Emisioni i famshëm muzikor rikthehet në formën e një koncerti. Koncert që bëri bashkë në një buqetë harmonike zëra të njohur të muzikës së lehtë si Aleksandër Gjoka e Redon Makashi, emra të pedagogeve të kantos si Zina Zdrava apo Sonila Kurti dhe emra të tjerë premtues si Elisa Skarra, Paolina Pajollari, Dea Amoniku , Kejtlin Gjata, David Kerri, Aria Kolaveri e të tjerë.
Ishin vitet ’80 dhe “Koha në Pentagramin tim” me regji të Osman Mulës e drejtim artistik te kompozitorit Gjergj Leka ishte jo vetëm oazi muzikor, por edhe skena që spikaste talentet e rinj që më vonë do të ktheheshin në emrat më të dashur e popullorë të muzikës së lehtë shqiptare.
Gjergj Leka ishte nga ata artistë, që me talentin e tij dhe fuqinë e televizionit – për të shkuar te publiku i gjerë i menjëhershëm dhe intim – u bë i dashur për publikun dhe i dhuroi disa nga këngët më të paharrueshme, jo vetëm për atë brez.
U desh të zhdukeshin përbindëshat që te kjo tokë të vije ti… është varg i njohur për veshët e dëgjuesve të brezit të ri nga kënga “Në parkun që mbuluan fletët”, të cilën Leka e kompozoi dhe këndoi pikërisht në emisionin e famshëm, me vargjet e shkrimtarit Ismail Kadare.
“Ndoshta janë vargjet më të bukura që janë shkruar ndonjëherë për dashurinë”, do të shprehej kantautori në një ringjallje të emisionit televiziv muzikor. Kësaj here në formë koncerti, organizuar nga Leka dhe me mbështetje nga Bashkia Tiranë në sallën e Liceut Artistik, një vend nostalgjik për shumë artistë të këngës dhe po aq djep për talentet e reja. Një falënderim për mbështetjen që bashkia u jep nismave të tilla muzikore, që erdhi në formën e një kënge nga Gjergj Leka, që ishte ideatori dhe shtylla kryesore e këtij koncerti.
Koncert që bëri bashkë në një buqetë harmonike zëra të njohur të muzikës së lehtë si Aleksandër Gjoka e Redon Makashi, emra të kantos dhe pedagoge që përgatisin sot të rinjtë drejt muzikës serioze si Zina Zdrava apo Sonila Kurti dhe emra të tjerë premtues si Elisa Skarra, Paolina Pajollari, Dea Amoniku , Kejtlin Gjata, David Kerri, Aria Kolaveri e të tjerë.
Një koncert- tribut për shumë figura që gdhendën historinë e muzikës moderne shqiptare si Vaçe Zela me këngën “Moj e bukur Arbëri” , “Valsi i Lumturisë” apo këngë të tjera ikonike, tashmë pjesë e pasurisë kulturore dhe kujtesës kolektive si “Fqinja”, “Mësueset e fshatit”, “Pranvera me një lule s’vjen” apo “Ç’po dremit liqeni i kaltër”.
Përmes këtij koncerti, Leka nderoi edhe tekstshkruesit e poetët që kanë krijuar disa nga vargjet më të bukura të këngëve, duke e parë si një përbërës të rëndësishëm po aq sa tingujt. Ai vuri re me keqardhje që sot mungojnë penat e shquara si e Jorgo Papingjit apo Zhuljana Jorganxhi.
Ai gjithashtu, me humor, i kërkoi ndjesë poetes Adelina Mamaqi, pasi pak e dinë se pas vargjeve të këngës “Ç’po dremit liqeni i katërt” është pena e saj, duke e ngatërruar shpesh me atë të Lasgush Poradecit.
Ky koncert, i cili do të vijë i transmetuar në kanalin “News 24” solli edhe këngë shumë të dashura të pas viteve ’90, si “ Ditë Dimri” e “Zemra e një gruaje”, kënduar nga Aleksandër Gjoka i shoqëruar në piano nga Leka, ndërsa këngëtari ndau grimca kujtimesh nga fillimet e karrierës, por edhe tek të famshmet Këngët e Liqenit si një prej përfaqësuesve të atij grupi instrumentistësh dhe këngëtarësh që mblidheshin buzë liqenit dhe këndonin.
Gjoka solli në version a cappella një prej më të njohurave si “Anxhela”. Leka do ta lironte pianon për Redon Makashin, i cili po ashtu solli në version ndryshe këngën e tij “Ekziston”. Redon Makashi i njohur për baladat e tij romantike u ndal në fillimet e karrierës, duke nënvizuar si të rëndësishme epokën e “Koha në Pentagramin tim”.
Si një kantautor që kujdeset të kultivojë shijet e mira muzikore tek publiku, përmes këngëve që mbajnë firmën e tij, emisionit të përvajshëm “Na ishte njëherë muzika” dhe sipërmarrjeve si reality shoë “Talent Story” apo festivaleve të përvitshme si “Festa e Këngës shqiptare”, Leka u dha vend edhe prodhimeve të reja, të dala nga këto nisma si “Trokas” nga Elisa Skarra, e cila u shpall fituese e të rinjve, në edicionin e vitit të kaluar të “Festa e Këngës shqiptare” dhe “Në pyje vjeshta ndezi zjarre” nga Paolina Pajollari, po ashtu konkurrente në këtë festival, që këtë vit do të shënojë edicionin e tij të gjashtë. Me këngën “Korça ime”, Leka u bëri një homazh të gjithë artistëve të këtij qyteti, nga muzika, letrat e kinematografia, duke i përkundur spektatorët mes tingujsh jo vetëm të paharruar, por të dëshiruar aq shumë edhe nga brezat e rinj. Disa prej tyre i sjellin përmes vokaleve, të tjerë marrin shijen e mirë të një kohe kaluar me kombinimet e pafundme e magjike të pentagramit./TemA/ KultPlus.com