Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” promovon nesër librin artistik “Flirting with leftovers”

Me datën 13 shkurt (e enjte) prej orës 19:00 në hapësirën e fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, Project Space, do të bëhet promovimi i librit artistik FLIRTING WITH LEFTOVERS, me autore KOJA. Ky libër artistik vjen si rezultat i punës hulumtuese dhe artistike që është bërë vitin e kaluar në objektin e braktisur i cili ndryshe njihet edhe si ish-restorant Marsi.

Puna hulumtuese në terren, bashkëbisedime me personazhe të cilat ndajnë kujtime dhe informata në lidhje me historinë e objektit, po ashtu edhe me personalitete e akter që shpalosin detaje rreth historisë moderne në Kosovë, rëndësinë e objektit në aspektin arkitektonik, janë përmbledhur në librin artistik FLIRING WITH LEFTOVERS. Gjithashtu edhe detaje të tjera të rëndësishme rreth intervenimit artistik që zuri vend me 15 tetor të vitit të kaluar. Qëllimi i këtij libri është që të shërbej si një dokument i cili vë në pah rëndësinë e ruajtjes së memories kolektive, dhe ri-jetësimit të objekteve të braktisura të cilat mund të kthehen në hapësira për shfrytëzim nga komuniteti.

Intervenim artistik FLIRTING WITH LEFTOVERS, u mbajt në kuadër të edicionit të dytë të “Metamorphosis”, projekt ky i cili implementohet nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” dhe ka për qëllim nxitjen e ndryshimeve pozitive në shoqëri përmes mundësimit të vitalitetit kulturor dhe kreativitetit. “Metamorphosis” e përdor artin dhe kulturën si mjet kryesor për të ngritur zërin për rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirës publike dhe veçanërisht fokusohet në objekte/monumente/hapësira publike të cilat janë produkt i proceseve të ndryshme shoqërore. Për këtë arsye nuk është e mjaftueshme për t’u hulumtuar dhe dokumentuar vetëm përbërja e materialeve, por edhe funksioni i tyre, i cili ndryshon nga vet shoqëria. Prandaj, përmes “Metamorphosis” synohet të analizohet lidhja midis objekteve/monumenteve dhe vetëdijes publike, në mënyrë që nga njëra anë të kuptohet më mirë logjika e formimit dhe e organizimit të korpusit të njohurive publike në hapësirën publike, dhe, nga ana tjetër, të sqarohet qartë roli aktiv shoqëror i objekteve/monumenteve.

Gjatë prezantimit të librit KOJA do të ndajë detaje rreth konceptit të saj e po ashtu edhe punës që është bërë për realizimin e librit, i cili është botimi i parë i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”. /KultPlus.com

——————-

“Ky projekt realizohet me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij projekti është përgjegjësi e Fondacionit Shtatëmbëdhjetë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose IKS-së, Lens, apo FES”.

“Metamorphosis”, sonte me një intervenim artistik konceptuar nga artistja KOJA

 

Pas ekspozitës dhe performancës vitin e kaluar, e cila zuri vend në objektin e ish-mensës së punëtorëve të kompanisë “Ramiz Sadiku”, fondacioni Shtatëmbëdhjetë sjell edicionin e dytë të Metamorphosis – FLIRTING WITH LEFTOVERS. Kësaj radhe është përzgjedhur një tjetër objekt i braktisur, tek i cili do të zë vend një intervenim artistik nën konceptin e artistes- KOJA.

Ky objekt, që ndryshe njihet edhe si ish-restorant Marsi dhe gjendet në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, është ndërtuar në fund të viteve 70 si vetëshërbim i NSHT “Voçari”. Në vitin 1995 nga vetëshërbimi është shndërruar në restorant. Pas luftës së fundit në vend ka qenë klub nate, ndërsa prej vitit 2003 ka mbetur i braktisur.

“Pas një pune hulumtuese me të rinj dhe të reja që ishin pjesë e punëtorisë tre ditore nën udhëheqjen e artistes KOJA, sonte (15 tetor) do të keni mundësi të mësoni më shumë për historinë e këtij objekti, e po ashtu edhe të përjetoni ndryshe një copë historie për objektin e braktisur. Kjo ndërhyrje vjen si thirrje për reflektim për ruajtjen e historisë dhe memories kolektive”, thuhet në komunikatë.

Metamorphosis është projekt i cili implementohet nga Fondacioni Shtatëmbëdhjetë, ka për qëllim nxitjen e ndryshimeve pozitive në shoqëri përmes mundësimit të vitalitetit kulturor dhe kreativitetit. Një gjë e tillë mendohet të arrihet duke rikthyer në jetë objektet e braktisura, t’i rivitalizoj ato qoftë edhe për një ditë. Në këtë formë të dokumentohet memoria kolektive për një të kaluar që pak flitet, po ashtu hapësirat publike të shfrytëzohen për të mirën e komunitetit. Metamorphosis përdorë artin dhe kulturën si mjet kryesor për të ngritur zërin për rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirës publike.

Koncepti  i intervenimit artistik nga artistja KOJA.

Nga dëshmitë materiale në vend, na shfaqen disa objekte t’braktisura të arkitekturës moderne, me vlera t’pa studiuara (t’pa përcaktuara) arkitektonike, historike, kulturore dhe sociale.

Aktualisht, jemi duke jetuar në epokën, ku më shumë gëzon vëmendje fuqizimi i përfaqësimit se sa vet ekzistenca/prezenca si një entitet. Ironikisht përjetimi i objekteve bëhet thjesht nga përfaqësimi, prezantimi i tyre. A mundet një akt artistik t’a provokoj ndjesinë e përjetimit të vet prezencës objektit, duke e zhvendosur tregimin që objekti i caktuar përfaqëson? A mundet t’provokohet perceptimi i objektit n’fjalë, si eksperiencë? A është e rikthyeshme prezenca dhe a mund t’rikonstruktohet ajo? A mund t’legjitimohet zgjedhja arbitrare e qytetarit, si përcaktues dhe vendimmarrës i nevojave t’veta?

Këto çështje janë eksploruar përmes ndërhyrjes artistike në objektin e ish Restorant Marsit, që ndodhet në lagjen Kodra e Trimave, në Prishtinë.

Ky intervenim prezanton qasjen në problem si pikënisje, jo për t’a ofruar ose bërë zgjedhjen, por për ta spikatur atë akoma më shumë – për t’gjeneruar diskurs në disa nivele profesionale, që adresohen tek grupet vendimmarrëse, rrjedhimisht përcaktuesit e fatit të këtyre objekteve.

“Ky projekt realizohet me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij projekti është përgjegjësi e Fondacionit Shtatëmbëdhjetë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose IKS-së, Lens, apo FES”, thuhet tutje në komunikatë.

Po ashtu ky projekt mbështetet edhe nga Komuna e Prishtinës.

Sonte në ora 18:30, Rr. Bedri Gjini – Kodra e Trimave (Ish Restorant Marsi), ju pret një intervenim artistik, konceptuar nga artistja KOJA. / KultPlus.com

Ekspozita Onufri, këtë vit me artistë të lindur në vitet ’70-’80

Edicioni i 23-të i Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri”, do të hapet më 20 dhjetor në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Kuruar nga Gaetano Centrone, ekspozita titullohet “AU FIL DU TEMPS – Kujtesë kolektive, kujtime personale”.

Ekspozita ofron një itinerar ekspozues që zhvillohet në dhomat dhe ambjentet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Janë dhjetë artistë pjesëmarrës, që vijnë nga gjashtë vende; të gjithë të lindur në vitet ’70 dhe ’80 dhe me një cv të pasur ndërkombëtare: Zeni Ballazhi, Adi Haxhiaj, Koja, Perino & Vele, Leonard Qylafi, Calixto Ramírez, Jelena Tomasevic, Vangjush Vellahu, Alketa Xhafa Mripa, Fani Zguro.

Kuratori Centrone përpiqet, me aq sa është e mundur, për të gjetur një emërues të përbashkët që bashkon përvojën e shumicës mes artistëve shqiptarë, sepse filloi prej tyre në këtë hulumtim që dëshiron të jetë aktual dhe ndërkombëtar. Pas shumë studimesh ai doli në konkluzionin se Historia mbizotëron në punën e tyre. Por kuratori nuk ka qëllim të ndërtojë një ekspozitë politike (kjo nuk është në planet e tij) duke qenë se ka një dallim të madh mes elementit kulturor dhe atij socio-politik.



Në këtë pikë faktori kohë bëhet një element qendror. Mënyra se si koha gërryen në kokat tona dhe çfarë mbetet e konsiderohet ex post. Dallimi midis kujtesës kolektive dhe kujtesës personale është shumë i paqartë, më shumë se sa mund të mendohet. Dhe po ashtu dallimi mes njëjësit dhe shumësit është më kompleks se sa mund të mendohet. Ekziston një apo shumë kujtime kolektive? Dhe kush i formon ato? Dhe sa kujtime personale preken nga ngjarjet e historisë?

Është e panevojshme të mohohet se në këtë pjesë të botës ngjarjet historike kanë hyrë shumë në jetën e popujve. Për zgjedhjen e titullit ne kërkuam një shprehje të mrekullueshme të gjuhës frënge: au fil du temps. Në italisht, për shembull, mund të përkthehet me kalimin e kohës, por fjalë për fjalë ka bukurinë e saj në versionin origjinal: në fije të kohës. Një fije që ngjit Historinë me histori personale, duke shtyrë nga lart me zërat e ndryshëm polifonikë të një tregimi. Aktualiteti i së tashmes, historia në sfond. / KultPlus.com