Në këtë fillim të stinës së pranverës, një frymë e re dhe e freskët e ka përshkruar edhe botën e modës me koleksione të reja e tejet të veçanta. Një të tillë e kanë sjell edhe disenjatoret Natyra&Diellza, shkruan KultPlus.
Të inspiruara nga ngjyrat e luleve pranverore, përmes këtij koleksioni, disenjatoret sjellin fustane solemne me qëllimin e vetëm që secila vajzë apo grua të gjej veten dhe të shkëlqejë në paraqitjen e saj.
Koleksioni pranveror i disenjatorëve është një bashkëdyzim i mjeshtërisë së punës me dorë dhe vizionit të tyre ndaj modës, duke sjellë në jetë fustane tërheqëse që reflektojnë ngrohtësinë dhe ngjyrat e stinës së pranverës.
Në këtë koleksion, gjethet janë përdorur si inspirim kryesor për dizajnet e fustaneve, ndërsa ngjyrat e hapura dhe detajet e punuara me kujdes japin një ndjesi të lehtësisë dhe bukurisë natyrore.
Fustanet janë dizajnuar në atë mënyrë, për të përfaqësuar elegancën dhe finesën, duke e bërë veshjen si një përvojë të veçantë për ju.
Njëra nga karakteristikat kryesore të këtij koleksioni është qëndrueshmëria. Motra Natyra&Diellza janë në përpjekje të vazhdueshme për të integruar materiale të cilat janë të qëndrueshme dhe të përshtatshme.
Ky koleksion pranveror është një shprehje e vërtetë e elegancës dhe kreativitetit të disenjatorëve në botën e modës, andaj për secilën nga ju që dëshironi të shkëlqeni në eventet tuaja, Natyra dhe Diellza ju presin edhe në atelienë e tyre në Gjakovë. / KultPlus.com
Në një kohë ku moda duket sikur është në një garë të pandërprerë për të eksperimentuar me ngjyra të ndryshme dhe stile të kundërta, disenjatorja Jetmira Bejtullahu ka arritur të marr vëmendje duke na sjellë një thesar të vërtetë të elegancës, ku janë të lidhura në harmoni të plotë klasikja dhe modernja, shkruan KultPlus.
Klasikja është një vlerë e përhershme që pavarësisht ndryshimeve nuk e humbet aktualitetin dhe po të hysh këto ditë në profilin e disenjatores Bejtullahu, ti mund të takosh Charlotte, Naomi, Jennifer, Dianan, Elizabeth, Mollyn, Sophian, Marilyn apo Pamelan.
Janë fustanet e Jetmirës që bartin emrat e këtyre ikonave të artit e modës duke na shpalosur disa kreacione të cilat janë një interpretim i estetikës së pastër dhe të thjeshtë por që eleganca e tyre arrin të marr vëmendjen e secilit nga ne përkundër faktit që përbërja e tyre është me vetëm dy ngjyra, bardh e zi.
Jetmira Bejtullahu ka treguar për KultPlus se synimi kryesor ishte që të krijoj një koleksion që është i sofistikuar dhe i përshtatshëm për ngjarjet e rëndësishme.
“Ky koleksion është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të përcjell një mesazh. Klasikja dhe modernja mund të jetojnë në harmoni të plotë kur bëhet zgjedhja e duhur. Përdorimi i ngjyrave bardh e zi është zgjedhje që simbolizon elegancën”, thotë Jetmira e cila tutje tregon se emrat e fustaneve janë inspiruar nga ikonat e modës duke dashur të nderojë vlerat e tyre.
“Për përzgjedhjen e emrave për fustane jam ndikuar thellësisht nga ikonat e modës dhe artit. Emrat e fustaneve reflektojnë stilin, linjat dhe elemente të dizajnit që lidhen me kontributin e tyre në botën e modës. Ky proces ndihmon të ndërtohet një identitet unik për secilin fustan dhe të komunikojë me përdoruesit (klientët) potencialë”, thotë Bejtullahu.
Klasikja ka një vend të rëndësishëm në koleksionin e Jetmirës, duke ofruar një alternativë të përhershme në botën e modës, duke reflektuar ngjyrat bardh e zi në mënyrë të përsosur.
Kur krijon modele të tilla, padyshim se në mendje gjithmonë ke një person të cilit dëshiron të ja shohësh të veshur atë kreacion dhe kjo padyshim është një ndjenjë e këndshme për të cilën flet edhe Jetmira.
“Është një ndjenjë e bukur kur shoh dikë që ka zgjedhur të veshë një nga krijimet tona. Është një nder për ne të kontribuojmë në shkëlqimin e tyre.”
Për gratë që duan të duken elegante me një fustan nga koleksioni i saj, Jetmira jep disa këshilla të thjeshta.
“Zgjidhni një model që i përshtatet formës së trupit tuaj dhe kombinojeni me aksesorë të thjeshtë për të arritur një pamje të sofistikuar.”
Për të ardhmen, Jetmira Bejtullahu ka plane që të sjell koleksione të tjera të ngjashme dhe të eksperimentojë me stile të reja të modës, duke ruajtur gjithmonë elemente të klasikes dhe elegancës në krijimet e saj.
Përmes këtij koleksioni i cili tashmë është i gatshëm për ju, disenjatorja Jetmira Bejtullahu ka nderuar ikonat e artit duke na rikujtuar se eleganca klasike është gjithmonë në stil. / KultPlus.com
Në një botë mode që ndryshon me shpejtësi, disenjatorja Artinë Ahmeti ka sjellë një frymë të re në këtë stinë të nxehtë vere, nëpërmjet koleksionit të saj të ri të fustaneve elegantë titulluar “Back to Black”. Ky koleksion e thekson thelbin e elegancës së thjeshtë dhe autentike, duke ofruar kreacione të dizajnuara me një shikim të qetë në pamje të parë, por që fshehin thesaret e detajeve të punuara me punim dore, të cilat i japin fustaneve një bukuri të veçantë, shkruan KultPlus.
Qëndresa ndaj autenticitetit dhe inspirimit është pikërisht ajo që bën këtë koleksion të veçantë. Ahmeti e ka shfrytëzuar me mjeshtëri këtë koncept, duke krijuar fustane që shënojnë një epokë të mirëfilltë e të qëndrueshme në modën e veshjeve elegante. Thjeshtësia e fustaneve është kthyer në një forcë të madhe, duke lejuar secilën grua të ndjehet e sigurtë dhe e sofistikuar në kohën e saj.
Çdo fustan është një vepër arti, me detaje të veçanta që shpërfaqin talentin dhe pasionin e disenjatores Ahmeti për modën. Kombinimi i formave të thjeshta me elemente unike të punuara me dorë, dhe zgjedhja e ngjyrës së zezë, janë disa nga elementet kyçe që e bëjnë këtë koleksion të jashtëzakonshëm.
“Koleksioni “Back to Black” ka fustane të dizajnuara me një thjeshtësi në pamje të parë, por që kanë detaje të punuara me punim dore të cilat e kompletojnë pamjen, por patjetër kemi dashur që ta ruajmë autencitetin e inspirimit të linjës që çdo grua duhet të ketë një fustan elegant, të thjeshtë, që do t’i mbijetoj ndryshimit të trendit dhe që mund ta përdor në çdo rast”, është shprehur disenjatorja Artinë Ahmeti për KultPlus.
Njëra nga tiparet kryesore të koleksionit “Back to Black” është që këto fustane mund të përdoren në raste të ndryshme sepse qëndrueshmëria e tyre ishte qëllimi kryesorë i disenjatores e cila ka arritur të krijojë një koleksion të gjallë dhe të përshtatshëm për shijet e shumë grave, duke u bërë një zgjidhje e sigurtë për to. Për KultpLus, ajo ka shpalosur edhe veçantitë e tjera të këtyre kreacioneve.
“Materialet e përdorura janë gomat me një kualitet super të mirë, dhe po ashtu detajet të punuara të gjitha me dorë, me gurë dhe kristale. Një element të veçantë që e kemi përdorur në këtë koleksion janë format e ndryshme në prerje dhe dizajnim, dhe po ashtu korsetat e fshehura të cilët janë të vendosur në çdo fustan por që fustani në pamje të parë duket pa prerje”, shprehet disenjatorja.
Në këtë koleksion, Ahmeti ka bërë një hap tjetër drejt vërtetësisë dhe elegancës së kohëve të kaluara, duke iu kujtuar të gjithëve se një stil i thjeshtë, por i sofistikuar, nuk njihet kurrë si demode. Koleksioni “Back to Black” është një manifest i fuqisë së kohës së patundur të modës së veshjeve elegante dhe një frymëzim i vërtetë për të përjetuar elegancën nëpërmjet thjeshtësisë.
Ahmeti na ka treguar se moda është një mënyrë për të shprehur identitetin, individualitetin dhe për të shënuar kohën me një veshje unike dhe të bukur. Duke na sjell “Back to Black”, ajo na inkurajon të vazhdojmë të eksplorojmë elegancën autentike dhe të shijojmë kohën duke mbajtur një stil që do të vazhdojë të konsiderohet klasik dhe modern njëkohësisht.
Krejt për fund ajo ka zbuluar se bashkë me ekipin e saj janë duke punuar në disa projekte njëkohësisht, dhe shumë shpejtë do të vijmë me koleksione të reja dhe risi në botën e modës. / KultPlus.com
Si një virtuoz i “retouching”, Kushtrim Kunushevcit i është besuar fotosesioni i koleksionit të brendit të veshjeve “Zara” në bashkëpunim me filmin më të përfolur të momentit “Barbie”, shkruan KultPlus.
Ky artist i fotografisë, është një talent i shquar në përpunimin e fotografive, me një aftësi të rrallë për të sjellë magjinë dhe përsosmërinë në çdo imazh.
Puna e tij e më hershme, vizioni i qartë artistik dhe pasioni i thellë për detajet, ka bërë që të marr besimin e plotë të fotografes së njohur Nadia Lee Cohen e cila për të finalizuar fotografitë e këtij koleksioni ka zgjedhur kosovarin Kushtrim Konushevci.
Në këtë rast, ai ka qenë pjesë e një projekti të jashtëzakonshëm, ku ai është përfshirë në përpunimin e fotove të koleksionit të ri të brendit të njohur “Zara”.
Ky koleksion është një përzierje e stilit dhe elegancës, që sjellë në jetë punën e shquar të dizajnerëve të talentuar të brendit.
Ndërsa bota e modës dhe e kinemasë vazhdon të evoluojë, Kushtrim Kunushevci mund të shihet si frymëzim për të rinjtë, duke ju dhënë shembull që me punë dhe përkushtim arrihet edhe deri te bashkëpunimet e tilla. / KultPlus.com
Bota e modës po evoluon vazhdimisht dhe është gjithmonë emocionuese të shohësh dizajnerë të rinj që hyjnë në industri me perspektiva të reja dhe ide novatore. Së fundmi, pata kënaqësinë të shikoj koleksionin debutues të dy motrave të talentuara Natyra&Diellza të cilat kanë sjell freski në botën e modës me fustanet e tyre elegante, vëmendjen ndaj detajeve dhe mjeshtërinë e tyre deri në perfeksion, shkruan KultPlus.
Që në momentin që hodha sytë te krijimet e tyre, u rrëmbeva nga bukuria e modeleve. Çdo pjesë ishte punuar me kujdes dhe saktësi, duke përdorur materialet më të mira për të siguruar një përshtatje të përsosur dhe një ndjenjë luksoze. Vëmendja ndaj detajeve ishte karakteristikë e tyre, në çdo fustan ato vëreheshin në mënyrë unike duke arritur përfundime të shkëlqyera që i dallonin nga çdo gjë tjetër në treg.
Ajo që më bëri më shumë përshtypje në koleksionin e tyre ishte mënyra se si ato ndërthurën pa problem stilet klasike dhe bashkëkohore për të krijuar diçka vërtet unike. Ata kanë një sy të mprehtë për modën dhe kjo është e dukshme në mënyrën se si kombinojnë pëlhura, tekstura dhe ngjyra të ndryshme për të krijuar pamje që janë sa të sofistikuara aq edhe të përparuara në modë.
Ky pasion i madh për dizajnin dhe të bukurën, motrat i bëri bashkë edhe në biznes. Ato vendosën që bashkërisht, duke realizuar ëndrrën e tyre, njëkohësisht të realizojnë edhe ëndrrën e çdo vajze/gruaje që të duket bukur e të ndihet rehat me kreacionet e tyre, andaj edhe sollën koleksionin debutues.
“Gjithçka nisi me pasionin për artin dhe krijimin e diçkaje të re. Mes bisedave të shumta mes nesh, vumë re që ndanim të njëjtin pasion për modën dhe dëshirën për të bukurën, në veçanti shfaqjen e gruas në mënyrën më elegante. Andaj menduam të mbledhim forcat dhe si motra të bënim realitet ëndrrën tonë e me pas të bëjmë realitet ëndrrën e çdo gruaje që do të duket bukur”, shprehen disenjatoret që përkundër faktit që vetëm sa kanë hyrë në treg, suksesi nuk po ju mungon.
Figura e gruas ka qenë gjithmonë një burim frymëzimi dhe inspirimi për dizajnerët në fushën e modës, dhe kjo nuk është e habitshme sepse gratë janë shpesh të shquara për elegancën dhe stilin e tyre, duke sjellë një ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën e modës. Edhe për Natyrën e Diellzën, muza e tyre është gruaja.
“Frymëzimi dhe kreativiteti jonë si dizajnere bazohet në vet figurën e gruas, forcën, elegancën dhe pasionin që ato përçojnë”, shprehen dizajneret që në këtë koleksion debutues të titulluar “DIVINE”, ashtu sikur vet emri, kanë për qëllim të shfaqin një grua hyjnore që ka guxim dhe vetëbesim në paraqitjen e saj.
Këtij koleksioni, nuk i ka munguar vëmendja e menjëhershme dhe kjo padyshim që është shndërruar në motivim për motrat.
“Për fatin tonë të mirë, ky koleksion ka kaluar çdo pritshmëri tonën si koleksion startues në biznesin tonë, jemi shumë mirënjohëse për të gjitha komentet dhe përkrahjen që kemi marr.”
Por për të arritur suksesin, padyshim që është një proces dhe sfidë e ngjeshur por lidhshmëria që disenjatoret kanë me këtë profesion kalon edhe në nivel personal.
“Ne të dyja kemi një lidhje të ngushtë me këtë profesion, jemi detajiste dhe të përkushtuara në maksimum që çdo produkt që e nxjerrim të jetë i punuar me dashurinë më të madhe, kjo bën që këtë profesion ta dashurojmë çdo ditë e më shumë”, shprehen vajzat.
Vëmendja e tyre ndaj detajeve, mjeshtëria e patëmetë dhe ndjenja unike e stilit i bëjnë ata një forcë për t’u llogaritur në botën e modës. Nuk kam asnjë dyshim se do të shohim shumë më tepër prej tyre në vitet në vijim dhe mezi pres të shoh se çfarë kanë rezervuar për më tutje.
Krejt për fund, ato premtojnë: “Koleksione më shumë, punë të palodhshme dhe detaje unike.” / KultPlus.com
Kurimi deri në perfeksion i çdo detaji, stili ‘’Haute couture’’, takimet vizuale me klientët si dhe vërja në pah e pjesëve më tërheqëse të klientit, konsiderohen si veçantia e disenjatores Artinë Ahmeti, e cila së fundmi ka publikuar koleksionin e veshjeve për vitin 2022 ku ndjeshmëria për idetë unike dhe përshtatja me stilin e tanishëm ka sjell krijime përmes së cilave vihen në pah linjat e bukura dhe të ndryshme trupore ku veshjet japin iluzionin se po përqafojnë trupin e personit si një dorezë e krijuar posaçërisht për ta, shkruan KultPlus.
Pasioni i saj për të krijuar veshje ka nisur qysh në fëmijëri ku dëshira e madhe për krijime të vogla dhe ndryshimi i veshjeve paraprake të saj, ka krijuar lidhjen e ngushtë me profesionin, duke u bërë kështu pjesë e pandashme për të.
Biznesi i saj filloi rrugëtimin në fund të vitit 2019, viti që tronditi botën me situatën pandemike e njëlloj ka goditur rëndë edhe biznesin e saj fillestar. Kjo situatë ka detyruar që puna të ndalohet për disa muaj rresht mirëpo me kalimin e kohës, këtë pauzë disenjatorja e ka zëvendësuar personalisht për të nis krijimet e saj menjëherë pas lirimit të masave.
Përkatësisht në muajin korrik të vitit 2020, Ahmeti ka publikuar koleksionin e parë të saj dhe së bashku me shtatë bashkëpunëtorë, me një punë të palodhshme dhe mund të jashtëzakonshëm, kanë krijuar edhe koleksionin e fundit për vitin 2022.
Koleksioni i fundit ka ardhur si ide eksperimentale e disenjatores, ku ajo ka punuar me disa detaje, forma dhe ngjyra të cilat kanë rezultuar mjaft të dëshiruara nga masa. Objektivi kryesor në krijimet e saj është gjithmonë ‘’Ajo. Femrat’’, dhe jo vetëm që të duken bukur por edhe të ndjehen të fuqishme dhe të jenë vetvetja sepse sipas saj çdo femër është unike në vete, dhe kur ato ndihen rehat e të lumtura në atë që Ahmeti krijon për to, atëherë konsiderohet një arritje tejet e lartë për të.
Në një intervistë për KultPlus, disenjatorja Artinë Ahmeti ka folur rreth koleksionit të saj të fundit që është krijuar për një kohë relativisht të shkurtër por edhe për suksesin e saj që po shkel kufijtë.
“Koleksioni përfshinë 15 veshje, të cilat janë të krijuara për një kohë relativisht të shkurtër duke filluar qysh nga krijimi i temës, inspirimi, skicimi, përzgjedhja e materialeve, pastaj vazhdon me krijimin e patronave, qepjen dhe finalizohet me punën e dorës, gjë që e karakterizon punën tonë. Andaj, edhe procesi zgjat varësisht prej modelit dhe formave që janë për punë”, thotë Ahmeti.
Sipas saj, kur bëhet fjalë për ngjyra dhe llojllojshmërinë e tyre, ajo gjithmonë tenton që t’i përshtatet trendëve të kohës, ndërsa të preferuarat e saj personale mbesin ngjyrat si ajo e zeza dhe nuancat nudo. Kurse, në koleksione dhe krijime ajo punon me cilëndo ngjyrë dhe formë.
“Sa i përket përzgjedhjes, pas pjesës ku zgjedhim temën e inspirimit dhe materialet, unë krijoj një numër relativisht te madh të skicave ku zgjedhen disa prej tyre në mënyrë kolektive. Ndërsa, porositë krijohen zakonisht duke i kombinuar me modelet paraprake të koleksioneve, me disa detaje që klientët dëshirojnë ti ndryshojnë dhe ti personalizojnë”, thotë Ahmeti për KultPlus.
“Secili klientë është i veçantë dhe kërkon një punë e përkushtim maksimal, në mënyrë që të jetë i kënaqur me punën dhe atë që kërkon”, potencon ajo.
Për Ahmetin, sfida më e madhe e hasur ka qenë kjo e fundit që ndodhi në gjithë botën ku si të gjitha bizneset e tjera, është dashur që puna të ndalet duke shtanguar krijimet e disenjatorëve për një kohë të cilën sot duket se është e tejkaluar.
“Besoj që secili në mënyrën e tij e sjell më të mirën në pah përmes krijimeve në frymën, stilin dhe profesionalizmin e personit. Për vete, mendoj që kam studiuar dhe punuar mjaftueshëm që të dal si një dizajnere e kompletuar dhe ti ofroj klientit produktin në mënyrën më profesionale të mundshme, në atë që quhet profesionalizëm”, përfundon Ahmeti për KultPlus.
Disa nga emrat e njohur që bartin emrin e Artinës në veshjet e tyre janë: Miss Alejandra Buitragoc dhe Miss Universe Ecuador 2020, Lejla Espinoza. Kurse, pjesëmarrja më e suksesshme e saj cilësohet ajo e fotosesionit për Miss Universe Colombia 2020, Maria Fernanda, për gazetën më të madhe në Amerikën Latine ‘’Pump Magazine’’, ku Fernanda ka zgjedhur pikërisht firmën e Ahmetit në mesin e shumë disajnerëve të botës.
Synimi i saj për të ardhmen është konsideruar rritja e firmës dhe shtrirja në mbarë botën sepse për momentin bashkëpunimet me tregun ndërkombëtarë si ajo me: Miss Universe Columbio 2020, funksionojnë vetëm online.
Krejt për fund, disenjatorja ka zbuluar se linja e saj do të jetë pjesë e Paris Fashion Week në sezonin e ardhëm të vitit 2022 me një koleksion prej 10 veshjeve.
Artina rrugëtimin e saj në këtë profesion e ka nisur mbarë dhe sukseset në vazhdim duket sikur vetëm po presin ditën e duhur për tu shpalosur. / KultPlus.com
Sahabettin Ozçelik ka ndoshta koleksionin më të madh të celularëve që ju keni parë ndonjëherë.
Duke filluar si riparues dy dekada më parë, ai ka grumbulluar një koleksion prej mbi 1.000 telefonash, transmeton KultPlus.
Ozçelik jeton në Van, një provincë lindore e Turqisë dhe vazhdon të mbledhë telefona edhe kur i riparon.
Koleksioni i tij dikur ishte edhe më i madh, por hajdutët hynë në shtëpinë e tij dhe vodhën 700 prej tyre dy vjet më parë.
Me gjithë këtë, ai ka arritur të mbushë një dhomë me objekte teknologjike.
“Kam filluar ta bëj këtë punë për shkak të interesit tim për celularët. Një ditë, vendosa të kem një koleksion, duke menduar se shpejt do të vjetëroheshin. Të gjithë telefonat në koleksionin tim ende punojnë, por ata nuk prodhohen më”, ka thënë ai.
Koleksioni i tij përbëhet nga telefonat që ai ka blerë dhe ata që janë hedhur nga pronarët e tyre të mëparshëm.
“Të gjitha janë modele të rralla dhe shumë të vlefshme. Disa blerës donin të blinin disa, por unë nuk ua shita”. / KultPlus.com
Mjeshtrit që veshin kukullat me veshjet tradicionale arbëreshe ne Italinë e Jugut janë të shumtë.
Studiuesi Italo Elmo publikoi sot punimet e Gemma Ceccarini, e cila me kukullat e njohura Barbie, ka sjellë në një formë origjinale stilizimet e saj të veshjeve arbëreshe, jo vetëm femërore, por edhe të burrave.
Ndërthurja e mjeshtërisë artistike, teknologjisë dhe pasionit ka lejuar krijimin e rrobave tradicionale dhe aksesorëve miniaturë.
Ceccarini me punimet e saj është përpjekur të realizojë me përpikëri format e veshjeve, me të njëjtat materiale dhe procese punimi si ato që realizoheshin dikur për veshjet të çmuara të Frascinetos (Frasnita), një komunitet arbëreshe brenda Parkut Kombëtar Pollino.
Përmes kukullave të saj jo vetëm që pohohet ndryshimi në statuset e ndryshme shoqërore midis zonave etnografike të shqiptarëve në Itali, por edhe diferencat midis stileve të veshjes për përdorim të përditshëm, për festa, gjysmë-festa, dhe për martesë. Gemma Ceccarini e kultivon prej disa vitesh pasionin e saj për të veshur kukullat, të cilave u realizon edhe stolitë me me fije të arta./diasporashqiptare/ KultPlus.com
Pasioni për Lionel Messin nuk njeh kufi, dhe këtë e dëshmon Surya Wijaya, një tifoz nga Indonezia i cili e zotëron koleksionin më mbresëlënës të fanellave të superyllit argjentinas.
Ai nuk ka vetëm fanella të ndryshme të Messit në Barcelonë, por edhe fanella të Argjentinës me emrin e Messit në ngjitur në shpinë.
“I kam 200 fanella. Për ta pasur koleksionin që e kam sot kam shpenzuar shumë para dhe kohë në 11 vjetët e fundit të jetës sime”, tha Wijaya për MARCA.
“Shumë njerëz më thonë se jam i çmendur që e kam këtë hobi, por unë iu them atyre se kjo është jeta dhe pasioni im”, shtoi ai.
“Disa prej tyre i kam blerë në dyqane në Indonezi, por shumicën prej tyre në internet. Të gjitha janë origjinale, por nuk e kam asnjë fanellë të Messit me të cilën ka luajtur një ndeshje”, theksoi ai.
Wijaya thotë se, megjithatë, ai ka qenë tifoz i Barcelonës edhe para se Messi të dilte në skenë.
“Kam qenë tifoz i Barcelonës dhe Argjentinës edhe para Messit, sepse më pëlqente Riquelme”, shtoi ai. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Fundviti duket sikur zgjon edhe kreativitetin. Artistë të ndryshëm sjellin “paketën” e fundvitit. Një të tillë e ka shpalosur këto ditë edhe disenjatorja e njohur Diana Qerimi. Një befasi kjo e bukur për të gjithë ata që e donë punën e saj, shkruan KultPlus.
Është një vij
që i dallon dizajnerët nga njëri tjetri, kjo vij tek Diana është më e theksuar.
Stili i saj por edhe mënyra e veçantë e prezantimit të koleksioneve kanë bërë që
Diana të mbetet ndër dizajneret më të preferuara në vendin tonë.
Kësaj radhe,
ajo na sjell një koleksion më ndryshe. Dukja për në mbrëmje dallon dukshëm nga
ajo ditore. Qerimi kësaj radhe fokusin e ka pasur tek veshjet e mbrëmjes. Plot
elegancë e stil këto veshje janë mbërthyer në një koleksion.
“Në këtë
fundvit, ndryshe nga herët tjera, kam sjell një koleksion i cili nuk përmban më
veshje të përditshme por më shumë për mbrëmje. Në këtë koleksion nuk kanë
munguar veshjet si suita, sako me funde por kësaj radhe me një formë më ndryshe
së herët tjera, duke i veçuar detajet e statujave që ne i kemi paraqitur në aksesorë
e punuar nga Vlera Cocaj”, ka treguar disenjatorja për KultPlus.
Ky koleksion
ka shpalosur 12 veshje por kjo nuk është
e gjitha, edhe pesë veshje të tjera do të publikohen në ditët në vijim, por me
një formë tjetër të prezantimit.
“Duke ditur
sa shumë i kushtoj rëndësi fotosesionit e prezantimit të videove, kësaj radhe
kam sjell bagazhin tim të mbledhur për një kohë jam munduar ta prezantoj përmes
projekteve të mia. Kam pasur dëshirë ta paraqes njeriun e fortë që edhe në kohët
kur ai është keq, atë di ta fsheh dhimbjen me veshje të bukura.
Gjithë kjo
punë e ky sukses është i pamundur pa bashkëpunëtorë, e Diana për këtë pjesë
kujdeset në mënyrë të veçantë.
“Ne tani jemi një ekip super i madh që bashkëpunojmë vazhdimisht e secili shpalos kreativitetin e dashnin për punën e tyre në mënyrën më të mirë. Por ato që i japin bukuri këtyre prezantimeve janë vajzat. Kësaj radhe kam pasur një llojllojshmëri të fytyrave duke filluar nga Maylinda Kosumovic, një super aktore e gjitha modelet e tjera të cilat i falënderoj tej mase”.
Kur puna vlerësohet gjithçka kthehet në motiv për të vazhduar edhe më tutje.
“Nuk di ku
ka më mirë se më qenë krenare me punën që e bën e aq më shumë kur të vlerësohet
kaq shumë nga njerëzit. Sigurisht që kjo më bën të kem vullnet për të punuar më
shumë e të sjell gjithmonë gjëra të bukura”.
Për Dianën këto tashmë janë kthyer në frymëzim për koleksionin e ardhshëm, të cilin do ta sjell pas një kohë duke i lënë hapësirë që ta zbërthejë në mënyrën më të mirë. / KultPlus.com
Në mesin e shumë dizajnerëve të rijnë që çdo ditë e më shumë po i shtohen tregut tonë, një vëmendje të theksuar këto ditë ka marrë dizajnerja Orhidea Berisha. Kreacionet e saj krejt të veçanta, me një frymë ndryshe dhe një stil ushtarak, kanë bërë që puna e saj të bie në sy e të marrë dritën e gjelbër menjëherë, shkruan KultPlus.
Ndonëse ende
e re në moshë, Orhidea tashmë ka një përvojë 8 vjeçare në fushën e modës. Këtë
rrugë ajo e kishte të shtruar fillimisht nga familja, por me dëshirën e saj për
ta profesionalizuar edhe më shumë, ajo nisi shkollimin në këtë drejtim, ku
tashmë edhe ka përfunduar studimet në Akademinë Evolucion.
Ajo çka e veçon
Orhidean në punën e saj është përkushtimi në gjithë procesin e punës. Ajo për KultPlus
ka shpalosur më shumë rreth procesit të krijimit.
“Duke pasur
parasysh punën që kryen një dizajner/e, e veçanta e imja është se i gjithë
procesi i krijimit të veshjes prej skicimit, realizimit të patronit e deri të
qepja përfundohen nga unë dhe garantoj në cilësinë e asaj veshje”, ka thënë
Orhidea.
Veshjet që
ajo krijon përfshijë të dyja gjinitë, madje ajo është ndër të pakta dizajnere në
vendin tonë që krijon për gjininë mashkullore. Kreacionet e saj për të dyja
gjinitë vijnë me një lidhshmëri të mrekullueshme mes vete. Përkushtimi ndaj
detajeve është pika e saj më e fortë.
“Do e përshkruaja
stilin tim si më elegant, por loja dhe kombinimi i ngjyrave që përdoren në
veshje bëjnë që personi që i vesh ato të jetë në qendër të vëmendjes”.
Orhidea këto
ditë është duke shpalosur dalëngadalë koleksionin e saj të parë të cilin e ka
titulluar “Stories of Imagination” që është̈ koleksion
vjeshtë-dimër 2019/20. Ky koleksion përfshinë veshje për femra dhe meshkuj të
krijuara për një nivel të mesëm të statusit shoqëror, por shumë të interesuar
për modën dhe zhvillimet e saj.
Koleksioni përmban
gjithsej 10 kreacione në të cilat ngjyrat e përdorura janë më vjeshtore por ajo
që i bënë veshjet më unike janë dizajnet kubiste të cilat sjellin një trend të
lartë.
Disenjatorja
ka treguar që inspirimi i ka ardhur nga piktor i cili ka qenë edhe ushtar në
Luftën e Parë Botërore.
“Inspirimi për
këtë koleksion erdhi nga punimet e piktorit kubist Fernand Léger. Me ka tërhequr
stili i tij dhe jam e interesuar për format e tij gjeometrike të cilat i ka përdorur.
Andaj reprezentimi për koleksionin tim është̈ ky piktor dhe disa forma nga
pikturat e tij. Po ashtu unë̈ jam inspiruar edhe nga uniforma ushtarake. Ideja
më erdhi nga ky piktorë i cili ishte ushtar në Luftën e Parë Botërore. Më pëlqen
uniforma ushtarake sepse tregon elegancë, fuqi, dhe përgjithësisht një pamje
të zgjuar”.
Ky koleksion
ka mbërthyer rreth vetes xhaketa, pantallona, këmisha dhe detaje nga këto
uniforma të përziera me forma apo dizajnët e piktorit Leger.
“Komentet që
i kam marr, kanë kaluar çdo pritshmëri timen pasi që edhe ishte koleksioni im i
parë nuk isha e sigurt nëse njerëzit tjerë do mund ta gjenin veten në botën
time”.
Konkurrenca mes
dizajnerëve tek ne nuk mungon, por kjo vetëm sa e shtynë Orhidean të punoj edhe
më shumë.
“Unë besoj që
sado e madhe të jetë konkurrenca, nëse ke diçka të re dhe më ndryshe nga ajo që
njerëzit janë mësuar të shohin në treg, atëherë nuk është e vështir të jesh në
mesin e dizajnerëve të dalluar në vend. Përveç kësaj konkurrenca është ajo që të
shtyn të japësh më të mirën nga vetja”, ka thënë tutje ajo.
Orhidea synon që përmes kreacioneve të saj të sjell të njerëzit që i veshin rehati, cilësi dhe të jenë të veçuar në dukje. Por, gjithashtu ajo pretendon që kreacionet e saj të gjejnë hapësirë edhe në tregun ndërkombëtarë. / KultPlus.com