë me sytë e mi. Ka qenë behari i 1921-shit, kur shkoja për të parën herë në Rumani. Vajta me kalë deri në Ohër dhe pastajzaj me tren mespërmes Kosovës. Atij trenit kokën ia shihja, po bishtin jo, aq i gjatë ishte. Me të udhëtonte Lasgushi, kur papritur ai, fap, ndaloi dhe u dëgjuan të shtëna. Sapo dolëm në penxhere, kur ç’të shihje, nga të dy krahët plisbardhët mizëri, me pushkë në krah. Ishin trimat e Azemit. Erdhën dhe në vagonin tonë. Ca burra si të përrallave, të gjatë e të pashëm, gjallë Gjergj Elez Alia. Isha gati t’u hidhesha në qafë. Kur më pyetën se ç’je e u thashë gjithë mburrje se jam shqiptar, u ndritën sytë e mustaqet. E gjitha kjo zgjati sa një ëndërr. Erdhën e ikën si era. Kapet era? Po për Lasgushin kjo erë mbeti një ëndërr skënderbejane. Këta trima s’donin t’ia dinin se ç’kish vendosur Evropa, donin Kosovën e lirë dhe s’e kishin për gjë vdekjen. Lasgushi shkonte në bankat e Universitetit, me një mësim të madh që ia jepte Azem Galica me kaçakët e tij. Kështu jeni ju, kosovarët, trima përmi trima… Tani shoh që jeni dhe poetë e profesorë, po Azema, jeni ndopak?
  Miqtë sa u ngazëlluan nga këto fjalë, aq dhe u vunë në pozitë të vështirë. Nuk shikonin njëri-tjetrin në sy. Poeti thoshte me zë të lartë gjëra që ata i kishin për zemër, por për kushtet në të cilat gjendeshin s’i shprehnin dot qoftë dhe në një bisedë.
   Poeti u ngrit në këmbë pa marrë përgjigje dhe u zgjati dorën me një përzemërsi që s’ishte e zakontë për të. Asnjëherë s’e kisha parë të bisedonte aq gjatë me njerëz të porsanjohur. Por në këtë rast ishte në mes Kosova.
   Dhe Kosova, vite më vonë, i dha gëzime e ndere, që në Shqipëri ia jepnin me kursim dhe me një protokoll zyrtar. Atje iu botuan për herë të parë veprat e plota, u bënë studime të zgjeruara, vlerësime nga më të lartat, tepër entuziaste. Bile dhe e ftuan. Ai e priti gjithë qejf, bleu dhe një kapele të re republikë dhe ishte gati të nisej, por demonstratat e 81-shit bënë që vizita të anulohej. Megjithatë, Kosova e bëri poetin të përjetonte në pleqëri të thellë lavdinë e klasikut të gjallë përpara se kjo të ndodhte në Shqipëri.

(Pjesë nga libri “Koha e kujtimeve” e autorit Nasho Jorgaqi. OMBRA GVG, Tiranë, 2011.)
Zgjodhi për botim, profesori Agim Vinca. / KultPlus.com

Lasgush Poradeci dhe Nasho Jorgaqi