Kolë Tromara, intelektuali i pushkatuar nga Gjyqi Special

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin, publicistin, veprimtarin, ministrin e shtetit shqiptar, Kolë Tromara (15 maj 1885 – 13 prill 1945).

Tromara lindi në Qytezë të Devollit. Mësimet e para i mori në Korçë e më pas në Greqi. Punoi fillimisht si farmacist në Korçë.

Për shkak të përndjekjes nga autoritetet osmane, u detyrua të largohej drejt SHBA, në Boston. Më 1906 ndihmoi Kristo Kirkën në botimin e gazetës, “Kombi”. Më 1907 u caktua sekretar i shoqatës “Besa-Besë” ku kryetar ishte Fan Noli. Më 1915 u emërua sekretar i federatës “Vatra” e më pas kryetar i saj.

Themelues i bandës muzikore të Vatrës. Loboi për çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Në vitin 1920 u kthye në Shqipëri ku themeloi Federatën “Atdheu”, së bashku me Avni Rustemin, Bedri Pejanin, Ahmet Daklin etj.

U zgjodh dy herë si prefekt i Gjirokastrës dhe më pas deputet i prefekturës Korçë më 1923.

Me triumfin e Legalitetit Kolë Tromara u largua nga Shqipëria. Ai u dënua në mungesë me 15 vjet burg për shkak të mbështetjes ndaj Nolit. U kthye në vitin 1939 dhe u bë pjesë e komitetit qendror të Ballit Kombëtar, si një ndër themeluesit. Në vitet 1942-43 shërbeu dhe si prefekt i Korçës.

Dha dorëheqjen si një nga krerët e Ballit Kombëtar dhe u caktua ministër i Kulturës Popullore në qeverinë e Rexhep Mitrovicës gjatë pushtimit nazist. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, u arrestua dhe u dënua me pushkatim më 13 prill 1945 nga Gjyqi Special. /atsh / KultPlus.com

Rezoluta e Këshillit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës

Nga Aurenc Bebja, Francë – 11 Qershor 2022

“The New York Herald” ka botuar, të martën e 1 prillit 1919, në ballinë, rezolutën e Këshillit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës drejtuar asokohe presidentit Wilson, baronit Sonnino dhe kryeministrave Lloyd George dhe Clemenceau, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Shqiptarët ortodoksë duan t’i bashkohen shtetit të restauruar

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shkresa mëposhtme u transmetua nga Bostoni nga komunitetet ortodokse shqiptare anembanë Shteteve të Bashkuara. Ajo formulon aspiratën e të gjithë të krishterëve shqiptarë për t’u lidhur politikisht me Shtetin Shqiptar :

Për Mehmet Konicën, Grand Hotel, Paris :

Boston, e shtunë. — Ju lutemi komunikoni Presidentit Wilson, Baronit Sonnino dhe kryeministrave Lloyd George dhe Clemenceau rezolutën e mëposhtme të miratuar njëzëri më 16 mars nga Këshilli i Shenjtë i Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës dhe të nënshkruar nga Kryepeshkopi rus Alexander Bew, klerikët shqiptarë dhe 121 delegatë të krishterë ortodoksë, vendas të Shqipërisë së Jugut që tani banojnë në të gjitha pjesët e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë :

Klerikët dhe laikët e poshtëshënuar, delegatë që përfaqësojnë pesëdhjetë e dy kishat dhe komunitetet ortodokse shqiptare të Shteteve të Bashkuara : Boston, Lynn, Peabody, Quincy, Brockton, Taunton, Worcester, Southbridge, Springfield, Fitchburg, Hudson, Marlboro, Framingham, Natick, Woonsocket, Lonsdale, Central Falls, Biddeford, Saco, Lewiston, Bath, New Bedford, Albany, Rochester, Syracuse, Buffalo, New York, Manchester, Concord, Laconia, Tilton, Chicago, St. Louis, Milwaukee, Seattle, Detroit , Philadelphia, Braddock, Pittsburg, New Firence, Portsmouth, Atlantic City, Akron, Youngstown, Niles, Barberton, Waterbury, Bridgeport, Grosvenordale, Jamestown, Lowell, Cleveland, Rochdale dhe përfaqësues të Kishës Rumune, të gjithë vendasit e Shqipërisë së Jugut, të mbledhur në kuvend nën kryesinë e Hirësisë së tij Kryepeshkopit rus të Amerikës së Veriut Aleksandër, me qëllim zgjedhjen e një peshkopi ortodoks shqiptar, protestojnë me indinjatë kundër pretendimit absurd të Z. Venizelos se shqiptarët ortodoksë të Shqipërisë së Jugut janë në favor të bashkimit me Greqinë.

Ne shqiptarët e krishterë ortodoksë, besimtarë të Kishës së Krishtit, i bëjmë thirrje përmes Shkëlqesisë suaj Konferencës së Paqes për rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për bashkimin e të gjithë shqiptarëve, ortodoksë, myslimanë e katolikë, nën një flamur, flamurin e shquar të ushtarit të Krishtit, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, dhe një qeveri kombëtare dhe me kufij etnikë të Shqipërisë, duke përfshirë rrethet e Çamërisë dhe të Kosovës, në përputhje me kërkesat e paraqitura nga delegatët e Qeverisë së Përkohshme Shqiptare. Nënshkrimet e 120 delegatëve laikë pasojnë me postë.

(Nënshkruar) Kol Tromara.

https://www.darsiani.com/la-gazette/the-new-york-herald-1919-rezoluta-e-keshillit-te-shenjte-te-kishes-ortodokse-shqiptare-te-amerikes-drejtuar-presidentit-wilson-baronit-sonnino-dhe-kryeministrave-lloyd-george-dhe-clemenceau/ / KultPlus.com

Kolë Tromara (1882 – 1945)