Sonte, nata finale e edicionit të 11-të të Koko Fest

Shfaqja “Karnavalet e Korçës” me regji nga Erion Isai si dhe ndarja e çmimeve, do të kurorëzojnë sonte edicionin e 11-të të festivalit teatror Koko Fest.

Koko Fest priti në Korçë që prej 28 gushtit, trupa teatrore nga Vlora, Kosova, Greqia, Durrësi, Tirana, Shkodra e patjetër që pjesë e tij ishte edhe Teatri “Çajupi” i Korçës. Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë u çel me veprën “Vassa Zheleznova” me regji të Enke Fezollarit dhe interpretimin e trupës së teatrit “Andon Zako Çajupi” dhe do të mbyllet sonte me interpretimin e po të njëjtës trupë aktorësh.

Komeditë e vëna në skenë në këtë edicion të 11-të ishin: “Natën e mirë me burrin tim”, “Club Albania”, “Marika më thonë-Marika më quajnë”, “10 vjet martesë”, “Vassa Zheleznova”, “Testamenti”, “Krimi është vetëm i imi”, si dhe “Karnavalet e Korçës”.

Teatri Kombëtar u prezantua në këtë festival me “Testamentin” e Leka Bungos, nën interpretimin e aktorit të madh Viktor Zhustit.

Për rreth 60 minuta para publikut kalon historia e Shqipërisë nga viti 1941 kur u krijua Partia Komuniste e deri në ditët tona, një paralelizëm mes asaj se çfarë ndryshoi dhe çfarë jo. Komunisti Kuqo, lë një testament dhe rrëfen kohën që prej fillimit të krijimit të Partisë Komuniste dhe gati deri në ditët e sotme. I vetëm në skenë, me një monolog që zgjat për rreth një orë, Kuqon e shoqëron sarkazma e cila është karakteristikë e veprave të Leka Bungos./atsh/KultPlus.com

Festivali “koko fest”, mbahet në Korçë edicioni i 11 i festivalit të komedisë

Koko Fest ka nisur edicionin e tij të 11- të. Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë ka çelur këtë edicion me trupën teatrale të Korçës shfaqjen “Vassa Zheleznova” të shkrimtarit rus Maksim Gorki, një nga veprat e dramaturgjisë klasike botërore e cila vihet për herë të parë në skenën shqiptare nga regjisori Enke Fezollari.

Pjese e aktorëve të talentuar të Korçës iu bashkuan dhe aktorja shkodrane Rita Gjeka dhe aktori nga Tirana Urim Aliaj.

Drejtorja e Artit dhe Kulturës në Korçë, Zamira Kita thotë se vënia në skenë e kësaj vepre është emocion dhe përgjegjësi mjaft e madhe. Aktorja Rita Gjeka e cila është në rolin e një personazhi mashkull tregon se është nje eksperiencë e re për të.

Ilda Pepi tregon emocionet ndërsa ndihet e lumtur që një ndër rolet iu besua asaj nga regjisori, teksa sipas saj frika më e madhe është të kesh frikë nga njeriu.

Përgjatë tetë netëve publiku artdashës korçar do të ketë mundësinë të ndjekë shfaqjet teatrale me komeditë më të bukura./TopChannel/KultPlus.com

Mbyllet edicioni i 10-të i Koko Fest, ndahen çmimet për artistët dhe shfaqjet e vëna në skenë

Koko Fest, Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë mbylli me sukses edicionin e tij të 10-të.

8 Shfaqjet e këtij festivali dhe të ftuarit, i dhuruan publikut emocione dhe argëtim.

Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë në Korçë tashmë prej 10 vjetësh i sjell Korçës dhe publikut korçar, veprat më të bukura të komedisë.

“Shfaqjet fantastike, aktorët e talentuar dhe publiku artdashës i dhuruan këtij edicioni emocione të jashtëzakonshme.

8 netë, 8 shfaqje nga trupa teatrale nga brenda dhe jashtë vendit dhuruan të qeshura pafund”, shkruhet në faqen online të Bashkisë Korçë e cila mbështet këtë festival.

Çmimet e ndara në këtë edicion ishin:

1.Shfaqja më e mirë ” Nata e dymbëdhjetë ” Teatri A.Z.Çajupi” me regji nga Dimitri Milonas.

2.Regjia më e mirë- Erion Isai

3.Aktori protagonist- Bujar Ahmeti

4.Aktorja protagoniste- Olta Daku

5.Aktori joprotagonist-Kejdi Gishto

6.Aktorja joprotagoniste- Paola Kodra

7.Artisti i ri- Franci Bregu

8.Artistja e re- Yllka Lota

9.Çmimi i karrierës- Viktor Zhusti

10.Çmimi i publikut- Gentian Zenelaj. / atsh / KultPlus.com

‘Koko Fest’ shpall më të mirët e edicionit të tetë

Mbrëmja e së shtunës shënoi mbylljen e festivalit mbarëkombëtar të komedisë “Koko Fest”. Në këtë edicion çmimin e shfaqjes më te mirë e rrëmbeu “Ferma e Kafshëve” nën interpretimin e aktorëve të Teatrit Kombëtar, ndërsa Driada Dervishi fitoi çmimin “Regjia më e mirë”

Driada Dervishi – regjisore.

“Është vërtetë një moment shumë emocionues për mua, sigurisht të qenit regjisore e Teatrit Kombëtar në këtë projekt, ishte një përgjegjësi shumë e madhe. Jam shumë e lumtur që përveç këtyre dy çmimeve që do të thonë shumë për mua. Unë jam shumë e kënaqur që në “Koko Fest”edhe tre aktorë, të mijtë nëse mund ti quaj kështu, fituan çmime.”

Ndërsa me çmimin “Aktori më i mirë” protagonist u vlerësua artisti Gentian Zenelaj.

Edicioni i tetë i festivalit të komedisë duke patur parasysh edhe situatën e pandemisë, për drejtoreshën e Teatrit të Korçës,  Zamira Kita ishte sprovë, por njëkohësisht edhe një event i rëndësishem për qytetin artëdashës të juglindjes.

Zamira Kita – drejtore e teatrit të Korçës.

“Patëm gati 10 çmime, u vlerësuan artistët më të mirë, ku siç e patë shfaqja më e mirë u shfaq ajo e Teatrit Kombëtar. Publiku e ndoqi me ëndje, sigurisht u përpoqëm të ruajmë të gjitha rregullat, dhe jurisë iu desh që të mendojë për ta bërë këtë vlerësim. Por kështu është “Koko Fest” ka fitues, por ka dhe nga ata që nuk quhen humbës, por që nuk arrijnë të marrin çmime.”

Për 7 netë me radhë “Koko Fest” dhuroi për të gjithë të pranishmit në sallën e teatrit “Andon Zako Cajupi” art, të qeshura por edhe mesazhe të rëndësishme./KultPlus.com

Nesër fillon edicioni i tetë i ‘KokoFest’ në Korçë

Këtë vit Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë  “KOKO FEST” vjen me edicionin e tij të 8-të. Teatri lokal  “Andon .Z .Çajupi” në Korçë mirëpret zhvillimin e këtij eventi nga data 29 gusht deri më 4 shtator, një organizim nga “Qendra Kulturore Vangjush Mio” dhe Teatri i Korçës

Premiera e komedisë  së suksesshme “Vdis duke qeshur” do të çelë  natën e parë të Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë. Blerta Belliu, drejtore e Qendrës Kulturore “Vangjush Mio” e cila është njëherësh  edhe organizatorja e këtij eventi shrehet se “përzgjedhja nuk ka qenë e lehtë, por është bërë duke pasur parasysh shfaqje të suksesshme”.

“Puna ka qenë e vështirë, sepse për shkak të pandemisë shumë teatro nuk kanë zhvilluar aktivitet. Ka pasur vështirësi për të përzgjedhur trupa të mira dhe shfaqje cilësore, aq më tepër dhe në zhanrin e komedisë pasi për dy vjet shfaqet janë mbajtur on-line”, u shpreh ajo.

Për shkak të pandemisë edicioni i 7 u organizua në ambiente të jashtme, ndërsa këtë vit është menduar që shfaqjet e përzgjedhura të zhvillohen në ambjente të brendshme të teatrit duke respektuar të gjitha rregullt ndaj pandemisë duke patur një publik të redukuar.

Aktorët si Ndriçim Xhepa, aktorja Eva Alikaj, regjisori Qëndrim Rijani, etj do të jenë pjesë e jurisë prestigjioze për të ndarë çmimet. /atsh/ KultPlus.com

Elia Zaharia, aktorja më e mirë e ‘Koko Fest’

Elia Zaharia është shpallur aktorja më e mirë e edicionit të pestë të Festivalit KokoFest që mbahet në qytetin e Korçës.

Juria e përbërë nga Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Enver Petrovci, Rajmonda Bulku dhe Adem Karaga, vlerësuan interpretimin e saj në komedinë “Vetëvrasësi” nën regjinë e Sulejman Rushitit.

“Vetëvrasësi” është një shfaqje e vitit 1928 nga dramaturgu rus Nikolai Erdman. Performanca e tij u ndalua gjatë epokës staliniste dhe u prodhua vetëm në Rusi disa vjet pas vdekjes së shkrimtarit të saj. Sot ajo konsiderohet si një nga dramat më të mira, që ka dalë nga Rusia komuniste. Për ta sjellë këtë premierë në skenë regjisori Rushiti angazhoi një kastë aktorësh të njohur, por dhe të rinj të teatrit.

Me çmime të tjera në këtë festival u vlerësuan: Ilir Bokshi si regjia më e mirë, Aktori më i mirë Adrian Morina &Ylber Bardhi, aktori më i mirë jo protagonist Visjan Ukcenaj, aktorja më e mirë jo protagonistë Monika Lubonja, artistja e re Paola Kodra, artisti i ri Margent Caushi . Çmimi i karrierës (Femër) shkoi për dy aktoret “Margarita Xhepa dhe Tinka Kurti . Ndërsa çmimi i karrierës (Mashkull) shkoi për aktorin Reshat Arbana .Çmimi i KoKo FEST “Nderi i Festivalit ” shkoi për Koço Qëndro./KultPlus.com

‘Shfaqja që shkon mbrapsht’ shfaqja fituese e edicionit të katërt të Koko Fest

Festivali i Komedisë në Korçë ‘Koko Fest’, mbylli edicionin e katërt me ndarjen e çmimeve për më të mirët e këtij edicioni, shkruan KultPlus.

Kësisoj çmimi kryesor i festivalit që është shfaqja më e mirë shkoi për shfaqjen ‘Shfaqja që shkon mbrapsht’ me regji të regjisorit kosovar Agon Myftari. Kjo është shfaqje e Teatrit të Shkupit, ndërsa fitoi edhe çmimin për aktoren e re më të mirë që ishte Aida Elezi.

Ky edicion i Koko Fest, nisi me shfaqjen e Teatrit të Korçës ‘8 Femrat’, komedi kjo e cila mori dy çmime, atë të aktores më të mirë protagonist që ishte Yllka Mujo dhe aktores më të mirë jo protagoniste që shkoi për Olta Dakun.
Shfaqja ’39 Hapa’ me regji të Qëndrim Rijanit, fitoi tri çmime në këtë edicion të Koko Fest. Regjia më e mirë që shkoi për Qëndrim Rijanin, aktori më i mirë Donald Shehu dhe aktori më i mirë joprotagonist Florian Agalliu.


Teatri Eksperimental në Tiranë në Koko Fest u prezantua me shfaqjen ‘Ferma e kafshëve’ me regji të Eri Isai, ku aktori Luftar Paja u vlerësua me çmimin e karrierës.

‘I ligu për mend’ ishte shfaqja që prezantoi Teatrin Kombëtar të Kosovës. Kjo shfaqje me regji të Altin Bashës, nxori fitues të çmimit aktori më i mirë protagonist Luan Jahën.

Ky edicion i Koko Fest, për shtatë ditë me radhë solli shtatë shfaqje të mrekullueshme të trojeve shqiptare, si nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Ky festival është bërë nga Teatri i Korçës me përkrahje të Bashkisë së Korçës dhe Qendrës së Artit e Kulturës në Korçë./ KultPlus.com

‘Koko Fest’ sjellë shtatë shfaqje nga trojet shqiptare

Më 17 shtator në Korçë nisë festivali mbarëkombëtar i komedisë ‘Koko Fest’, shkruan KultPlus.

Ky festival sjellë një maratonë artistike në skenën e teatrit ‘Andon Zako Çajupi’, me performancat më të mira nga trupat e teatrove të njohura nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Ky festival nis më 17 shtator me shfaqjen ‘8 femrat’, shfaqje kjo e teatrit ‘A.Z. Çajpupi’ në Korçë. Ndërsa ‘Koko Fest’, vazhdon menjëherë më 18 shtator me shfaqjen “Shtëpia pa dritare” e teatrit ‘Petro Marko’ në Vlorë, 19 shtatori sjellë shfaqjen “39 hapat” nga Teatri i Metropolit-Tiranë, më 20 shtator jepet shfaqja ‘Shfaqja që shkon mbrapsht’ nga Teatri Kombëtar-Shkup, më 21 shtator do të shfaqet ‘Tartufi’ nga Teatri ‘Migjeni’ në Shkodër.

E 22 shtatori është rezervuar për Teatrin Eksperimental të Tiranës duke sjellë shfaqjen ‘Ferma e kafshëve’ ndërsa festivali do të përmbyllet me shfaqjen nga Teatri Kombëtar i Kosovës ‘I ligu për mend’./ KultPlus.com