E premtja në teatrin e Podujevës “Avdush Hasani” do të jetë nikoqire e promovimit te veprës “Qiell” nga Naser Shatrolli dhe hapjes së ekspozitës ‘’Koka Mendimtarësh’’ të artistit Artan Hasani, shkruan KultPlus.
Teatri i Podujevës do t’i hap dyert e saja, por kësaj radhe jo për shfaqje skenike. Për frymëzimet e dramave të ardhura në një përmbledhje nga dramaturgu Naser Shatrolli nën organizimin e Drejtoratit te Kulturës së Podujevës, do të organizohet promovimi i veprës “Qiell”.
Duke filluar nga ora 15:00 me 27 nëntor, për 6 dramat nën emërtimin “Qiell” do të flasin Agron Gërguri – Dramaturg, sikundër që do të ketë refleksione të tjera nga emra të njohur të fushës si; Lutfi Lepaja etj, ndërsa, aktorët e qytetit të Podujevës – brezi i parë i këtij qyteti, do të interpretojnë pjesë të caktuara të dramave.
Një dimension tjetër i artit do të zërë vend në këtë Teatër dhe kësaj radhe me atë pamor. Frymëzimet personale te Artan Hasanit, me kurimin e Naser Shatrollit dhe me emërtimin “Koka mendimtarësh” do t’i shfaqen syve të publikut.
”Arti skulptural i Artan Hasani qëndron brenda peshës skulpturale, veprat e tij jetësojnë harmoni, flasin njëra për tjetrën, krijojnë situata dramatike, janë brenda domenit shtatorial në çasje, në stil, dhe në kontekstin filozofik”, është shprehur Shatrolli si kurator i veprimtarisë se Hasanit ne ketë ekspozite.
Te dyja këto aktivitete mbështeten nga Drejtoria e Kulturës ne kuadër te Komunës se Podujeves. / KultPlus.com